Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vataj: Nënë Tereza, toksorja e hyjshmje e mëshirës

| E merkure, 26.08.2015, 07:48 PM |


Nënë Tereza, toksorja e hyjshmje e mëshirës

Nga Albert Vataj

Sot 105 vite më parë, më 26 gusht 1910, lindi në Shkup të Shqipërisë, asokohe nën pushtimin otoman, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistja shpresëdhënëse ndaj të varfërve, të sëmurëve, të pamundurve, shembulli më i hyjshëm i trajtueses së dhimbjes me dashuri.

Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i asokohshëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. "Nënë Tereza e Kalkutës" u quajt kur themeloi urdhërin "Misionaret e Dashurisë" më 1951 për t'u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurre nuk e ka mohuar origjinen e saj. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen, përshëndetje gjithashtu në shqip për popullin shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës më 17 Qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Një mirënjohje që rrëmbeu interesimin e mbarë botës, një admirim që e mbuloi me lavdi veprën ngadhënjyese e kësaj shëlbyeseje të përkushtuar, kësaj misionareje të patëdytë të mirëbërjes dhe mëshirës.

Si Nënë Tereza askush nuk i dha atë aq forcë mrekullibërëse mirësisë.

Pakkush, si ajo, mundi që me faljen dhe dashurinë, tolerancën dhe mëshirën, ti jepnin jetë dhe energji përtëritëse besimit, ta popullonin botën me të drejtësi dhe humanizëm. Ajo ishte e rallë, si e tillë mbeti e pazevëndësueshme, megjithëse misioni që mban emrin Nënë Tereza përpiqet çdo ditë, në çdo cep të botës të kthejnë dritën ku kaplon errësira, mëshirën ku pushtetin ka barbaria, humanizmin dhe dorën e ndihmës, kur njerëzit përpëliten në dallgët e përbindshme të të sotmes.