Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Namik Selmani: Në kërkim të një feste të re

| E shtune, 05.09.2015, 05:56 PM |


Në kërkim të një feste të re

Nga Namik Selmani

Në një udhëtim me dritaret e një televizioni para disa kohësh, gati isha i entuziazmuar për disa mjeshtra argjentinas që prej brezash punonin për disa kapele kashte tipike  argjentinase që jo vetëm që ishte një biznes i jashtëzakonshëm për thurësit e këtyre kapeleve, natyrisht tepër të bukura, por dhe për mjeshtërit, për punëtorët, për ata që e dërgonin në qytete të largëta që e dërgonin në botë në Panairet e Artizanatit botëror. Pas asaj mjeshtërie brezash argjentinas, kapelet shkonin në kokat e njerëzve të thjeshtë që vraponin drejt tangove argjentinase që interpretoheshin në sallonet e mëdha  që ishin meritore vetëm për këtë lloj muzike dhe për këtë lloj kapeleje,  drejt fushave të futbollit, drejt lokaleve ku të dehin kitarat, drejt pllajave ku prisnin kuajt e fortë të tyre.  Në ato  çaste më erdhi në mendje ai, Plisi i Bytyçit. Asnjë herë nuk kisha parë kaq shumë burra nga afër me plisa veç në Kosovë, Dukagjin.

Më tej më erdhi në kujtesë një ditë e vitit 1962,  kur në një Konkurs të Fjalës Artistike të një qyteti të vogël ku banoja, ma vunë  kokën time të vogël me kaçurela të zeza për të dalë në një skenë feste të improvizuar me degë dafine. O, sikur ta kisha sot atë foto!!! Më erdhi në mendje dhe kapelja, ose festja çame, si kishtye zakon ta quante babai im atë kapele  me një strehë të vogël që ai nuk e harronte asnjëherë kur dilte nga shtëpia. Madje të parën gjë që ia kujtonte dhe nëna kur ai dilte nga shtëpia, ishte ajo kapele që rrinte gjithmonë e pastër, e bardhuar. Po atë kapele të thjeshtë dhe kutinë  e duhanit me eshkën erëmirë pas së cilës të gjithë klientët  e kafenesë në atë qytet të vogël ku ai jetonte, e prisnin me padurim dhe ia kërkonin pak eshkë ose i rrinin pranë për të dëgjuar aromën  e saj karakteristike. Me duart e forta  ai nxirrte një hekur-masat të vogël në formën e një trekëndëshi  (atëherë kam mësuar për herë të parë formën e vërtetë të trekëndëshit para se të ma mësonte mësuesi i gjeometrisë) dhe një gur stërralli që e merrte nga miqtë e tij të Veriut a nuk e di se ku.  O, sa dëshira kam që ta dëgjoj sot atë aromë, të shoh atë kapele karakteristike të krahinës së  Çamërisë, atë goditje stërralli, gati mitike në atë thërrmijën e zjarrtë që bënte kur ndizte çibukun. Jo thjesht për të kujtuar babain, po dhe për të kujtuar “ shkronjat e para të abetares së shqiptarizmit që më vonë do të më futej bujarisht në fjalë, në rrëfime, në poezi, në tregime, në flamurin që do të mbaja në duar, në gjellët që do më shtronte nëna, gruaja e motra në sofër .

Ju falenderoj, miq të Bytyçit që ma sollët kaq të ndezur kujtesën e viteve tani ku rizgjohet ky shqiptarizëm. Një plis të bardhë që erdhi në ca thasë dhe të paketuar bukur nga Kujtim Gjedia bash me siglën e EUROSIGUT na e dhanë që në hyrje të derës së teleferikut që do të na dërgonte në lartësitë e Dajtit. Dikush kishte shkuar më parë, dikush më pas. Mustafa Ismaili që kishte ardhur nga Fushë Kosova dhe që jeton prej shumë vitesh në Kanada u befasua. Para disa ditësh kishim promovuar në Kosovë tre librat e tij ku nuk ishte e vështirë që të shihje në çdo rresht dhe varg atë frymë krenarie dhe qëndrestare të plisit të bardhë. Të gjitha ata që merrnin në duar plisin e bardhë jetonin ndjesinë e krenarisë të një rritjeje apo dhe të një fëmijërimi të bukur. Nuk kishte nevojë që të jepej urdhër për ta mbajtur ose jo, atje ku do të bëheshim pjesë e festës, pjesë e asaj ceremonie që nuk harrohet lehtë nga ata që e jetojnë atë qoftë dhe një herë. Në të gjithë këto 11 viet e ikura në sfond të hyrjes së Qendrës së Vizitorëve të Dajtit ka patur postera të ndryshme . Këtë vit një i ri ua rrëmbeu shikimin atyre që kishin ardhur aq më shumë gazetarëve, poetëve kamerave që e kishin përballë FESTA E PLISiT TË BARDHË-NJË NISMË PËR T’U BËRË FESTË KOMBËTARE

Dhe sheshi si kurrë më parë,  u bë i bardhë. A thua se kishte zbritur Maja e Sharrit , e Korabit, e Tomorit, e Alpeve, e Shkëlzenit, e Dhëmbelit, e Malit të Thatë, e Moravës e Dardhës? Besomëni, të gjithë ishin aty dhe para festës kishte nisur kënga, vallja. Dhe si kurrë më parë kur kishte vetëm disa vajza gra, burra të veçuar me kostume popullore, mund të shihje një plis, atë ditë kishte shumë, shumë. Aq sa duhet të numuroje ata që nuk kishin sjellë me vete këtë kostum Asnjëherë nuk e kisha parë  “prishjen“ e protokollit sa në festën e përvitshme të Sofrës së Dajtit që organizon Shoqata Mbarëkombëtare  “Bytyçi” në të dielën e fundit të gushtit. Në vend kishte me instrumente karakteristike, këngë dhe atë përkëdhelje e mikrofonave që duket se është një “uri” e re e shqiptarëve  në skenën -shkallët e Qendrës së Vizitorëve të Dajtit Kryetari i Shoqatës Agron Gjedia i kërkoi të gjithë të pranishmëve që kishin vënë në krye plisat e bardhë, që të bënin foton e rastit. Një foto simbolike me një mjeshtër si Shkëlzen Rexha nga Gjakova po i jepte rrugë një nisme sa lokale aq dhe kombëtare. Të zgjerohet nisma kombëtare që të bëhet një festë e re që mund ta quajmë thjesht “Festa e Plisit të Bardhë”.  Një plis që mund ta gsh që nga kohët e lashta shqiptarizmin cep më cep. Pak , qoftë dhe studiues të etnografisë dhe të historisë pa folur për ata të folklorit, të toponimisë, etj mund ta dinë se Plisi shqiptar është një dhuratë hyjnore. Dhe është për t’u falenderuar qoftë dhe publikisht miku im Agron Gjedia që na e tregon këtë rrugë të hyjnizimit të Plisit tek shqiptarët. Unë do të thoja se asnjë objekt i të përditshmes njerëzore tek shqiptarët, nuk ka origjinë më të lashtë, më të dokumentuar. Madje as flamuri që na njëson si komb. Për të mos e zgjatur historinë, legjenda ilire thotë se Helena e bukur e bijë e Zeusit e shndëruar në mjellmë dhe Leda lindën katër binjakë. Shenja e plisit (qeleshes) në kokat e dy meshkujve dhe të Helenës i dha atij hyjnizim. Thuhet se binjakët lindën nga dy vezë që kishin dhe kanë formën e plisit në lëvozhgën e saj. Kjo ngjyrë ishte në të njëjtën kohë ngjyra e kreshtave të këtyre viseve të mbuluar me borë dhe që i ngjanin dhe nga forma këtyre plisave. Në shekujt e mëvonshëm plisi mori statusin e domosdoshmërisë për një kostum të bukur shqiptar. U vu  si shenjë dalluese dhe nderi në luftë kundër pushtuesve. madje shpesh urrejtja e pushtuesit nuk drejtohej ndaj luftëtarit se sa ndaj këtij plisi që ishte dhe mbeti identiteti i tyre i spikatur kombëtar. U bë shenja dalluese në vdekje, dhe në pritjet e mëdha diplomatike apo dhe në lindjet e djemve tek djepi i foshnjërisë së një djali.

Nafia Salihaj, Helena Halilaj apo dhe vetë Agroni, asnjë herë nuk e kishin nisur skenarin e kësaj feste si atë ditë. Me njeë veshje bash si Shote moderne Nafia me atë plis të bukur me ato flokë të thuruara gërsheta nga duart e arta të motrës së saj Norala dhe Nadmira si gjithmonë e bënte ë të emocionuar festën. Kryeurimi i tyre, imi, i miqve të ardhur që e njihnin nga afër dhe që nuk e kishin takuar, i takonte Kadri Morinës, pronarit të EUROSIGU-T Ai kishe mundnur që të zbardhte me Plisa falë financimit të tij të konsiderueshëm. Po, duhej një “gjeneral” që ta bënte të fituar këtë betejë të bukur, këtë festë. Dhe këtë vit ishte filantropisti Kadri. Një njeri i mirë buzëqeshur, një patriot i mirë që e ka ndarë punën e tij në të gjithë trojet amtare. Një njeri më i thjeshtë se të thjeshtët. Atë ditë priste me shumë ngrohtësi falenderimet e të gjithë pjesëmarrësve gra e burra. Kur po i lexoja një poezi për plisin ku kisha padyshim dhe fytyrën e Kadri Morinës ( mbase i lindur në Natën e  Kadrit ose pak i shenjtëruar si kjo natë e bukur e besimit islam te shqiptarët.) një çast kujtova se pikërisht në lokalin e tij drekoi dhe vetë Papa i Vatikanit që dhe ai në kokë mban një kapele në formën e plisit.

Atë çast më erdhën në mendje dhe lotët e emigrantes Fikrushe Podrimja  nga Kosova që është emigrante në Gjermani dhe një poete shumë e mirë. Po më thoshte se u përlot kur lexoi poezinë për Plisin. Jo, mike, nuk është  merita e poezisë që ta vuri në syr pikëlotin, por historia jonë, krenaria jonë, forca jonë, që e ka një burim dhe te ajo bardhësi plisi e maleve tona! Aty në shesh takua dhe ish ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka. me Kadriun ata thurnin të tjera plane bashkëpunimi  për të bërë sa më shumë gjëra të tilla të bukura projekte që lidhen jo vetëm me një Bytyç kaq të organizuar, por dhe më tutje. Një festë e bën motivi i atyre që vijnë në të e bën masa e njerëzve, e bën ata që e ushqejnë  ashtu si çdo festë në botë. E njëson dhe gjeografia e saj, e atyre  e, pra gjeografia e kësaj feste është për t’u marë shembull. Dhe ka shumë arsye. Agroni dhe shumë anëtarë të Kryesisë vullnetarisht me javë të tëra para kësaj dite që është e caktuar si dita e dielë së fundit të gushtit për të përkujtuar mbarimin e karvanit të Sulbicës, shkojnë në zona të ndryshme në Shqipëri, në Kosovë në Preshevë e kudo. Bëjnë njoftime, marrin mendime për festën, por dhe miq të kësaj shoqate që janë të shumtë dhe nga e gjithë shqiptaria dhe nga bota. Një grup i madh nga Metvegja kishin ardhur dhe i rrahën telin me në kryr Profesor Rexhep Abazin. Një grup i madh kish ardhuir nga Peja me në krye të palodhurin poetin dhe gazetarin Skënder Hoxha.. Grupi i Prizrenit më në krye atë djalë plot energji si Fadil Hoxha me poeten Rabije Bytyqin ishte pjesa më aktive me përshëndetjet  me vargjet për të ardhur te një njeri i mirë patriot si Nexhat Bytyçi që këtë vit sponsorizoi botimin e asaj gazete që tashmë është ndër më të mirat gazeta lokale në Shqipëri e në Kosovë. Poeti Adem Zaplluzha nga Fushë Kosova kishte ardhur me të shoqen

Në tërë këtë gjeografi vendesh, qytetesh njerëzish, profesionesh, brezash, të gjithë thonin me zë e nën zë atë shprehjen që  në Bytyç është më e lashta “Kur vjen miku gëzohen edhe trarët e shtëpisë” Po sa miq e zbukuruan këtë sofër. Diku në në karrike takova mikun tim enciklopedistin e Çamërisë, por dhe mikun e Kosovës Ibrahim Daut Hoxhën. Kishin ardhur  nga Malësia e Gjakovës, por edhe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedonia, Dibra e Madhe, Amerika, Kanadaja, Greqia, etje.  Poetja Manushaqe Toromani sa hyri në shesh shkoi që të përqafonte dy shoqet e saj poete që kishin ardhur me karrocat e tyre të invalidit Zyra Ahmetaj dhe Adivive Hoxha me origjinë nga Mati, por që festën e Bytyçit e ka si festën e krahinës së saj. Pas skenës një mjeshtër i fjalës shqipe, një regjisor, studiues, poet, botues si Mujë Buçpapaj merrej me skenarin letrar të  festës Së bashku me të, me Agronin, këtë vit janë promovuar në qendrën e tij kulturore mjaft libra letrarë historikë, sidomos të krahinës së Bytyçit.

Migena Arllati nga Gjakova ishte e kudondodhur. Me atë plis të bukur ishte bërë si Mbretereshë e Sheshit meditonte për poezi të reja për bashkëpunime

Po ti baca Çun Lajçi me plis në dorë? Fort na i gjakose duart kur të dëgjuam dhe na e baj hallall dhe pikën e lotit dhe brengëne  ature që na drejtojnë për atë fjalë të mençur që na the! Hej, të lumtë goja dhe zemra, Çun Lajçi!” Dhe më tej është ARTI QË BASHKON. Ai art që nuk njeh kufi krahinash. Çudi! Në repertorin  e koncertit kishte shumë këngë për Çamërinë. Sërish nga Gjermania kishte ardhur Hava Bekteshi që u mëson gjermanëve çiftelinë shqiptare. Në skenë doli dhe vajza e të madhit e të paharruarit Gentian Vladimir Demalia. Përherë kujtesa për të larguarit nga jeta që nga ato të njohur deri te më të thjeshtët është pjesë e nderimit bytyças Mjeshtrja e mikrofonit e palodhura që me kohë të tëra punon për gazetën “ Bytyçi” Nafie Salihu atë ditë ishte bërë një Shotë moderne, më e gjallë më emocionuese më organizatore. pranë motart e saj Lorena farmaciste që e kishte ndihmuar në këtë shotëzim apo juristja Nadmira ( nadja e mirë!) së bashku si thotë dhe vetë Nafia sikur shihnin në shesh se mos dilte babai i tyre i paharruar Bajram Salihu dhe vinte aty lart në shkallë  për t’i përqafuar vajzat e tij të mira, të mbara, punëtore, artiste dhe për t;i përkëdhelur në ballë, në sy, në flokë Për t\i thënë dhe një herë : “ bija të mia, të mira, duajeni Bytyçin,  sa doni dhe atdheun, bukën, rrugën, jetën, librin!”

Për këtë dashuri, për këtë respekt këtë gatishmëri, për ta kthyer festën si një dasëm malësore, vetë Agroni kryetari i saj na thotë: “Nuk mund të shprehim dot me fjalë  aspak falenderimet tona të përzemërta jo vetëm për pjesëmarrësit e thjeshtë dhe bashkëpunëtorët e organizimit të kësaj feste por edhe për të gjithë ata artistë të shumtë pjesëmarrës që erdhën sikurse ishin ata të këngëve, valleve, krijimtarisë, interpretimeve. Morën pjesë dhe debutuan në skenë pa e lënë atë të heshtin për shumë dhe shumë orë saqë pati edhe nga ato që s’u erdhi radha për të dalë ndonjëherë në skenë dhe për të derdhur për të pranishmit “nektarin” e krijimtarisë së tyre me zë, në rreshta, vargje. Këtyre të fundit u’ kërkojmë ndjesë dhe e ndiejmë vetën borxhlinj, por i garantojmë ata se nuk jemi “borxhlinj” të këqij dhe do ua lajmë borxhin në formën ma të mirë të mundshme. Dhe vjen Mirënjohja zyrtare e Shoqatës. Janë njerëz që janë ndarë nga jeta, por dhe ata që jetojnë dhe janë aktivistë të Shoqatës dhe misionarë të Kombit. U nderuan pas vdekjes Hakif Zejnulahu, Ukë Bytyçi ish kryetari i Komunës së  Therandës, Ajdin Zeneli, Fazli Sinani. Nga aktivistët u nderuan Fetije Muzi Imeri, Ibrahim Kolari nga Amerika, Kryetari i komuës së Rekës në Maqedoni Branko Manojlovski, Lindita Gjoka, Sherif Imeri, Gjin Pepkola, Islam Sadikaj, poetin Bajazit Cahani, Sabri Maxhuni Novosela me titullin “Aristidh Kola” Halil Komanin nga Peja, Rexhep Qerreti Shaip Bytyçi Hasmes Mehmeti dhe Binak Sadiku.

Me Rakibin këndonte miku i tij Shpejtim Bytyqi nga Karavan Saraji i Malishevës. Në shesh ishte veprimtari i UÇK-së, pajtimtari dhe kleriku që mori pjesë në varrimin e  Adem Jasharit, Fetah Bekolli, gazetarët Isuf Bytyqi, Azis Bytyqi, Nuhi Bytyqi etj

Kur po zbrisnim me teleferik na qëlloi që në kabinë të kishim një rapsod një mjeshtër sharkie si Rakib Bytyqi nga Thearanda afër Prizrenit  Kishte gati gjysëm shekulli që e rrihte telin e sharkisë dhe aty na nderoi me këngën e Isa Boletinit. Ooo, dhe këtu nuk na u nda plisi. Plisi i Boletinit që zbardhi mjegullën e Londrës. Pas tij vraponin jo vetëm mbretërit, ministrat, por dhe fotografët e shumtë londinezë, gazetarët që donin të shikonin se si mund të ishte kaq i bukur, kaq shtatlartë, kaq i mençur ky burrë Kosove pa plisin e tij legjendar. Edhe ai thoshte se kishte luftuar me Heroin e Kombit Indrit Carën nga Kavaja dhe se çdo 31 mars vinte në Kavajë në kujtim të mikut të tij Hero Po, duam një festë të re që e kanë bekuar shekujt. Jo një festë që të shënohet vetëm në kalendar, apo që të jetë pushim administrative  po një Festë Dinjiteti,  shumë më e lashtë se ajo e Flamurit. Kjo botë ka festa të Mbjelljeve të të Korrave, të Luleve, të Librit, të Tokës, të Shkollës, të Detit, të Dashurisë, të Grave, të Fëmijëve, të Nënave. Në Amerikë ka një Ditë Falenderimesh edhe pse në asnjë ditë të vitit nuk mbarohen falenderimet. Në Itali ka një Ditë të të Vdekurve, po në asnjë ditë nuk mbaron nderimi për ta. Veç Festa e Plisit me misionin gjithëkombëtar që ka mbase mund të quhet dhe Kryefesta e Dinjitetit të kombit.

Një burrë që nuk e njoha po i thoshte djalit të tij 14 veçar: “Dëgjo, biri im! E kishe për herë të parë këtë festë Mbaje mend mirë! Në të dielën e  fundit të gushtit jam apo s’jam unë, ti do të vish këtu dhe do të gëzosh dhe do të vallëzosh dhe do të dëgjosh, dhe do të mësosh atë që dhe shkolla nuk ta jep me vite të tëra. As televizori. As interneti nuk ta jep këtë gazmim që provon këtu. Dëgjoooon? Të dielën e fundit të gushtit!

(Shtator, 2015)