E premte, 29.03.2024, 10:48 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Në të shkëlqyeshmen vjeshtë braziliane

E enjte, 31.07.2008, 07:00 PM


Engjëll Koliqi
Në të shkëlqyeshmen vjeshtë braziliane

Muajt që i lamë pas, ishin bukur të ngarkuar për mua, në misionin jo fort të lehtë – të vënies në funksion të Institutit BRAKOS, që organizon bashkëpunimin e gjithëmbarshëm mes Brazilit dhe Kosovës.  Plot takime – publike e private. Nuk dua t'i numëroj të gjitha takimet e muajve të kaluar, por dua të bëj një kalim të shpejtë, natyrisht duke i theksuar vetëm ngjarjet më interesante, që më kanë lënë më shumë mbresa e që mendoj do të kenë ndikim vendimtar në mbarshmërinë e Institutit Brakos, respektivisht në realizimin e projekteve tona në Republikën e Kosovës.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Sapo kam mbërritur në kryeqytetin mineir – në Belo Horizonte – n'udhëtimin tim të pestë – kam filluar një veprimtari të furishme, qoftë në kërkim të njohjes së pavarësisë së vendit tim, qoftë në kërkim të definimit dhe të dhënies udhë projekteve të para zhvillimore, në Stubllën time dhe në mbarë Kosovën – përmes Institutit Brakos. Sikurse edhe në takimet shumë të frytshme të vitit të kaluar, edhe në këto takime gjithnjë isha i shoqëruar nga Profesoresha e Nderuar Dr Vera Lúcia Alves Neves, e cila – jo vetëm që ishte përkthyese e pashmangëshme, por edhe organoizatore dhe regjisore e të gjitha takimeve dhe të veprimtarive që po bëjmë, të thirrur në Institutin Brakos (institut ky për bashkëpunim të gjithëmbarshëm mes Brazilit dhe Kosovës). Ajo, në të vërtetë është motori kryesor që po vën në lëvizje Institutin Brakos dhe çdo veprimtari në funksion të këtij bashkëpunimi. Mbërrijta atje në fund të ditës së 25 shkurtit, në fazën e fundit të verës, kur vapa verore po tërhiqej gradualisht, për t'i lëshuar vendin freskisë vjeshtore, që megjithë temperaturat e larta (edhe afër shifrës 40 gradë) nuk përcëllon, por megjithatë ndjehet freskia.

Vera Lucia Alves Neves (majtas) dhe Engjëll Koliqi me Flamurin e Kosovës
Menjëherë të nesërmen – më 26 shkurt 2008, fillova me takime dhe me paraqitje publike dhe pak kohë më mbeti për meditimet dhe evokimet për t'im at, në 33 Vjetorin e kalimit në amshim, sepse Profosoresha Vera, që nga dita e parë kishte përcaktuar agjendë të ngjeshur veprimtarishë. Kështu, menjëherë filluam ofenzivën tonë, në sensibilizimin e opinionit vendor, për njohjen e Republikës së Kosovës. Ofenzivën tonë e filluam përmes massmediave vendore, me renome. Së pari shkuam në studion e kryeqytetit mineir të Radiotelevizionit Kombëtar – BANDEIRANTES, që shkurtimisht i thonë TV BAND. Aty realizuam një intervistë kolektive, shumë domethënëse dhe të frytshme, që në muajt vijues u transmetua dhe u ritransmetua shumë herë. Drejtuesi i emisionit special kushtuar Kosovës - kryeredaktori Luis Carlos Bernardes, në studio kishte ftuar edhe analistët e mirënjohur dë politikës ndërkombëtare – Roberto Brant (ish ministër i shërbimeve sociale dhe deputet federal plot pesë mandate), Luis Sapia – ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Julius Cesare Pereira Costa – ndërmarrës (pronari i lokalit të mirënjohur "Alexandrina"), si dhe miken a madhe të Kosovës – Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves, e cila edhe përkthente edhe komentonte, duke shpjeguar për shumë miliona teleshkikues anekënd Brazilit procesin e gjithëmbarshëm, që fatmirësisht – më 17 shkurt u përmbyll me aktin madhështor të rishpalljes së pavarësisë, tashmë në koordinim dhe me bekim të bashkësisë ndërkombëtare.

Të njëjtën ditë, sapo u kthyem nga studioja e TV BAND, në lokalin tashmë të mirënjohur të Julius Cesarit – në Alexandrina café-cultura-moda – veç ishte duke na pritur gazetarja e së përditshmes prestigjioze të Belo Hjorizonte-s – O Tempo – Gloria Paiva. Ajo zhvilloi me mua një intervistë të gjatë mbi Kosovën, intervistë kjo që u botua menjëherë të nesërmen. Edhe kjo intervistë doli me formulën karakteristike të sensibilizimit të çështjes sonë kombëtare dhe të shtetit më të ri ballkanik, në opinionin brazilian, natyrisht, me porosinë këmbëngulëse: - Brazil, njihe menjëherë Republikën e Kosovës.

Në të njëjtën ditë, në mbrëmje – në lokalin Alexandrina, kemi takuar shumë nga miqt tanë të mëdhenj, që më 17 shkurt aty kishin organizuar një festë shumë të bukur, për t'iu bashkëngjitur gëzimit të popullit të Kosovës, me rastin e vulosjes së shtetësisë dhe të Republikës së Kosovës. Kishin ardhur aty, plot gazetarë, shkrimtarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, për të më uruar për pavarësinëe vendit tim. Kishin ardhur edhe shumë biznesmenë, për të shqyrtuar  bashkë mundësitë e investimeve, në shtetin më të ri ballkanik. Por, shumë nga miqt tanë kërkonin mundësinë e gjetjes së rrugëve dhe mënyrave më të lehta, për të ndihmuar popullin e Kosovës, në fusha të ndryshme të jetës – sidomos në lëmin e shëndetësisë, të kulturës, artit dhe sportit, si dhe në procesin shumë të ndjeshëm edukativo-arsimor.

Që në ditën e parë, në Belo Horizonte, veç urimeve të shumta e shumë të sinqerta, nga miqt tanë të shumtë, muarëm edhe shumë premtime për investime dhe për ndihma konkrete, në shtetin më të ri ballkanik, që quhet Republika e Kosovës. Që në ditën e parë më erdhën shumë kërkesa për takime, për ligjërata dhe për shumë veprimtari të tjera, në këtë vend shumë mikpritës, në shërbim të Kosovës dhe përgjithësisht popullit shqiptar në Ballkan. Që të gjitha kërkesat për këto takime e veprimtari, ishin fryt i një pune të pandalshme të Profesoreshës Vera, e cila si një kosovare e devotshme, kishte organizuar edhe festën e bukur për Pavarësinë e Kosovës, me pjesëmarrjen e shumë miqve tanë. Menjëherë, pa humbur kohë, bëmë hapin e parë për themelimin e Institutit Brakos.

Në të gjitha ditët e qëndrimit tim në Belo Horizonte dhe përgjithësisht në shtetin Minas Gerais, që janë mbi dy muaj të së shkëlqyeshmes vjeshtë braziliane të vitit 2008, kam pasur plot veprimtari, që kanë qenë kryesisht në shërbim të vendit dhe të popullit tim – plot takime për sensibilizimin e çështjeve tona dhe për kërkimin e njohjes së Republikës së Kosovës nga Brazili, plot ligjërata nëpër universitete, kolegje e shkolla, me ç'rast edhe kam lidhur miqësi të reja dhe shumë të vlefshme – me profesorë, me studentë dhe me nxënës. Në kuadër të këtyre miqësive të reja, bashkë me Profesoreshën Vera Lúcia Alves Neves, sikurse edhe me anëtarët e tjerë nismëtarë të Institutit Brakos, kemi mbërritur të krijojmë lidhje të reja bashkëpunimi, duke bërë një kurorëzim të suksesshëm të dy binjakëzimeve, në fushën edukativo-arsimore. Kemi binjakëzuar Shkollën e Stubllës së Vitisë "Dom Mikel Tarabulluzi" me Institutin Edukativ "Novos Tempos" në Contagem, si dhe Shkollën e Smirës – poashtu në territorin e Vitisë "Ganimete Tërbeshi" me Kolegjin "Efigênia Vidigal" në Belo Horizonte. Këto binjakëzime i kemi realizuar, falë miqësisë shumë të sinqertë të Profesorit Leonardo Bento, i cili rizbuloi miqësitë e vjetra të Profesoreshës Vera Lúcia, me drejtuesit e këtyre institucioneve edukativo-arsimore. Gjithashtu kemi bërë hapa konkretë, edhe për bashkëpunim me Kolegjin Batist dhe me kolegje e universitete të tjera – Kolegji Metodist, ai Newton Paiva, me Universitetin Federal të Minas Gerais-it, me Universitetin Papëror Katolik të Minas Gerais, me Universitetin FUMEC, me Universitetin UNI BH e të tjera, që tashmë po avancohen në projekte konkrete të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, veç tash po i shohim frytet e para, sepse gjithçka është afër kurorëzimit të projektit tonë të parë, të dërgimit për studime në Belo Horizonte, të grupit të parë të studentëve tanë, që do të jenë 12 në Universitetin e Kolegjit  Metodist "Izabela Hendrix" në Belo Horizonte dhe nja 4 – 5 të tjerë, në universitete të tjera të kryeqytetit mineir. Të gjithë këta do të mund të studjojnë gratis, sepse falë miqve tanë shumë të çmueshëm, ne tashmë jemi bërë pjesë aktive e programit të bijësimit, me qëllim studimesh, që në familjet mineire, në Belo Horizonte, ka traditë të gjatë dhe shumë të lavdishme, traditë kjo që tashmë shihet shumë e bukur dhe e lulëzuar. Duke pasur parasysh faktin se në kuadër të këtij programi, profesorët tanë – Skënder Korça e Sarë Gjergji, kanë bërë një përzgjedhje të denjë dhe të devotshme të studentëve, ballëhapur mund të themi se Instituti Brakos, që në projhektin e parë aktiv, në studentët tanë që do të shkojnë për studime në Belo Horizonte, ka gjetur lulet e para – shumë të bukura, që do të hijeshojnë të gjitha stinët braziliane, bashkë edhe me ato kosovare dhe që – mbas mbarimit të studimeve, do të kthehen në atdhe dhe me kontributin e tyre profesional – si ekspertë të denjë në fushat e tyre shkencore dhe operative – do t'i lulëzojnë bukur edhe stinët tona, në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë hapësirat ballkanike, si dhe në mbarë Europën Juglindore.

Titulli i këtij reportazhi udhëpërshkrues – "Në të shkëlqyeshmen vjeshtë braziliane", ka dalë për faktin se – përveç hapave të parë të fundshkurtit, të gjitha veprimtaritë tjera të miat dhe përgjithësisht të Institutit Brakos, përfshirë edhe themelimin e tij, kanë ndodhur në muajt mars dhe prill, që ishin muaj të shkëlqyeshëm të vjeshtës tipike braziliane, në të cilët edhe vumë rrënjët e mbara dhe të frytshme të projekteve dhe të programeve të para të Institutit tonë. Këtë të shkëlqyeshme vjeshtë braziliane, mund ta cilësojmë edhe si vjeshtë historike të vjeljes së fryteve të para të bashkëpunimit, në kuadër të programeve dhe të projekteve të para të Institutit Brakos, që po lëshojnë rrënjë, në ngjizjen e një epoke të re, që do të jetë shumë e frytshme për programet dhe projektet tona të gjithëmbarshme.

Nuk mund të harrohet e të mos përmendet edhe një fakt tjetër – shumë interesant – në të shkëlqyeshmen vjeshtë braziliane të vitit 2008. Edhepse Brazili, ende nuk e ka njohur zyrtarisht shtetin e ri ballkanik, kudo – në të gjitha paraqitjet e mia publike dhe kudo që bënim edhe më të voglën lëvizje, në kuadër të Institutit Brakos, lirshëm dhe me dinjitet, e kemi shpalosur Flamurin e Republikës së Kosovës, që nga ndejat e ahengjet e thjeshta familjare e miqësore e deri në institucionet edukativo-arsimore, kulturore e edhe në institucionet shtetërore – përfshirë edhe asamblenë (parlamentin) e Shtetit Minas Gerais, në Belo Horizonte. Madje Flamuri i Republiklës së Kosovës është shpalosur dhe është bekuar edhe në kishë – madje në altar – gjatë meshës solemne të mesnatës, për kremten e madhe të Pashkëve 2008.

Nuk mund të harrohet një sukses shumë i madh i Institutit Brakos, që në të vërtetë mund ta cilësojmë si projekt të parë, si projhekt historik – edhe për rëndësinë dhe peshën e madhe që ka. Projekti që ka gëzuar, jo vetëm Familjen e Madhe Sokoli, por çdo qenie arbërore, me rastin e gjetjes së të Madhit Zef Sokoli, mbas plot 64 vitesh, kur si ballist i ri, kishte ikur nga burgu sllavo-komunist në Kosovë, ku ishte burgosur si luftëtar i denjë i brigadave çlirimtare të Ballit Kombëtar, të drejtuara nga Shaban Polluzha. Ishte me të vërtetë ditë e madhe, që ka nderuar denjësisht historinë tonë kombëtare – 15 marsi 2008, sepse në atë ditë, mbas plot 64 vjetësht, biri i devotshëm i Kosovës – Zef Sokoli – u gjet shëndosh e mirë dhe u rilidh me trungun e tij dhe me familjen e tij. Kur do mrekullia - gjithçka ndodhi dhe u realizua shumë shpejt, mbas kërkesës së të nipit – Pal Sokoli, patriot e shkrimtar i mirënjohur i mërguar në Gjermani. Nuk ka vonuar shumë dhe falë ngjarjes historike të 15 marsit, Pali u lidh me pjesën tjetër të Familjes Sokoli, në Belo Horizonte, ku shkoi dhe u kënaq plot tri javë, në muajin maj, me Ahxën Zef, me kushëririn Gjonin dhe me kushërirat e tij – Branca, Vera, Andrea dhe Luciana. Pali atje ishte shoqëruar edhe nga Profesoresha Vera Lúcia, që në të vërtetë është motori kryesor i Institutit Brakos, si dhe nga veprimtari e gazetari i ri – Caio Werneck, i cili rregullisht përcjell dhe publikon veprimtaritë e Institutit tonë.

Në fund të prillit, pikërisht më 28 të këtij muaji, me Dr Luiz Augusto Fernandes da Silva, i caktuar drejtor i projekteve shëndetësore të Institutit Brakos, u nisëm për Europë. Mbas një javë qëndrimi në Itali – gjithashtu me motive pune, kemi shkuar në Kosovë, ku kemi pasur shumë takime pune – të frytshme, duke filluar që nga vendlindja ime – Stubëll e deri në kryeqytet. Delegacioni i Institutit Brakos të selisë së Kosovës dhe Dr Luizi – bashkë jemi takuar me drejtues të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, duke fillaur që nga Këshilli i Stubllës, me kryetarin e Komunës së Vitisë – Nexhmedin Arifin  e deri në institucionet qendrore, në Prishtinë, ku na kanë pritur: zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës – Ramë Manaj, ministrat e shëndetësisë dhe të punëve të jashtme – Alush Gashi e Skënder Hyseni dhe vetë Presidenti i Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu. Jemi takuar edhe me drejtorë spitalesh dhe me drejtues të institucioneve të tjera – shëndetësore, kulturore, humanitare e kishtare, përfshirë edhe drejtorin e Karitasit të Kosovës – Dom Viktor Sopi dhe famullitarët e Stubllës e të Prizrenit – Dom Aleksandër Kola dhe Dom Dr Lush Gjergji, i cili është edhe njëri ndër faktorët kryesorë të inteligjencës së Kosovës. Nuk duhet harruar takimin me rektorin e Universitetit të Prishtinës – Prof Dr Enver Hasanin dhe me drejtuesit e Kolegjit Universitar të Gjilanit, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e fillimit të bashkëpunimit me institucionet përkatëse në Brazil, nëpërmes projekteve të Institutit Brakos. Që të gjithë kanë mirëpritur programin tonë dhe propozimprojektet tona, për t'i realizuar në Kosovë, duke na premtuar ndihma konkrete në të gjitha procedurat e nevojshme të infrastrukturës ligjore e deri te bekimet e tyre institucionale e administrative.

Po e mbaroj këtë reportazh udhëpërshkrues, me konstantimin tim të arsyeshëm, të bazuar në faktet dhe argumentet këtu të parashtruara dhe në shumë të tjera, se kam përshkruar vetëm pak nga e shkëlqyeshmja vjeshtë braziliane, që ka filëuar t'i jep gjallëri pranverës së lulëzuar kosovare. Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Alma Papamihali: Gjuha shqipe do të këndohet, kudo që ekziston gjak shqiptari Rrugët e Bardha, mrekullia e zbuluar prej Çezarit Këze (Kozeta) Zylo: Gjuha shqipe është thesar i Kombit që do të mbahet e gjallë dhe në Diasporën Shqiptare Shqipëria, një përzjerje çudirash dhe mrekullish Këze (Kozeta) Zylo: Diaspora shqiptare ne Amerike parakaloi e veshur kuq e zi, ne kryeqytetin e botes, Manhattan Pushuesit braktisin Velipojen, bien prenotimet sezonale Pushime në Durrës, destinacioni turistik më pak i kushtueshëm Kamerat e RAI-t, në bregdetin shqiptar për zbulimin e mrekullisë turistike të Evropës Reportazh nga Pogradeci Për herë të parë muzikë dhe këngë popullore shqiptare, në “Kenedy Center” Washington DC Skëndërbeu, ka "shkruar" në Krujë simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian Këze (Kozeta) Zylo: Promovimi i krijimtarisë së poetit Adnan Mehmetit me aromën e luleve të Majit Delegacioni i Institutit Brakos në vlugun e takimeve zyrtare në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës Pal Sokoli: Takimi i parë pas 64 vitesh me axhën Zef Sokoli në Brazil Apolonia antike Pal Sokoli: Robi i Lirisë... Nën tingujt e natës... gjeti rrugën e lirisë...deri tek Gjeografia... e plotë U nënshkrua binjakëzimi i Shkollës së Stubllës me Institutin Edukativ Novos Tempos në Contagem Instituti Brakos vazhdon takimet, në kërkim të investimeve në Kosovë Caio Werneck: Brënda ditës - Dy ligjërata dhe një binjakëzim Profesori kosovar Engjëll Koliqi rikthehet me ligjërata në Universitetin Papëror Katolik të Minas Gerais-it

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora