Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Urim i bukur nga krahina e Sulovës

| E diele, 23.08.2015, 04:49 PM |


“GËZOFSH TË RITË” -  NJË URIM I BUKUR NGA KRAHINA E SULOVËS

NGA PËLLUMB GORICA

Ne, shqipëtarët më tepër se çdo gjë tjetër urimin e kemi në majë të gjuhës. Në gëzime, në pritje e përcjellje të miqëve, në dasma e fejesa, në ceremoni të tjera të gëzueshme familjare, por edhe në festa kombëtare apo fetare urojmë bukur:

-“Në të mira e gëzime ua shpërblefshim!”

-“Të paçim me jetë !“

- “Qofsh i gëzuar dhe i nderuar!”

- “Rroftë e valoftë dhe në duar të sigurta qëndroftë !(për flamurin)”

-“Me trashëgime e jetë të lumtur!”

-“Në të mira e gëzime ua shpërblefshim!”

-Me trashëgime e jetë të lumtur!”

-“Të dëgjofsha zonë e mirë!”( emrin e mirë)

-“Tu bëftë rruga dritë!”

-“Punë e mbarë e të vaftë mbarë!”

-“Të lumshin duart!”

- “Të mos gjeç e keqja!”

““Me bukë të ëmbël!”

-“ Miqësia  na qoftë  për hajër e për të mirë u ardhshim!”

-“Marrsh një nuse të mirë! (Djalit)”

-“Marrsh një burrë të mirë! (Vajzës)”

U trashëgofshi e u shtofshi, u bëfshi një mëhallë!(Çiftit të ri)”

-“Mirseardhët, në të mira e gëzime! (Miqëve)”

-“Për të mira u ardhshim!”

-“Me bukë të ëmbël!”

-“Gëzuar, shëndet e jetë të gjatë, lumturi paçi kurdoherë në familje!’’

-“Paç dorën e mbarë!”

-“Të rrosh me shëndet e me nder!’’

- “Të lumtë goja!”,

-“Të këndoftë zemra!”, etj.

Shumë vite më parë, në një nga ato gëzimet e dasmave me rite e zakone të bukura, me raki e dolli në Sulovë, ashtu siç dinë t’i festojnë sulovarët, kur të sapomartuarit merrnin urimet e rastit, dëgjova një urim të veçantë: “Gëzofsh të ritë”. Në çast e më vonë shpesh herë e solla ndërmend domethënien e këtij urimi. “Gëzofsh të ritë”.  Kur e dëgjon për herë të parë këtë urim të mbetet në mëndje për një kohë të gjatë, pastaj prapë e kujton. Nuk e di përse, por të hyn në mendje e nuk e harron.

Ky urim, ndoshta për shumëkënd nuk është asgjë, është i  panjohur dhe i padëgjuar, por në krahinën e Sulovës ka mbetur si një urim i mençur i shpirtit të banorëve të saj me ndjenja të bukura për jetën, dashurinë, rininë, miqësinë, punën e sa e sa ndjenja të tjera që mbart shpirti i njeriut.

Udhëton në gjithë Shqipërinë, por rrallë e dëgjon në ndonjë krahinë tjetër. Diku e dëgjon të përafërt ndoshta “Gëzo rini”, “Gëzohu rini” apo diçka tjetër si urim poetik, por nuk e shprehin aq bukur sa banorët e krahinës së Sulovës: “Gëzofsh të ritë”. Çka përbën veçori.

Ç’do të thotë ky urim në brendësi? Ç`kuptim ka thelbi i tij? Është urim i vjetër i respektit e dashurisë për rini të gëzueshme deri në pleqërinë e thellë. Më tepër se urim, është një mençuri e përcjellë brez pas brezi. Se thuheshin shumë gjëra të mençura nga njerëzit e urtë në kohëra. Nuk e dimë kush është goja e parë që e ka thënë, as periudha kohore  këtë urim në krahinën e Sulovës, por e saktë është, që ky urim është transmetuar  ndër breza. Thuhet se e ka thënë herët, një njeri i mençur, në prag të 100 vjetëve.

Mahnitesh se si ky urim ka përshkuar shekuj. U ka përballuar mugëtirave, kohëve të vështira, sistemeve shoqërore, luftrave dhe pushtuesëve me kulturat e tyre e nuk humbi.  Ai  ka tingëlluar bukur në Sulovës dhe nga goja e sulovarëve kudo qofshin aty në krahinën e tyre apo larg saj. Me një gjuhë aq të pasur ky urim aq shprehës, që besoj nëse i bie rasti ta dëgjoj aty në krahinën e Sulovës e kudo ku takon sulovarë në Shqipëri e botë, do të ndjesh mençurinë dhe domethënien e tij në muhabetet e bukura  nga të moshuarit, por edhe nga më të rinjtë në gëzimet e tyre me dollinë e veçantë sulovarçe. E përmendim këtë fakt si një krenari të banorëve të këtyre anëve, dhe një pasuri proverbiale.

“Gëzofsh të ritë” qëndron si urim lapidar në ç’do kohë, rrethanë e ç’do moshë në Sulovë e kudo ku janë sulovarët.