E merkure, 24.04.2024, 05:09 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Mark Çuni- i pari hero i demokracisë

E premte, 09.10.2015, 06:01 PM


MARK ÇUNI

I  PARI  HERO  I  DEMOKRACISË  EUROPIANE

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

1945 HAPNI DOSJET: MARK ÇUNI ASHT THEMELUES I ORGANIZATËS SË PARË EUROPJANE ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” NË SHKODER

PARTIA DEMOKRISTJANE NUK MUND TË FORMOHEJ NË NJË SHQIPNI ME PIKPAMJE KOMUNISTE DHE DIKTATURË STALINISTE. AJO MBET VETËM NJË IDE NË HISTORINË POLITIKE TË POPULLIT SHQIPTAR.

?DOSJET DO TË VERTETOJNË FAKTIN KUSH ISHTE MARK ÇUNI ?!..

Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.

Shpesh, bisedohej se “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.

Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Pjeter Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Jakë Gardini, Imz. Mikel Koliqi, etj., me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, “...se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipnipor, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik Shqiptar, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943. Po të njajten gja verteton perpjekja e Berdicës, grupi i Ndue Palit në Dukagjin dhe Lidhjet e Dibres me Kosovën dhe Puken e Mirakajve...

?Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me instruktorët e Titos per këtë parti fantazëm e çpikun dhe gjithmonë e pakenun, që hangri sa e sa koka njerëzish të pafajshëm. Viktimat e atyne “Partive” në 1945 ishin nga Veriu në Jug, ku perfshihej edhe Musine Kokalari nga Gjinokastra me Ndoc Çoben e Konferencës së Pezës...nga Shkodra.

?I nderuemi z. Nino Kurti tregonte se në muejn maji të vitit 1945, kur kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë, aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi i Kurbinit, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 1945, per të cilat perdoreshin epitetet “të lira, demokratike, me shumë parti...etj...”, nga Radio Shkodra dhe gazeta e Shkodres “Koha e Re” e drejtueme nga Arif Gjyli dhe Gjovalin Luka. Asht  bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, që njihej në Perëndim, por së bashku nuk e kishin bisedue kurrë. Atëditë, i kujtohej mirë Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që e ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte të panjohuna, kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë, e thanun ma kjartë, nga katolikët?

Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim?!

Këtë e ka marrë përsipër Paulin K. Pali e Mark Gjon Shllaku, me e bisedue me At Gjon Shllakun, i cili ishte i menduem per kete detyrë edhe nga Sejfullah Maleshova.

Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, që nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i përgatitun si intelektual e shumë besnik.

?Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku, nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet me Provinçialin  At Mati Prennushi, dhe as me Imzot Gasper Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, dhe pergjegja e Tyne e dhanun atij. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht lojë e komunistëve prandej “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.

?Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin e shtetit (Ndjeken). Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë intelektual në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. At Mati Prennushi me një letër porositë në mënyrë të preme të gjithë klerikët françeskanë që “mos të përzihen në politikë!”

Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin. Këte mendim Nino e kishte shpreh haptas e ishte kundershtue nga të dyshimtit.

?Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t’a  drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane.

?Kjo ishte arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga Atdhetari i flaktë Mark Çuni.

?Nino e vertetonte këte edhe për faktin se ata përsona që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe, as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët. Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj., janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore që na ka lidhë ne kemi pasë besën.      Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Europë, po ku, me e gjetë sot një Andro Petroviq apo Mark Çunin, per me e drejtue këtë parti?”.

Mbas asaj bisedë per fatin e keq nuk u pashë ma me Ninon, mbasi Ai vdiq ndër ato ditë.

?Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Gjon Shllakut në Rus, asht kenë i dërguem për Partinë Demokristjane nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë fare në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?

?At Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike.

?Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”

?At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë ose ma shumë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.

?Vetëm më 13 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas Meshës së Parë më 11 nandor, ka ba një përpjekje zyrtare me formue Partinë Demokristjane, tue e ngarkue Prof. Nush Radovanin me këtë detyrë. Nushi me Tish Çefen e Ruzhdi Çoben pergatiten edhe një program që porsa e publikuen, Ramiz Alia u frigue nga ky veprim dhe në fillim të dhjetorit shpallë të formueme “Partinë Demokratike”. Kaluen ma shumë se gjasht muej me zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë. Kur Prof. Nushi takohet në vitin 1991 me demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane në Tiranë, Pikoli i thotë: “Na nuk merremi me ju, na do të përkrahim shumicën!”. Nushi mbyllë kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të gjitha partitë tjera “me hije”...formohet edhe “demokristjanja” që asht sot.

?Kjo dhe vetem kjo, asht arësyeja që u vuna me dijtë “dishka” për Organizatën e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” dhe kryesisht, per themeluesin e Saj të Nderuem

Mark Çunin (1920 – 1946), nga fshati Bushat i Shkodres, i pushkatuem në moshen ma të bukur 26 vjeçare. Mark Çuni formoi një organizatë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me të gjitha besimet, per me realizue zgjedhjet pluraliste në Shqipni, atëherë kur ende nuk diheshin “rezultatet e Konferences së Jaltës”, kur Enver Hoxha kerkonte me rrejtë e mashtrue në Shkoder, si gjithmonë me Sejfullah Maleshoven per “zgjedhje demokratike” dhe “Shqipni të Lirë e të Pavarun”, pikrisht atëherë kur, thundrat e Titos dhe të Stalinit kishin fillue me zhytë në gjak dhe terror mbarë Popullin Shqiptar.

Bota vazhdonte me u la në gjak, dhe bombet binin mbi kokat tona kur Trimi i Nderuem Mark Çuni, mendonte per Liri, Paqë dhe Demokraci Europjano Perëndimore...

?Këte e verteton dhe z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, ku nder tjera thotë:

“Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndermarrë një risk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona...Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”...

“Me krijimin e Kominformit, në shtator 1947, Andrei Zhdanov quajti “demokraci të reja” Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë...”

***

?Në këte 70 vjetor të Organizatës së Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” që asht themelue nga Heroi Mark Çuni, mendoj se Shqiptarët, janë para një detyrimi Atdhetar:

MARK ÇUNI duhet perjetsue me Monumente...

?Monumenti i Mark Çunit, i Këtij Burri që i paraprinë Demokracisë Europjane duhet me kenë jo vetem në Tiranë, por edhe në Bruksel para Selisë së Europës së Bashkueme dhe, në Selinë e OKB në New York, mbasi asht i pari Demokrat i mirëfilltë që ka kerkue “Zgjedhje të Lira Demokratike e Pluraliste në Shqipni”, kur Bota nuk dinte kujt i thonë “Liri, Paqë e Barazi Demokratike”...

Melbourne, Tetor 2015.

ORGANIZATA  “B A S H K I M I   S H Q I P T A R”

“... Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet - vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.).

Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela. Në bankën e të akuzuemve ishin:

1.  At Giovani Antonio Fausti  S.J., vjeç 46, nga Breshia, Itali.

2.  At Daniel Llesh Dajani  S.J., vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.

3.  Mark Ndoc Çuni,  vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.

4.  At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.

5.  Gjergj Vat Bici,  vjeç 26, nga Gurzi, Milot.

6.  Gjon Prenk Shllaku,  vjeç 22, nga Shkodra.

7.  Ndoc Gjelosh Vata,  vjeç 24, nga Gurzi, Milot.

8.  Preng Llesh Lezaj,  vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.

9.  Pjetër Gjok Ejlli,  vjeç 20,  nga Beltoja, Shkodër.

10. Andro Lubo Petroviq,  vjeç 32, nga Shkodra.

11. Ernest Gjok Dema,  vjeç 26, nga Shkodra.

12. Gjelosh Lulash Bajraktari, vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh,

Dukagjin.

13. Luigj Ndoc Kçira,  vjeç 20, nga Shkodra.

14. Prof. Gjelosh Lul Marku,  vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.

15. Zef Gjin Mirdita (Buka), vjeç 19, nga Shkodra.

16. Gjovalin Kol Zezaj, vjeç 17, nga Shkodra.

17. Nino Zef  Kurti,  vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.

18. Myfit Qamil Bushati, vjeç 18, nga Shkodra.

19. Qerim Sadik Myftari, vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.

20. Luigj Sokol Shoshi, vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.

21. Frano Pjetër Mark Mirakaj, vjeç 29, nga Iballe, Pukë.

22. Pjetër Palok Berisha, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.

23. Osman Brahim Plaka, vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.

24. Pjetër Sali Pjetërnikaj, vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.

25. Pjetër Mark Delija, vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.

26. Dedë Mëhill Deda, vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.

27. Jakë Vas Çunaj, vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.

28. Pashuk Kol Matia, vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.

29. Pjetër Kokërr Gjoka, vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.

30. Nik Deli Lekbibaj, vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.

31. Rrok Martin Lacaj, vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.

32. Çesk Zef Gjeluci, vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në

Shtypshkronjën Françeskane.

33. Ndoc Rrok Jaku,  vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.

34. Tonin Nush Bianku, vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në

Shtypshkronjën Françeskane.

35. Lazër Simon Kodheli, vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në

Shtypshkronjën Françeskane.

36. Ndue Bib Doda, vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje:

Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,

(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):

“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:

1. P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,

2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,

3. P. Gjon Shllaku nga Shkodra,

4. Mark Ndoc Çuni nga Bushati,

5. Qerim Sadik Myftari  nga Vuthaj, Guci,

6. Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.

Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.

Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.

Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për t’u shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.

Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare

Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.

 

“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:

1. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!

2. Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef  Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.

3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!

4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!

5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti  Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!

6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!

Prokurori  Ushtarak  (Tonin Miloti) d.v.

Shënim (FR):

Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i jam përmbajtë origjinalit edhe në ortografi. (autori).

Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:

“...Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.

Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.

Frederik Nosi d.v.

Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga Enver Hoxha, prandej edhe ata e dekoruen më 1 korrik 1946, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e “gëzon edhe sot” atje ku asht!...

***

Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të pafajshmit e kësaj organizatë.

Mark Çuni:

“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë... Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë... Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim por unë e kam ba... Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue... Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue...

Prof. Gjelosh Lul Marku:

Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate... Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike... Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka shfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata...

Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për “dorën e zezë”, por, për këtë nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e mij... Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu...

Gjergj Vat Bici:

Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë...

Andro Petroviq:

Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue ... Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë... Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!
            Mark Gjon Shllaku:

Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë “Antonjane”, dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.

Pjetër Gjoka:

E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo: “Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!”.

Luigj Kçira:

At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij...

Xhakoni Gjon Shllaku:

Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945....Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.

... Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira për me i shpërnda...

...Ndërhynë prokurori Aranit Çela:

Thuaj  i pandehur, çfarë ke thënë në hetuesi për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën, se si këta klerikë që janë këtu në bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur, për të rrëzuar Pushtetin Popullor?

Xhakoni Gjon Shllaku i përgjigjet:

Në se doni, unë edhe e çveshi këmishën, dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani... Për poezinë e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte pritë keq Tuk Jakova... Për rektorin, asht e vërtetë se e ka shkye gazetën “Koha e re”... Dij se ata që ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.

Gjelosh Lul Marku:

Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve të trakteve me kenë të armatosun,..nuk asht e vërtetë se kemi pasë lidhje me të arratisun.

Mark Çuni:

Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris... Nuk kam pasë asnjë dijeni për poezinë e dërgueme tek Tuk Jakova. Gjoni ndoshta, i thotë këto, se don me shpëtue vedin.

At Giovani Fausti S.J.:

Unë nuk dij sëpse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte... Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë...

Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç’parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë...

Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika....Unë i nënshtrohem gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue  ateiste dhe imorale...

Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm... Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t’ikte po ne e mbajtëm.

Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu vërtetë i ka mbyllë shkollat por në punë të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një qeveri  tiranike e nderon për mos me shkaktue randime ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i em ka kenë negativ.

Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë  m i n o r a n c ë...

Ndërhynë prokurori A. Çela:

Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë një  m i n o r i t e t !

At Giovani Fausti, përgjigjet:

“Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por  m i n o r a n c ë ,  e kam fjalën për PAKICË...”

At Daniel Dajani S.J.:

Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit... Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa... Nuk dij që P. Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste... Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë... Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë... Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.

Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë.                 Persëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.

At Gjon Shllaku O.F.M.:

Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri në politikë...

Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.

Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë... Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista... Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.

Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar... Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam ditë kurrgja.

***

Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues Z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit A. Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.

Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.

Kryetari i trupit gjykues lexon vëndimin:

“Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq.”

Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).

Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).

***
            Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit, se Klerikët e akuzuem për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit të Qarkut të Shkodrës.

Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor, si përfundoi ?

- Edhe këtë do ta lexoni !

Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:

DEKLARATË:

Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:

P. Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe vëprimet që Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. Në rast konkret dij, se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emnin në fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. Këtë, mund t’a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin.

Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th. deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.

Mbas shlirimit dihet prej të gjithve se P. Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës. Ka ba  konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:

“Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.

Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i nxanun në shkollë me mësime.

V.F.L.P

Deklaruesi

Shkoder, 14. 02. 1946.         Prof. Kol Prela d.v.

Shënim (FR): Edhe Prof. Simon Deda në Durrës, mbytet në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta, edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si kjo e Prof. Kol Prelës!?... Aspak çudi!...

E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën e vritën pikërisht  ata që me trutë e tyne tue dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin e vorrëve të Rëmajit, më 4-mars-1946, sëpse, guxuan e thanë:“Komunistët kanë vorrue Shtetin në gropën e gjakderdhjëve, të grindjëve, të përçarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës, të vëllavrasjës dhe spijunlleqëve!...”

?Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku O.F.M.:

“Tjetër kund njerëzit e idealit nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni.

Ndër né, ata mbyten dy herë... edhe harrohën!”.



(Vota: 12 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora