E premte, 19.04.2024, 05:22 AM (GMT+1)

Mendime

Myftaraj: Serbët në manastirin e Shën Joan Vladimirit

E diele, 04.10.2015, 07:12 PM


Përfaqësuesja serbe e futbollit, tifozët serbë të ftuar nga Kryeministri Rama, Kryeministri serb Vuçiç, do të ndalojnë në anë të autostradës Tiranë-Elbasan, për t’ u lutur për fitore në manastirin e gjoja shenjtorit serb Shën Joan (Jovan) Vladimirit, nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit Shqiptar

Nga Kastriot Myftaraj

Qeveria serbe dhe Federata Serbe e Futbollit kanë kërkuar dhe Qeveria dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë pranuar që gjatë rrugës nga Tirana në Elbasan, serbët që do të vinë në Shqipëri me rastin e ndeshjes së 8 tetorit të ndalen në Manastirin e Shën Joan (Jovan) Vladimirit, një princi serb të shekujve X-XI, një manastir ky që gjendet në anë të autostradës Tiranë-Elbasan, nëntë kilometra larg daljes së tunelit dhe gjashtëdhjetë metra larg në të djathtë të autostradës. Lojtarët dhe Kryeministri serb Vuçiç do t’ i luten “shenjtit” për fitore dhe do të puthin arkën me eshtrat e supozuara të Jovan Vladimirit, që besohet se u sjell fat të mbarë serbëve. Kulti i Shën Jovan Vladimirit ka rëndësi të madhe për serbët. Kulti i këtij të ashtuquajturi shenjtor është shembull se si pushtuesit e trojeve shqiptare kanë bërë në to projektime të kulteve të sajuara me qëllim të funksionalizimit të esë së tyre, për qëllime nacionaliste, për të hipotekuar kulturalisht këto troje, dhe sesi Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka bashkëpunuar për këtë vepër antikombëtare dhe që nuk ka asnjë lidhje me fenë ortodokse.

Serbët, historikisht, që nga Mesjeta, për të hipotekuar uzurpimin nga ana e tyre të tokave të okupuara joserbe, edhe në rast se do t’i humbnin ato, me të okupuar një territor joserb (shqiptar, kroat, hungarez), uzurponin kishat dhe manastiret katolike dhe i shndrronin ato në tempuj serbë, duke ua atribuar ndërtimin e tyre princave dhe mbretërve serbë, të cilët kisha serbe i shenjtëronte. Këta tempuj serbët synonin që t’i përdornin si tituj pronësie mbi këto territore, për të legjitimuar rivendikimin e tyre nga ana e shtetit serb. Një nga sundimtarët serbë, i cili më së pari e ka ushtruar këtë zeje nacionale serbe ka qenë Jovan Vladimiri, princi i Dioklesë (Malit të Zi), i cili ka jetuar në shekujt X-XI. Jovan Vladimiri ishte nipi i Hvalimirit, zotit të Dioklesë, i cili pas vdekjes së sundimtarit të Serbisë, Caslav Klonimiroviç, u bë edhe sundimtar i Serbisë (950-971). Hvalimiri i përkiste shtëpisë sunduese Vlastimiroviç, e cila pretendonte se e kishte origjinën nga njeriu që u priu serbëve në Ballkan, në shekullin VII. Pas vdekjes së Hvalimirit, mbretëria u nda mes tre djemve të tij, nga të cilët Petrislavi, babai i Jovan Vladimirit, mori Dioklenë. Pas vdekjes së Petrislavit, në 990, principatën e trashëgoi djali i tij, Jovan Vladimiri.

Ky më pas u kanonizua si shenjt nga Kisha Ortodokse e Serbisë, duke iu njohur si vend i shenjtë manastiri që mban emrin e tij në Krrabë pranë Elbasanit. I ashtuquajturi Shën Jovan (Ivan, Joan) Vladimiri ka qenë një princ serb, i cili lindi në gjysmën e dytë të shekullit X (viti i saktë nuk i dihet) dhe vdiq në vitin 1015. Jovan Vladimiri qe sundimtar i Dioklesë dhe i Rashës, Serbisë mesjetare. Në kohën kur Jovan Vladimiri pasoi të atin si sundimtar, në Ballkan ishte epoka e ekspansionit bullgar. Imperia Bullgare e Car Samuilit(Samuel), i cili sundoi në vitet 976-1014, kishte pushtuar Ballkanin bizantin nga Adriatiku deri në Detin e Zi, duke përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Thesalinë etj., si dhe duke arritur madje deri atje sa të rrethonte Konstantinopolin, kryeqytetin bizantin. Jovan Vladimiri ishte aleat i bizantinëve kundër bullgarëve, duke u bërë kështu nismëtari i aleancës serbo-greke. Cari bullgar Samuil e kapi Jovan Vladimirin dhe e burgosi në kryeqytetin e Imperisë Bullgare, në Ohër.

Analet bizantine dhe serbe na thonë se e bija e Samuilit, Kosara, e cila po vizitonte burgun e pa Jovan Vladimirin dhe ra në dashuri me të. Princesha bullgare iu lut të atit që ta falte të burgosurin, dhe t’ia jepte për burrë. Analet serbe dhe bizantine na thonë se Samuili e pranoi lutjen e së bijës dhe Jovan Vladimiri u bë dhëndër i carit, i cili i dha si pajë të nuses edhe sundimin e ish-principatës së tij dhe territoreve që kishte pushtuar. Këtë përrallë mund ta besoni ose jo, sipas dëshirës, por më e logjikshme është që e vërteta të ketë qenë ndryshe, pra që të ketë qenë vetë Cari Samuil ai, duke dashur ta bënte aleat Jovan Vladimirin, për të siguruar krahun perëndimor të imperisë së tij, në kohën që bëhej gati të mësynte Konstantinopolin, t’ia ketë propozuar këtë marrëveshje, të cilën Jovan Vladimiri e pranoi. Dhe Jovan Vladimiri mori si pajë jo vetëm principatën e vet, por shumë më tepër, edhe territorin e Shqipërisë deri në Shkumbin. (Për historinë e Jovan Vladimirit shikoni: Djorde Radojiçiç, “Un poeme epique yougoslave du XI siecle. Les gestes ou exploits de Vladimir prince de Dioclee”, në “Byzantion”, Bruxelles 1965, f. 530-531; Konstantin Jirecek, “Illyrisch-Albanische Forschungen”, München 1916, f. 95-96; Milenko Fili¬povic, “Volksglauben auf dem Balkan. Einige Betrachtungen” në Sudost-For¬schungen, München, 1960, f. 261)

Por Jovan Vladimiri e dinte mirë se në këto territore dhe posaçërisht në territoret shqiptare, ai nuk qe një sundimtar sovran, por vetëm një qeveritar i emëruar nga sovrani i plotfuqishëm, Samuili, i cili mund t’ia hiqte ato në çdo kohë atij, ose pasardhësve të tij. Për këtë arsye, Jovan Vladimiri, me siguri i këshilluar dhe nga popët e kishës serbe, vendosi që të legjitimonte sundimin e tij mbi këto territore, me anë të një “mrekullie” hyjnore. Analet serbe dhe bizantine thonë se një ditë, kur Jovan Vladimiri qe duke ecur së bashku me dy oficerë të vetët në një pyll pranë Kërrabës, në breg të lumit të vogël të Kushës, ai pa t’i afrohet në fluturim një shqiponjë e cila mbante mbi krahët e saj një kryq që shkëlqente. Shqiponja, e cila pretendohet të qe një engjëll, u ul në tokë, la kryqin dhe pasi i bëri nderime princit serb, u largua duke fluturuar lart në qiell. Jovan Vladimiri me të vetët, pasi i bënë nderime të mëdha shqiponjës-engjëll, iu afruan kryqit, të cilin princi serb e mori dhe e nguli në vendin ku më pas pretendohet se ndërtoi një kishë. Kjo thuhet në hagiografinë zyrtare të botuar nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, në 2004, ku për Jovan (Joan) Vladimirin ndër të tjera thuhet:

“Lindi në fshatin Vladimir (nga del emri i tij) të Krajës, në Malin e Zi afër Shkodrës, dhe u bë mbret. Ishte i drejtë dhe i pastër në moral dhe ndihmoi në shtrirjen e Orthodhoksisë. Një herë, duke udhëtuar në shtetin e tij me gjeneralët, dalloi në një pyll afër Elbasanit një shqiponjë. Shqiponja kishte në krahët e saj një kryq të ndryshëm, të cilin e lëshoi në tokë para se të fluturonte dhe të zhdukej - ishte engjëll! Monarku mori kryqin me devotshmëri e frikë, e vendosi në një kishë, që ngriti në vend më vonë.” (“Nga Thesari i shenjtorëve”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2004, f. 175)

Por princi serb me gjeneralët e tij, gjendej në Elbasan si pushtues, dhe i kishte aneksuar tokat shqiptare brenda shtetit të tij. As ai, as “shqiponja-engjëll” sigurisht që nuk e panë fare se në atë vend kishte një kishë e Shën Gjon Pagëzorit dhe një manastir të vjetër të ritit latin (katolik), që bizantinët e patën uzurpuar para do kohësh, kur me dekret imperial të gjithë trojet shqiptare kaluan nga juridiksioni kishtar perëndimor në atë lindor. Nga Shën Gjoni e pati marrë emrin dhe vendi: Shijon (“Shijon” është shkurtimi i Shën Gjon), siç është toponimi “Shirgj” në Shkodër shkurtimi i “Shën Sergj”. Kjo mungesë perceptimi i erdhi shqipo¬njës-engjëll nga fakti se ajo qe një engjëll serb, i cili kishte sy vetëm për kishat dhe manastiret serbe.

Siç shihet, këtu kemi të bëjmë me mashtrimin e rëndomtë që përdornin sundimtarët serbë për të siguruar, në mënyrën e tyre, legjitimitetin e tyre mbi tokat e pushtuara. Kuptimi i kësaj “mrekullie” nga pikëpamja e serbëve qe se Zoti në këtë mënyrë ia njohu Jovan Vladimirit të drejtën e sundimit mbi territoret deri në Shkumbin dhe se tashmë këto bëheshin tokë e shenjtë serbe. Kisha që do të “ndërtohej” atje qe dëshmi e kësaj. Për të ngjarë e vërtetë përralla ndihmonte dhe fakti që Jovan Vladimiri mbante versionin sllav të emrit të shenjtit, i cili i pati dhënë emrin vendit. Emri “Jovan” është emri “Gjon” (Jan në greqisht) në sllavisht. Natyrisht që as serbët dhe as grekët nuk e shpjegojnë dot dhe as marrin mundimin që ta shpjegojnë se, nëse këtë kishë e ndërtoi Jovan Vladimiri atëherë përse toponimi nuk është në sllavisht, pra “Shivan” (si shkurtim), ose “Shjan”, në versionin grek (“Shën Jan”). Sigurisht që analet serbe dhe bizantine nuk e përmendin fare atë që vendasit e njohin nga gojëdhëna e hershme (dhe që vërtetohet edhe nga arkeologjia), se në atë vend kishte një kishë dhe një manastir të hershëm të ritit latin, që ishte uzurpuar në fillim nga bizantinët, për t’u uzurpuar pastaj nga serbët. Për analet kishtare sllave ky vend qe thjesht pyll para se atje të ndërtonte kishën Jovan Vladimiri dhe pasi u ndërtua kisha u shndrrua në tokë të shenjtë sllave. Përralla e mësipërme qesharake serbe tregohet me shumë seriozitet dhe në botimet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, si një mrekulli e shenjtë.

Në fillim të shekullit XI, imperatori bizantin, Vasili II, filloi një mësymje të madhe kundër Imperisë Bullgare të Samuilit. Në këtë luftë, që përfundoi me shkatërrimin e Imperisë Bullgare, Jovan Vladimiri, dikur fshehtas dhe dikur haptas, mbajti anën e miqve të vet të hershëm, bizantinëve, duke e tradhtuar vjehrrin mirëbërës. Jovan Vladimiri nuk mori pjesë në betejën vendimtare që u zhvillua midis ushtrive bizantine dhe bullgare në Grykën Kleidon ku ushtria bullgare u mund keq duke u vrarë pjesa më e madhe e saj dhe duke u kapur rob pjesa tjetër. Pas vdekjes së Samuilit, fill pas kësaj beteje, në Ohër filloi një luftë për fronin bullgar në të cilën u implikua shumë edhe Jovan Vladimiri. Pasuesi i Samuilit, djali i tij Gavril Radomiri, kunati i Jovan Vladimirit u rrëzua nga froni dhe u vra pas një viti, në 1015, nga djali tjetër i Samuilit, Jovan Vladislavi, i cili për ta arritur këtë pati mbështetjen e kunatit, Jovan Vladimirit, “shenjtit” të ardh¬shëm. Jovan Vladislavi e ftoi në Ohër kunatin e vet, Jovan Vladimirin, në dukje për ta shpërblyer për ndihmën që i dha për të ardhur në fron dhe kur “shenjti” i ardhshëm shkoi atje, cari i ri e vrau dhe i preu kokën, si ndëshkim për tradhtinë që i bëri të atit, Samuilit, në luftën kundër bizantinëve. Sipas praktikës së kohës, trupi i Jovan Vladimirit me siguri që duhet t’u jetë hedhur qenve menjëherë pas vrasjes së tij, siç bëhej me kufomat e tradhtarëve dhe këtë fat duhet të ketë patur edhe koka e tij, pasi të qe ekspozuar në kryeqytetin bullgar.

Për Jovan Vladimirin, këtë okupator serb, i cili vrau, preu, dogji, grabiti në trojet shqiptare, Kisha greke dhe ajo serbe sajuan një hagiografi (histori e jetës dhe e mrekullive të shenjtorëve) qesharake, sikur ai bëri disa mrekulli me ndihmën e Zotit, për çka e bënë shenjt. E tepërt të thuhet, Zoti nuk ka pasur arsye pse t’i japë fuqi divine një sundimtari dhe gjenerali gjakatar serb, i cili u bë aleat me bizantinët (grekët), përveçse nga pikëpamja serbe dhe greke se Zoti është në anën e serbëve dhe grekëve, për të mos thënë që është fare serb ose grek. Kisha serbe dhe ajo greke (bizantine) sajuan një mrekulli të dytë me Jovan Vladimirin, këtë herë një të tillë që ishte e mjaftueshme që ai të shpallej “shenjt”. U sajua përralla se trupi pa kokë i Jovan Vladimirit u ngrit në këmbë, mori në dorë kokën e vet të shkëputur nga trupi dhe pastaj i hipi kalit të vet dhe udhëtoi nga brigjet e Liqenit të Prespës deri në kishën që pati ndërtuar vetë në Kërrabë, pranë Elbasanit. Atje, kalorësin pa kokë e pritën me nderime të mëdha e shoqja, Kosara dhe populli, duke e varrosur pastaj në këtë kishë, në 22 maj (4 qershor) 1015, në një ceremoni të drejtuar nga kryepeshkopi serb i vendit. Kuptohet që asgjë të vërtetë nuk ka në këtë përrallën e ngritjes së trupit pa kokë dhe ecjes së tij mbi kalë nga Prespa në Elbasan. Zoti sigurisht që bën mrekullira, por ai nuk ka pasur asnjë arsye përse t’i merrte copërat e trupit të një princi serb nga stomaku i qenve të mbretit bullgar, t’i bashkonte për të formuar trupin dhe pastaj me kokën e prerë në dorë ta bënte të udhëtonte mbi kalë deri në Elbasan. Tekefundit Jovan Vladimiri nuk qe gjë tjetër veçse një sundimtar gjakatar serb, që ishte përzier në një konspiracion makbethian ballkanas dhe që u vra për shkak se tradhtoi një mbret gjakatar, në dobi të një mbreti edhe më gjakatar. Si e vështirë të besohet që Zoti të ketë pasur simpati për këtë Jovan Vladimirin! Sigurisht këtu e kemi fjalën për Zotin që njeh e gjithë bota dhe jo për Zotin që njohin serbët. Zoti nuk ka pasur arsye pse ta shohë si kauzë të veten luftën e bizantinëve në aleancë me serbët kundër bullgarëve, përveçse nga pikëpamja greke se Zoti është në anën e grekëve, për të mos thënë që është fare grek. Në fakt Jovan Vladimiri u varros në Krajë dhe vetëm në shekullin XIV eshtrat e tij u sollën në Shijon, në rrëzë të Kërrabës.

Kisha dhe manastiri në Shijon janë ndërtuar disa shekuj para lindjes së Jovan Vladimirit, duke iu dedikuar Shën Gjon Pagëzorit dhe më pas janë uzurpuar nga kisha bizantine dhe serbe. Këtë e thotë gojëdhëna e banorëve të zonës që asnjëherë nuk e kanë pranuar përrallën serbo-bizantine të Jovan Vladimirit dhe që sot e kësaj dite njohin shën Gjon Pagëzorin dhe i falen atij, si njeriu që pagëzoi Krishtin. Hagiografia e të ashtuquajturit “Shën” Jovan Vladimirit është një mbivënie mbi hagiografinë e Shën Gjon Pagëzorit, duke qenë se ka marrë prej kësaj historinë e prerjes së kokës së shenjtit, si premisë së cilës i janë shtuar bëmat e sundimtarit dhe ushtarakut serb, Jovan Vladimirit. Shenjtërimi i këtij gjeneralit dhe sundim¬tarit serb, Jovan Vladimirit, u bë pasi një murg serb sajoi rreth vitit 1200 hagiografinë (jetëshkrimin dhe mrekullitë e një shenjti), sipas dokjes serbe, që gjithandej hapësirave ku serbët synonin të shtrinin sundimin e tyre duhej të mbinin vende të shenjta serbe, që duhej të uzurponin tempujt katolikë, me synimin e dyfishtë që kisha ortodokse sllave të zinte vendin e katolicizmit në këto troje dhe që mbretërit serbë pastaj të justifikonin marshimin në këto toka për t’i okupuar dhe aneksuar ato.

Kisha serbe dhe ajo greke (bizantine) e kanonizuan shenjt Jovan Vladimirin, serbët për arsyet që i kemi thënë më lart dhe grekët se ai mbajti anën e tyre kundër bullgarëve. Në kohën e pushtimit osman, Patrikana greke e Konstantinopolit, e cila kishte fituar nga sulltani edhe juridiksionin mbi kishën serbe, për ta marrë me të mirë këtë të fundit, e bëri varrin e Jovan Vladimirit vend pelegrinazhi, duke hapur fjalë se atje bëheshin mrekullira, duke u shëruar të sëmurët. Kjo, kuptohet se është një rrenë e trashë, pasi Zoti nuk kishte përse të pajiste me fuqi çudibërëse kufomën e një princi gjakatar serb. Kur Ushtria Serbe mësyu Shqipërinë në 1912, porsa doli në Luginën e Drinit, oficerët i nxitnin ushtarët që të arrinin sa më parë tek varri i këtij shenjti serb, pasi ai shënonte kufirin e tokës së shenjtë serbe, që duhet të ishte Lumi Shkumbin. Kështu, Serbia do të siguronte daljen në det nëpërmjet një porti të madh, Durrësit, aq të ëndërruar për serbët. Kur ushtria serbe arriti në Shijon, në fillim të dhjetorit 1912, pasi i theu ushtritë turke, pranë varrit të “Jovan Vladimirit” u bë një meshë e madhe nga popët e ushtrisë serbe, ku asistuan mijëra ushtarë dhe oficerë të lartë, të cilët falenderuan “shenjtin” serb, i cili i ndihmoi të çlironin “tokën e shenjtë serbe”, të cilën ai dikur e pati sunduar.

Në 1935 Kisha e Serbisë i bëri dhuratë manastirit një arkë speciale për ruajtjen e eshtrave, që të mos dëmtoheshin edhe në rast zjarri. Kur erdhi dhurata e Kishës Serbe, në 1935, u bë një ceremoni ku foli dhe kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare për kohën, agjenti i Bela Rukas serbe, i sjellë në krye të kësaj Kishe sipas marrëveshjes sekrete Zogu-Pashic, Visarion Xhuvani. Për këtë dhuratë dhe një dokument në Arkivin e Shtetit në Tiranë (AQSH: dosja 719, viti 1935, f. 152)

Në librin-monografi të Nos Xhuvanit (ortodoks, nipi i Visarion Xhuvanit), “Visarion Xhuvani” thuhet: “Kjo arkë e shpëtoi trupin e shenjtë kur u dogj kisha nga ushtria gjermane në 1944”. (Nos Xhuvani: “Visarion Xhuvani”, Tiranë 2003, f. 191)

Po, arka prej çeliku special qëndroi krejt e padjegur në mes të hirit. Me të vërtetë një mrekulli e madhe!

Ikonat e Jovan Vladimirit i kanë mbajtur ushtarakët serbë kur bënin genocid në Kosovë, në 1998-1999. Ikonat e Jovan Vladimirit popët serbë ua jepnin t’i puthnin ushtarëve serbë në 1912, kur këta marshonin për të dalë në Adriatik, duke i ftuar të dilnin te varri i Jovan Vladimirit, pranë Shkumbinit, ku qenë kufijtë e tokës së shenjtë serbe. Pra, ky mit është funksionalizuar nga Serbia për legjitimimin e aspiratave të saj shoviniste në hapësirën shqiptare. Në vitin 1967, kur u ndalua feja në Shqipëri dhe kisha dhe manastiri në Shijon u mbyllën, regjimi komunist tregoi për kufomën e sundimtarit pushtues serb një kujdes shumë më të madh se për eshtrat e At Gjergj Fishtës. Derisa eshtrat e At Gjergj Fishtës i hodhi në lumë, kufomën e balsamosur të “shenjtit” serb e çuan për ruajtje në Tiranë, deri në 1991 kur u rithye në manastir, me ndërhyrjen e Janullatosit.

E gjithë kjo histori e këtij të ashtuquajturi shenjt, nuk do t’ia vlente të merrej shumë seriozisht, por Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e njeh zyrtarisht si shenjt Shën Jovan (Joan) Vladimirin, kulti i të cilit celebrohet zyrtarisht çdo vit në manastirin e tij në fshatin Shijon pranë Elbasanit, në hyrje të Krrabës. Ç’punë kanë besimtarët ortodoksë me këtë Jovan Vladimirin që ka qenë një sundimtar i egër serb, që sundoi në trojet shqiptare me zjarr dhe hekur, duke ia nënshtruar me dhunë kishat shqiptare kishës serbe, duke i grabitur pasuritë e shqiptarëve dhe duke i shtypur me gjakderdhje të mëdha revoltat e popullsisë shqiptare kundër sundimit të tij, çka për shqiptarët e bënte atë të qe thjesht një terrorist serb? Nderimi i Shën Jovan Vladimirit është një gjë e kuptueshme në rastin e serbëve, ndërsa në rastin e Kishës Ortodokse Shqiptare është një provë se greku Janullatos, i cili ka uzurpuar kreun e kësaj kishe, e ka shndërruar atë jo në një kishë të krishterë, por në një kishë nacionaliste greke dhe serbe. Sot, kulti i këtij Jovan Vladimirit vazhdon të ekzistojë dhe të nderohet në Shqipëri, duke i shërbyer Serbisë si argument për të rivendikuar në të ardhmen territoret shqiptare, ashtu siç bën në Kosovë, nëpërmjet kishave dhe manastireve ortodokse serbe të ndërtuara atje nga mbretërit serbë. I ashtuquajturi Shën Jovan Vladimiri nuk është një simbol fetar, por një simbol politik, nacionalist, serb dhe, duke e nderuar atë, Kisha Ortodokse Shqiptare vihet në linjë me nacionalizmin religjioz serb dhe grek. Kulti i ushtarakut serb me kokë të prerë – “shenjt”, në qendër të Shqipërisë është një kob për gjithë nacionin shqiptar, një kob që duhet larguar sa më parë.

Policia e Shtetit e Shqipërisë nuk ka asnjë detyrim që të garantojë sigurinë e lojtarëve serbë në Manastirin e Shën Jovan Vladimirit, sepse kjo gjë nuk ka lidhje me qëllimin për të cilin ka ardhur përfaqësuesja serbe në Shqipëri dhe as me detyrimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar me rastin e ndeshjes Shqipëri-Serbi. Të ashtuquajturit studentë serbë të ftuar nga Kryeministri Rama, do të ndalojnë në manastir për të bekuar flamujtë serbë që do të valëvisin gjatë ndeshjes në stadium, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar mes dy federatave, asaj serbe dhe asaj shqiptare, me ndërmjetësinë e UEFA, sipas së cilës të dy ndeshjet do të luheshin pa tifozët e skuadrës udhëtuese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora