E enjte, 25.04.2024, 06:24 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Çelhyka: Dhuna si kulturë

E enjte, 31.07.2008, 07:45 PM


Dhuna si kulturë

Nga Gëzim Çelhyka*

Dhuna e shoqërisë shqiptare nuk përjashtohet nga dhuna e gjithë shoqërisë njerëzore, por është pa dyshim dhunë e një shoqërie radikale bardhë e zi, ku çdo gjë ka qenë e sanksionuar në një kushtetutë monumentale gjaku si Kanuni i Lekë Dukagjinit mbi vrasjet dhe ritualet e gjakut. Por edhe po të shkojmë më thellë në histori, në antikitet dhe po t’i referohemi studimit të Kadaresë mbi bëmat dhe ngjarjet që përshkruan Eskili dhe Homeri, del në pah e vërteta që, ngjarje të tilla ku dhuna është ngritur në kulturë kanë ndodhur dhe ndodhin në Shqipëri. Legjenda e murosjes është e gjitha autentike shqiptare. Po ajo që më intereson të trajtoj dhe që e njoh më mirë është epoka komuniste. Me ardhjen e komunizmit në emër të vlerave të reja, të një ideologjie të re, të një morali të ri, të një etike të re, me një dhunë të paparë gjakësore u fut në “varr e vjetra”, morali, vlerat, kultura dhe statuset etike të trashëguara në shekuj u groposën e u varrosën në emër të një lufte gjakatare e dhune të paparë me emrin Lufta Nacional Çlirimtare e më pas lufta e klasave. Ishte një orgji dhe banket horrorifik ku tryeza shtrohej vetëm me koka të prera, ku në vend të shampanjës pihej gjaku i kundërshtarit, gjaku i shqiptarit. Intensiteti kriminal i njeriut, i shqiptarit, do të shkruante një kapitull të ri dhe do të hynte në histori me një “kulturë të re” me emrin luftë klasash. Epoka komuniste, kultura komuniste, kultura e dhunës, kultura diktatoriale, lufta e klasave që s’ishte gjë tjetër vetëm vazhdim i luftës civile “Nacional Çlirimtare” bënë që dhuna të bëhej monopol i shtetit dhe i diktatorit më pervers që dirigjonte simfoninë më gjakatare, atë komuniste. Në këtë drogim vdekjeprurës, në këtë shtrigim të paparë absurd e pervers u krijuan vlera të reja, moral i ri dhe etikë e re. Për të krijuar një kulturë e moral të ri duhej të groposej e vjetra dhe komunistët rrafshuan njësh me tokën kisha dhe xhamia, prenë marrëdhëniet me të gjithë botën e qytetëruar dhe me një energji të paparë filluan zbatimin e projektit më absurd, krijimin e njeriut të ri.

Kultura Fashiste e ajo Komuniste, humbës e fitimtarë si vepra arti dhe kulte nderimi!?

Vendin e profetëve e zunë diktatorët më gjakatarë të njerëzimit. Ironi e fatit, instuticioni i dhunës, kjo makineri monstruoze punonte në të njëjtën ndërtesë diktatoriale fashiste që kishin ndërtuar pushtuesit që s’ishte gjë tjetër veçse kulti i dhunës diktatoriale fashiste dhe simboleve të saj- sopatat e fashizmit. Në kompleksin arkitektonik ku sot janë ministritë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (çfarë dualiteti, binjakëzimi i kulturës së dhunës, ironi e paparë, vini re Dëshmorët e Kombit, luftëtarët, heronjtë, fitimtarët me arkitekturën fashiste, paqen dhe bashkëjetësen e dhunës që nuk është gjë tjetër veçse një provë e gjallë e dhunës dhe simboleve të diktaturës fashiste dhe atyre (shqiptarëve) që më shumë se fashizmin vranë njëri-tjetrin) u shijonte të punonin e t’i vendosnin ministritë në arkitekturën dhe në simbolet fashiste, pra në sopatat e perandorisë. Në këtë bazë arkitektonike, në këtë podium e piedestal dhune, në këtë kult dhe nderim ndaj dhunës, pra në këtë kulturë dhune, diktatura komuniste do ta plotësojë këtë tablo duke vendosur monumentet e gjakatarëve më të mëdhenj të njerëzimit, korifejtë e djallit, Leninin dhe Stalinin. Pra, Lenini duke shtriguar masat me agjitacion dhe Stalini që s’e fsheh dot rrezatimin e diktatorit dhe në të gjithë gjatësinë prej 100 metrash kishte mbishkrime “Ndalohet të pështyni në tokë”, mjafton një detaj i tillë për të kuptuar realitetin dhe etikën e re të dhunës. (Vini re simbolet e kësaj tabloje që nuk e ka shoqen në botë; humbësit dhe fitimtarët, kultura Fashiste e ajo Komuniste, humbës e fitimtarë si vepra arti dhe kulte nderimi.!? Kundërshtarët në harmoni të plotë nga që kanë të përbashkët simbolin e dhunës). Le të vazhdojmë në këtë trekëndësh: djalli “Bermuda” i paparë në asnjë lloj arkitekture botërore duke filluar nga “Partizani i panjohur” që ulëret dhe është në delir të përjetshëm euforie lufte, britma, e çirrura dhe jehona e tij tingëllon dhe do të tingëllojë akoma me një akustikë gjakatare, gjersa të hiqet si monument, ulurima e tij dëgjohet në subkoshiencën e çdo shqiptari vetëm si simbol i agresivitetit dhe dhunës. Në zemrën e kryeqytetit qëndrojnë përsëri dy simbole të papajtueshme Xhamia e Ethem Beut dhe monumenti i princit të krishterë Gjergj Kastriotit. Cilin duhet të nderojmë, kush është fitimtari?!... Janë të dy fitimtarë!!!... Apo është çështje identiteti edhe Gjergj edhe Skënder!!!??? Me fytyrën e kthyer nga lindja në përmasa mbi natyrale qëndronte monumenti i diktatorit dhe në bri të tij mozaiku që tingëllon si një korale mitologjike dhune. Dhe aty janë të gjitha epokat dhe formacionet e shoqërisë shqiptare që kullojnë gjak, dhunë e luftë. Dhe në të gjithë këtë trekëndesh djalli ose galeri plastike në natyrë është dhe Kulla e Sahatit si një simbol surrealist ku me tepër se i saktëson, i ngatërron të gjitha kohët me simbolet e saj të dhunës. Po në të njëjtin bulevard në atë të Dëshmoreve të Kombit diktatura vendos simbolin e piramidës në arkitekturën e muzeut për diktatorin, gjetje e bukur për një diktator që është ndjerë gjithmonë si një faraon dhe muzeu faltore ku duhej të falej i gjithë populli. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, paranoja e gjakësorit, e diktatorit që jetoj në perversitetin e tij prej faraoni do të përjetësohej në qindra mijëra bunkerë që përbën ekspozitën më të madhe të pop artit në planet, dhe e vendosur në 28 mije kilometra katror ndoshta do të duhet ta quajme “Dokumenta Shqiptare”.

Pra, kudo monumemte dhe deri të tjetërsime emri të qytetit me emrin e diktatorit Stalin. Kjo është tabloja reale e dhunës si kulturë apo kultura e dhunës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën e kuqe. Këta ishin profetët e epokës së diktaturës, simbolet e gjakut dhe të dhunës, këto ishin “Bibla dhe Kurani”, faltoret në të cilën duhet të falej njeriu i ri. Dhe ky është horrori i kësaj epoke. Në këtë butafori skenike me bronz, mermer dhe bunkere, me simbole dhune të trashëguara për gjysmë shekulli, dhe me një larje truri nga një makineri gjigande monstruoze siç është diktatura ku të kontrollon dhe sekrecionet e pështymës, me traditën e pamohueshme të dhunës erdhën vitet e demon-kracisë rrumpallë.

E ardhmja është e kaluara

At Anton Harapi, i cili, përpara se të ekzekutohej në vitin 1947, tha: “A e dini se çdo ndërtëse i vihen themelet n’dhe? Edhe n’vorr në hyjshim, duhet t’jemi gurt e themelit t’asaj binaje t’cilën sot e quejm Shqipni”. Ky është testamenti i priftit hero At Anton Arapi si dhe të gjithë atyre që dhanë jetën në burgjet komuniste me idealin e mrekullueshëm “Rrno me tregue”. Ky është dhe testamenti i filozofit Hans- Georg Gadamer (1900-2001) në përvjetorin e tij të njëqind të ditëlindjes: “E ardhmja është e kaluara. Në qoftë se ne nuk kujtohemi më për të kaluarën nuk do të kemi as të ardhme. Një popull pa memorie rrugëton në errësirë dhe llahtari“. Çelësat e së ardhmes sonë janë e kaluara jonë, janë rrënjët tona dhe indentiteti jonë dhe është detyrë e historianëve dhe e intelektualëve që të mos bien pre e grupimeve partiake, të mos e idealizojnë dhe të mos e restaurojnë historinë. Në Hamburg ajo që më ka bërë përshtypje dhe befasuar është memorja historike që është e lexueshme dhe kuptueshme kudo. Është fare e thjeshtë, është e shkruar në rrugë, në të gjithë qytetin. Në Hollivud ka një rrugë të vetme ku vendosen yjet dhe emrat e aktorëve më të shquar, në Hamburg nuk ka rrugë ku të mos ketë pllaka bronxi në formatin 20 x 20 cm dhe në to do të jetë shkruar emri i atij personi, datëlindja dhe datëvdekja dhe arsyeja e vendosjes se kësaj pllake, poet, shkrimtarë, qytetar i thjeshtë i pushkatuar gjatë Luftës së Dytë Botërore që në me të shumtën e rasteve është e mbushur me qytetarë të tillë “anonimë”. Pra memorja dhe identiteti janë kudo të prekshme dhe të lexueshme jo vetëm për gjermanët, por edhe për një turist bujtës në qytet. Në shumë qytete të Europës pavarësisht nga origjina e krijimit të tyre, ato kanë ngritur në simbol në formën e monumentit, në formën e kujtesës historike dhe të identitetit simbole anonime popullore si: në Hamburg ku nuk ka as trotuare apo vende me rreze shikimi, as përpara hyrjeve të dyqaneve ku të mos jetë vendosur në formën e pop artit një figurë plastike e një njeriu me një kapele cilindër në kokë ku mbi shpatulla me një dru mban dy kova dhe është gjithmonë në lëvizje. Plastika të tilla që janë me dhjetra e qindra janë krijuar nga dhjetra e dhjetra artistë të ndryshëm për të mos rënë në uniformitet dhe i kushtohen një njeriu të mirë anonim që në kohën e kolerës në Hamburg në vitet 1800 i shpërndante ujë të sëmurëve. Vini re simbolin e së mirës dhe anonimitetin e së mirës të ngritur në monument, memorje dhe identitet. Në Bruksel ngado që të sorollatesh do të shikojnë sytë një djalë të vogël që ka ulur pantallonat, dhe me dorën te “bilbilushi” urinon. Historia e djalit të vogël është: ai kishte dalë në dritare dhe po urinonte dhe urina e djalit bie mbi fitilin që kishin vënë nazistët për të hedhur në erë pallatin. Pra djali e shuajti fitilin e dinamitit me shurrën e tij. Dhe e gjithë kjo është kthyer në simbolin e së mirës ndaj të keqes dhe gjendet nga çdo anë që të shkosh në Bruksel. Kushdo që ka shkuar në Torino dhe ka pirë ujë në çezmat publike ka parë që uji del nga koka e bronztë e një demi të ri me brinjë nga ku vjen dhe emri i qytetit. Demi si simbol i rinisë, fuqisë, pjellorisë dhe begatisë së qytetit. Le të kthehemi të trekëndeshi i ynë i djallit, gjysmë shekulli vëllavrasje, gjysmë shekulli gjak, dhe vetëm gjak dhe për 18 vjet është përjetësuar dhuna në art në formën e monumenteve. Po do të ishte mirë të kujtoheshin si në Hamburg me pllakat e shkruara: “Këtu ka qenë shtëpia e x disidenti, qytetari, politikani, prifti, që u pushkatua a u internua dhe kaloi jetën në burgjet të komunizmit. Unë jam i mendimit që kjo do të na bënte shumë mirë.”

Ushtari turk për t’i bërë shoqëri Ushtarit të Panjohur

Kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, po trekëndëshit të djallit ju shtua një turk me shpatë, me qeleshe e xhybe që qëndron në kryqëzim e rrugës. Dhe mua me përzihet dhe ndjej boshësi për “turkun që ka gjetur rrugët“ dhe jo për fajin tim jam unë që po humbas rrugën. E para për pozicionin, aksin në të cilën ai është vendosur, por edhe për klasifikimin dhe peshën që përcjell një monument i tillë kushtuar një njeriu me një status të veçantë atë të jeniçerit, pushtuesit, trofesë së fituar me gjak, me vrasje, me energjinë e kriminelit të ardhur nga stepat e orientit dhe simboli dhe dimensioni i këtij monumenti në madhësinë mbinatyrale si ai i Skënderbeut apo Ismail Qemalit më duket në formen më radikale e papranueshme dhe monstruoze. Ja që kompetentët tanë që merren me këto punë mendojnë se e dinë më mirë që një pozicion i tillë t’i jepet një ushtari turk për t’i bërë shoqëri, ushtarit të panjohur. “A thua ka të bëjë me truallin, apo është rastësi që një mercenar jeniçer i gjithi simbol i pushtimit, i së keqes ku nuk i dihet emri dhe origjina po i pagëzuar ushtari “trim turk” ndan hapësirën me ushtarin e panjohur partizan. Që të plotësohet i gjithë formacioni historik i këtij trekëndëshi djalli dhe gjaku duhej dhe një monument tjetër për kohën në të cilën jetojmë. Pra shpata e jeniçerit me fytyrën e kthyer nga mali i Dajtit, që simbolizon “gjenezën e Tiranës". Pastaj vjen partizani që zbret nga mali i Dajtit dhe s’e ndal vrapin e sulmit duke ulëritur me pushkën e ngritur lart dhe përsëri duhej të plotësohej me një tjetër simbol dhune dhe gjaku i kohës në të cilën jetojmë, në formën më të shëmtuar amatoreske me lajle lule shqiponjash, me foto e shkrime përsëri për vrasje e deputetit A. Hajdari. Gjakatari dhe përbindëshi, bisha barbare që vriste, digjte dhunonte e përdhunontë në vende të huaja, nuk ishte vetëm se një pushtues në këtë rast, pra një mercenar që në vend të dekoratave në kohën e Perandorise jepeshin peshqeshe të tilla siç i u dha dhe Turkut të Tiranës, fusha e Tiranës. Atë që desh e mori. Ç’punë ka këtu monumenti për të? Çfarë i përcjell ai brezave, çfarë simboli, çfarë mesazhi, çfarë identiteti dhe përdhosje dhune? Ai ishtë kundërshtari, armiku, dhe ne ishim kundërshtari dhe armiku për turqit dhe për këtë perandoria kokat e trimave shqiptarë i vinte te kangjellat e portës perandorake që t’i hanin sorrat. Ky ishte monumenti që i priste armiqtë e perandorisë, kokat e prera në kangjella. Ndoshta do të ishte më mirë që në vend të xhybes së turkut të kishim një qeleshepunues të Tiranës ose pse jo, do të ishte më mirë që në një aks të tillë të vihej një kryevepër si ajo e Mendimtarit të Rodenit, ku ndoshta në inkoshiencen tonë nuk do të tingëllonin shpata, ulërima, kërcitje malihevi dhe atentate politike por mendimi dhe qetësia e brendshme.

Një investim në hipotekën e djallit

Vetëm për të hequr një paralele e vendosim ngjarjen në Janinë ku kolosi, rebeluesi dhe kundërshtari i Portës së Lartë, Ali Pashë Tepelena, sundimtari i Janinës dhe i gjithë jugut të Shqipërisë, në atë kohë Janina banohej nga shqiptarë, pra ishte shqiptare. Mendoni famën, formatin dhe dimensionin e shqiptarit Pasha me emrin Ali Pashë Tepelena dhe paradoksin; në muzeun e Janinës i është fshirë origjina shqiptare. Në Shqipëri absurditeti kthehet në memorje, kthehet në identitet të pasaktë, kthehet në një investim në hipotekën e djallit. Të mos na duken të panatyrshme fjalët e kryeministrit turk, i cili kërkon rishikimin e historisë, ashtu dhe thirrjet e Bollanos për identitetin grek. Historianët duhet të merren seriozisht me monumentet, dimensionin dhe vendosjen (pozicionin) e tyre që brezat të mos rrugëtojnë në errësirë dhe llahtar. Për t’u definuar me dhunën, absurditetin dhe simbolet e saj, nuk e di kush e dha atë ide të çmendur dhe e bëri realitet duke vënë topat e luftës para kryeministrisë. Topat janë prodhim gjerman i kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe jo i ndonjë fabrike shqiptare, edhe sikur të ishin nuk e kanë vendin para Kryeministrisë. Unë di shumë saktë që para ish Kancelarisë Gjermane në Bon është vendosur një vepër e Henri Moore që nuk ka të bëjë fare me dhunën po me shumë me format erotike që trajtonte artisti në plastikë. A thua nuk i mjafton Kryeministrisë bazorelievi me simbolet e shkatërrimit të kazmës dhe pushkës po duhet ta plotësontë dekorin me simbolet e dhunës dhe vdekjes siç janë topat. Sa për dijeni në oborrin e kancelarisë së re në Berlin është vendosur një tjetër plastikë abstrakte që është në harmoni të plotë me arkitekturën moderne të vetë ndërtëses. Definicioni i të gjithë këtyre objekteve në formën e monumenteve komprementon mentalitetin e kohës në të cilën jetojmë por na katapulton në një kohë e në një epokë tjetër. Ky është dekori dhe podiumi i një parti të ri gjakatar, shkatërrimtar në të cilën u gjend shqiptari në vitet 1990. Orgjia e dhunës filloj me një çmenduri të pa parë. Njeriu i ri që ndërtoi komunizmi ishte krijesa me “Klingonë” e paparë ndonjëherë në planet. Deliri i shkatërrimit dhe shprehja e urrejtjes ndaj çdo principi, morali, etike në të cilën kishte qenë universi i jetës sonë, vetë jeta jonë duhet të groposeshin. Duhet të shkatërrohej e të varrosej e gjithë e kaluara për të filluar nga e para pa marrë parasysh çmimin e gjakut që do të paguhej. Dhe kështu u bë, banketi i horrorit u shtrua si asnjëherë tjetër ku çdo gjë i lihej rastësisë, loja nuk kishte kurrëfarë rregullash, çmenduria gjeti perandorinë e saj në Shqipëri. Eksode biblikë të papara, ku gjysma e popullsise iku jashtë. Dhe ajo që mbeti pësoi përsëri lëvizje demografike biblike të dhunshme të paparë në asnjë histori, një barbari e tillë ku toka të përçundohet në këtë formë. Gjak, gjak përsëri gjak, dhunë e pa parë monumentale, zënië tokash edhe pse ato janë mbushur plot pesticide dhe të sjellin sëmundje kanceroze. Të pamposhtur, të palodhur e kemi çuar çdo gjë në kufijtë e çmendurisë. Kjo është humnera apo jemi në buzë të humnerës. Kjo është katastrofa. Kjo është errësira. Kjo është tabloja më uluritëse e një populli në kufijtë e një depresioni social. Kriminalitet ekstrem dhe dhunë. Dhunë, gjak e përsëri gjak dhe dhunë. Dhuna si kulturë dhe kultura si dhunë. Fëmijë që nuk artikulojnë akoma mirë gjuhën por dinë dhe guxojnë e vrasin veten. Këto janë therje, grisje, shkrepëtima në errësirë, gjëmim i këmbanave që bien për të gjithë shqiptarët. Ulërima korale të të masakruarve e sakatuarve, e të vrarëve dhe vrasësve e atyre që jetojnë dhe atyre që në çdo 500 metra kanë vënë lapidare vdekjeje në të gjitha rrugët e Shqipërisë. Kjo është “Guernika shqiptare”. Guernikën spanjolle e shkatërruan bombat e diktaturës fashistë, Shqipërinë e shkatërruan arkitektët e ferrit në simfoninë e të cilës të gjithë luajmë akoma rekuemin e vdekjes. Popullit shqiptar i shkojnë për shtat shumë ilustrimet grafike që ka bërë piktori i madh spanjoll Françesko Goja me kapriçiot e tij të famshme: “Ti që për gjë tjetër i zoti s`je mbamë në kurriz së mirë e ke“ ku ka kompozuar njerëz që mbajnë mbi kurriz gomerë. Edhe në le t’i mbajmë në kurriz gomerët tanë se vetë i kemi zgjedhur dhe nuk jemi të zotë për asgjë tjetër. Në rrethana të tilla jetese asnjë nuk çuditet për dhunën, vrasjet, korrupsionin, kurvërinë moralo- politike të të gjithë shoqërisë shqiptare. Peizazhi fizik i Shqipërisë kjo katrahurë e dhunshme surrealiste psikopatike i shkon për shtat veçse një moral i zbrazët, pa shpirt të zvetnuar ashtu si gjithë jeta e Shqiptarëve. I shkon për shtat errësirë, errësirë, errësirë. Shih rrushi, rrushin e piqu, ky ka qenë motivi i pashkruar i stimuluar nga politikanët për shqiptaret. Prit, shkatërro, ndërto, gjej vend bosh: Zëre se ta zuri “ujku“. Surrealizëm i gjallë të çmendurish. Këneta e Durrësit një tokë e gjithë e helmuar që pjell vetëm kancer e leuçemi e mbushur plot pesticide tejet të helmuara u mbush plot ndërtesa që ngjajnë si një fushë me kërpudha të helmatisura. Bathorja dhe tjetërsimi i gjeografisë së fushave, kodrave, lumenjve dhe i gjithë bregu i Adriatikut, çmenduria më madhe e kohës në të cilën jetojmë. Në bazë të këtyre fakteve pikturohet tabloja e këtyre viteve në Shqipëri. Kriiiimi..!, ulëras dhe dua që ulërima ime të dalë nga gërmat e këtij shkrimi dhe të këndojë me ulërimë rrënqëthese si një sirenë në veshët e dyllosur të politikanëve. Krimi që ka fytyrën e shtetit apo shteti që ka fytyrën e krimit. Krimi që ka veshur mantelin e errësirës. Krimi që në Shqipëri ka vetëm një autorësi, politikën e keqe. Historia pret të hapen dosjet! Dosjet duhet të hapen si pjesë e identitetit tonë. Dosjet duhet të hapen që të mos rrugëtojmë në errësirë dhe llahtari.

* Shënim: Gëzim Çelhyka, piktor. Në vitin 1990 ka hyrë në Ambasadën Gjermane dhe që nga ajo kohë jetoi dhe punoi në Gjermani. Gëzim Çelhyka lindi në Kavajë më 26 maj të vitit 1960. Përveç pjesëmarrjes në ekspozita të ndryshme pikturash, të organizuara në Kavajë, Durrës, Tiranë ka shkruar artikuj kritikë për artin si dhe vazhdon të shkruajë artikuj kritikë për problemet që po kalon shoqëria jonë në gazetat e kohës. Gjatë viteve ’80 ka botuar karikatura në revistën humoristike “Hosteni”. Nga kritika profesioniste e kohës është vlerësuar në shkrime të ndryshme. Në fund të viteve 80 ka qenë nga aktivistët e parë që morën guximin të shpreheshin kundër diktaturës komuniste, në forma të ndryshme si: shkruajtja e parrullave antikomuniste në gjimnazin e qytetit të Kavajës “Aleksandër Moisiu” (ish “Medar Shtylla”), organizimi i revoltës së parë qytetare në Shqipëri në stadiumin sportiv “Besa” gjatë ndeshjes “Besa- Partizani” më 26 mars 1990, ditë, në të cilën u arrestua nga policia. Për t'i shpëtuar ndjekjes së sigurimit të shtetit, në shënjestrën e te cilit ishte vënë vitet e fundit, arratiset jashtë vendit, bashkë me qindra të tjerë duke kapërcyer muret e ambasadës gjermane në Tirane, më 2 korrik 1990. Në vitin 1993, dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë z. Sali Berisha me titullin “Pishtar i Demokracisë“ për veprimtarinë patriotike kundër diktaturës komuniste. Qysh nga viti 1990 banon në Gjermani ku dhe ushtron profesionin e piktorit.
(Red-Dh.H.)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora