E premte, 19.04.2024, 08:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Nder i Kombit për Vath Koreshin

E merkure, 30.07.2008, 10:28 PM


Shkrimtari i njohur vlerësohet me çmimin e madh pas vdekjes

Vath Koreshi, një nga personazhet më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me urdhrin "Nderi i Kombit" pas vdekjes. Ceremonia e dorëzimit të këtij urdhri për Koreshin, një personalitet i kulturës sonë, u zhvillua në Presidencë, ku, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, kreu i shtetit i dorëzoi vajzës së shkrimtarit, urdhrin e lartë "Nderi i Kombit" me motivacionin: "Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, me kontribut shumë të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore dhe në kinematografinë shqiptare, në zhvillimin dhe pasurimin e tyre me vepra elitare".
Në emër të familjes, vajza e tij, Ermela Hunçiu, shpreh se "nën peshën e një emocioni të papërshkruar, dua t‘ju falënderoj të gjithë ju për vlerësimin e lartë që i bëtë babait tonë! Ne e kemi të vështirë të flasim sot, të dashur miq, për një njeri i cili punoi gjithë jetën për të bërë gjithçka të mirë për vendin e tij, pa menduar kurrë se ç‘do të bënte vendi i tij për të. Dhe ne e kemi shumë të vështirë të flasim sot, pasi të dashur miq, në saj tuaj ne shohim se sot Vath Koreshi nuk është vetëm i familjes sonë. Me këtë rast, falënderojmë në emër të familjes Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për vlerësimin e lartë, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotin Ylli Pango, falënderojmë propozuesit e këtij vlerësimi, si dhe miq e të ftuar të kësaj ceremonie". Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, shkrimtarë, artistë, regjisorë dhe personalitete nga fusha e artit dhe kulturës.

Vath Koreshi është një nga autorët më në zë në prozën shqipe. Ai lindi në vitin 1936 në qytetin e Lushnjës. Në vitin 1955 përfundoi politeknikumin "7 Nëntori" në Tiranë, ndërsa në vitin 1960 kreu Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë. Vath Koreshi është autor i shumë librave, ku veçohen vëllimet me tregime: "Toka nën hijen e shtëpisë", "Ndërrimi i qiejve", novelat "Dasma e Sakos" (1980), "Haxhiu i Frakullës" (1980), "Balada e Kurbinit" (1987). Autorësinë e tij e mbajnë një numër romanësh si: "Kur zunë shirat e vjeshtës" (1964), "Dy të shtunat e Suzanës" (1972), "Mali mbi kënetë" (1977), "Rekuiem për një grua" (1995), "Ujku dhe Uili" (1999), "Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s", "I dashuri i saj i parë" etj. Vath Koreshi ka dhënë një kontribut të shquar edhe si skenarist. Përmendim skenarët e filmave: "Rrugë të bardha" (1974), "Liri a vdekje" (1978), "Nga mesi i errësirës" (1978), "Plaku dhe hasmi" (1979), "Në kufi të dy legjendave" (1981), "Nata e parë e lirisë" (1984), "Gjeneral gramafoni" (1987), "Botë e padukshme" (1987), "Balada e Kurbinit" (1990), "Dasma e Sakos" (1998), "Porta Eva" (1999), "Syri Magjik" (2005).
Ai është nderuar në vitet ‘80 me Çmimin e Republikës për librin "Dasma e Sakos" dhe për skenarin e filmit "Gjeneral gramafoni". Gjithashtu, në vitin 2005 filmi "Syri Magjik", ku bashkëskenarist ishte dhe Vath Koreshi, fitoi çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin e 29 Ndërkombëtar të Filmit në Kajro. Vath Koreshi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë si dhe ministër i Kulturës në vitet 1991-1992.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora