E enjte, 28.03.2024, 02:36 PM (GMT)

Sport

Vllaznia kalon, Partizani jashtë UEFA-s

E enjte, 31.07.2008, 11:46 PM


Shkodranëve u ka mjaftuar një barazim pa gola në "Loro Boriçi" përballë Koperit, për të vazhduar aventurën evropiane

Të kuqtë humbasin 3-1 me Shiroki Brijeg. Tifozët kontestojnë: E shitët!

Vllaznia kalon në turin e dytë të Kupës UEFA, ndërkohë që Partizani i thotë lamtumirë aktivitetit mes kontestimit të tifozëve. Një barazim pa gola në Shkodër i ka mjaftuar skuadrës së Agim Canajt për të vazhduar më tej. Trajneri u ka besuar të njëjtëve futbollistë të cilët fituan 2-1 përpara dy javëve në Slloveni, ndërsa miqtë tregojnë që në fillim se nuk kanë udhëtuar për shëtitje drejt Shqipërisë. Nigeriani Toçuku provon vetëm pas 3 minutave lojë, por topi përfundon jashtë portës së Bishanit. Rreziku kryesor për kuqeblutë është treshja sulmuese Lika, Kaçi e Sukaj, me këtë të fundit ka një rast të shkëlqyer për të kaluar të tijtë në avantazh. Në të 27-ën lojtari i Kombëtares është gjendur i vetëm me portierin Hasiç, megjithatë ka tentuar goditjen spektakolare, duke shpërdoruar një gol të sigurt, që mund të mbyllte virtualisht ndeshjen. 21-vjeçari, që në takimin e parë ka qenë autor i të dy golave, ka edhe një tjetër rast shumë të mirë, por nuk arrin të përshëndesë rrjetën. Në fund të 45 minutave të para Vllaznia rrezikon të pësojë, por Amusan është një kohë vonesë dhe nuk devijon drejt rrjetës pasimin e saktë të Seçiç. Në fraksionin e dytë të lojës, Sukaj ka dy mundësi të tjera për shënim, megjithatë duket se talenti shkodran nuk e ka mendjen te ndeshja në "Loro Boriçi", por te kampionati ku do të transferohet pas kësaj sfide, që sipas të gjitha gjasave do të jetë ai gjerman.

Eliminimi - Pas barazimit pa gola në Bosnjë-Hercegovinë, në Tiranë, Partizani shpërfytyrohet dhe humbet 3-1. Në "Qemal Stafa", nën sytë e zv/trajnerit të Kombëtares, De Jong, të kuqtë tregojnë pasiguri të theksuara, mbi të gjitha në mbrojtje. Shiroki shënon në minutën e 10-të me Aleksandre Ala do Karmo: edhe pse ishte mes Beqirit dhe Osmanit, braziliani nuk e ka pasur të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë. Partizani pëson një tjetër goditje të rëndë, pasi pak çaste më vonë Elis Bakaj largohet nga fusha i dëmtuar dhe në vendin e tij futet Përlleshi. Në të 39-ën ky i fundit bëhet protagonist: pasi hyn në zonë, pengohet në mënyrë të parregullt nga Boziç dhe për gjyqtarin holandez Bas Nijhuis nuk ka dyshim, 11-metërsh. Muzaka përballë portierit Vladimir Vasil nuk gabon dhe rindez shpresat e të kuqve. Megjithatë, miqtë janë më dominues, e në fund të pjesës së parë kalojnë përsëri në avantazh me rrjetën që mban firmën e Aleksandres. Në të 83-ën Shiliç shënon edhe golin e tretë për Shirokin dhe fundos Partizanin. Ndërkohë që tifozët kryeqytetas kanë kontestuar presidentin Albert Xhani, duke pretenduar se ndeshja ishte shitur dhe kanë thirrur emrat e futbollistëve që janë larguar nga skuadra në këtë verë pas problemeve financiare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora