Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: A di Zoti shqip? (2)

| E hene, 31.08.2015, 08:14 PM |


A di Zoti shqip

Nga Gani MEHMETAJ

Kisha Katolike gjatë mesjetës ishte në një pozitë të vështirë në Gadishullin Ilirik, sidomos në principatat shqiptare, ku luftonin për primat me Perandorinë e Kishën Bizantine. Kalimet e arbëroreve nga riti katolik në ritin bizantin qenë fenomene të shpeshta, varësisht nga presioni që ushtrohej mbi ta. Pati edhe krime të shëmtuara të serbëve, shërbëtorë të Perandorisë Bizantine për t’i konvertuar arbërorët nga katolikë në ortodoksë. Por ndjenjën e përkatësisë nuk e braktisën.

Me ardhjen e hordhive otomane, fati i kishës ishte fati i kombit të persekutuar e të gjymtuar. Kisha u zhbë dhe u ribë, u dobësua dhe u forcua, varësisht nga rrebeshet e historisë. Besimtarët ikën për të shpëtuar kokën përtej detit, apo në veriperëndim: në Dalmaci, në tokat austriake, pastaj u fortifikuan në malësi. Pra, popullata arbërore- shqiptare u përgjysmua, në disa zona u shua fare. Megjithatë, gjatë tërë kohës në këtë faltore Perëndia foli shqip, Kisha Katolike hapi edhe shkolla në gjuhën shqipe, priftërinjtë mbajtën librat fetarë në gjuhën e popullit, shkruan kronika e regjistruan dokumente, të cilat u bënë të çmuara për historinë kombëtare.

Elita e kombit që e kaptoi Adriatikun, në pjesën më të madhe, u shkri në detin e fiseve latine-italiane, u bënë personalitete të shquara të jetës publike, fetare e kulturore të Italisë e Vatikanit, por një pjesë e tyre pikërisht falë ndjenjës së theksuar kombëtare e zhvillimit të riteve e lutjeve në gjuhën amtare, arritën ta ruajnë identitetin. Ishin këta arbëreshët e Kalabrisë që pas pesëqind vjetësh e kujtonin atdheun e të parëve, kujtonin traditën e kulturën, ruanin gjuhën e ritet fetare, ashtu sikurse i patën mësuar në dheun e të parëve. Zoti atyre u foli arbërisht!

Kolosët e kombit nga elita kishtare

Kronikat më të shumta për historinë arbërore-shqiptare janë bërë nga priftërinjtë katolikë. Kleri i këtij riti e kultivoi gjuhën shqipe në nivel akademik dhe e krijoi kulturën, e cila i afrohej kulturës e gjuhës së popujve të qytetëruar evropianë, pavarësisht faktit të dhimbshëm se bëhej në rrethana të jashtëzakonshme të pushtimit, të luftërave të vazhdueshme e të përndjekjeve. Kisha Katolike Shqiptare në gjashtëqind vjetët e fundit ishte shtylla e kombit jo vetëm pse të gjitha dokumentet  e gjuhës shqipe u referohen shkrimeve apo lutjeve fetare të priftërinjve katolikë shqiptarë, jo vetëm pse shkollat e para shqipe mbaheshin nga këto institucione fetare-kombëtare, jo vetëm pse të gjitha relacionet e kronikat monumentale, librat, ditarët, kujtimet janë shkruar për arbërorët e shqiptarët nga priftërinjtë vendës, por edhe sepse kolosët e Rilindjes Kombëtare, të  kulturës e të gjuhës shqipe në 600-vjetët e fundit  ishin të kësaj feje e përcaktimi kombëtar, qysh nga Pal Engjëlli, apo edhe më herët. Priftërinjtë-kolos të kombit tonë: Marin Barleti, Marin Biçikemi, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër  Budi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Shtjefën Gjeçovi, Ndre Mjeda  e deri te Gjergj Fishta, apo edhe më vonë deri te martirët e kombit e të fesë: priftërinjtë që u vranë e u persekutuan nga komunizmi i egër.

Fjala shqipe në lutje, rituale e në predikime ishte ajo që e përcaktoi qartë shqiptarësinë e kësaj kishe, krahas angazhimit të jashtëzakonshëm të klerit katolik që të merren me çështje kombëtare. Ishte kreu katolik shqiptar që organizoi e kërkoi mbështetje apo udhëhoqi kryengritjet shqiptare kundër pushtuesit-Perandorisë Osmane; ishte kreu i klerit katolik që u shqua me këmbënguljen e vet që të mbajë gjallë frymën kombëtare e të formojë shtetin shqiptar, ashtu sikurse që ishte kreu i priftërinjve katolikë ata që e përgatitën Pavarësinë e shtetit shqiptar, të ndihmuar pastaj nga rilindësit tjerë.

Në periudhën e komunizmit Kisha Katolike mori goditje fatale. Në Shqipëri u shua fare, kurse në Kosovë vepronte, por gjithnjë me druajtje e frikë, sepse fushata jugosllave, përkatësisht serbe kundër Kishës Katolike e Vatikanit ishte e egër. Megjithatë kisha u fliste besimtarëve në emër të Zotit shqip edhe në kohën e terrorit më të egër. Asnjëherë nuk reshti së predikuari shqip, asnjëherë nuk dërdëlliti në ndonjë gjuhë tjetër.

Në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Kisha Katolike Shqiptare në Kosovë sërish mori rolin e prijësit, duke e sensibilizuar çështjen e Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare si në kohën e rilindësve, duke i pajtuar bashkëkombësit e të dyja besimeve fetare në pajtimin e gjaqeve. Në këtë nismë ftoi edhe klerin mysliman, ndërsa nuk qenë të paktë klerikët patriotë që e kuptuan dhe e dëgjuan zërin e kohës e të kombit.

Fryma e re, mbështetëse e Vatikanit me Papa Gjon Palin e Dytë ishte kaptina më e ndritshme për çështjen shqiptare në fund të shekullit XX. Kjo frymë megjithëse në planin ndërkombëtar u shfrytëzua në masë të madhe nga elita politike, në planin e brendshëm kisha katolike nuk e shfrytëzoi përcaktimin e popullatës që t’ia hiqte asaj bragashët e së kaluarës, as zhguallin oriental. Asnjëherë nuk e kam kuptuar arsyen e kësaj indolence, ndërsa mund ta shfrytëzonin euforinë e përgjithshme dhe simpatinë e intelektuale që e ka gëzuar gjithmonë kjo kishë, pikërisht për orientimin e theksuar kombëtar që pati ky institucion shpirtëror.

Më ka mbetur në kujtesë një ceremoni në përvjetorin e Nënë Terezës, që u mbajt në Katedralen e Prishtinës para disa vjetësh, kur Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, i drejtohet  të deleguarit të Papës, që kishte ardhur në këtë ngjarje me rëndësi: “Jua dhuroj djepin ku është përkundur Nënë Tereza”, i drejtohet të dërguarit të Papës, ndërsa në duar mbante djepin tradicional të Veriut shqiptar me shqiponjën dykrenore, të skalitur në krye, në të cilin ishim përkundur breza të tërë. Duke ia dhuruar  flamurin kombëtar Ipeshkvi i thotë: ”Jua fal flamurin kombëtar, që ishte flamuri i Nënë Terezës”. Krejt në fund kur ia paraqet në mënyrë ceremoniale dhuratën e tretë qeleshen (plisin), i drejtohet: “Këtë plis shqiptar e barti me mburrje babai i Nënë Terezës”. Kështu, përfaqësuesi i Papës, por edhe qindra zyrtarë të lartë të trupit diplomatik e institucioneve ndërkombëtare patën një orë të historisë kombëtare shqiptare, që nuk e kishin dëgjuar as në katedrat akademike as nuk e kishin lexuar në librat e historisë.

Pra, nuk mund të thuhet se priftërinjtë katolikë nuk e ndoqën rrugën tradicionale të kolosëve të mëparshëm për ndriçimin e mendjes e të vetëdijes kombëtare, por kreu i kësaj kishe në Kosovë e në Shqipëri  kishte mundësi të bëhej ledh i pakalueshëm kundër depërtimit të frymës antishqiptare të Lindjes. Popullata e të dyja besimeve fetare pati shumë besim te Kisha Katolike, ajo e pati edhe besimin e pjesës dërmuese të jobesimtarëve, ndërsa kësaj popullate dikush duhej t’i printe ashtu si i priu Pjetër Bogdani e Pjetër Budi. Po ashtu as sot e kësaj dite nuk e kam të qartë pse u shua shoqata bamirëse  “Nënë Tereza”, e cila bëri punë aq të madhe para vitit 1999, madje edhe pas luftës, duke mos i diskriminuar asnjërin në baza fetare, përkundrazi i trajtonte të gjithë nevojtarët në mënyrë të njëjtë. Shuarjen e kësaj shoqate me rëndësi historike e shfrytëzuan shoqatat radikale islamike, të cilat mbinë si kërpudhat pas shiut, duke ia ndryshuar konfiguracionit shpirtëror popullatës dardane, duke e debilizuar një pjesë të kësaj popullate të varfër.

Ndihma e Papa Gjon Palit në Pavarësinë e Kosovës dhe miqësia tradicionale e prijësit e presidentit historik, Ibrahim Rugova, me Papën e Vatikanin, e shtuan edhe më shumë simpatinë e përgjithshme. Njëkohësisht botës i dëshmuan se nuk jemi ashtu sikurse na paraqet Serbia.

Në mileniumin e tretë megjithëse ka dyndje të madhe të besimtarëve shqiptarë në këtë kishë (pagëzimet e shqiptarëve kurrsesi nuk mund të quhen konvertime, sepse asnjëri prej tyre nuk e praktikoi më parë asnjë besim fetar, prandaj s’ka si të quhen myslimanë as të krishterë), ka rrudhje të Kishës Katolike në Shkup, dikur qendrën e Ipeshkvisë Shqiptare, qytetin e Budit e Bogdanit, selinë e Dardanisë deri në shekullin XX. Zoti u fliste shqip besimtarëve në Shkup që nga Antika, mirëpo sipas informatave më të fundit në Shkup Zoti e ka braktisur gjuhën shqipe dhe u flet besimtarëve në gjuhën  maqedonase! Për ironi sllavët maqedonas janë ortodoksë. Është tepër vështirë, që të mos themi e pamundur të gjesh një të tillë për be që është i besimit katolik. Se ku e gjetën këtë prift, i cili ua predikon fjalën e Zotit, në qytetin e Nënë Terezës, nuk e di. Ku mbetën shqiptarët katolikë, po ashtu është e paqartë. Ndërkaq, bërthama e aristokracia e qytetit të Shkupit ishte e shqiptarëve katolikë që nga lagjja e Nënë Terezës e më gjerë.

Fryma e Papa Gjon Palit të Dytë sikur e braktisi Vatikanin, sidomos kjo frymë që e ndihmoi çështjen shqiptare, mbase faji është te ne që nuk e nxorëm një personalitet tjetër të nivelit të Ibrahim Rugovës, i cili do të bashkëbisedonte  me Papën, do ta bënte mik e aleat. Në Kosovë të pafuqishëm të rizgjojnë vëmendjen e Vatikanit si dikur kur ishte gjallë Rugova,  qarkullon barsoleta se, nëse nuk do të arrijmë së shpejti ta krijojmë një personalitet të nivelit të Rugovës, atëherë do ta nxjerrim edhe një Papë shqiptar, prijës të botës katolike, i cili do të na ndihmojë të dalim nga bataku në të cilin kemi rënë kryekëput me fajin tonë.

Por në këtë tërheqje të Kishës Katolike në zhguallin e vet, në kundërshtim me frymën e viteve nëntëdhjetë, nuk përjashtohet as mallkimi historik i vijës së Teodosit. Ndërkaq, ne duhet të bëjmë përpjekje ta thyejmë vijën e Teodosit, që tash ka bërë aleancë me myslimanizmin.

Protestantët flisnin shqip nga fillimi

Kisha Protestante, e cila ndër shqiptarë erdhi që në shekullit XIX, në frymën e rilindësve, me përkthime të biblës në gjuhën shqipe, që nga fillimi u foli besimtarëve e jobesimtarëve në gjuhën shqipe, në kohën kur në Jug të Shqipërisë, fjala shqipe mallkohej nga kisha greke, ndërsa në Veri ndiqej nga administrata osmane. Kisha Protestante  Shqiptare me misionarët anglo-amerikanë që në fillim të organizimit angazhoi një plejadë të intelektualëve vendës, të cilët kishin një erudicion për lakmi. Ata morën pjesë në organizimin e Kongresit të Manastirit për alfabetin shqip, dhanë kontributin e tyre në përhapjen e fjalës shqipe përmes revistave e librave. Paraqitja e kësaj faltoreje ishte një freski e rizgjim i vetëdijes kombëtare shqiptare. Përhapësit e protestanizmit vazhduan në frymën e rilindësve, madje disa syresh u bënë prijatarë në shumë segmente. Konstantin Kristoforidhi, me Biblën që e përktheu për nevojat e kësaj kishte, u shërbeu edhe besimtarëve ortodoksë. Gjerasim Qiriazi ishte ndër organizatorët e Kongresit të Manastirit, motrat Qiriazi u shquan me tërë familjen jo vetëm për fjalën e Zotit në gjuhën shqipe, por u shquan edhe me frymën kombëtare që e përçonin te secili besimtar. Ato mbeten në histori me mësimin shqip qe e përhapën te fëmijët e të rriturit shqiptarë gjithandej.  Petro Nino Luarasi e shumë të tjerë dhanë kontributin e tyre kombëtar e shpirtëror.

Kisha Protestante në Kosovë e përhapi këtë frymë edhe në kohën e komunizmit në ish-Jugosllavi. Në vitet nëntëdhjetë pastorët protestantë vendës e të huaj, u qëndruan pranë besimtarëve e popullatës shqiptare me mbështetje morale, ndihma materiale e sensibilizim të opinionit ndërkombëtar në kohën dramatike. Ata ndihmonin popullatën moralisht që ta përballonin egërsinë, por njëkohësisht dëshmonin pastaj nëpër institucione ndërkombëtare për dhunën që ushtrohej ndaj shqiptarëve.

“Kur më shikoi një polic serb me vërejtje e urrejtje, me t’u futur në autobusin që qarkullonte në linjën Prizren-Prishtinë, për herë të parë e ndjeva veten shqiptar: të rrezikuar e të përbuzur”, tregon në kujtimet e veta prifti protestant e shkrimtari nga Holanda për kohën e dhunës së shfrenuar serbe kundër shqiptarëve.

Kjo frymë puro shqiptare, vazhdoi edhe pas luftës krahas ndihmave materiale, mbështetjes e përkujdesjes për bonjakët, të pastrehët dhe nevojtarët. Por diçka ajo është me rëndësi te protestantët:  gjuha shqipe është gjuhë e Perëndisë.  Pastori (bariu) i ungjillorëve sa herë i përcjell delegacionet e huaja që kanë ndihmuar një kohë më të gjatë Kosovën (ndërsa kjo kishë ka dhënë ndihma të jashtëzakonshme për popullatën e varfër, pa pompë e pa kushtëzime) ua dhuron nga një simbol kombëtar apo shtetëror të Kosovës. Herë ia dhuron tërë delegacionit nga një plis tradicional shqiptar, me bluzë ku shkruan “Kosova”, herë ua dhuron nga një flamur të shtetit të Kosovës dhe herë simbolin antik të Prishtinës.

Po sekti i bektashinjve si qëndron?

Mistika iraniane, këngët e zvargura, veshjet farfuritëse të tipit të shallvareve nga fundi i Azisë, fytyrat e dervishëve në trans, janë pamjet e para që të kalojnë para syve për ritualet e dymbëdhjetë sekteve nga Rufait deri të Helvetitë. Janë shumë atraktive për studimin e mistikës aziatike, për filmime (në Kosovë janë bërë disa filma dokumentarë me ritualet e dervishëve e jetën e bektashinjve). Ndikimi i prijësve të fesë të besimtarët e në komunitet është  i madh, shumë më i madh se sa ndikimi i hoxhallarëve të myslimanët tradicionalë. Nga sa shkruhet, nuk dirigjohen nga asnjë qendër e tipit të Sheh-ul-Islamit apo talibanëve arabo-aziatikë. Nuk kam lexuar që marrin ndihma nga jashtë.  Por po u shikua nga aspekti kombëtar s’kanë asgjë të përbashkët me qenësinë shqiptare. Lutjet e ritualet zhvillohen arabisht, ceremonitë janë në frymën orientale fund e krye. Zoti nuk flet shqip te ky sekt.

Është vështirë të zbërthehet pse depërtoi ndër shqiptarët? Kush e solli? Pse gjeti hapësirë këtu?  Disa thonë se ishte një lloj kundërvënie iraniane fesë tradicionale myslimane, të cilën e sollën turqit selxhukë në Azi, apo sepse qëndronte diku në mes të krishterimit nestorin të përhapur në mesjetën e hershme në Siri e Iran  e myslimanizmit arab-egjiptian.

Pas shpalljes së shtetit laik në Turqi, të gjitha sektet myslimane të cilat nuk ishin të kontrolluara nga shteti e kombi turk, ndërsa kokën e kishin në Iran, Arabi Saudite apo gjetiu, u ndaluan dhe u dëbuan nga shteti. Sheh-ul Islamin, Sulltani njëqind vjet më parë e zhvendosi nga Bagdadi në Stamboll, që ta kishte nën mbikëqyrje. Ato sekte fetare që nuk u bindeshin urdhrave të shtetit, kapeshin e vriteshin. Bektashinjtë me sektet e dervishëve, ia mbathën nga Turqia, duke u grumbulluar në pjesën më të madhe në Shqipëri e në Kosovë.  Sektin bektashi myslimanët tradicionalë nuk i duan, islamikët radikalë i urrejnë. Janë botë në vete.

Bektashizmi ka ardhur nga Persia përmes Turqisë, u ngulit në tokat shqiptare, për t’u shumëzuar edhe më shumë, pasi u dëbuan nga Turqia laike. Meqë nuk e kishte kokën as në Stamboll, as në Arabinë Saudite që do të na bënin shantazhe, ashtu sikurse na bëjnë shantazhe me fenë tradicionale myslimane turqit e arabët, disa qarqe politike në Tiranë pretenduan që këtë sekt me kryegjyshatën e bektashinjve ta shpallin fe kombëtare të shqiptarëve!? Disa thonë se pretendime të tilla pati edhe në kohën e mbretërisë. Është me rëndësi, sipas njohësve të rrethanave fetare se ky sekt fetar nuk e ka kokën në Stamboll, Arabinë Saudite apo në Egjipt, thuhet se nuk financohet as fondet e dyshimta, as nga grupet radikale, as nga grupet terroriste, ashtu sikurse nuk rekruton luftëtarë për xhihad, ashtu sikurse bëjnë hoxhallarët me mjekra e pa mjekra.

Sa është shqiptare kjo fe?  Sikurse të gjitha sektet myslimane, tradicionale e jo tradicionale, bektashizmi nuk ka asgjë kombëtare, nuk e lufton shqiptarizmin sikurse myslimanizmi, por s’mund ta vëresh asnjë simbol kombëtar te asnjëri prej këtyre sekteve. Kot që e përziejnë Naim Frashërin me bektashizmin, për ta fuqizuar këtë sekt, sepse rilindësi  i madh ishte edhe panteist, ishte ithtar i Diellit të shqiptarëve, që lind në Perëndim etj. Bektashinjtë me sektet e ndryshme qëndrojnë diku në mes të myslimanizmit dhe krishterimit burimor, por fund e krye janë të frymëzuara nga mistikët iranianë, që nga lutjet e tyre të zvargura e deri te veshjet. Ky sekt s’ka asgjë të përbashkët as me Omar Kajamin, dashamirës i verës e i çupave. As këngët e zvargura gjakovare, të Elbasanit e të Beratit, që janë të tipit të “ilahive”,  arabe-iraniane për dashurinë e burrit ndaj gruas, por edhe të burrit ndaj burrit (gushë pëllumb, çuni i lalës etj.) nuk i afrohen dashurisë së Kajamit të madh. Këto këngë të ndikuara nga ilahitë orientale s’kanë asgjë shqipe, pos tekstit të përkthyer. Zoti as këtu nuk e kupton shqipen.

Nga libri: “A di Zoti shqip” të Gani Mehmetajt