E marte, 16.04.2024, 04:54 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Rovena Marku: Unë në Pekin, një luftë e fituar

E premte, 01.08.2008, 11:46 PM


Rovena Marku
Nga Bledar Kuka
 
TIRANË – Rovena Marku është një nga pjesëtaret me pak pretendime të delegacionit shqiptar në “Pekin 2008”, por më shumë për shkak të vetë sportit që përfaqëson, notit. Kurrë ndonjëherë noti shqiptar nuk ka qenë në gjendje të hyjë në finale të ngjarjeve të mëdha, për shkak të traditës dhe investimeve, duke qenë se është një sport tepër i shtrenjtë, shumë më i shtrenjtë sesa peshëngritja, mundja, boksi, volejbolli etj.

“Unë jam kampione e Shqipërisë për vite me radhë, - shprehet notarja shkodrane 21-vjeçare, - madje 8 vjet dhe kam thyer shumë rekorde kombëtare”. “Në Pekin do të përpiqem të bëj më të mirën time, - vazhdon ajo, - të thyej rezultatet e mia, sepse tjetër gjë nuk mund të premtoj. I tillë është niveli i notit në Shqipëri”.

Për fatin e keq të Rovenës dhe notarëve të tjerë, ky sport i ujit, madje sportet e ujit në përgjithësi, janë shumë pak të zhvilluar në vendin tonë. Konkretisht, vaterpolo nuk ekziston, po ashtu hedhjet nga trampolina janë thuajse të paqena apo edhe baleti në ujë. Natyrisht kostoja për ndërtimin e një pishine me disa korsi (p.sh. me përmasa olimpike) dhe gjatësi 25 metërshe mund të shkojë deri në 150 mijë dollarë amerikanë, ndërsa nëse e do pak më moderne, edhe deri në 250 mijë (sipas sqarimeve të “yahoo.com”).

Gjithashtu problemet në federatë nuk po kanë të mbaruar. “Nuk kanë dashur fare të më çojnë në Olimpiadë, - thotë Rovena, dukshëm e nervozuar, - kanë bërë çmos për të më lënë jashtë”. Kur e pyet se cilët nuk e kanë dashur në “Pekin 2008”, ajo tregon Federatën Shqiptare të Notit (FSHN), dhe sekretaren e përgjithshme të saj, Suela Haxhia. “Pjesëmarrjen time në Olimpiadë e quaj një luftë të fituar, sepse kam pasur lufte me federatën që nuk ka dashur të më dërgojë atje”, - vazhdon ajo, madje edhe kërcënon.

“I kam lënë këto gjëra tani sepse dua të përqendrohem tek gara në Kinë, por kur të kthehem do t’i shkoj deri në fund kësaj pune, - sqarohet, - jam shumë poshtë nga ana psikologjike nga gjithë gjërat që ndodhën, ndaj nuk mund ta lë me kaq”. Problemet, siç janë pasqyruar edhe në media, i ka pasur edhe notari Sidni Hoxha, edhe ky shkodran, në vend të të cilit mund të shkonte një tjetër, Eros Qama.

Sipas “Sport Ekspresit”, presidenti i FSHN-së, Alliu, ka bërë ankesë në Federatën Ndërkombëtare të Notit për ftesën e Hoxhës, por ky flet ndryshe. “Anullimi i ftesës nga ankesa e Eros Qamës në FINA, i cili ka qenë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të Melburnit më 2007-ën”, - janë fjalët e presidentit. Rezultati i konfliktit ishte fillimisht anulimi i ftesës për Hoxhën, duke rrezikuar që Shqipëria të shkonte në “Pekin 2008” me një sportist më pak, por më pas Hoxhës iu dha ftesa.

“Si unë, ashtu edhe Sidni, do të jemi në Olimpiadë pa trajnerët tanë, - përfundon Marku, - unë kam trajner Genc Hoshafin, ndërsa Sidni ka Agron Cukën. Federata, në mënyrë arbitrare ka caktuar trajnerin Vladimir Bregu, që nuk ka lidhje me ne, siç duket për miqësi në federatë”. Edhe kështu mund të shkohet në një Olimpiadë, apo jo?

Skeda personale

Emri: Rovena; Mbiemri: Marku; Sporti: Not: Disiplinat: 50 m stil i lirë, 100 m stil i lirë; Në Pekin 2008: 50 m stil i lirë; Ditëlindja: 21.05.1987; Vendlindja: Shkodër; Shtatlartësia: 1.72 m; Pesha: 58 kg; Trajner; Genc Oshafi; Rezultatet: 28”60 në 50 m stil i lirë në pishinë 25 m, 28”76 në 50 m stil i lirë në pishinë 50 m, 1’03”12 në 100 m stil i lirë në pishinë 25 m (1’03”72), kampione e shumëfishtë e Shqipërisë, e 9-ta dhe e 12-ta në botë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora