E premte, 29.03.2024, 05:56 AM (GMT)

Faleminderit

Gani Qarri: Dr. Esat Stavileci, apo fenomeni i një vdekje

E merkure, 19.08.2015, 09:02 PM


Dr. Esat Stavileci, apo fenomeni i një vdekje të "bardhë"!

Të vdesësh i ndershëm, është më shumë se të jetosh i ndershëm” Dr. Esat Stavileci

Nga Gani Qarri

Vdekja e profesor doktor Esat Stavileci, shfaqi edhe një herë dukshëm dhimbjen e thellë dhe pikëllimin e pafund të një shoqërie të tërë kombëtare e shtetërore për të. Për njeriun e ndershëm, të çmuar dhe me vlerë, profesorin shumëvjeçar të universitetit dhe shkencëtarin e devotshëm të së drejtës kushtetuese e shtetërore, të arrirë si ai.

Me shuarjen e tij, shkenca dhe arsimi i lartë, humbi një nga intelektualët më të shquar të kohës, shkollës e dijes si dhe njërin nga avokatët më brilant juridiko-statusor që pati vendi.

Ai në të gjitha instancat kombëtare e ndërkombëtare, mbrojti me dinjitet, me argumente të pamohueshme dhe në mënyrë bindëse e të pakontestueshme kushtetuese, të drejtën për liri të shqiptarëve, shtetin kombëtar dhe Pavarësinë e Kosovës.

 I lindur në Gjakovë, më 11 korrik të vitit 1942, erdhi në jetë si njëri nga 7 fëmijët që pati familja e tij. Qysh i ri ,duke ndjekur këshillat e të atit, ai kohën e lirë, në vend të lodrave dhe argëtimit, do ta kalonte duke punuar.

Punën e parë, do ta fillonte te një pemëshitës përballë ndërtesës ku banonte me familje, më tepër duke u vet-ofruar, për ta ndihmuar pronarin, e në varësi të kohëzgjatjes, si shpërblim ai do të merrte nga një apo dy mollë, të cilat, pas kthimit në shtëpi, do ti ndante me motrat dhe vëllezërit e tij.

Kurse në punën e dytë, ku tanimë ishte angazhuar edhe për të mësuar “zanatin” çdo fundjavë, profesori i dhe shkencëtari i ardhshëm do të shpërblehej me nga një pako shkrepëse druri, të cilat në shenjë respekti, ia sillte babait dhe familjes së vet, si ndihmesë nga puna që bënte.

I rritur në një familje intelektuale, prindërit e të cilit me gjithë vuajtjet dhe peripecitë e shumta, arritën ti shkollonin të katër vajzat dhe tre djemtë e tyre, për profesor Esatin thuhet se urtësinë në sjellje dhe maturinë në shprehje mendimesh të thella, e pati trashëguar nga babai Ismeti, kurse qetësin dhe durimin nga e ëma e devotshme që u kujdes për rritën e tij.

 Shkollimin fillor dhe të mesëm, ai i kreu në vendlindje, kurse Fakultetin Juridik në Prishtinë, ndërsa studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

I sprovuar në punë dhe angazhim , me të cilat kishte bërë përvojë që nga fëmijëria e hershme, edhe pas rritjes dhe ushtrimit të një profesioni të nderuar, si ai i shkencave juridike, gjatë një interviste, profesori pati thënë me bindje se: "Krijuesi i njëmendët, vdes në momentin kur ai pushon së punuari".

Kështu që puna dhe përpjekjet për të nuk kishin të ndalur, ndaj derisa, studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra evropiane, më 1974,ai Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës.

Si profesor i kësaj lënde, nga viti 1965 deri në vet-pensionim, ai punoi në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit, mbeti i angazhuar në studimet master dhe të doktoratës që zhvilloheshin në këtë Universitet

Pra, duke pasur parasysh maksimën e lartcekur, ai vet, nuk pushoi asnjëherë së punuari, madje as pas vitit  2010,kur u pensionua nga Universiteti, duke vazhduar me studimet e tij të vlershme personale, dhënien e mendimeve të çmuara, trajtimet profesionale dhe përgatitjen e teksteve shkencore për tema të mëdha kombëtare.

Profesor Stavileci, nuk ishte vetëm shkencëtar teorik i profesionit që studioi, por edhe shpalosës  juridik dhe pasqyrues praktik i të drejtës kushtetuese, i cili në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, mbrojti me vendosmëri të pakontestueshme këto të drejta, për kombin dhe vendin e vet.

 Argumentimet e tilla , ai i pasqyron më së miri në studimin shkencor me titull:

Shteti”:

Shqyrtime të përgjithshme teorike

Me vështrim, rastin e Kosovës”

Aty, profesori vë në pah se me gjithë avancimin e pjesshëm statusor të Kosovës, përmes kushtetutës së vitit 1974, ajo ende nuk ishte e barabartë me njësit tjera federale të asaj kohe, populli shqiptar trajtohej si pakicë, kurse gjuha shqipe si gjuhë kombësie, ani-pse, për nga numri, shqiptarët dhe gjuha e tyre, zinin vendin e tretë në ish federatën jugosllave.

Sa i takonte pozitës juridike, Kosova atëbotë, sipas profesorit, kishte pozitë të pa sqaruar-hibride, ngase  derisa në njërën anë përfaqësohej në federatë, për çudi dhe jashtë çdo logjike juridike, ajo në kushtetutën e Serbisë, ende përshkruhej si pjesë e saj, jo vetëm pa asnjë argument të pranueshëm juridikisht, por edhe dhe si ngjarje, mbetet e pa dëshmuar asnjëherë historikisht.

Madje, sipas profesorit, binte poshtë edhe arsyetimi serb, se kinse më 1945 ishte votuar në Kuvendin e Prizrenit, pasi që ai nuk ishte votim i lirë, as plebishit popullor por vetëm një tubim i kurdisur me detyrim votimi njëkahësh, ndaj Kosova mbetej e  aneksuar ilegalisht nga Serbia, e gllabëruar me forcë dhe pa vullnetin e shqiptarëve të shprehur me dëshirën e tyre vetanake.

 

Kështu që padyshim, njerëzit si profesor doktor Esat Stavileci, për këto dhe fakte tjera, mbeten përherë të gjallë në kujtimet tona si dhe jetojnë përgjithmonë me veprat madhore që kanë arritur t`ua lënë trashëgim gjeneratave të ardhshme, vendit dhe popullit të cilit i takonin e më gjerë, për gjallje të tyre.

Edhe dr. prof. Astrit Memia, në një dokumentar kushtuar këtij personaliteti, deklaron me shumë respekt, se ai i cili u bë i njohur për mijëra faqe studimesh, botimesh e publikimesh duke mbrojtur me kompetencë të padiskutueshme çështjen kombëtare, të drejtën e shtetësisë për shqiptarët dhe pavarësinë e Kosovës, në tubime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ishte prof.dr. Esat Stavileci.

Po ky personalitet i shquar, mu në momentet kur shqiptarët tanimë, vërtetë kishin ardhë në atë gjendje vuajtje e dëshpërimi, në të cilën, siç do të shprehej profesori, “Shpresa është- pasuria më e madhe e atyre që s`kan më asgjë”, - ai të drejtën e pavarësisë së Kosovës do ta  mbronte me vendosmëri, fuqishëm dhe me argumente bindëse edhe para gjykatës kushtetuese të ish federatës jugosllave, si dhe në konferenca të ndryshme shkencore e historike, kushtuar kësaj çështje, duke mbuluar ato me fakte të pamohueshme juridike që nga e drejta romake e deri te e drejta kushtetuese bashkëkohore që njeh bota e sotme.

Sidoqoftë, përkundër porosive të tij filozofike se “politikan i mirë është vetëm ai që bënë gjumë të rehatshëm” -,aftësive të dëshmuara, punës afirmative dhe përvojës së gjatë intelektuale, regjimi i degraduar vendor  me politikaj të këqij, që udhëhoqi këto vite me Kosovën, sikur e “mbyti” qëllimshëm dhe para kohe këtë intelektual të shquar shqiptar, duke e censuruar në media, mosftuar në intervista, dhe penguar në përhapjen e fakteve shkencore për shtetformim të drejtë e të njëmendët juridik, por edhe shprehjen e mendimit të argumentuar kundër prapësive sunduese dhe mizorive mafioze me të cilat ata rrjepën pa mëshirë Kosovën dhe varfëruan si mos më keq, popullin shqiptar.

Politikbërës të tillë, degraduan vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare, degjeneruan traditën popullore dhe mbytën virtytet më të spikatura kombëtare, në koeketim të ngushtë me vahabistët, duke u dhënë përparësi dhe hapësirë të pakufizuar veprimi, ekstremistëve më antikombëtar turko-arab, që njeh historia e këtij vendi.

Me lejen e politikanëve vendor, ata filluan të shkruajnë edhe rregulla (turko-arabe) të veshjes së njerëzve, paraqitjes së tyre publike dhe vënies në dyshim të kombit dhe origjinës sonë nga ta.

Dërguan dhjetëra të rinj në luftëra të huaja si në Siri e Irak, dhe deri më tani, vazhdimisht tentuan edhe mbulimin e përkatësisë sonë kombëtare shqiptare, me atë fetare turko-arabe, deri te imponimi i sjelljes dhe bërja e ligjit, në vendin tonë.

Për shembull, nuk kishte ditë që nuk i shihje në gazeta, dëgjoje në radio, apo të mos ballafaqoheshe me reklamimin dhe paraqitjet pompoze të tyre në radiotelevizion sidomos në atë të ashtuquajtur TV-publik, si RTK, kryevahabistët më ekstremist si Shefqet Krasniqi i cili ende identifikohet me letërnjoftim serb dhe para disa kohe qe zënë edhe duke futur natën, armatim kontrabandë nga Serbia në Kosovë, aktakuza kundër të cilit u shua dhe nuk u përmend më asnjëherë nga organet e korruptuara të shtetit.

Njëjtë veprohej edhe me Irfan Salihun etj., predikimet dhe ligjëratat antishqiptare të të cilit, nisnin me shprehjet se toka e Kosovës i takonte Serbisë dhe Turqia i solli shqiptarët në Kosovë, e deri te denigrimi më flagrant i familjeve dhe degjenerimi më i ulët e brutal i moralit të femrës shqiptare në përgjithësi.

 Por, trajtim meritor nuk ju ofrua asnjëherë në këto 16 vite, atdhetarëve të devotshëm si dr. Esat Stavileci, i cili në ditët më të vështira për shqiptarët, mbrojti me burrëri e dinjitet, argumente shkencore e juridike dhe vendosmëri të pashoqe atdhetare, çështjen tonë kombëtare.

E ai duke parë zemërplasur, sesi sundonte mafia politike në Kosovë dhe trojet shqiptare në përgjithësi, me shumë të drejtë, deklaronte; “Tanimë ka marrë fund drejtimi i gishtit nga Evropa për çështjen tonë”!.

Përfundimisht, ne nuk duhet as guxojmë ta fajësojmë më askënd për gjendjen në të cilën ndodhemi, por duhet ë pyesim veten; pse kemi, nga atëherë deri më sot:

-Shqipëri të cunguar!

-Kosovë me sovranitet të kufizuar!

-Shqiptarët nën FYROM, me të drejta të privuara! Shqiptarët në Kosovën Lindore kombëtarisht të diskriminuar!

-Shqiptarët nën Mal të zi, kombëtarisht të pakonsoliduar!

-Çamëria pothuajse e harruar! dhe

 -Shqiptarët në Turqi, pa asnjë të drejtë dhe pothuajse tërësisht të asimiluar!?....

Duke mos harruar t`ua përkujtojë politikanëve të tillë, se;

 “Të vdesësh i ndershëm, është më shumë se të jetosh i ndershëm”

Por sunduesit e pa denjë të trojeve tona, të pa interesuar për çuarjen përpara të çështjes kombëtare dhe të inspiruar vetëm për vjedhje e përvetësim të çdo gjëje shqiptare, nuk e kishin mendjen te ndershmëria ,në jetë as amshim, ndaj të gjithë klasën e sprovuar intelektuale kombëtare, qëllimisht e “mbytën” për së gjalli dhe kthyen në zë të shuar, për të mos u dëgjuar më mendimi i tyre nga askush.

 Si rrjedhojë e kësaj formule sundimi, në Kosovë, Shqipëri dhe kudo jetojnë shqiptarët, një intelektual sado i zgjuar dhe i zoti që të jetë, ai duhet patjetër të koeketojë me ta dhe bëhet pjesë e politikës ditore për të zënë ndokund një vend me rëndësi.

Për fat të mirë, profesor Stavileci nuk ishte i tillë, madje ai politik-bërjen vendore dhe autorët e saj, i shihte si pjesën më të pandershme të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe vendosi që tu rrinte atyre, sa më larg.

Shkaqet e gjendjes në të cilën jemi, profesori i sheh në tri dobësi të mëdha që përcjellin popullin dhe trojet tona në përgjithësi, si:

1.Politikën shqiptare të paunifikuar

2.Diplomacinë kombëtare të pandërtuar

3.Mërgatën shqiptare politikisht të shpartalluar

Ndaj, kasta aktuale udhëheqëse, duke u ndjerë e paprekshme në pozitat e saj sunduese, në vend të intelektualëve kombëtar, për gjithë këto vite, ajo favorizoi vahabizmin dhe marrëzitë e tyre antikombëtare, duke vënë në rend të parë udhërrëfyesit e kësaj ideje terroriste dhe jo të favorizonte autor dhe intelektualë të tillë kombëtar, si Esat Stavileci.

Për aq më keq, duke zënë shkas nga qëndrimi i drejtë kombëtar i profesorit, që të gjithë përfaqësuesit e kësaj kaste të dyshimtë politike- pothuajse bashkërisht, zgjodhën ta izolonin atë tëresisht si shkencëtar, ndaj dhe emri i prof.dr. E.Stavilecit, pas shumë vitesh, përmendet kaq shumë, vetëm me rastin e vdekjes së tij.

Fatkeqësisht, po kjo kastë e degjeneruar sunduese, solli vendin deri aty, sa që sot të ruhen edhe ujërat e Kosovës, nga helmimet e shpërthimet e digave të liqeneve dhe rreziqet tjera terroriste të vahabistëve.

Të gjitha këto fatkeqësi, na përcjellin edhe për faktin se sipas profesorit E.Stavileci, ne edhe si komb ende nuk kemi dëshmuar këto tri zotësi:

1. Të kuptojmë realitetin që na rrethon

2. Peshën dhe forcën e kombit tonë në raport me të tjerët

3.Kush dhe sa sinqerisht, na mbështetë dhe qëndron prapa objektivave tona

Angazhimi i prof.dr. Esat Stavilecit për mbrojtjen e të drejtës së Kosovës për shtet dhe  pavarësi,që nga ditët e para kur filluan “të thyhen arrat” për të, ishte bërë detyra kryesore juridike dhe akti më madhor kombëtar, duke e kthyer atë në mbështetësin e pa kompromis dhe ndihmuesin më të madh praktik, si dhe mbrojtësin profesional e historik të kësaj çështje historike.

Kështu që, lirisht mund të thuhet, se Kosova dhe shqiptarët ishin me fat, pasi që në momentet më vendimtare, të drejtën e saj  kushtetuese dhe juridike e mbrojtën me këmbëngulje, vendosmëri dhe profesionizëm të lartë, njerëz të devotshëm të njohur për dijen e tyre të gjerë dhe dimensionin e gjithanshëm shkencor e juridik si z.E. Stavileci.

Falë burrave atdhetar, Kosova dhe populli shqiptar në përgjithësi, mundi ti kalonte vështirësitë e shumta dhe përballej me të gjitha vërshimet shkatërruese të pushtuesve të shumtë, që kurrë nuk kursyen popullin dhe vendin tonë, duke filluar që nga Turqia, Greqia e Serbia, me të cilat Shqiptarët si komb, ende duhet të ballafaqohen, në rrugëtimin e tyre për liri, pavarësi, shtetndërtim, gjuhë dhe mbijetesë.

Ndaj dhe duhet të përkujtojmë me pietet e respekt të pafund dhe falënderojmë fort e përzemërsisht, dr. Esat Stavilecin dhe të gjithë atdhetarët e njëmendët shqiptar që për shekuj dhe dekada me radhë, dhanë gjithçka për çlirimin, shtetësinë dhe pavarësinë tonë kombëtare, njerëz të cilët u kthyen në simbole të lirisë dhe pavarësisë së këtij populli të shumëvuajtur.

Kështu që dhembja për vdekjene tij, jo vetëm se është shumë e madhe, por bëhet akoma më e rëndë, e kjo edhe për faktin se doktorët e vërtetë si dr. Esat Stavileci, me kalimin e kohës, nga procesi i natyrës po rrallohen, kurse ata me diploma të pasqaruara, të blera, porositura e marra me njohtësi, përditë e më tepër, si kërpudhat pas shiut, po shtohen.

Madje, brenga te shqiptarët për shumë arsye, duhet të rritet, sepse kombin tonë, kam shumë droje, që me kuadro të tilla, edhe në të ardhmen, vërtetë mund ta presin vuajtje të mëdha dhe ditë tejet të vështira.

Kjo edhe për faktin se, përveç rrudhjes drastike të kufijve të Kosovës në të gjitha anët e saj, duke u falë apo ndoshta edhe shitur territor të vlershëm shqiptar, FYROM-it, Serbisë e tash së fundi siç po flitet edhe Malit të zi, kasta aktuale politike ka krijuar edhe një entitet të ri e të pa qenë asnjëherë në veri të vendit, entitet i cili aty nuk ka ekzistuar kurrë në këtë formë juridike dhe shtrirje territoriale, fakt që praktikisht, sjellë kufijtë e Serbisë deri në shtëpitë e para të Drenicës.

Madje, shtoj kësaj edhe formimin e të ashtuquajturit “asociacion” i komunave serbe” dhe dhënien e kompetencave shtetërore-shtesë, siç kërkojnë ata apo edhe është pranuar nga politikanët e Kosovës,tu jepen, atëherë, aty nuk do të ketë më asnjëherë paqe as rehati, por vetëm luftë e konflikte të pafund ndërmjet shqiptarëve të pushtuar dhe serbëve okupator, pasi që me fajin e tyre, politikanët e padijshëm, të dyshimtë apo ndohta edhe të shitur, na i sollën ujqërit serb, përsëri në torishtë, për të mos gjetur më qetësi as ndalë zullumin kurrë.

Ndaj gjumë të rehatshëm,siç e përmendë profesori i ndjerë, për popullin shqiptar do të ketë vetëm atëherë kur në krye të tij, vijnë udhëheqës të shquar, politikan të njëmendët e intelektual dhe atdhetar të vërtetë, si dr. Esat Stavileci, Gazmend Zajmi, Ismet Gusia e të tjerë, të cilët jo vetëm se për gjallje të tyre, ditën të jenë përherë të ndershëm dhe të tillë të shkojnë në amshim, por edhe vdekjen e patën të bardhë, duke mbetur shembuj të përhershëm sublim që shkëlqejnë përjetshëm si margaritar në këto troje.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora