E enjte, 25.04.2024, 05:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Fontanat e dramacitetit social e lirik

E shtune, 17.10.2015, 12:50 PM


FONTANAT E DRAMACITETIT SOCIAL E LIRIK TE NJE POETI

“Poeti Edeart Hirsch ka shkruar se ajo (muza V.M) ndryshon

midis përkohëshmes dhe të përjetëshmes, se poeti është një

kërkues, një kremtues në kërkim të hyjnores, të

pandryshueshmes, absolutes”

Robert Bauers “ Refuzimi për të vajtuar

fatin e muzave” Rev. Aleph Nr. 15 2004

Nga Vladimir Muça

1-DRAMACITETI MIDIS DY JETEVE KRIJUESE

E kisha lexuar Maku Ponen që në vitet 070 me librin “Yje mbi bar”, një libër i redaktuar me përkujdesje, lirshmëri stilistike, nga poeti Vebi Skënderi, si dhe me botime në shtypin letrar të kohës.

Si një rreze drite, shihja në atë stilistikë diçka të re, por çështë e drejta nuk e ndjeja thellë, thellë në qenien time atë të re moderne që poeti fierak Maku Pone po sillte në poezinë shqipe, i bashkuar në një grup poetësh si: Moikom Zeqo, Agim Mato, Ndoc Gjetja, Vizar Zhiti, Mujo Buçpapaj, Gjek Marina, Fatos Arapi, Agim Shehu, Agim Gjakova, Faslli Haliti, Hiqmet Meçaj, Frederik Reshpja dhe Sadik Bejko.

Në ate çka lexoja në ato vite, shihja një lirshmëri poetike pa kufi, ngarkuar me metafora, qendisur bukur në gjergjefin e një filozofie-poetike, që më tundonte, për ti marrë si modele.

Gjithçka qëmtohej me mjeshtrinë e duknajës në labirinthet poetike.

Jeta në poetikën e Ponës shtrihej thellë rrënjëve, në fërshfërimën e gjetheve, në gjarpërin nën gurë, në fotosintezën e materies, ardhur nga thellësitë e mikro e makrobotëve.

Pas një shkëputjeje nga despotizmi dhe autoçensura poetike, si dhe levrimi i artit dramatik e librete në teatrin “Bylis” ai në fakt, brenda vetes, në muzat e fshehura punonte në kuadrin e një persekutimi shpirtëror. Duke qenë i qartë se arti i vërtetë lind tek vetëmohimi, lind në diçka që në një formë, apo tjetër formë është vetëmohuar, poeti asket mundi të ruaj të papërlyer, të virgjëra në kujtesa ëndrrat e zhgjëndrrat poetike.

Në religjonin e ri shoqëror, nëpërmjet një spiritualiteti të jashtëzakonshëm, Maku Pone, mbasi kishte shoshitur në laboratorin e trurit, na solli personazhe poetik nga më të larmishmit, dhe si një Drusila Tanzi i Montales të cilët, megjithëse në dukurinë e parë të verbër, por me një shqisë të gjashtë të shpirtit, “ të një zogu nate”, perceptojn njerëzoren, humanen, të gjithëpushtetshmen, me gjithë frymërinë e saj.

Poezia e vërtetë të prek në çdo çast të jetës, se ajo, duke u shkruar jo në celular, por disa herë në letër të bardhë, do s’do kthehet në një materie të pavdekshme. Ashtu si kundër Ungareti  “ u poq” në furrën e babait “ bukëpjekës” rrëzë piramidave të Egjyptit, Maku Pone u “ poq” pranë fontanave të naftës, në furrën e erosit dhe të eposit të popullit të tij, në skenarët e tatrin “ Bylis” por dhe brigjeve të lumenjve “Gjalica” dhe “ Seman”.

Duke medituar  në këto ambjente, në subkonshiencën e poetit binin këmbanat e një reformimi poetik, të një prememorjeje për një botë të re poetike, që do të kurorëzohej në tre bleme poetike aq shumë të lidhur me njëri- tjetrin.

Maku po përfaqësonte, e po bëhej pjesë e një Rilindjeje të dytë të Re, ku ekstrakti i lirizmit lasgushian dhe rebelimi i vargut migjenian, vinte si një strukturë e re estetiko- stilistike, ku ndërlidheshin marrëdhëniet reale e virtuale, ku në një pikë loti, në një gjeth, në një kokërr gruri, në një rreze drite, si në një galaktikë të re të ndihej e gjallë mbrothtësia dhe psheretima e dashurisë, por dhe lebetia e njerëzimit, si një dramacitet sa lirik aq dhe shoqëror. Kjo s’ishte aspak e lehtë. Shumë autorë bashkëkohës, të ekzaltuar nga liria e shfrenuar e punuan cekët djerrinën e poezisë së tyre duke u vërtitur në një rripë të ngushtë toke (sa i lejonte autoçensura) mes barishteve e graminaceve të së shkuarës.

Dashje padashje, ata kaluan në një krizë motivimi vlerash. Poeti ynë Pone që para shumë viteve,  e kishte punuar qelizëm arën e vet dhe po priste, si ai bujku i mirë, që në dheun e gufuar të hidhte farën për të mbjellë e vjelë produktet e reja (tre librat e rinj poetik) ku ai: “Mund të jetë një nëpunës / por mund të jetë edhe një insekt,/ tavolina gërvisht lehtë, / dhe nëpunësi që shkruan, / mund  të jetë edhe insekti që bren drurin,/”

Kapërcimi i nivelit poetik që në vitet 070 , duke praktikuar në poezi estetika e stilistika moderne, drejt emancipimit të metaforave, duke i ngarkuar me shumë funksione, vitet e ndërrimeve social- ekonomike në ndrimin e sistemeve në vitet 090 e gjeti të trajnuar poetin Maku Pone..

Poezia e botuar në këto tre libra vjenë më e qartë, më e kthjellët, si pararendëse e si motrave që tentojnë të natyralizohen në një biodiversitet të ri, me liri shpirtërore dhe social- ekonomike.

Cilido lexues, që lexon librat “Zjarri hidhur”, “Në kërkim të fytyrës”, “Dritësi e terr”, do të mahnitet në përbashkësitë mes poezive e librave, duke i vënë në mendime lexuesit , por edhe kritikët për këto ndërlidhje, mesazhe në sens të shumëfisht. Ciklet poetike në tërësinë e tyre, krijojnë sinfonizimin poetik me tonalitete dhe trille poetike në hapsira dhe kohë sa substanciale aq dhe krono.

2- KOSHIENCA E DRAMACITETIT LIRIKO E SHOQEROR SI PARADIGMA JETESORE

Maku Pone është një shkrimtar me spektër të gjerë në shkencën humane të fjalës së shkruar; që nga poezitë për fëmijë, drama, librete skenike, redaktorë e moderator në mediat vizive, poet me dukuri moderrne që në vitet 070, kur modernizmi si në çdo vend lindor, edhe tek ne kishte filluar të depërtonte në korracën e metodës të dogmatizmit socialist. Siç duket si shumë “kokëshkretë” të tjerë, Maku në estetikën e stilistikën e tijë kishte si referencë krijuese porosinë e Sharl Bodlerit ku: “Moderniteti është kalimtarja, ikanakja, tërësia, gjysma tjetër e secliës është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja.” (Serge Bautifer parathënie tek “Lulet e së keqes”).

Në këto kontekste, produkti poetik për krijuesin poet, është një zbulim i vazhdueshëm në risitë që sjellë substanca e re kohore dhe zhvillimi i ri shoqëror.

Ajo vjen në poezi si përcaktueshmëri artistike e një stadi të panjohur më parë.

Që nga vitet e obskurantizmit dogmatik për poetin “ plangprishës”, filozofia e paradigmës së jetës, me dramacitetin liriko- shoqëror kanë ecur përkrahë si dy siamezë. Ky koncept, i ushqyer nga Zhak Prever, Ungareti, Montale, Majakovski, Isakovski, Ginsberg e ndoqi varg pas vargu, e strof pas strofe dhe poetin Maku Pone; por me një dallim thelbësor në konceptimin filozofik të poezisë: Majaja dhe brumi i saj janë ato objekte, intepretime dhe në imtësirat e materies. Një koncept i ri, i trajtuar poetikisht, si filozofi natyrale e materies. Dhe deti pa ate pikën e ujit nuk bëhet dot det.

Ky konceptim me sharm filozofik, gjen intepretimin poetik tek poezia “Orkidenë tënde të zezë” dhe “Histori me gjarpër” nga libri “ Zjarrë i hidhur” ku: “Për aq sa e zeza të mos nxij të bardhën / dhe e bardha për aq sa këmbëngul / të mos fshihet nga e zeza.”

Në stanjacionin poetik, trillet poetike, në subkoshiencën e poetit kanë ekzistuar në formën e protoplazmës, ku në fotosintezën e saj, në një dritësim të ri, me protonizmin e Kohës së Re substanciale, ushqyen “baobabin” poetik ponian duke shpalosur në poetekën shqiptare një dramacitet liriko- shoqëror modern në konceptimin poetik, me një natyralitet të veçantë bio-shqiptarë, larg çdo hermetizmi e izmave që futen pa doganë në poezinë e sotme shqiptare. Në të drejtën time, them se poeti “ i heshtur” Maku Pone, me dramacitetin universal, mbarsur me një modernitet autoktonë, është një aktorë dhe faktorë në këtë tranzicion letrarë, e jo si shum kritikë klientelist që krijues të tillë i len mënjanë, largë memories poetike.

Ndonëse të ndërtuara me kolonada të sigurta estetiko- stilistike, në botën e letrave (në subkoshiencë) që para viteve 090, poezitë e tre produkteve letrare për lexuesin paraqesin një botë poetike të individualizuar, në një kopësht poetik që s’ja lëron dot tjetër kush. Kjo botë poetike, është krijuar me fonema individuale poetike, si një mëvetësi e cila e ka mundësuar autorin të zgjojë kujtesat dhe mallin për gjithçka të dashur, të dhimbët për nënën, familjen, atdheun, stepat ruse, ku ai bohemizoi në rininë e kahershme, në qytetin e lindjes, miqtë e gjithçka që sinkronizohet  me përjetimet e poetit. Lexuesi dallon lehtazi burimin e krijimit që vjen kthjelltas nga imagjinata poetike, nga imazhëria, përvoja jetësore dhe kujtesat e jetës boheme. Poezitë shquhen për sygjestionin   që transmetojnë tek lexuesi me anë të ngarkesave estetike, metaforizmit brilant që ecën nën shina parabolash, me ate cilësinë ritmike çak-çuk, çak-çuk të trenit të jetës, por dhe me atë melodinë që vjen e aranzahuar me gjuhën e revoltës.

3- UNIVERSI POETIK I NJE MIKRO E MAKRO BOTE

Universi poetik i Maku Ponës, në këto prezantime poetike, vjen si akuarelet natyraliste te Van Gogut, plot gjelbërim, me shumëllojshmëri lulesh, ku në preferencë është trëndafili. Këto mbartin aroma dehëse që të miklojn mëndjen dhe shpirtin nën kolovajzën e ndjesive, të cilat koloviten nën erërat e shpirtit, herë me tufanet e tornadot e kohës, e herë në rrjedhën e lehtë të ngjyrave si një vangog poetik i vërtetë. Nga thellësia e mendimit, mesazhet dhe bukuria mahnitëse e metaforave, ndjenja e jetësimit shumfishohet, shpirti kapton hapsirat në turravrap duke pushtuar hapsirat e reja kolumbiane, duke mbartur në relikte ëndërrat e reja, në ngjizje të kahmotshme, duke i sjellë jetës vlera të reja në kuadrin e një kohe substanciale të re, duke lënë pas arkaikën e kohës krono.

Ndonëse me një stilistikë dhe estetikë avangarde, moderne, poeti në konceptin dialektik manifeston kuptimin e pastër të filozofisë materialiste. Ai nuk rend pas kozmogonisë apo qejve që “pikojn yje”, por si një materialist i thukët, i natyralizuar gjer në imtësirat e botës që e rrethon, me problemet e shoqërisë, historinë e zhvillimit i shikon në mënyrë objektive.

Imagjinata dhe magjikia e trilleve poetike në këtë habitat ka dhe magjen ku ajo brumohet, majohet duke reflektuar filozofinë poetike të sendeve dhe fenomeneve, simbolikën e tyre, që në të vërtetë mbartin idetë reale të përjetuara shpirtërisht, si dhe imagjinatën aq shumë të dëshiruar.

Si në poezitë e shkruara para viteve 090, të cilat megjithëse s’kanë datë, datojn dukshëm në substrakt, si të njejtë me ato të shkruara në vitet e lirisë shkrimore. Poeti arrin të realizoj një lidhje të realiteteve kohore me substancën poetike duke  ruajtur në drejtpeshim botëkuptimin e kohëve, evolimin në erupsionin protonik, duke na dhënë një univers liriko-magjik si në përjetimet e përrallave anderseniane, si dhe magjinë e spiritualitetit të ëndërrimeve kafkaine si tek poezia “Sytë” ku: “Syri që qan, / nuk sheh përtej xixëllimës së lotit. / Syrin që qesh / nga shkrepje e së qeshurës, / s’e sheh syrin që qan”   dhe megjithëse personazhi poetik: “ E ndërkohë, eci e eci, / ashtu pa kokë, / ndjej se si orientohen nëpër qytet nga zemra / zemra që i di të gjitha / dhe gjithënjë më ka qenë në opozitë me kokën” (Njeriu pa kokë, Drejtësi e terr).

Autori nuk mjaftohet me kaq, por me një personazh tjetër, tek poezia “Verberia” e thellon dramacitetin shoqëror duke kërkuar tek personazhi i verbër (nga dogma) katarsis e luftë brenda vetes tonë ku: “Por unë shoh brenda kësaj verberie / se si vjen një zvarranik tinzar / ... ai bën urdhër dhe jo unë / urdhëri është po aqë i verbër, / sa verbëria ime totale.”

Siç duket, me bagazhin e estetikave të filozofisë shoqërore tek Maku Pone është ngulitur mirë koncepti ri se: “Zhveshja e maskave, lakuriqësia e ideve që prekin të vërtetën, që ngazullojnë apo dëshpërojnë shpirtin gjer në zgjim të imagjinatës, janë shprehje e artit të vërtetë” (Dr. Ferida Papleka, Gazeta “Nacional” 28.06.2015)

Ndaj dhe poeti ynë, duke përqafuar këto këndvështrime të Dr. Feride Paplekës, vjen me një dallim thelbësor në kontekstin estetik. Filozofia e magjistrimit të tij mbështetet fortas në të vërtetat e historiko- shoqërore. Ai trajton tema të mprehta politiko sociale duke shprehur humanizmin në dukuri të dashurive, dhimbjeve, ndjesive e shqetësimeve. Nga kjo dinamikë dialektike e natyralizuar, vjen dhe dukuria tjetër dalluese e poetit; sensi kritik në poezi, me një grotekst të fshehur por të thukët ndaj veseve, shthurjeve shoqërore, tendencave për të anatemuar tradhëtinë. “- Po ku është froni i njeriut, / desha të them i marangozit / i atij pra që ka bërë këto frone / e s’po gjen një copë vend që të ulet? “ Në këto vargje të nxjerra nga poezia “Froni i njeriut” në librin “Zjarri i hidhur” evidentojmë se metafora dhe alegoria, në tërësinë e funksionit artistik janë protoplazma ku zhvillohet sinteza poetike. Në këtë kontekst, me polivalencën e saj, poezia e Ponës është një poezi për jetën, njeriun, vlerat etike me të cilat ai beson, ndonëse kriza e besimit, noton mbi shoqërinë e sotme. Ai si një fontanë në shpërthim, në pritje të shpërvjelë energjinë akumuluar në pritshmërinë e dëshiruar, nën palimpsestet e jetës militon.

Si për poetin dhe për personazhet poetik, kjo është një pritje e dëshiruar, për të nxjerrë në pah optimizmin burrëror si një dukuri që ka lëshuar rrënjë të thella në shpirtin e autorit.

Në konceptin e intepretimit filozofik, autori vendos një lidhje përmanente të njeriut me natyrën si baza e paradigmave të lirizmit shoqëror. Kjo, një filozofi poetike, intepretuar që në zanafillë nga poetët filozofë të lashtësisë, aktuale dhe sot, si domosdoshmëri e ligjeve dialektike në natyralizimin e moderrnitetit në kuadrin shqiptar. Duke cituar vetëm disa vargje të poezisë “Vetëm ca gjethe”, nga libri “Në kërkim të fytyrës” ku metafora dhe alegoria vijnë si lindje nga barku natyrës: “Kopil birë kopili, ku ike / frutet e pjekura, lëngun mjalë, / fëmijëve po u ngec pështyma në fytë / pleqëve nga uja balli ju zverdh në ethe / dhe unë të pata kërkuar / vetëm ca gjethe, / Kopil bir kopili ca gjethe vjeshte”

Nga kjo dendësi metaforash dhe alegorish, ndërthurur me notat e fshehura grotesku, në bindjen time mund të them se libri “Në kërkim të fytyrës” vjen në poetekën shqiptare i veçantë, me statusin e filozofisë dialektike, të lidhjeve të pazgjidhshme, ekzigjent të njeriut dhe natyrës.

E veçanta është se, në këtë udhëtim poetik ka një përputhje të kohës substanciale me kohën krono.

Koha krono e autori rend e rend në kërkim të një substance të re, ku arkaikja, tradicionalja, klasikja janë gurë themeli në ndërtesën e re poetike.

4- MIKROBOTA POETIKE, ZANAFILLA E NJE BOTE TE MADHE

Mikrobota, interesi për imtësirat, kapja pas problemeve “jo të rëndësishëm” të shoqërisë ku vogëlsirat e kësaj jete për Makun ka qenë: “ Nga ferrë e vogël del një lepur i madh” e personalizon në konceptin stilistik nga grupi i poetëve të viteve 070, por edhe sot pas 40 viteve krijimtari.

Në qendër të produkteve si personazhe poetik ai vendos të “pa rëndësishmen”,  merret me temat e vogla në dukje, pa vlera shoqërore, por, në sajë të simboleve, metaforave, alegorive, ndëlidhur me parabola funksionale, këto vogëlsira zgjerohen e marrin përmasat e temave madhore, universale. Kjo mikrobot e ngritur në art, vjen e dlirët si në zanafillë, pa komplecitetin e një moderniteti kallp, siç ndodh me disa dithiramb letrar. Ajo vjen e natyralizuar që në embrion me protonin bio-shqiptar. Duke qëmtuar botën që në elementët e saj të zanafillës, autori i bën profilaksin mutacioneve që lindin gjatë evolimit. Duke demaskuar realitetet patogene ai i sfidon ato, militon shpirtërisht për një botë të pastër, duke reklamuar receta filozofike për një jetë shumë të dëshiruar, në alterego me substancën e re kohore. Këto alterego, bindshëm, autori i zhvillon përmes një dramaciteti lirik e shoqëror ku: “ Sado i vetëm, / s’do ta ndjesh aq shumë vetminë, / do të gjendet gjithnjë një bulkth / apo një mi / që e mbushin zbrazësirën / me të ndjerit zot të fushës / me natën” (Vetmi Fushe nga libri “Zjarr i hidhur”)

Si nga këto strofa, por dhe nga poezitë “Dëborë e zezë”, “Kolera” nga libri “Drejtësi e terr” ku: “Kolera po bën kohë që ka rënë / dhe kurrëkush s’ka ndëmend ta besoj. / Pa shiko si lëvizin koshat e plehërave, / nga mbeturinat vallë? / Jo nga kolera. “  Gjithçka në planin estetik artistikisht, ngrihet mbi kapriatat e një metaforizimi në shërbim të mendimit poetik, idesë, mesazheve e filozofisë poetike të jetës. Nga ky këndveshtrim Pone vjen jo vetëm si një analizues i këtij dramaciteti, por ai na jep dhe një prokurë, duke i bërë pretencën në disa plane të qenësimit njerëzor. Ai nuk rend pas dukurive sipërfaqësore, por rrëmon botën e brendshme të njeriut, duke marrë majanë atje ku ngjizet bota e madhe.

Shembuj bindës janë poezitë “Gjeth vjeshte”, “Një degë shelgu”, “Asgjë e veçantë” ku me anë të metaforave dhe simboleve shenjtërohet lidhja e njeriut me natyrën e bukur të një gjethi, djepi i fotosintezës të një jete; në ate gjeth ku dhe si tek njeriu: “Po sa dhëmbje mban gjethi / si të jetë rrahur në luftëra, / gjaku i verdh a s’të mbeti, / si rrelike te gusha.”  ku ngahera si dy njerëz: “Asgjë e veçantë. / Gjethi / u përplas me një gjeth / dhe u lindi një e puthur.”

Një shkrirje perfekte e lirizmit në ekstrakte natyraliste pjellë e një filozofie Zen Budiste, mbi amalgamat e pasura jetësore dhe madhështinë tek një mikrobotë, ku ka zanafillën jeta me makrouniversin e saj. Një konceptim i tillë, brenda ikonave metaforike, buron nga laboratori krijues i autorit, sepse: “Dhe befas më zë syri një fill bari, / një fill bari midis dy pllakave guri. / Në pëllëmb të dorës sikur më erdhi gjithë rruzulli” (poezia  “Një fill bari”)

Në shumi, në produktet poetike libri “ Në kërkim të fytyrës”  të cilin me një super metaforë në ballinë, që është pjellë e një filozofie poetike, ku njëriu dhe natyra janë një konglemerat ku mikrobota natyrë, gjethi, pikat e shiut, puplat e reve, degëza e shelgut, qumështi, bari, lëvozhga e arrës, lule rradhiqja, filli merimangës, veza e gjarpërit, karkaleci, flokëza e borës, trëndafili, ulliri, syri pemës janë ato amalgama që përbëjnë unin poetik të personazhit poet Maku Pone. Poeti nuk frymon dot pa këtë habitat jetësor. Veç këtu e gjen frymëmarrjen poeti, këtu ndjen gurgullimën e trilleve, mes atyre guriçkave e imtësirave natyrore, tek ajo e “pa rëndësishme” dhe e “ padukshmja” për shumë poetë “madhor në dukje”, por zero fyl në subkoshiencën e tyre ndaj shoqërisë e njerëzimit.

Në disa tema, si e dashurisë për prindërit, fëmijët, për miken e shokët,  kjo dukuri vjen aq e personalizuar, saqë, ajo shmang me sukses poetikat retorike, duke u skulpturuar në forma moderne, pa rifinitura, me konçizitet e thellësi ndjenje siç e përcakton Mjeshtri Madh

Dr. Moikom Zeqo: “Lirika është universi i gjithçkaje. Tek Maku mungojnë temat patetike, gjestet tribunale, madhështitë e jashtme, por një fill inkoshent i dramacitetit të jetës, fatit, bëmave të njerut.”

Aq ngulmëtar është poeti në këto trajtime të reja stilistike, saqë edhe kur trajton mitikën dhe legjendën, ai e sjell atë në një format të ri, jo të gurëzuar në mitiken e saj por në realitetet e reja në kërkim të afeksioneve jetësore ku:  “Kaluan andej rrotull burrat / dhe morën nga një copë, / pati që morën edhe nga dy copa, / a dhe nga tre, a dhe nga katër / në pritje tu bëhen gra / që do të shkojnë krua më krua / e prap të thyen / e prap të ngjizen gra” (Poezia “ Shtambat”).

Mbi çdo gjë poeti merret me ate që është fondamenti, thelbi jetës, bashkësia në shekuj burrë- grua, si zanafilla më e shenjë e krijimit të jetës njerëzore mbi tokë. Kjo bashkësi laurehoet në poezinë “ Mëllaga”, shumë natyrale e ambjentaliste, me një lirizëm dashuror të personazhit poetik saqë: “Kur të ketë rënë përdhe mëllaga / bash atëherë do të shfaqem në prag” . Aq e madhe bëhet kjo dashuri saqë “... e mëllaga ik e ik / del në rrugë e del në shesh. / I gjithë qyteti i mëllagtë dhe pse pa ty” .

Nga ky këndvështrim estetik edhe në hapsirat liriko- erotike, si në poezitë: “Guraja e qelqtë”, “Vorbull ere”, “Murgesha”, “ Zjarri hidhur”, “Copa qelqi”, “Dënimi pasqyrës”, “Qarkullim gjaku”, “Modelimi”, “Vetëtiu vetëtima”, vrushkujt lirik e erotik të Pones nuk vijnë si sfidues të një mentaliteti opskurantist, trashëguar nga soc- surrealizmit dogmatik. Nuk vinë me vrazhdësinë neverinë si disa lirika të ashtuquajtur moderrne me “buzë e shalë” të cilat, në sajë të shkeljes së tabuve përçfaqin përversitetin poetik në lirika nga shumë poetë gjoja eseninianë e modern. Poeti Maku Pone duke mos i degëdisur këto valenca poetike në paradokse lirike ka ecur në një të mesme të artë e cila u jep ndriçim simboleve dhe ndez zjarre shpirtëror tek poeti e lexuesi.

Në këto kontekste, sensualiteti i këtyre lirikave vjen i përmbajtur dhe fin, ku hera- herës vishet me “mballoma artistike” nga majaja e poezisë popullore.

5- POEZITE PORTRETE ZEDHENESE TE TRASHEGIMISE LETRARE

Kjo begati poetike e Maku Pones, në tre vëllime voluminoze, në këtë jetë të dytë krijuese, tregon dhe për shqetësimet e autorit për kontributet që duhet të japin bashkëmoshatarët, ai brez i cili vendosi themelet e një letërsie të re. Në këtë stanjacion letrar, kjo jetë krijuese është quajtur nga shumia e kritikëve, “si volumtarizëm poetik i kohës”, ku çdo njeri që dinë të rradhisë 5 fjalë gëzon të drejtën të shkruaj. Por, ai art që lindi nga kufizimet që në vitet 070 (edhe klandestin) tani po vdes nga këto liri të tepërta, pa kufizime estetike, nga cilido, e si ti vij përmbarë.

Poeti Pone këtë e ka vuajtur dhe po e vuan, ndaj në poezitë portrete për miqtë, shokët, idhuj letrar, ai u bënë thirrje në rizgjimin e muzave krijuese, në shembullin e poetit Gëte, lirikut të paplakur ndër kohëra. Ai e përjeton këtë zgjim muzash si një simpatizant i Robert Bauers-it, kundër teorisë famëkeqe të Geogre Steiner për “Lamtumirën e muzave” duke ja treguar poetikisht se ku mund ta gjejm muzën duke mrizuar: “Një metaforë! / Një metaforë ju lutem, / të kërrerë nga ujrat e detit apo nga kripa e rëranës në Zvërrnec, / t’ja sillni Fatos Arapit / poetit në shtratin e pamundësisë, në kryeqendër, / në Tiranën kryeqytet” .

Pak vend e kohë në krijimtarinë e tyre, dashuri për punën lavdiplotë, ku mund të dalë në pah jo vetëm aftësia e tyre, alla perëndimore, moderne, por dhe sinqeriteti tyre poetik.. Autori me thjeshtësinë që e karakterizon ( të një babaxhani letrar) grupon ndjesitë emocionale, duke ja dhënë secilit si një buqetë të bukur poetike.

Në kontekstin poetik e vlen të nënvijëzohet se përveç sintezave, tropeve dhe metaforave që në shuminë e tyre sintetizojnë semantikën e vargjeve, si zanafilla në fillimet vargëzuese dhe konkluduese, mesazheve në trillet fundore të vargëzimit janë domenë.

Këto figura në formën e një shkallareje, si një kullë feneri detar, janë futur në poezi si bleme që transmetojnë mesazhe, ide në producionet e reja poetike, të dëshirueshme jo vetëm nga poeti, por dhe nga një masë e gjerë lexuesish. Këto poezi- portrete vijnë në rrjedhën e zhvillimit të testeve poetike, si domosdoshmëri por dhe si një fat në këtë “lojë fjalësh”, ku shfaqet një ngazëllim i poetit që fati e rrugëtoi me to.

Për të nxjerrë vlerat universale të një rrugëtimi të tillë (jo vetëm i Pones) autori e krahason, e metaforizon, ose e le që të rrezoj si një alegori, si në rastin e poezive “Veshi i prerë i Van Gogut”, “Zhak Prever”, “Për Frederik Reshpjen”, “Bulkthi” për poetin Nazmi Roli, “Poeti plak i qytetit”, “Në varrimin e Alen Boskës”, “Vdekja e librit”, “Janis Ricos”, “Jorge Luis Borges”, “Poezitë në sirtar”, “Obeliskët”, “Takim me Migjenin”, “Majakovski”, “Jakov Xoxa”, “Dorshëshkrimet e poetit”, “Poeti plak”, “Ulërima e Ginzbergut” me të cilët autori grupon ato përbashkësi që i bën bashkëluftëtar të një legjioni artistik në artin e të shkruarit, të cilët kanë marrë e dhënë më të mirën estetike e stilistike tek njeri-tjetri. Një gjë e tillë është bashkëudhëtare e krijuesve që nga lashtësia e sot. Asgjë nuk lind nga asgjëja. Dante Aligeri që me deklarimin:  “ Se ai e ka shëtitur virgjilin” nëpër katet (kapitujt) e komedisë hyjnore. Një bashkëetesë e tillë vlerash qëndron si risi krijuese. E vjetra, klasikja, tradicionalja por dhe modernja kohore është ekzigjente nga sasia që len në themelet e gjithçkaje që vjen më pas si një moderne më e avancuar. Pavarsisht se sintetikja, modernia i afrohet të fshehtës kjo nuk ndodh me Ponen, i cili i qëndron më shumë besnik natyralizimit estetik.

Gjatë leximit, lexuesi nuk futet në labirinthe hermentike nëpër poezi aq më shumë, kur në këtë plan, poeti komunikon me lexuesin me një gjuhë të drejtpërdrejt, pa mugullime ideshë e mendimesh dhe pse nëpër bidonvilet poetike hasin me turbulenca aluzionesh, që padyshim nuk japin tendencën e mashtrimit artistik ( përdorimi pa doganë të figuracionit artistik gjer në kozmogoni) dhe për asnjë çast poetik poetin nuk e sheh si një negativ filmi pas murit të fshehtësisë, në palexueshmëri, por gjithnjë autori në plan të parë del me imazherin e plotë në ate çfarë mendon e shkruan, me personalitetin krijues. Ndoshta, ne kritikët e lexuesit, duhet të mësohemi me një këndvështrim të ri në të gjykuar, në mënyrë që të pajtohemi më lehtë me këtë mënyrë të shikuarit dhe të kuptuarit të kësaj bashkësie krijuesish në modernitetin poetik.

6- PAS SHKRIMORE

Bashkjetesa poetike në stile e estetika nga më të ndryshmet, marrja dhe dhënia e ndërsjelltë, vlersimet në një substancë të re kohore të secilit krijues, janë fenerët që ndriçojnë poetin në udhën e lumnume të poezisë. Poeti i bindur në atë ça ka shkruar e çfarë simpatizon “...se pluralizmi i ka hapur derën çdo një mendësie apo ideje pa dallim, është i mjaftueshëm për të bërë secili prej nesh të ndjejë se kultura e lartë europiane, prona e muzave, po i afrohet fundit   ( Robert Bauers Revista Aleph Nr. 15 2004).

Si një ndër poetët e sotëm, të rallë, me një përvojë të gjatë shkrimore, me dy jetë krijuese, me formimin si një intelektual shumëplanësh, si gjykues e krijues, Maku e ka patur të lehtë që të rendte si një marothonomak drejt substancialeve të reja kohore, duke lënë pas kohën krono, e duke u bërë një busull shembull për stilistikat e estetikat e reja, sa moderne aq dhe natyrale në diversitetin e sotëm të poetekës shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora