E marte, 19.03.2024, 10:31 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Çmenduria e një historiani serb!

E merkure, 19.08.2015, 07:52 PM


ÇMENDURIA E NJË HISTORIANI SERB!

Nga Adil FETAHU

Se mendësia serbe, jo vetëm e politikanëve, shtresave të caktuara të shoqërisë dhe e pjesës më të madhe të popullit është e çoroditur, tanimë për këtë janë bindur të gjithë ata që kanë lexuar më tepër  nga historia dhe fushat tjera të kulturës serbe. Por, se shkencëtarë të historisë, e aq më keq të drejtësisë, mund të retardojnë deri në atë masë, sa të humbin çdo lidhje me realitetin, për këtë u binda kur lexova  një shkrim në e-novine, e pastaj hulumtova burime tjera, dhe gjeta një të ashtuquajtur Deklarata e Beranës, e miratuar më 16 prill 2013,  nga një grup prej 200 vetash, të vetëquajtur përfaqësues të 12 shteteve serbe, të mbledhur në Beranë (Mali Zi). Mbledhjen e ka kryesua dhe Deklaratën, me “vendime të rëndësishme” e ka nënshkruar historiani e akademiku sharlatan serb Jovan I.Deretiq, i njohur si një historian e jurist i shkolluar në Francë dhe Amerikë, por që i indoktrinuar nga mendësia e gënjeshtrës serbe,   ka lansuar teza të rejshme  për lashtësinë e popullit, gjuhës, kulturës, civilizimit serb, si  të parit dhe më të rëndësishmit në Evropë. Deretiqin e kundërshtojnë edhe disa kolegë të vet serbë, për tezat  e hipotezat e tij të paqëndrueshme e pa kurrëfar baze e argumente shkencore, por ai nuk ndalet nga marrinat e tij. Ai me këmbëngulje, por pa asnjë argument të qëndrueshëm shkencor, pohon  se të gjithë sllavët (madje edhe rusët) janë me prejardhje serbe, dhe se këta ishin populli autokton më i vjetër në Ballkan dhe më i civilizuar në Evropë, se Ilirët, Thrakasit etj, janë vetëm emra tjerë të popullit serb; se Aleksandri i Madh ishte udhëheqës ushtarak serb; se gjuhët indoevropiane rrjedhin nga gjuha serbe, madje se edhe vet Krishti ka folur në gjuhën serbe të quajtur Arameja; se alfabeti serb (“Serbica”) është alfabeti më i vjetër në Evropë, nga i cili  kanë dalë alfabetet e tjera,- dhe broçkulla të tilla pa kurrëfar baze.  Jovan I.Deretiqi është një nga kritikuesit e rreptë të Historisë për klasën VI të shkollës fillore (në Serbi), për shkak se autori i asaj historie ka pohuar se Ilirët ishin popull autokton në Ballkan, dhe kur kanë ardhur sllavët në shekullin VII, si popull barbar, ua kanë marrë shtëpitë e tokat, ndërsa Ilirët janë tërhequr në viset malore për të shpëtuar vet dhe bagëtinë.

Po, ja çfarë  “margaritarë” përmbanë Deklarata e Beranës, në formë vendimesh të miratuara, e ideuar dhe nënshkruar nga akademiku e doktori i historisë dhe drejtësisë, Jovan I.Deretiq:

DEKLARATA E BERANËS

“Ne përfaqësuesit e 12 vendeve (lexo: shteteve) serbe: Rashkës, Zetës, Hercegovinës, Dallmacisë, Vojvodinës Serbe, Moravskes, Serbisë së Vjetër-Maqedonisë, Krajinës Sërbe, Bosnjës, Shumadisë, Buzëdetit dhe Sllavonisë,- u takuam në Vasojeviqe, zemrën e tokës serbe të Rashkës, dhe vendosëm e shpallëm këtë

DEKLARATË MBI PËRVETËSIMIN E SËRISHËM TË SERBISË

Ky vendim përfshinë:

*Anulimin e vendimeve të Kongresit Katolik Gjithkroat të vitit 1900, kur të gjithë serbët rimokatolikë u shpallën si Kroatë;

* Anulimin e të gjitha vendimeve të AVNOJ-it;

* Anulimin e Deklaratës së Korfuzit;

* Anulimin e vendimit mbi shpalljen e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe vendimit mbi shpalljen e të gjitha Jugosllavive: Mbretërisë, Jugosllavisë Demoraktike Federative, Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të cilat nuk llogaritnin të caktojnë dhe ruajnë kufijtë serbë veçse u shërbenin interesave të hueja në copëtimin dhe shkatërrimin e territoreve dhe të popullit serb. Këto vendime nuk përfshijnë vendime mbi bashkëngjitjen e Vojvodinës Serbe (Sremi, Banati, Baçka e Baranja) Serbisë, të datës 24 e 25.11.1918, Malit Zi dt.26.11.1918, Bosnje-Hercegovina dt.28.11.1918, vendimin e SAO Krajina (më vonë Republika Serbe e Krajinës) dt.1.4.1999, që të hyjnë në përbërje të Serbisë, si dhe vendimin e datës 27.4.1992, që Serbia dhe Mali Zi të përbëjnë shtetin e përbashkët;

* Anulimin e të gjitha kushtetutave jugosllave, e posaçërisht kushtetutës konfederale të datës 24.2.1974, me të cilën, në hapësirën etnike serbe u shpallën shtatë shtete të pavarura jolegale;

* Anulimin e të gjitha vendimeve mbi shpalljen e kombeve të rrejshme, shteteve të rrejshme dhe gjuhëve të rrejshme në dëm të popullit serb, të pasurisë së tij dhe të hapësirës etnike serbe;

* Anulimin e vendimit të Britanisë së Madhe dhe Austrohungarisë, që ushtria serbe dhe malazeze ta lëshojë Shkodrën dhe Krahinën serbe Buzëdetare (Shqipëria e sotme), më 1913, e që ky rajon i cili gjithmonë i ka takuar shtetit të Serbisë, të hyjë në përbërjen e shtetit të Shqipërisë, i cili kurrë nuk ka ekzistuar;

* Anulimin e të gjitha akteve tjera të mëvonshme të miratuara nga armiqtë e Serbisë, që e kanë detyruar të heqë dorë nga territoret e veta dhe të braktisin vatrat e veta;

* Anulimin e vendimeve që në hapësirën etnike serbe të shpallen shtete të krijuara si rezultat i gjenocidit mbi popullsinë autoktone serbe. Veçmas gjykojmë gjenocidin e shtetit Kroat nga Lufta e Dytë Botërore, sukcesorin Republika e Kroacisë dhe Shqipërinë e Madhe gjenocidale, që është rezultat e përpjekjeve të përbashkëta të Turqisë Otomane, Austrohungarisë, fuqive fashiste të Luftës së Dytë Botërore dhe Jugosllavisë Socialiste. Formimin e Kroacisë së Madhe dhe  Shqipërisë së Madhe, si krijesa gjenocidale në hapësirën etnike serbe përfundimisht e kryen ShBA-të dhe aleatët e saj në fund të shekullit XX;

* Anulimin e mësimit të të ashquajturës shkolla historike vieneze-berlinase, e cila ia ka imponuar historinë e vet të rrejshme dhe e ka detyruar që me gënjeshtra të tilla t’i edukojë gjeneratat e veta;

* Anulimin e të ashtuquajturës Lidhja e Prizrenit, e miratuar në qytetin mbretëror serb të Prizrenit, nga ana e ndërhyrësve shqiptarë;

* Nxjerrja jashtë ligji e të gjitha ideologjive (komunizmit, demokracisë, jugosllavizmit, globalizmit), të cilat kishin për qëllim të shkatërrojnë shtetet serbe dhe popullin serb;

* Nxjerrja jashtë ligjit e ekzistimit të shtetit Kroat dhe shtetit Shqiptar në çfarëdo forme në tokën e grabitur serbe;

* Të rishqyrtohen hollësisht dimensionet e gjenocidit të kryer kundër pjesëtarëve të popullit serb, qoftë nga  renegatët e vet, poashtu edhe nga ana e popujve armiq gjatë shekujve. Kjo veçmas ka të bëjë me gjenocidin pesëshekullor mbi popullin serb nga armiqtë tradicional të Serbisë: Turqit, Austrohungarezët dhe Shqiptarët, si dhe shkatërrimit dhe plaçkitjes së të mirave serbe;

* Të gjitha vendet, ushtritë e të cilave në vitin 1995 dhe 1999, pa shpallur luftë,  kanë marrë pjesë në bombardimin e tokave serbe: Republika Serbe e Krajinës, Republika Sërpska dhe Republika Federative Jugosllave, dhe grabitjen e territoreve serbe, rezultat i të cilave  janë miliona  serbë të pastrehë e me sëmurje të pashërueshme – të cilat po bëjnë kërdi nëpër tokat serbe, i shpallim gjenocidale kundrejt popullit serb;

*Pjesëtarët e popullit gjerman në territorin e Gjermanisë së sotme i kanë zhdukur dy shtete të pavarura serbe: Serbinë (Veriore) të Lluzhicës dhe Serbinë e Bardhë, dhe pothuajse në përgjithësi e kanë zhdukur popullsinë serbe atje,  ua kanë marrë tokën, ndërsa toponimet serbe i kanë zëvendësuar me ato gjermane. Të evidentohet detajisht e gjithë ajo që dikur i ka takuar popullit serb, ndërsa krimet e popullit gjerman ndaj popullit serb – të shpallen gjenocid;

* Çdo  pëllëmbë e tokës serbe që është larë me gjakun e popullsisë së saj, është pronë e popullit serb dhe e shtetit serb;

* Të përpunohen detajisht të gjitha toponimet dhe vendqëndrimet ku dikur ka banuar populli serb, dhe sipas kësaj të caktohen definitivisht kufijtë  serbë.

Në emër të 200 delegatëve nga 12 vende-shtete serbe,

Jovan I. Deretiq, d.v.

Beranë, 16 prill, e vitit serb 7521,  tashme 2013.”

* * *

Për ta komentuar përmbajtjen e kësaj Deklarate, do duhej shkruar libra e libra mijëra faqesh, po le ta marrim si objekt për t’u qeshur me marrina të tilla. Mirëpo,  Deretiqi me teza e hipoteza të tilla paraqitet edhe në konferenca e simpoziume shkencore, vendore e ndërkombëtare,  të organizuara nga Akademia e Shekncave dhe Arteve të Serbisë, dhe i ka publikuar në botimet e asaj Akademie, siç është rasti me punimin: “Arbanasi od Kavkaza do Srbije”, botuar në publikimin e asaj Akedemie me titull: “Albanci – lazni Iliri” (2007)!

Se sa e si i kundërvihen historianët tanë gënjeshtrave të Deretiqit, e dinë ata vet, por ne nuk e dimë, sepse nuk kemi lexuar diçka të tille!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora