E merkure, 10.04.2024, 07:22 AM (GMT+1)

Mendime

Edlira Gjoni: Stop dhunës ndaj grave

E shtune, 02.08.2008, 03:54 PM


Edlira Gjoni
Stop dhunës ndaj grave     

Nga Edlira Gjoni
 
Tri femra ishin viktima të dhunës ose të vrasjes brenda kësaj jave. Fatkeqësitë në emër të marrëzisë duket se nuk kanë fund në Shqipëri. Pas vulave të zeza që solli në tetë vjet martesë nga Librazhdi një 24-vjeçare, dy të tjera u bënë pre e çmendurisë së xhelozisë dhe pamendësisë mashkullore. Një bashkëshorte pogradecare u vra në burg dhe një tjetër nga Skrapari u vra në mes të ditës me diell mu në kryeqytetin shqiptar, pranë një stacioni autobusi.

Dhuna fizike ndaj gruas së parë është rast i përsëritur, refren që tingëllon shëmtuar sa herë që dëgjohet. Kurse vrasjet e dyfishta brenda tri ditësh ishin jo vetëm reflektim i mendësisë patriarkale mashkullore, por edhe ndikim i papërgjegjshëm i transmetimit të këtyre lajmeve sikur ato të jenë ngjarjet e mezipritura në publik.

Dhuna ndaj femrave mori përmasa të frikshme publike këtë javë. Në vend që të shohim përmirësim në respektimin e të drejtave ndaj grave, çuditërisht po ndodh e kundërta. Po  ndodh hapur. Dhe po ndodh në mënyrë të përsëritur. Nëse faji më i madh, bie sigurisht mbi agresorët, një ushqim negativ dhe i pafalshëm për ta vjen nga media.

Teksa gazetat e djeshme e emërtonin rastin fatkeq të vrasjes në burgun e Peqinit si “vrasje shekspiriane”, për policin e komisariatit Nr 2, e shtëna me armë mbi gruan me të cilën bashkëjetonte është dukur edhe më e lehtë, shtyrë nga notat letrare dhe zbukurimet që lexohen për të tilla ngjarje në media.

Nga ana tjetër, numri i madh i shoqatave që kanë përsipër të mbrojnë e të promovojnë mbrojtjen e të drejtave të grave, duket sikur e kanë marrë pak lehtë korrikun e gushtin bashkë, e as që po kujtohen të bëjnë diçka publikisht. Edhe ato po në mënyrë shekspiriane mund të promovojnë dashurinë njerëzore, pa qenë nevoja të zënë në gojë aktet fatale, që duket sikur janë plot barut e të gatshme për të shpërthyer në çdo moment.

Dhuna ndaj grave është fenomen tipik i shoqërive në tranzicion. Por më tepër se kaq, në Shqipëri ajo shoqërohet edhe me një shoqëri në krizë të plotë identiteti. Nga njëra anë xhelozia ka dalë së tepërmi në modë kohët e fundit. Nga ana tjetër, forca e zakonit ngre krye mbi njerëzit e gjinisë mashkullore në Shqipëri, duke i bërë ata ndjekës të çuditshëm të ligjeve të shkruara e të pashkruara në mendësinë për trajtimin e femrës.

Femra vazhdon të shihet si pronë, si objekt, si frymore që i ka dhënë zoti gjininë për të qenë vetëm e atillë. Femrat vazhdojnë të vuajnë diskriminimin njerëzor, intelektual, inferioritetin shtetëror, shtëpiak, shoqëror, politik. Ato vazhdojnë të jenë të përfaqësuara vetëm në profesionet e lehta, teksa në krahun tjetër vazhdojnë të bëjnë punët më të rënda. Në shtëpi, në redaksi, në departament. Drejtuesit janë të gjithë meshkuj. Vendosësit janë të gjithë meshkuj. Ose femra të kthyera në të tillë mendërisht.

Edhe për jetën e femrave vendosin po meshkujt. Për tri të tilla, ata vendosën këto ditë. Dy vdiqën, njëra nuk e di ç’e pret nesër, me fëmijën larg dhe pa asnjë të ardhme të sigurt në një shtet ku siguria e jetës është disa shkallë më poshtë se sa forca e zakonit, opinioni i përqarkut dhe neglizhimi i masës.

Dhuna ndaj femrës po bërtet përditë me zërin më të lartë që ka. Askush nuk e dëgjon. As femra që kemi vënë në krye të ligjvënësit. Nuk po e bën çështje më vete dhunën dhe diskriminimin ndaj gjinisë së saj. Të nxisë nisma në mbrojtje të tyre dhe ndëshkime për dhunuesit e të drejtave.

As shoqatat e grave nuk po e ngrenë zërin. Mbase po përpiqen. Por 24-vjeçarja në Librazhd nuk e ka dëgjuar thirrjen e tyre. Zhurma duhet të shkojë cep me cep, aty ku shkojnë valët e TVSH-së, aty ku shkon çdo e përditshme shqiptare.

Publiku mashkullor duhet sensibilizuar, jo nxitur për dhunën ndaj grave. Hartimet letrare me vdekjet shekspiriane vetëm sa e bëjnë më të lehtë idenë e tyre vrastare, dhunuese apo diskriminuese. Duhen shkruar artikuj të tërë, gjithandej në media, ku të tregohen masat ndëshkuese ndaj dhunës.

Por mbi të gjitha, duhen sensibilizuar si femrat,ashtu edhe meshkujt, se e drejta e jetës, e drejta për të mos u rrahur, torturuar apo denigruar, janë të drejta themelore të të gjithë njerëzve, pa dallim gjinie, race, feje apo kombësie. Askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e dikujt. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi askënd.  Disa të drejta janë vendosur, mbrohen dhe sigurohen më ligj. Shkelësit e tyre, në mos vetëndëshkohen, do të bien patjetër nën fshikullimën e ligjit. Ja këto duhen promovuar; së bashku me numrat e telefonit ku këto viktima mund të drejtohen për ndihmë. Këtu mund ta nisim, me disa prej këtyre numrave telefoni, ku gratë e dhunuara mund të kërkojnë ndihmë:

Shoqata në Dobi të Gruas: 04 2223 001; Nisma për të Drejtat e Grave: 04 222 56296; Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza: 04 22 33 409; Qendra për Nisma Ligjore Qytetare; 04 2259 795; Shoqata për Gratë dhe Fëmijët: 04 2352 830; Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut: 04 2271 875.
Jo dhunës. Jo dhunës sot e përgjithmonë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora