Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dijana Dukaj: Gushti në Malësi

| E marte, 08.09.2015, 08:33 PM |


GUSHTI NË MALËSI

Nga Dijana Gj. Dukaj

Vera, stinë që e duam të gjithë. Ditë këto    presim me padurim për shkak të kohës së bukur dhe pushimeve. Gjatë kësaj stine njerëzit nga çdo anë e botës vizitojnë vende të ndryshme për të shijuar këto ditë të bukura. Në Malësi, kjo stinë na gëzon jashtë mase pasi edhe njerëzit tonë të afërm nga vende të ndryshme të botës vijnë për pushime në vendlindjen e tyre Malësinë, për të kaluar ditë të bukura me të afërmit e tyre. Andaj, gjate kësaj periudhe vendi ynë gjallëron më shumë. Gjatë kësaj stine e sidomos gjati muajit të gushtit kemi edhe aktivitete të ndryshme që u japin “ngjyrë” ditëve të nxehta. Nga aktivitet  që janë organizuar në këtë trevë dua të veçoj “takimin me mërgimtarë” tashmë tradicional  i cili u organizua nga misioni Françeskan në Tuz, për të dymbëdhjetin vit me radhë. Gjatë kësaj mbrëmjeje të cilën e moderoi gazetari Gjok Dukaj ishin të pranishëm studiues dhe krijues të shumtë, në mesin e të cilëve, studiuesi i njohur prof. Dr. Anton Nikë Berisha. Pastaj gazetari i njohur Zef Pergega e shumë të tjerë. Në këtë mbrëmje u bë promovimi i librit “Drita e Françeskanve në Malsinë e Madhe” , të autorit Zef Pergega. Pastaj mbrëmja pasoi me pikën kryesore e që ishte recitimi i Psalmeve të përgatitura nga teatri i Shna Ndout i cili vepron pranë kishës Françeskane në Tuz. Po, ashtu në fund kishte muzikë argëtuese dhe pije freskuese për të gjithë të pranishmit.

Pastaj ngjarje tjetër që vlen të përmendet e që është mjaft e rëndësishme dhe e nevojshme për banorët e Malësisë është se u përurua “Qendra Funerale e Malësisë”.  Përurimi i objekteve të tilla, të nevojshme për trevën e Malësisë janë të veçanta pasi investimet në këto treva janë mjaft të rralla ndërsa nevojat e banorëve çdo ditë e më të shumta. Lëshimi për përdorimin e kësaj qendre u bë me 26 gusht, në Vuksanlekaj afër Tuzit. Gjatë kësaj ceremoni foli nismëtari për ndërtimin e këtij objekti Zef Camaj, pastaj në emër të shoqatës “Malësia e Madhe” nga Nju Jorku, foli kryetari i kësaj shoqate Ëjllo Berishaj. Mes tjerash, Berishaj njoftoi se nga aksionet e realizuara në Nju Jork dhe Michigan janë grumbulluar 275.000 dollarë. Për ndërtimin e këtij objekti. Në fund, foli edhe Pjeter Kolçaj i cili njoftoi se objekti është në përdorim për të gjithë qytetarët e Malësisë. Pastaj mbrëmje të ndryshme argëtuese me këngëtarë vendas dhe nga troje të tjera shqiptare.  Ngjarje si këto janë të rëndësishme dhe të nevojshme në vendin tonë e që për fat të keq janë të paketa.