E premte, 29.03.2024, 08:06 AM (GMT)

Mendime

Darling Vlora: Nuk u thirrëm asnjëherë që të përfaqësonim gjyshin...

E merkure, 30.07.2008, 05:04 PM


Darling Vlora: Nuk u thirrëm asnjëherë që të përfaqësonim gjyshin, Heroin e Pavarësisë, të paktën në ceremonitë e 28 nëntorit

Komunizmi dhe demokracia harron Ismailin dhe nipërit e tij

(Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit)

Dionis Qirixidhi

Fjalë zemre për Darling Vlorën

Kam muaj që komunikojë me postën elektronike me Darling Vlorën, për ta saktësuar çdo gjë që shkruaj për Plakun e Vlorës, Ismail Qemali. Duke këmbyer informacione të shumta, shpesh ai më korrigjon miqësisht duke mu përftuar një ndjenjë mirësie e mendimi se ai për mua ai është një nga nxitësit e këshilltari më fisnik për përpjekjet që bëjë. 
Midis mesazheve ai më dërgon dhe portretin e gjyshit të tij Qamil Vlora, të skicuar nga Qenan Mesareja, që ma pasuroi biografinë artistike të piktorit. Në këtë letër Darling Vlora më saktëson dhe biografinë e gjyshit, Qemal Vlora, “fëmija e fundit e Ismail Qemalit, duke më dërguar skicë- portretin e tij të bërë nga piktori Qenan Mesareja. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me preteksin "armë mbajtje pa leje" pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë turbekuloz dhe vdiq në moshën 55 vjeçare”.

Letërkëmbimi

Në letërkëmbimin e fundit me Darlingun, ai më kërkon mendimin e piktorit Nestor Jonuzit për portretin më të ri në vaj  të  Denis Kapos ((lindur në Tiranë, më 1986, jeton në Itali e është student në Universitetin Katolik «Sacro Cuore», dega ekonomi, në Milano).   
Ajo që më emocionon në shkrimet e shumta të Draling Vlorës është kultura e të shkruarit. 
Darling Vlora ka lindur në Tiranë, më 1967, ku  kaloi pjesën më të madhe të jetës. Lindi në një familje «të varfër» edhe pse prindërit e tij vinin nga dy familje nga më të lashtat dhe më të pasurat shqiptare. I ati i tij quhej Ismail Qemal Vlora. Ai kishte trashëguar emrin e gjyshit të tij, ngaqë ishte i pari djalë që lindte në familje, pas vdekjes së Ismail Qemalit (Ismail Qemali vdiq më 24 janar 1919, ati i Dralingut lindi më 26 korrik 1920). Prindërit e Dralingut u martuan më 1945, dhe rezultat i kësaj martese ishin 5 fëmijë. Fëmija e parë, në kujtim të gjyshes (gruas së Ismail Qemalit) u quajt Kleoniqi (1959), më pas Ariana (1961), Qamil (1964), Elvinda (1965) dhe Darling (1967). Gjatë periudhës komuniste familja e tij ka jetuar në kushte shumë të vështira ekonomike. Në familjen, prej shtatë vetash, vetëm i ati punonte dhe rroga e vogël e tij nuk dilte për të përballuar kërkesat e familjes.  I ati i Dralingut kishte studiuar në Francë dhe Austri, kishte një kulturë të gjerë perëndimore dhe zotëronte mjaft mirë frëngjishten, serbo-kroatishten dhe italishten, e megjithatë u luftua gjithë jetën, duke punuar nëpër punërat më të rënda. Të pestë fëmijëve ua mbyllën dyert e shkollave.

Harresa

Nipërit e Themeluesit të Shtetit Shqiptarë (djemtë e djalit), nuk u thirrën asnjëherë që të përfaqësonin gjyshin e tyre, Heroin e Pavarësisë, të paktën në ceremonitë e 28 nëntorit, në Vlorë!

Darlingu

Darlingu mbaroi studimet e mesme në gjimnazin «Petro Nini Luarasi» (Tiranë). Nga viti 1992-98 punoi në Drejtorinë e ish-të Përndjekurve Politikë, pranë Ministrisë së Punës dhe Emigracionit dhe, paralelisht, frekuentoi Fakultetin e Drejtësisë. Më 1998 emigron në Itali, dhe, që nga ajo kohë, jeton atje. Ka një djalë me emrin Iv (Ismail Vlora), lindur më 1997.
Darling Vlora prej vitesh, është duke përgatitur një punim mbi familjen «Vlora». 
Piktura/ Nestor Jonuzi: Ky portret e tejkalon fotografinë, edhe pse duket sikur e kopjon atë dhe këtu është vlera e veçantë e sajë

Një ese e shkurtër mbi një portret të Ismail Qemalit 
 
Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi është i biri i Tahsin Jonuzit i cili studioi për arkeologji, histori e filozofi në Vjenë, ku mbrojti doktoraturën. Profesor i historisë në Shkollën Tregtare, në Vlorë, Drejtor i Apolonisë, martohet me Laken, të bijën e Ibrahim Avdullait, e cila lind dy djem, që i pagëzon me emra nga mitologjia, Memtor dhe Nestor, por që nuk i gëzon. Në vitin 1944 nazistat, bashkë me 200  të tjerë, i degdisë në Mat’hauzen, ku humbet përgjithnjë. Nestor Jonuzi lindi më 15.10.1944, nga viti 1962-67 studioi për pikturë në Liceun Artistik dhe në Shkollën e Lartë të Arteve në Tiranë, me pedagogë piktorët e shquar Abdurahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhemdin Zajmi, Vilson Kilicën. Ka një veprimtari krijuese shumëplanëshme, me ekspozita të shumta në vend e jashtë shtetit, me vepra në fondin e Galerisë Kombëtare, Vlorë, muze e tek shtëpitë e miqve dhe dashamirësve të pikturës.
Në disa portrete, kompozime ka në epiqendër Themeluesin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalin.
  I gjyshi i Nestorit është Ibrahim Avdullai, nga miqtë, që i qëndroi besnik Ismail Qemalit.
Në librin e Renzo Falaschi-t: «Ismail Kemal bey Vlora / Il pensiero e l'opera attraverso i documenti italiani» (Roma 1985), midis dokumenteve të shumta që ai paraqet (shumica të panjohura deri në atë kohë) ndodhen edhe dy telegrame. Telegrami i parë mban datën 25 gusht 1914 dhe i dërgohet Ismail Qemalit (në atë kohë në Romë) nga Ibrahim Abdullahu, Kryetari i Bashkisë së Vlorës. Në telegram kërkohet me urgjencë mendimi i Ismail Qemalit se si të veprohej në lidhje me kushtet që kryengritësit (kundër Princ Widi-t) i kishin parashtruar Vlorës: 1. Rrëzimi i Princ Widi-të 2 .Flamuri turk (në vend të atij shqiptarë): 3.Pushtimin e Vlorës. Telegrami i dytë, 29 gusht 1914, i drejtohet Ibrahim Abdullahut dhe mban firmën e Ismail Qemalit ku, midis të tjerave Ismail Qemali theksonte që «të mbahej Flamuri me ngjyrat kombëtare, pa të cilën Shqipëria kishte për të humbur simbolin e vetëm të pavarësisë dhe kishte për
t'u bërë menjëherë pre e fqinjëve».
Nuk mund të paragjykoj fotografinë e bukur, mbi të cilën është mbështetur dhe frymëzuar piktori i ri  dhe i talentuar, Denis Kapo.
Unë s’e kam parë atë (fotografinë). Edhe sikur ta shihja, pa dyshim, që do të më pëlqente shumë, por gjithnjë brenda kuadrit të fotografisë “artistike”.
E them këtë, në parantezë,  dhe e konsideroj shumë në konceptin tim, për disa arsye:
E para: Sado vlera që të ketë fotografia, sado e sofistikuar teknikisht të jetë ajo, në fund të fundit, është produkt i një mekanizmi thjesht teknik.
E dyta : Edhe pse ajo (fotografia) i ruan përmasat deri në saktësi matematike të modelit, që do të fotografohet, përjashtohet faktori esencial, që është shpirti, brenda të cilit ngjizen projeksionet e asaj që duam të pikturojmë dhe që konvertohet në figurën artistike, nga dora e artistit, direkt në telajo.
E treta : Në fotografi përjashtohet në mënyrë të padiskutueshme dialogu i padukshëm, që lind befas, midis artistit dhe modelit (qoftë ky model edhe fotografia), i cili përcillet nëpërmjet një kodi, që as vetë artisti nuk dimensionon apo e shpjegon dot.
Ka edhe shumë arsye të tjera, të cilat nuk ka nevojë që t’i përmend, sepse i gjykoj, që nuk përbëjnë argumenta esencialë.
Cili është misteri i këtij portreti artistik, mister pa të cilin, nuk ka vepër arti???.
Ky portret e tejkalon fotografinë, edhe pse duket sikur e kopjon atë dhe, këtu është vlera e veçantë e tij.
Vini re, mbështetjen e figurës mbi bërrylin e djathtë të saj. Vetëm zhvendosja e pikës së gravitetit në bërryl mbi kolltukun e praruar, krijon një dinamikë të brendshme, të të gjithë figurës, duke i dhënë asaj një sens diagonal dhe duke shmangur, në këtë mënyrë vertikalen, që për nga ngarkesa emocionale, sugjeron qetësi.
Për pasojë, i gjithë kuadri është konceptuar mbi këtë linjë diagonale, që në natyrën e saj, indukton energji, (mos të harrojmë, se  Ismail Qemali, si figurë shumëplanesh, poliedrike, politikan, filozof, publicist etj,etj.etj……..) dhe është produkt i kësaj energjie të jashtëzakonshme, pa të cilën nuk realizohen vepra të përmasave gjigande.
Portreti edhe pse me ngjyra të errëta (kuq e zi), krijon iluzionin e tonaliteteve të qarta e të ndritshme, ku mbi të gjitha shquhet balli i tij gjërë, i cili krijon imazhin e një hapësire qiellore, në të cilën lëvizin, si dy planetë blu, sytë e tij.
Më duhet të them se,  një ballë i gjërë dhe i ndritshëm, i jep hir, liri dhe ajër syve.
Zbresim më poshtë, te mjekra, ku përmes strukturës së formës dhe asaj ngjyrore të krijon ndjesinë e një misteri , ku si në çdo mister vetëm konkretësia mungon (prania e mungesës rrit dimensionet shpirtërore të figurës).
Vine re buzët, që brenda atij qarku misteroz, duken si një qendër “boshllëku”( i vëreni me kujdes, ato janë gjysmë të hapura) mbi të cilën periferia nuk depërton dot, sepse e ka të pamundur, ngaqë ky “boshllëk”, që përbën qendrën, rri i zgjuar dhe si i tillë, është në çdo moment i gatshëm të aktivizohet. Ndërsa njolla e errët e kapeles mbi ballë bashkë me mjekrën, e amplifikojnë ndriçimin e portretit, sytë e të cilit kanë liri të plotë, duke  përcjellë me intesitet, përmasën fisnike dhe fuqinë shpirtërore të këtij burri, edhe pse me moshë shumë të re.
Shpreh bindjen, që ky portret i realizuar me dashuri, edhe pse mund të ketë shmangie, nga përmasat e fotografisë ku mbështetet, është më pranë Ismail Qemalit të vërtetë, sesa fotografia e tij. Arsyeja??. Sepse arti rrok përmasën e panjohur të portretit, atë që quhet esenca e tij, e vërteta e tij. Brenda këtij portreti gjendet ajo gjë, të cilën vetëm arti e ndriçon, përmes fuqisë magjike, që është natyra e tij e vërtetë.
Më duket e tepërt, që të flas qoftë edhe në linja të përgjithshme, mbi konceptimin e ngjyrave, kuq e zi brenda kuadratit të tabllosë, pasi më duket, si argument tashmë i konsumuar, gjë që nuk do të më dukej tërheqëse, për Z. Darlig.
P.s. Këto janë disa piketa, të hedhura me një frymë, nën shtysën e ngacmimeve, që mi dha ky portret i realizuar me art dhe profesionalizëm, nga autori i ri.
Nuk e di, se si do të më dukej në origjinal…, por gjithsesi, shpresoj pikërisht në atë që duhet të transmetojë  një portret artistik, me tërë komponentët e tij dhe që është tranmetuar me mendim, bukuri, dritë dhe poezi.
Piktorit, i uroj suksese dhe e përgëzoj për ndërmarrjen serioze dhe të vështirë, që ka marrë, në realizimin e portretit të këtij njeriu GJIGAND, që duke realizuar veten, realizoi Shqipërinë
Me respekte të veçanta,
Nestor JONUSSI
      
Tiranë, më 01 Korrik 2008
 
Darling Vlora- mesazh
Sot në mëngjes, Denis Kapo, më dërgoj një mail falenderimi për z.Nestor. Ai ishte shumë i emocionuar kur lexoj artikullin që botove në Athinë për të,. E  kishin lajmëruar nga Tirana pasi, ai vetë, nuk dinte asgjë. Mail-in e Denisit po ta bashkangjis këtu në fund. Nëse ke mundësi dërgoja z.Nestor, së bashku me falënderimet dhe urimet e mia më të përzemërta.

 Denis Kapo për Nestor Jonuzin
I nderuar z. Nestor Jonuzi!
 
Mbas 16 vjetësh që jetoj në Itali (që nga mosha gjashtë vjeçare), është vështirë të mundem të shpreh me fjalë nderin dhe gëzimin që Ju më dhatë.
 
Ju falënderoj shumë për publikimin e artikullit mbi pikturën e Ismail Beut, që e lexova me dridhje dhe kënaqësi.
 
Mbi të gjitha e ndjej të domosdoshme t'Ju falënderoj për faktin që kuptuat në thellësi ndjenjat që unë kam pasur gjatë dhe pas punimit të kësaj pikture, bashkë me të cilën kam folur me zë shpesh herë.
 
Kam menduar gjithmonë se isha në dijeni të asaj që ishte brenda shpirti dhe zemrës time, si Denis dhe si piktor, dhe faktikisht është kështu; por kur dikush arrin thjesht me fjalë të ngrejë çarçafin që mbulon zemrën dhe të të tregoj atë që ti ndjen brenda, por nuk e shpreh dot, befasia shpirtërore është e pashmangshme.
Kjo është çfarë kam ndjerë në leximin e komentit Tuaj për punim timin më të bukur deri sot.
 
Së fundi shpreh nderin që ndjej për faktin që një piktor i popullit, dhe i njohur si Ju, dedikoj një mendim (për mua jashtë mase i vlefshëm) për punimin tim.
 
Faleminderit!
 
                                                             Denis Kapo-Itali



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora