E merkure, 24.04.2024, 06:20 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ilmi Bani, piktori që na mungon

E enjte, 08.10.2015, 04:46 PM


ILMI BANI, PIKTORI, PEDAGOGU, STUDIUESI I URTË QË NA MUNGON

Nga Albert HABAZAJ, shkrimtar; Skënder MILORI, piktor

Po bëjmë një vit pa Ilmi Banin e prapë s’na besohet që ai s’është me ne. Ai na mungon vetëm fizikisht. Ai është me ne. Ndër ne është vepra e tij pikturore e veçantë dhe e begatë. Është studimtaria e tij origjinale e skrupuloze, që zbukuron më hijshëm ballin e bukur të diturisë ndër rrethet intelektuale. Është mësimdhënia e tij në shkollën artistike, në shkollat e tjera të qytetit dhe sidomos për një kohë të gjatë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, që nuk mund të shlyhet dot nga kujtesa e kolegëve dhe studentëve, për metodologjinë e duhur, kodin etik dhe edukimin cilësor si formë arsimi. Është shembulli i tij qytetar model i përsosur për të tjerët, që të përmirohemi duke përparuar. Është e dallueshme ndër rrethet krijuese dhe intelektuale mirënjohja e tij për Mësuesin që themeloi Shkollën Vlonjate të Pikturës, e cila u rrit, u konturua denjësisht në rang kombëtar dhe u bë e famshme, falë punës së Vasil Talos, titanike për kohën. Për piktorin e parë të qytetit, Ilmi Bani botoi librin “Përtej mjegullës”, monografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos.  Emri i profesor Ilmiut është i mirënjohur jo vetëm në qytetin e Vlorës, jo vetëm në qarqet e pikturës shqiptare, por edhe nga shoqëria civile dhe gëzonte një respekt të merituar, me shembullin, me jetën, me veprën e tij. Ikja e tij nuk pikëlloi vetëm bashkëshorten, mësuese Viton, dy fëmijët e tij, djalin Blendin dhe Bojkenën, të dy arkitektë, nipin Enton dhe mbeskën e vogël, Irsën e bukur si flutur. Nëpërmjet këtij shkrimi homazh, nuk do të flasim për jetëshkrimin e tij, i cili mbahet mend si një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëv dhe të Artistëve në qytetin e Vlorës dhe, për një kjohë të gjatë deri sa mbylli sytë, kryetar i LSHA, Vlorë. Nuk do të flasim as për veprat e tij në pikturë, as për vlerat e tij në mësimdhënie, as edhe për cilësitë e tij humane fisnikërisht të dukshme pa u dukur. Na dhemb fjala kur kujtojmë që Ilmi Banin, lindur më 15 shtator 1942; e aksidentuan tragjikisht më 13 gusht 2014, rreth orës 20. 30’ - 21.00 në Skelë, Vlorë, gjatë ditëve të ekspozitës “Vlora në Telajo”, me 500 piktura nga 60 artistë të peizazhit; mbylli sytë përgjithmonë më 23 shtator 2014, ora 10.00, në spitalin “Vitto Pazzi” në Lecce, Itali, dhe u varros në dheun e ëmbël të Vlorës, që ai e deshi aq shumë, më 2 tetor 2014. Në këtë shkrim do të trajtojmë shkurtimisht kontributet e Ilmi Banit si studiues e si kritik arti me tre libra monografike të tij (një botuar, dy në proces). [Nuk do të tratojmë artikujt e tij kritikë e studimorë që janë të shumtë dhe të vlefshshëm në fushën e artit e të pikturës. Ilmi Bani është autor i dhjetra botimeve në fushën e artit figurativ në organet e shtypit letrar por edhe politik të kohës (para viteve 1990). Ka fituar dy çmime kombëtare (të I e të II) në konkurset kombëtare të kritikës dhe një çmim vjetor (të I) të revistës “Nëntori”. Pas botimit të monografisë së letrarizuar “Përtej mjegullës”, la në proces botimi një tjetrë libër për edukimin figurativ me titull “Didaktika e edukimit figurativ” si dhe studimin për Delakruanë]. 1- Tabloja “Liria udhëheq popullin dhe Delakrua”, studim, Vlorë, 2014, redaktor: Albert Habazaj, arti grafik: Blendi Bani. Libri ende nuk është botuar, jo thjesht se autori, i paharruari Ilmi Bani u largua nga jeta, por se ai ishte i veçantë, ndoshta i vetëm në natyrën e tij, që i kthehej një shkrimi, një kapitulli, një paragrafi, një fjalie dhjetra herë, me qetësi e logjikë të shëndetshme, deri sa bindej që duhet të ishte ashtu siç linte ai variantin përfundimtar. Matematikisht i saktë në ndërtimin e fjalisë, paragrafit, kapitullit, librit. Shok veten kishte në këtë drejtim. Shpesh na përsëriste: “Jeta e Delakruas është bashkudhëtare me revolucionet, me shndërrimet dhe kthesat shoqërore.” Vite të tëra është marrë me këtë libër studimor, sepse donte të krahasonte dijenitë e tij me çfarë shkruhej nga autorët e huaj, përdorte mirë metodën krahasimtare dhe nuk nxitohej të jepte mendimin që gjykonte se ishte i duhuri, sipas këndvështrimit të tij. Në parathënien e librit “Tabloja “Liria udhëheq popullin dhe Delakrua””, ndër të tjera, kemi shkruar: Franca feston përherë me madhështi përvjetorët e revolucioneve popullore të shekujve XVIII - XIX. Ajo me krenari u thotë brezave të tanishëm se ishin gjyshërit e tyre që çuan botën në drejtimin e duhur, të lirisë dhe demokracisë. Qysh nga viti 1789 kur u krye “Revolucioni i Parë” që rrëzoi Bastijën, “simbolin e regjimit të vjetër” deri tek “Komuna e Parisit” më 1871 ishte gati një shekull me kryengritje popullore të pareshtura, një stuhi plot me sakrifica, përgjakje e trimëri të jashtëzakonshme kundër dhunës, poshtërimit dhe varfërisë nën emblemën “Liri - Vëllazëri - Barazi”. Ishte shekulli i “idealizmit revolucionar që ndryshoi botën”. Delakrua (Eugene Delakroix lindi më 1798 dhe vdiq më 1863) përjetoi rënien e Napoleon Bonapartit, njeriut të madh të historisë së luftërave, ëndërruesit dhe vepruesit të jashtëzakonshëm, njeriut që e shkundi njëherë e mirë qyrkun e mejsjetës në Europë, atij që “Botën Paris desh ta bënte dhe Parisin sa bota ta shtrinte”. Atij i ra fati të jetonte nëpër kulmet e përpjekjeve popullore për liri. Ishte ndjerë krenar për trimëritë dhe sakrificat e popullit të tij kushtuar lirisë, por kishte provuar edhe hidhërimin e thellë për dhunën, urinë e krimet që pasonin çdo fitore. Në këtë situatë të trazuar plot luftëra e plot drama, me ëndrra, me besime e zhgënjime të vazhdueshme, jetoi dhe krijoi romantiku Delakrua. Në këtë vorbull ngjarjesh, që nuk i dukej fundi, Delakrua kuptoi dhe bëri të vetën idenë e lirisë, gjeti frymëzimin dhe krijoi tablonë “Liria udhëheq popullin”. Kjo tablo e jashtëzakonshme, për mos të thënë e çuditshme për kohën, u realizua me një frymë, për afro tre muaj. Ishte tabloja që kurorëzoi epokën e re të artit figurativ, epokën e Romantizmit, nga më të furishmet në historinë e arteve, e krahasuar me të drejtë me stuhinë. Tabloja e bëri autorin kampion të artit të ri. 2 - Didaktika e edukimit figurativ, Tekst mësimor për shkollat e mesme - në proces botimi, me këtë staf realizues: recezent: Skënder Milori, redaktor: Albert Habazaj, kompiuterist dhe paraqitja grafike: Bojkena Bani, konsulent: Edmond Gjikopulli, me parathënie të dy autorëve të këtij shkrimi: Ky tekst mësimor është përgatitur mbi një bazë të gjerë literature të huaj dhe vendase, që i ka dhënë mundësi autorit për krahasime, nga pikëpamja e ndërtimit dhe e niveleve. Mbi të gjitha i ka krijuar lehtësi për të futur në punë përvojën e tij shumëvjeçare. Ky tekst është i vlefshëm për mësuesit dhe nxënësit e shkollave të mesme, por edhe për çdo artdashës e amator të artit figurativ, për shkak të informacionit që përmban, për qartësinë e shtjellimit teorik të epokave artistike si dhe për mënyrën  se si paraqiten rrymat, stilet dhe mjeshtrit e mëdhenj jo duke u “dhënë” vende në krahasim me njëri-tjetrin por duke evidentuar se çfarë sollën njëri dhe tjetri në proçesin historik të artit figurativ. Kjo mënyrë vështrimi u le vend të gjerë lexuesve që të pëlqejnë cilindo nga mjeshtrat dhe stilet, por njëkohësisht të jenë të vetëdijshëm për t’i vlerësuar të gjithë ata ashtu siç janë realisht, si mjeshtra të mëdhenj. Libri është shkruajtur me një gjuhë të thjeshtë por duke ruajtur me fanatizëm të vërtetat shkencore artistike. Për ta bërë librin edhe më të lexueshëm dhe përfitimin e njohurive më të lehtë, ndihmon edhe ndërtimi i tij i cili i është përmbajtur parimit të shtrimit të problemeve, nga më të thjeshtat duke ecur gradualisht drejt më të vështirave. Çështjet janë ndërthurur me pjesë leximi të cilat janë vendosur herë në fillim të temës , herë në fund e herë gjatë zhvillimit të saj, për t'i dhënë më tepër dinamizëm dhe kënaqësi leximit të materialit. Mënyra sesi është ndërtuar ky tekst didaktik i lë vënd mësuesve, që gjatë dhënies së mësimit, të marrin shembuj dhe të analizojnë vepra dhe autorë të tjerë jashtë tekstit, që i njohin më mirë apo që do t’ju duken më të përshtatshëm për argumentimin e temës. Libri përmban katër kapituj: Kapitulli i parë shtjellon tema me karakter teknik, profesional dhe teorik të problemeve të artit figurativ që fillojnë nga materialet dhe mjetet e artit deri tek ç’është arti, artisti dhe si “lexohet” një vepër arti. Kapitulli i dytë i kushtohet historisë të artit të huaj që fillon nga primitivizmi deri në ditët tona, ku në qendër të vëmendjes është Europa Qendrore e veçanërisht Italia dhe Franca. Pra ky nuk është një kapitull që të përfshijë historinë botërore të artit. I konceptuar si tekst mësimor, autori ka bërë kujdes që të argumentojë qartë epokat, momentet kulminante, artistët më të shquar, veprat më të njohura. Kjo mënyrë i jep mundësi lexuesit që të përvetësojë ç’ka është thelbësore në zhvillimin historik të artit, dhe të kuptojë atë që ndodh realisht; që epokat artistike kanë lidhje të fuqishme me njëra-tjetrën; më e herëshmja vazhdohet nga epoka që vjen, dhe ajo që vjen sjell diçka të re, të ndryshme nga më parë, karakteristike vetëm për të. Lexuesi këtu mëson se gjithë kjo “ruajtje” e mënyrave të kaluara dhe gjithë këto “të ndryshme”, “të reja” të epokave pasardhëse përbëjnë një proçes tepër organik, të natyrshëm zhvillimi. Lexuesi kupton se zbulimet e reja, të ndryshme në formë nga e kaluara janë ato që karakterizojnë stilin, rrymën, epokën e re artistike. Që lexuesi të përqëndrohet tek ajo që është thelbësore, përveç argumentimit mbi tradicionalen dhe risitë, ndihmon edhe fakti që autori ka theksuar problemet kryesore, nuk e ka ngarkuar tekstin me hollësira të shumta, data, emra e tituj, të cilët jo vetëm nuk do t’i shtonin asgjë argumentimit por do ta lodhnin dhe ndoshta do ta shpërqëndronin lexuesin. Lexuesi, që ka pasion dhe është i interesuar për të zgjeruar informacionin, ka libra të veçantë për ta plotësuar atë “boshllëk”. (Historia e artit figurativ të huaj përbëhet prej dy kapitujsh: i dyti dhe i treti). Kapitulli i tretë, ndryshe nga kapitujt e tjerë, përmban vetëm nga një temë mësimore për vende të tilla me histori të madhe e shumë të veçantë si Kina, India, Izraeli dhe Amerika Latine. Kjo gjë nuk jep mundësi për të njohur zhvillimet artistike të tyre. Prandaj mbeten në grupim më vete edhe për arsyet e mëposhtëme: Këto tema nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me të njëjtat epoka artistike europiane (siç ka p.sh. Egjipti me Greqinë). Dhe tjetra, për të mos ndërprerë vijueshmërinë e artit europian. Kapitulli i katërt përmban historinë e artit figurativ shqiptar. Edhe këtu përshkrimi fillon nga primitivizmi deri sot. Në këtë kapitull autori ka kërkuar t’i pasqyrojë faktet siç janë realisht. Na duket se ky qëndrim është më me vlerë për çdo lexues; vlera njohëse, vlera intelektuale, vlera patriotike. Nga ana tjetër është evituar prirja që lënda e artit shqiptar të bënte pjesë, të “shkrihej organikisht" brënda historisë së artit figurativ të huaj, pra të përbënin një kapitull të përbashkët. Arsyet: E para; nuk gjen përputhje kohore me artet e huaja. Çdo periudhë artistike tek ne vjen qindra vite me vonesë. P.sh. Mesjeta në Evropë “vdes” që në shekullin e 13, tek ne mezi merr fund në shekullin e 19-të. Po kështu periudha e Rilindjes, e Impresionizmit etj. E dyta; shfaqja e rrymave dhe stileve në vendin tonë mbeten vetëm shfaqje, përpjekje, pa marrë ndonjëherë pamje të plotë dhe të qartë. E treta; në gjithë përvojën e artit, në gjithë veprat me rëndësi kombëtare që kemi, nuk u krijua ndonjë vepër e niveleve të krahasueshme ndërkombëtare. (siç kemi p.sh. në letërsi). Me të drejtë autori ndoqi rrugën që arti shqiptar të përbënte një kapitull më vete dhe të vlerësohej brenda hapësirës  së saj historiko - kombëtare. 3 - “Përtej mjegullës, biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos” është monografia që autori Bani ka botuar në shenjë mirënjohje e nderimi për Vasil Talon, 48 vjeçarin e përjetshëm (23 gusht 1921 - dhjetor 1969, aksidenti automobilistik  dhe vdekja në spitalin e Gjirokastrës) për atë meteor që shkëlqeu në qiellin e pikturës në Vlorë. Vasil Talo është i mbarënjohur me tablotë “Peshkatari i vogël”, “Kavalona”, peizazhin “Rruga në Nartë”, portetin në vaj të Selam Musait (Heroi nuk ka patur fotografi të tijën), “Ura e Bratit”, “Kodrat e Vlorës”, peizazh - akuarel etj. libri është botuar në Shtëpinë Botuese ‘Europrint”, Vlorë, 2007, me 214 f.; ka përfshirë 30 punime, (skicë - laps, peizazh - laps, portret - karbon, peizazh - tush i zi, vizatim - tush i zi, peizazh - akuarel, akuarel, peizazh - vaj, kompozim - vaj dhe portret - vaj) të Vasil Talos në fletë me ngjyra. Nuk janë përfshirë të të gjitha  veprat e Vasil Talos, se, nga sa dimë nga autori i monografisë apo dhe  nga piktori Jorgo Talo, i biri i Vasilit e nga familja e tij, mbi 20 punime janë vjedhur e grabitur në mjediset e institucioneve ku ishin vendosur, si, p.sh.: 3 nga ekspozitat, 4 nga ish shtëpia e Kulturës, 1 nga Turizmi i Skelës, 2 nga Hotel “Adriatiku”, 2 nga Hotel “Sazani”, 1 nga Spitali Psikiatrik, 4 të vjedhura nga Hotel “Gambino” e nga të tjera institucione këtu etj., që s’kemi mundur të marrim informacion. Edhe sot nuk është vonë, që shteti të mundësojë rikthimin e tyre në Galerinë e Arteve në Vlorë apo në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Redaktor i librit kushtuar piktorit të parë të Vlorës është Albert Habazaj, recenzent Skënder Milori, piktor Jorgo Talo (i biri i V. Talos).  Në parathënien e monografisë, Albert Habazaj ka shkruar e botuar: Një libër i vyer për Pionierin e “pikturës vlonjate”. Dashamirësit e artit dhe të kulturës po plotësojnë një zbrazësi në njohjen e të parit pionier të pikturës vlonjate mbas Çlirimit të Atdheut. Piktori i mirënjohur, kritiku dhe studiuesi i artit figurative Ilmi Bani e përmbushi mrekullisht bukur këtë mision hyjnor, jo vetëm për të paharruarin Vasil Talo, por në tërësi ndaj asaj dege të gjelbër të krijimit. Monografia për Vasil Talon është konceptuar dhe realizuar me dëshirë dhe kompetencë profesionale, është e mbushur me frymën e jetës dhe lëngun e domosdoshëm të gjallërimit. Ky libër, gjatë leximit të rrëmben, të bën për vete, të duket sikur Vasil Talon e ke njohur, e ke patur mik të mirë, edhe pse ndoshta asnjëherë s’e ke takuar… Monografia duket si një ndërtesë e qëndrueshme, ku çdo gur është skalitur e vendosur me kujdes atje ku duhet dhe ashtu si duhet nga dora e ustait, sa të krijon përshtypjen e një vile bukurisht origjinale. Ilmi Bani, me dhuntinë e tij krijuese dhe përvojën jetësore, me një gjuhë të zgjedhur letrare na njeh me mimozën e parë erëmirë të fundshkurtit, që paralajmëron pranverën, me dallëndyshen e parë që solli pranverën e vrullshme të pikturës vlonjate. Tendenca dashamirëse e autorit evidentohet dukshëm në paraqitjen e ngrohtë që bën personazhit të monografisë si njeri me virtyte, si prind e bashkëshort shembullor, si pedagog i papërsëritshëm për talentet e reja por mbi të gjitha si një piktor i veçantë, që i thotë kohës: Ja, kjo është gjurma ime! Vasili la Goranxinë, Voshtinën, Dropullin, Athinën, Delvinën, Elbasanin, Tiranën elitare dhe u vendos në Vlorën e magjishme me dy dete e dy vargmale, me një ishull e një gadishull, me ullinj e portokalle, me Nartë e Zvërnec, me limona e diellin në ballë, me një natyrë të vendosur si me dorë nga perëndia. Piktori Vasil Talo mori nga nuri i Vlorës dhe ia zbukuroi emrin qytetit. Vasil Talo qe flladi, një fllad frymtarie, ku brenda tij vezullonte zejtari e artit, me shkëndira të vazhdueshme krijimtarie dhe larmi tematike, me shkallëzime poetike dhe ngjyra harmonike. Kur mendon për zotësinë që tregonte ai, patjetër thua që është një mendje ose zgjuarsi kozmike që e shtyn njeriun të marrë drejtimin e strukturave të vendosura nga vetë misteri i jetës. Ndoshta ndodh një shkrirje midis mendjes sonë dhe gjithësisë. Sikurse zëri i ngrohtë dhe interpretimi i melodive sentimentale e bën një këngëtar të dashur për artdashësin e ndjeshëm, edhe peneli i ngjyer në mjaltin e mirësisë njerëzore e bëri Vasil Talon një piktor të admiruar. Aq më tepër kur Vlora donte njerëz të sinqertë, që bëjnë vepra të bazuara në sinqeritet, vlera vitale e Vasilit lartësohet kristaline për zbukurimin e shpirtit njerëzor. Me monografinë e shkruar me dashuri e talent nga Ilmi Bani mimosa erëmirë e pikturës vlonjate nuk thahet kurrë, ndërsa bibliotekave tona u shtohet një libër serioz, që zë vend denjësisht, krahas librave të tjerë cilësorë. Ja si e mbyll autori homazhin dhe mirënjohjen për piktorin e fillimit të qytetit të Vlorës: “Unë shkruajta për Vasil Talon, për një njeri që jetoi pak, por punoi shumë. U përpoqa të jem realist, të vë në dukje rolin, ndihmesën dhe dëshirën e tij të madhe që Vlora të eci, të eci përpara. Gjurmët janë të dukshme: si mësues, si edukator talentesh dhe kryesorja që përbën dhe thelbin e jetës së tij, si piktor. Fakti që ka mbetur “i mbuluar” s’është për faj të tij, por për shumë “arsye” të kohës, ku edhe ne kemi pjesën tonë. Por përsëri është koha ajo, që siç thuhet, “bën të vetën”, dhe koha ruan në gjirin e vet ato vepra që kanë vlera; për atë kohë kur u krijuan veçanërisht, për kohën që jetojmë, akoma më mirë, për kohët që vijnë, shumë e shumë më mirë…”. I paharruari ynë Ilmi, na mungon dhe ne e ndjejmë sinqerisht me dhembje në shpirt e ligështim të turbulluar atë ikjen e tij, ashtu si ëngjëll perëndie. Po bëjmë një vit pa Ilmi Banin e prapë s’na besohet që ai s’është me ne. Ai na mungon vetëm fizikisht. Ai është me ne. Ne kemi veprën që na le plotë me margaritarë. Dhe çmallemi me të.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora