E premte, 23.08.2019, 11:09 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Dhurata Kasmi

E premte, 24.06.2005, 08:23 PM


Flet protagonistja e filmit "Dora e ngrohtë", Dhurata Kasmi

“Dora e ngrohtë”, filmi im i parë”

Mësuese në film, mësuese në Shqipëri, tani mësuese në një shkollë edhe në Kanada

Blerina Goce

Dhurata Kasmi

Mësuese në film, mësuese në Tiranë, mësuese edhe në Kanada. Ashtu si dikur, zilja jonë e telefonit e gjen në një orë mësimi. "Nuk mund të flas tani", thotë me zë të ulët e pëshpëritës, Dhurata Kasmi, njëlloj sikur të përsëriste të njëjtin skenar filmi si te "Dora e ngrohtë". Jeton prej gjashtë vitesh në Kanada dhe duket se kushtet e kanë detyruar "të braktisë" filmin dhe ekranin, ku u shfaq shumë pak, megjithatë këndshëm. "Tani jetoj në Toronto, Kanada, po mendja ime sillet shpesh rrugëve të qytetit tim, Tiranës", thotë në një intervistë për "Tirana Observer", aktorja Dhurata Kasmi, teksa shton se do t'i pëlqente të luante një film, por për momentin asgjë nuk dihet.
A e dini që vazhdoni të jeni e famshme në Shqipëri, edhe pse keni luajtur vetëm një film?
"E famshme", nuk e di. Unë nuk kam luajtur vetëm në një film, por në qoftë se publiku më mban mend mua në një film, kjo do të thotë që ai film është pëlqyer.
Ku është Dhurata Kasmi tani? Me se merret ajo?
Unë tani jetoj në Toronto, Kanada, po mendja ime sillet shpesh rrugëve të qytetit tim , Tiranës.
A ishte filmi "Dora e ngrohtë" i pari dhe i fundit film për ju?
Po edhe jo. "Dora e ngrohtë" është filmi im i parë, por jo i fundit. Unë kam luajtur në tri filma deri tani dhe nuk kam dalë akoma në pension. (bëj shaka)
Në qoftë se dikush do t'ju jepte përsëri mundësinë për të interpretuar në një film a do ta bënit këtë?
Pse jo.
Si u përzgjodhët për të luajtur në filmin "Dora e ngrohtë"?
Me kinoprovë. Po tani si përzgjidhen aktorët?
"Dora e ngrohtë" është mbajtur si një nga filmat më të mirë të viteve '80. Si e kujtoni sot këtë film? Sipas jush, pse ai film kishte vlera?
Mbresëlënës, dramatik dhe artistik. Filmi kishte vlera, sepse plotësoi nevojat e publikut. Doli në kohën më të përshtatshme. Falë punës artistike të shkëlqyer, të gjithë ekipit të filmit, regjisorit të talentuar, Kujtim Çashku dhe grupit të aktorëve si: Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Margarita Xhepa, Reshat Arbana dhe aktorit të ri dhe të talentuar, Artur Gorishti, filmi tingëlloi në harmoni, si një orkestër e koncertit të Vjenës.
E njihnit më parë se të merrnit pjesë në film partnerin tuaj, Artur Gorishti?
Jo, megjithëse ne ishim rritur në një lagje.
Sa u shpërblyet për filmin "Dora e ngrohtë"?
Nga ana morale u shpërbleva shumë. Publiku i mençur shqiptar diti të më jepte atë që meritoja. Nga ana financiare dihet që ka qenë një shumë simbolike. Të shpresoj që të ketë ndryshuar pak tani.
Cili ka qenë momenti më interesant për ju gjatë xhirimeve të filmit?
Çdo moment kishte vlerën e vet. Unë nuk mund të ndaj asnjë. Unë luaja rolin e një vajze gjimnaziste dhe atëherë, unë nuk isha më shumë se 17 vjeç.

PASAPORTA

Emri: Dhurata
Mbiemri: Kasmi
Viti i lindjes: 1966
Vendlindja: Tiranë
Filma:"Dora e ngrohtë" (1983),"Përsëri pranverë" (1987)

"Në Kanada më kanë propozuar për një film"

Megjithëse është shfaqur shumë pak në ekran, do t'i pëlqente të luante sërish në ndonjë film. Mesa duket edhe ofertat nuk kanë munguar, por kushtet nuk kanë qenë të përshtatshme. "Në Kanada artistët dhe artdashësit shqiptarë kanë bërë disa përpjekje për të xhiruar një film. Propozimet janë atje, por nuk është edhe aq e lehtë. Ana financiare është akoma e dobët për komunitetin tonë të ri dhe të vogël në numër", shpjegon Dhurata.

"Për hir të shkollës kam refuzuar shumë filma"

Kur ishte fëmijë ka bashkëpunuar me redaksinë e fëmijëve në Radio Tirana dhe ka marrë pjesë në shumë emisione për fëmijë. “Vallen e pëlqeja shumë. Po ndërkohë, prezantoja koncerte të ndryshme në Pallatin a Kulturës deri kur në vitin 1982 prezantova Festivalin e 21 të Këngës. Më vonë vazhdova të prezantoja Koncertin e Majit dhe disa koncerte në televizion, por mos harroni, unë isha në shkollë të mesme dhe më duhej të punoja shumë për të nxjerrë mesataren", kujton Dhurata Kasmi vitet e rinisë së saj. "E di që kam refuzuar shumë filma dhe oferta prezantimesh vetëm prej shkollës. Pasi mbarova gjimnazin në Tiranë, unë fillova studimet e larta për t'u bërë mësuese në Institutin e Lartë të Shkodrës", tregon Dhurata, që ashtu si në filmin "Dora e ngrohtë" edhe në jetë iu përkushtua pedagogjisë. "Pas disa vitesh si mësuese në shkollën fillore, fillova të punoja me fëmijët që kishin më shumë nevoja në Institutin e Fëmijëve me Prapambetje Mendore. Nga viti 1996-1999 punova në Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve në Tiranë, një iniciativë e mbështetur nga Fondacioni "Soros". Gjatë kësaj periudhe bëra një specializim tremujor në Francë pranë një spitali psikiatrik", shton Dhurata, e cila edhe në Kanada vazhdon të merret me po të njëjtën gjë.

TO



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT