E premte, 29.03.2024, 08:31 AM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonlekaj: Profesor Mhill (Michael) Marku

E hene, 05.10.2015, 06:04 PM


PROFESOR MHILL (MICHAEL) MARKU

(1919-1966)

Kur dita më ditë pritej dalja në dritë e nji libri të Prof. Michael Markut, ai vdiq papritmas në Monterey, Californi, ku ishte drejtor i shkollës shqipe n’Institutin e gjuhve t’Ushtrisë Amerikane. Vdekja e shpejtë e tij la në pikllim jo vetëm familjen farefisin e miqët e shumët, por edhe ata që ndyerin e njifshin nga shkrimet e tija aq të bukura.

Michaeli, megjithse larg vendlindjes ishte në kulmin e duhun në shërbim t’atdheut dhe të shqiptarve, tue nderue malet bujare t’Shalës që i dhanë jetë, Dukagjinin fole Shqiptarizmi dhe mbarë shqiptarët, sepse nder shtyllat e shtypit të lira në mërgim, artikujt e tij ishin të pandërpremë, plot shije letrare, me baza shkencore, konstruktiv, larg partinash, thjeshte dhe vetëm shqiptar në dobi të Kombit, pse i thjeshte dhe vetëm shqiptar ishte vetë Michaeli. Po kështu, shkruante ndër gazeta e revista të huaja sidomos n’anglisht tue synue me ndricue e sqarue të huajët mbi Shqipni e të drejta të Shqiptarve.

Michael Marku leu në Shalë në luftën e parë botnore, kur Serbët në ikje e sipër prej ushtrive Austro-hungareze  shkelën dhunisht nëpër malet tona, tue djegë e shktarrue, tue grabitë e masakrue popullin. Po me ket kohë vritet burrnisht tue luftue edhe baba i Michaelit me dy vllazën, tue e lanë atë foshnje dy muajsh. Me kujdesin e famullitarit, Michaeli në moshën e bukur fort të rritëshme hyni në shkollë në konviktin “Malet tona” në Shkodër, ku kreu filloren e gjimnazin shtetnuer, tue u shque  gjithmonë i pari i klasës, i pari në sport, i pari në guxim, i pari në nderë e karakter,shembull në sjellje , fisnik në punë e në veprime,  burr i matun nder gjykime, gja që provon mos përkulja e tij para të rijve komunista r’asaj kohe, që dhanë e mueren m’ e bindë të hynte në celulat e tyne, por jo vetem  që nuk mujten me e mashtrue, por u qëndroi burrnisht me arsye e grusht, tue u mundue me i ndricue se ishin në rrugë të gabueme, mbasi për Michaelin komunizmi ishte qysh atëherë pansllavizëm rreziku i kombit shqiptar, gja që tashma e pamë të gjithë. As demagogjia fashiste nuk e futi Michael Markun në kurthë . Burgimi i tij në Liceun shtetnuer në Shkodër me 1940 provon qartë se ndjenjat e të ndyerit ishin me popullin e synimet e përpjekjet për nji indipendencë të plotë, liri e demokraci të vërtetë për cka Shqipnia kishte aq nevojë.

Studimet iniversitare i kreu n’Europë, kurse në Californi muer diplomën—Master Degree n’arte e histori.

Në fund e ndjejme për detyrë të theksojmë se veprimtaria kulturore kombetare e shumllojshme e Profesor Michael Markut, ishte shëmbull për të gjithë shqiptarët e mërgimit. Me vdekjen e tij mergimi shqiptar humbë nji shtyllë të fortë, nji personalitet të dalluem në dobi të pergjithshme kombtare. Qoftë i përjetshem kujtimi i Tij.

G&S Farmington, Mich.5/6/1966

NGA REDAKSIA  E  DIELLI-T

Profesor Marku lindi në Shalë të Dukagjinit me 27 Shtator 1919, i bir i Mark Markut dhe i Drande Mirashi. Shkollën fillore e bëri në Shkodër 1926-31 dhe pastaj studjoi në Liceun Shtetëror të këtij qyteti prej 1931-1938 dhe vjetin e fundit e bëri në Tiranë me 1939.Me 1939-43 studjoi në Farnesina të Romës, Itali, dhe u diplomua rishtasi me 1964 në San Jose State College, Californi, me titull MA in History

Profesor Marku mësoi për pesë vjetë në shkolla Italiane (1946-1950) dhe pastaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qe professor dhe pastaj Chairman në DLI të Monterey, Calif. Përvec artikujvet të shumtë shqip dhe anglisht,

Profesor Marku është author i THE RED PIONEER.

 

SHENIM: Javën e kaluar dërguam për ribotim shkrimin anglisht për Dedë Gjo’Lulin të Michael Markut, i cili shihet qartë se e kishte amerikanizuar emërin e tij të vërtetë shqiptar. Për t’ia adaptuar emërin e tij natyrës shqiptare menduam se emëri  Mikel ishte shumë afër emërit Michael, por një ditë më vonë gjetëm se emëri i tij i vertetë  kishte qënë Mhill Marku e jo Mikel Marku. Kerkojmë falje për këtë. Të gjitha shkrimet e tij në gazetën “Dielli”janë botuar me emërin Michael Marku. Përzierja e emërave të huaj me emëra shqiptar shumë herë shkakton huti. Disa lexues  kërkuan të dijnë më shumë për jetën dhe veprimtarinë e ketij shqiptaro-amerikani dhe për t’ua plotësuar deshirën gjetëm këto shënime që ishin botuar  në gazetën “Dielli” në qershor të vitit 1966,menjëherë pas vdekjes së tij.

(Gjekë Gjonlekaj)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora