E enjte, 18.04.2024, 05:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Furxhi, kritiku postum

E shtune, 02.08.2008, 12:39 AM


Vangjush Furxhi
Nga Alma Mile

E para vepër postume, “Mjeshtër të shquar të skenës dhe ekranit - Portrete artistësh”. Përmbledhje kritikash me autor aktorin e talentuar Vangjush Furxhi

Për të thoshin se ishte njeri i mirë dhe i drejtë. Kjo është ndjesia që të krijohet edhe kur sheh filmat ku ka luajtur, apo fotografitë, ku shquhet një buzëqeshje e pastër. Por sot, pas 7 vjetësh “zbulohet” se ç’ka thënë ai për të tjerët. Këto ditë doli në libraritë e kryeqytetit, libri “Mjeshtër të shquar të skenës dhe ekranit - Portrete artistësh”, një përmbledhje kritikash që kanë për autor, aktorin dhe pedagogun Vangjush Furxhi.

Emra të mëdhenj të skenës që fatkeqësisht përmenden pak sot dhe nuk njihen nga brezat e rinj, vijnë përmes këndvështrimit të një njeriu që i njohu nga afër personalisht dhe shijoi veprën e tyre. E nis me regjisorin Pandi Stillu, për të vijuar me Marie Logorecin, Esat Oktrovën, Prokop Mimën, Violeta Manushin, Xhemal Brojën, Sandër Prosin, Bexhet Nelkun, Reshat Arbanën, Agim Zajmin, për ta mbyllur me aktorin shkodran Bep Shiroka. Bashkëshortja Marilda thotë se gjithçka është botuar si e la ai, madje edhe fotografitë e librit ishin zgjedhur qysh më parë. Ishte tepër skrupuloz në të gjallë dhe familjarët, si të druheshin prej tij, nuk i kanë lëvizur asnjë presje.

Kritikat e përmbledhura në libër janë shkruar gjatë viteve 1996-2000. Nuk janë leksionet që ai mbante gjatë lëndës së Mjeshtërisë së aktorit. E shoqja thotë që nuk kanë lidhje me to, por janë zbërthime profesionale të jetës dhe veprës së këtyre artistëve, madje vlerësim dhe nostalgji për punën e tyre. Ajo e pranon se teksa lexon librin vë re edhe mbivlerësime, por kjo sepse Vangjushi i vlerësonte ata artistë që sipas tij “fatkeqësisht nuk i kthehen më këtij vendi”, që formuan një shkollë arti. Duke ndërtuar portretin e një artisti, ai shpreh përvojën e tij njohëse. Nuk është thjesht radhitje e mendimeve të të tjerëve. Marilda thotë se është akumulim i asaj që Furxhiu ka prekur vetë në kohë, në veprën, auditorët, përvjetorët e këtyre artistëve. Për 35 vjet pedagog në Akademinë e Arteve, Vangjush Furxhi, kishte auditor të preferuar studentët. Ishte i bindur që puna e tij do t’i shërbente më së shumti njerëzve të artit, në veçanti të rinjve, por nuk përjashtonte edhe një kategori tjetër lexuesish. Jo më kot portretet e tij i botoi në gazetën “Rilindja” të Kosovës, me qëllim që artistët për të cilët ai fliste të njiheshin edhe në Kosovë, Zvicër e më gjerë.

Si njeri që kishte dhënë leksione gjithë jetën, kishte hartuar edhe libra, nuk e kishte të vështirë të gjente thelbin e gjërave. Tek çdonjëri prej artistëve thekson armën e tij më të fortë, si nënvizimi i elementëve kombëtarë, apo ndarja e roleve tek Pandi Stillu, perceptimin e figurës në rrafsh personal, pavarësisht kontekstit ideologjik tek Marie Logoreci, plastika dhe zëri tek Prokop Mima, zbërthimi psikologjik i personazheve, tek Bexhet Nelku, etj. Këto tipare të punës së tyre i argumenton me raste konkrete nga krijimtaria dhe galeria e tyre e roleve. Kështu ai merr në analizë figura “mitike” si Lokja, Bernarda Alba, Plaka Nicë, Otello, Dhaskal Todri, Ollga, Xhivola, Pilo Shpiragu, etj., etj.

Marilda Furrxhi e kujton fare mirë atë kohë, kur i shoqi zhytej mes letrash e dosjesh, të cilat ngriheshin deri në tavan dhe zinin një pjesë të mirë të hapësirës në apartamentin e ngushtë të “modës” së socializmit. “Shpesh herë konfliktet në shtëpinë tonë lindnin për tavolinën. Pas orës 20.30, duhet të largoheshim nga kuzhina, që t’i lironim tavolinën ku hapte dosjet dhe punonte deri në orët e vona”, - thotë ajo teksa shton se e ka ndihmuar vetëm për korrigjimin nga dorëshkrimet në fletët e radhitura me makinë shkrimi. Libri ka një parathënie nga shkrimtari Kiço Blushit, mik fëmijërie i Furxhiut. “Meqë ai shkroi për miqtë e shokët e tij të profesionit, menduam të ishte një mik që të shkruante për të”.

Ka edhe një pasthënie nga Stavri Sharrëxhi, gjithashtu mik i tij, që ndihmoi jo vetëm në redaktimin, po edhe botimin e librit.

E gjitha është vetëm një pjesë e asaj që do të kishte dashur të shkruante Vangjush Furxhi. Disa prej portreteve që kishte në dorë mbetën përgjysmë, ndërsa të tjerë në mendjen e tij. “Sëmundja i ndërpreu në gjysmë idetë e tij për të sjellë të tjera figura të shquara, por ka lënë pas shumë leksione, biseda të zhvilluara në Akademinë e Arteve, intervista televizive, që nuk i dihet, në një të ardhme mund të shohin gjithashtu dritën e botimit”, - thotë Marilda, e cila vazhdimisht merr telefonata nga të njohur e miq, që kanë dëgjuar për botimin e librit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora