E shtune, 20.04.2024, 04:11 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Roli i diasporës në politikën amerikane

E marte, 13.10.2015, 07:56 PM


ROLI I DIASPORËS NË POLITIKËN E JASHTËME AMERIKANE

Nga Frank Shkreli

Të premten që kaloi, në Departmentin Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington u mbajt konferenca një-ditore mbi rolin e diasporës në politikën e jashtëme dhe në diplomaci, tubim që shënoi njëkohësisht edhe fillimin e aktiviteteve kushtuar Javës së Diasporës Botërore dhe ndikimit të diapsorës në zhvillimet botërore.    Në konferencën e javës së kaluar morën pjesë një numër zyrtarësh të lartë amerikanë si dhe udhëheqës nga sektorët publikë e privatë, si dhe përfaqsues të shoqërive civile, me qëllim për të dëgjuar mendimet e udhëheqsve të diasporës, për të përforcuar kapacitetet organizuese të pjesëmarrësve dhe për të krahasuar përvojën e tyre midis organizatave të ndryshme.  Java e Diasporës Botërore, me një numër aktivitesh në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, u kushtohet komuniteteve të diasporës si dhe kontributit të tyre ndaj zhvillimit global.

Ndër folësit kryesorë që iu drejtuan pjesëmarrësve të konferencës mbi diasporën, ishte edhe kryediplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili tha se ishte tepër krenarë për këto përpjekje dhe për rolin që luan diaspora në këtë vend, duke venë në dukje partneritetin publik dhe privat, në rritje e sipër, në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtëme amerikane.  Zoti Kerry tha se, si ish përfaqsues i shtetit Masaçusets për dekada, që është shteti më një shumicë dërmuese irlandeze,  vlerësoi lartë kontributin që irlandezo-amerikanët kanë dhënë për të dy vendet tona.  Ai vlerësoi ish-Senatorin Ted Kennedy për kontributet e tija në këtë fushë dhe si njërin prej përkrahësve më të vendosur, në mbështetje të drejtësisë shoqërore dhe të gjithë atyre të cilët erdhën në këtë vend për të kërkuar mundësitë për një jetë më të mirë, për një jetë në liri dhe në shpresë, tha John Kerry.

Duke kritikuar tërthorazi ata që mund të thonë se e ardhmja e Amerikës është disi në rrezik, sepse sipas tyre, Amerika është një pasqyrë e aq shumë grupeve të ndryshme etnike dhe fetare dhe se një shoqëri me aq grupe të ndryshme kulturore dhe etnike nuk mund të jetë aq prodhuese dhe efikase, pretendojnë ata,  sa do të ishte një shoqëri ku shumica e njerëzve i përkasin një feje të vetme ose një race të njëjtë.  Ata janë gabim, shtoi Kerry!  "Amerika funksionon më së miri -- jo kur grupe të ndryshme veprojnë vetëm për interesa të veta – por atëherë kur individët e lirë bëjnë ç'mosin për të përmirësuar vetveten dhe jetën e tyre, ndërsa gjatë  këtij procesi të gjithë së bashku e bëjnë Amerikën, atë që është."   Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, "Grupet e ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, që përbëjnë diversitetin e njohur të këtij vendi, përbëjnë një forcë dhe jo dobësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës."   Për më tepër, shtoi kryediplomati amerikan, në botën e sotëme të ndërlidhur në të cilën jetojmë, diversiteti është gjithashtu një doemosdoshmëri strategjike.  "Periudha në të cilën jetojmë”, nënvijoi ai, "nevojitë institucione elastike dhe një politikë të jashtëme që reagon shpejt dhe në mënyrë të shkathët.  Pjesë e kësaj politike të jashtëme është edhe  angazhimi i komuniteteve të diasporës dhe roli i tyre në përpilimin e kësaj politike”, theksoi ai.

John Kerry u shpreh gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë numërin më të madh se çdo vend tjetër të grupeve etnike në diasporë, duke thënë se mbi 60-milionë amerikanë i përkasin brezit të parë ose brezit të dytë imigrantësh.  Në fjalën e tij, ai i tha konferencës në Washington se, “Komunitetet e diasporës janë shpeshëherë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqsishë natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare  dhe politike, ose madje edhe në rast mundësishë të reja biznesi.”  Ai u dha kredinë grupeve të diasporës duke thënë se ato janë të parat që mësojnë për krizat politike në ish-vendet e tyre dhe  nënvijoi rolin e tyre duke thënë se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më përfshirse dhe komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi dhe përfaqsues të diasporës janë të parët  që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”, mbi krizat në ish-vendet e tyre.  Grupe të diasporës, vazhdoi ai, janë shpesh të parat që debatojnë mbi një çështje që interesojnë ato dhe të parat që paraqesin opcione të ndryshme për zgjidhjen e tyre. Përveç kontakteve me zyrtarët më të lartë amerikanë, grupe të ndryshme të diasporës në Amerikë, kanë gjithashtu lidhje të ngushta dhe direkte me vendet e origjinës, ka thënë kryediplomati amerikan. Në lidhje me rolin e diasporës në në këtë fushë, ai theksoi rëndësinë e parneriteteve në botën e sotëme, duke thënë se, “Asnjë vend, madje as Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë vetëm. Kështuqë, ne varemi në bashkpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, ndërkohë që komunitetet tona të diasporës mund të ndihmojnë në funksionimin më të mirë të këtyre partneriteteve me aleatët tanë ndërkombëtarë.” Si përfundim, tha John Kerry, “Udhëheqsit e këtyre komuniteteve janë ndër ambasadorët më të mirë kulturorë që mund të kemi.”   Ai vuri në dukje një numër sfidash të politikës së jashtëme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në marrëdhënjet e tyre me vendet e tjera dhe tha se, “Një gjë është abslutisht e qartë: Komunitetet e ndryshme të diasporës në Amerikë po ndihmojnë në përballimin e të gjitha këtyre sfidave.”

Në përmbyllje, Sekretari Amerikan i Shtetit i tha konferencës mbi rolin e diasporës në Amerikë në diplomacinë e këtij vendi, se “Imigrantët kanë ndërtuar Amerikën. Dhe imigrantët vazhdojnë të japin kontributin e tyre   duke e bërë Amerikën atë që është sot”. Kjo është  historia jonë, tha ai. E drejta, pra, për të qenë ndryshe në bazë të kulturës, racës dhe gjuhës – këto janë gjërat që bashkojnë popullin amerikan dhe që na bëjnë një. Kryediplomati amerikan përfundoi fjalimin e tij duke thënë se “Është e drejta për të qenë ndryshe, ajo që përcakton se çfarë vendi është Amerika dhe kjo konferencë, ky celebrim i rolit që luajnë komunitetet tona të diasporës si edhe diversiteti etnik dhe kulturor i këtij vendi”, theksoi ai, “janë një pasqyrim shumë i bukur dhe domethënës i kësaj së vërtete.”

Megjithëse kryediplomati amerikan nuk përmendi komunitete të ndryshme me emër, dihet mirë se historikisht, komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë dhe është pjesë e denjë e kësaj diaspore amerikane. Dihet mirë roli që ky komunitet ka luajtur në përpilimin e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, sidomos të diplomacisë amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ndaj të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi. Është ky një rol i shqiptzaro-amerikanëve që në të vërtetë pasqyron më së miri ato që përmendi Jon Kerry në fjalimin e tij. Duke filluar nga fillimi i shekullit të kaluar, kur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Vatrën dhe udhëheqsit e saj, Fan Noli e Faik Konica shpëtuan Shqipërinë duke bindur Presidentin e atëhershëm amerikan Woodrow Wilson për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, cili sipas Nolit, pat deklaruar se “Një zë do të kemë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në favor të Shqipërisë.”  E deri tek kohët moderne, në mbarim të shekullit të kaluar, kur Kosova u përball me gjenocidin serb për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Prap, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili loboi dhe më në fund siguroi përkrahjen e zyrtarëve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit amerikan për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, që çoi në jo vetëm këthimin e shqiptarëve të çvendosur në shtëpitë e tyre, por edhe në një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Komuniteti shqiptaro-amerikan, në të dy këto raste dhe të tjera, ishte pjesë përbërse e përpilimit të politikës së jashtëme, të diplomacisë dhe politikës ushtarake të Shteteve të Bashkuara kur e kërkonte interesi i shpëtimit të kombit shqiptar. Në të vërtetë, angazhimi i këtij komuniteti mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën foli Sekretari Amerikan i Shtetit.  Ky rol i komunitetit shqiptaro-amerikan, fatbardhësisht është njohur dhe njihet nga udhëheqsit më të lartë amerikanë. E njëjta gjë nuk besoj se mund të thuhet për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare.  Përkundrazi, gjatë 25 viteve të fundit, është venë re një hesitim nga ana e dy shteteve shqiptare për të përfituar, nga jo vetëm diaspora shqiptaro-amerikane, por edhe nga diasporat shiptare në vende të ndryshme të botës, -- sidomos kur është fjala për forcimin e marrëdhënjeve me diasporën si urë me vende të rëndësishme për fatin e shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në vend të angazhimit të kësaj diaspore në favor të marrëdhënjeve më të mira me vendet ku jeton, shpeshëherë janë venë re përpjekje për ta përdorur diasporën shqiptare për qëllime të ngushta individuale dhe partiake nga udhëheqës e parti të vendlindjes, aq sa fatkeqsisht tani vihen re përçarje edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përçarje që shpesh pasqyrojnë -- për fat të keq -- ndasitë dhe përçarjet politike dhe mosmarveshjet partiake në atdhe, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Kryeminsitri shqiptar, Edi Rama ka njoftuar kohët e fundit mbajtjen e një konference për diasporën në Tiranë, fillim vitin e ardhëshëm. Nismë e mirë kjo, por mbetet për tu parë nëse kjo konferencë, nëqoftse mbahet, do të shërbejë si një mjet fatkeq për të përçarë edhe mëtej diasporën, a por do të jetë një përpjekje me të vërtetë gjithpërfshirëse për bashkimin e komuniteteve të diasporës shqiptare, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis brezave të ndryshëm. Qëllimi i kësaj konference duhej të ishte angazhimi i diasporës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve me vendet mike të shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar.  Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry të premtën që kaloi, ishte se diaspora është një pasuri e madhe për Amerikën dhe si e tillë të mos injorohen komunitetet e diasporës, sepse siç tha edhe ai, përfaqsuesit e  këtyre komuniteteve në këtë vend,  “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora