E premte, 26.04.2024, 12:55 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Milionat “sekrete” të Erdoganit në Kosovë

E marte, 18.08.2015, 07:43 PM


Nga Besiana Xharra

Me “izën” e ish-kryeministrit turk, tani presidentit Rexhep Erdogan, Kosova është vërshuar nga investime milionëshe, jo në ekonomi, as në projektet zhvillimore investive, por në ndërtimin e restaurimin e objekteve fetare.

Paratë vijnë në mënyrë joligjore, nuk hyjnë përmes transaksioneve bankare. Në shumicën e investimeve nuk ka transparencë duke rritur dyshimet edhe për shpëlarje të mëdha të parave të Erdoganit në Kosovë.

Dhjetëra xhami të reja, nëpër Kosovë, si dhe restaurimi i gati të gjitha xhamive e objekteve tjera fetare të ndërtuara në kohën e pushtimit të Perandorisë Osmane, të gjitha sot po rikthehen nga donatori kryesor, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ajo është themeluar nga qeveria turke, e cila në Kosovë udhëhiqet nga Ambasada turke.

Nga një hulumtim dymujor i gazetës “Zëri”, është mësuar për aktivitete jotransparente të kësaj organizate në komunat kryesore të Kosovës.

Në të shumtën e rasteve, TIKA mban fshehtë financat, zyrtarisht nuk ka shifra se sa para investon. Dyshohet se paratë i sjell në mënyrë ilegale dhe jo përmes bankave.

Nga lista që ka siguruar “Zëri”, në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), investime nga TIKA, si donacione, figurojnë më pak se 3 milionë euro, për periudhën prej vitit 2009 deri më 2014. Ndërkaq, vetëm në xhaminë kryesore në Prizren, “Sinan Pasha”, bëhet e ditur se Turqia ka investuar rreth 1.2 milion euro.

Kurse, nga viti 2011 deri më sot, TIKA së bashku me disa investitorë tjerë turq ka rinovuar e restauruar rreth 30 xhami e objekte tjera fetare, të mbetura nga koha e Perandorisë Osmane.

Ndërkaq po nga viti 2011, Turqia ka investuar në ndërtimin e rreth 20 xhamive të reja në vend.

Personi kryesor që i drejton të gjitha këto investime në Kosovë, është Abdullah Vasfi Yuce, atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë, pranë të cilit në çdo përurim apo vendosje të gurthemelit, është edhe ambasadorja turke në Prishtinë, Songyl Ozan.

Përveç që gjithandej nëpër Kosovë vëren mbishkrimet e TIKA-s, nëpër xhami të Kosovës, nuk ka të dhëna të sakta nga shteti, apo Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) se sa prej tyre po ndërtohen dhe restaurohen nga shteti i Turqisë. Gazeta “Zëri” ka vizituar aktivitetet e saj nëpër qytetet kryesore të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë e vende tjera, për të parë nga afër investimet e saj.

Organizata TIKA dy muaj është pritur nga “Zëri” dhe nuk ka kthyer përgjigje. Nuk prezanton të dhëna as në ueb-faqen e saj për detajet e investimeve.

Ndërkohë që edhe më keq qëndron situata sa i përket të dhënave para vitit 2011. Edhe në ueb-faqen e BIK-ut, lajmet për investime të tilla fillojnë vetëm nga viti 2012, dhe asgjë nuk ka për periudhën e mëparshme.

Turqia ndërton për t’i kontrolluar

Por Turqia nuk ndalet vetëm me investime. Ajo pas ndërtimit apo restaurimit të objekteve fetare islame, vazhdon të menaxhojë disa prej tyre, duke sjellë njerëz të saj brenda tyre.

Për herë të parë, pas më shumë se një shekulli, Turqia ka arritur që në xhaminë kryesore në Prizren, “Sinan Pasha”, që gjendet te “Shatërvani”, të vendosë imamin nga Turqia, Idriz Kesnin.

Tash e sa vite, shqiptarët e besimit islam në Prizren, që falen në këtë xhami, detyrohen që të luten turqisht, dhe të dëgjojnë ligjërata në gjuhën turke, pasi që imami i tyre nuk e flet asnjë fjalë shqip.

“Jo të gjithë shqiptarët në Prizren flasin turqisht. Kjo është e patolerueshme, por askujt nuk i intereson se çfarë mendon populli”, shprehet Nexhmije Shala, të cilën “Zëri” e takoi para xhamisë të premten, në kohën e faljes, ndërsa zëri i imamit turk dëgjohej gjithandej nëpër shesh.

Imamët shqiptarë zëvendësohen me turq

Imamë shqiptarë janë zëvendësuar me imamë turq dhe kjo është bërë me pëlqimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), dhe me pëlqimin po ashtu të Qeverisë së Kosovës, thotë i dëshpëruar historiani nga Prizreni, Enver Batiu.

“TIKA ka investuar në xhaminë ‘Sinan Pasha’, sipas tekeve të veta. Askush nuk e di sa para kanë hyrë. Investimet kanë filluar para 5 vjetëve, ende vazhdojnë. Dhe më e keqja është se tani kemi një imam turk që nuk e flet asnjë fjalë shqip”, shprehet Batiu.

“Ne vërtet e kemi pranuar islamin në kohën e Perandorisë Osmane, por nuk e kemi ndërruar bërthamën kombëtare, kemi mbetur shqiptarë, ne flasim shqip, lutemi shqip dhe nuk u takojmë turqve”, thotë më tej Batiu.

Batiu, historian dhe njëherësh kryetar i Shoqatës Gjithëkombëtare për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Historike, thotë se “është e qartë se qëllimi i gjithë kësaj është që të kthehet ndikimi turk në Kosovë e Ballkan”.

“Para këtij presioni turk, janë dorëzuar edhe BIK-u dhe Qeveria e kjo është tragjedi”, shprehet më tej Batiu, ndërsa shton se Turqia, në këtë rast TIKA, gjithçka e bën në mënyrë jotransparente.

TIKA sjell punëtorë nga Turqia

TIKA, si donatore është e liruar nga tatimet në Kosovë, megjithatë ajo nuk punëson shqiptarë, punëtorët i sjell nga Turqia, mëson gazeta “Zëri”. Mbi të gjitha, dyshohet se paratë për këto investime i sjell ilegalisht në Kosovë, në para kesh.

Prej të dhënave të siguruara nga “Zëri” në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), investime nga TIKA, si donator, figurojnë më pak se tre milionë euro, për periudhën prej vitit 2009 deri në 2014. Saktësisht, me shifra në BQK, të hyra nga TIKA figurojnë vetëm 2,766,920 milionë euro, për një periudhë prej 6 vjetësh.

Ndërsa, sipas informatave të “Zërit”, vetëm në xhaminë kryesore në Prizren, “Sinan Pasha”, Turqia ka investuar rreth 1.2 milion euro, me ç’rast restaurimet aty kanë filluar qe pesë vjet dhe ende po vazhdojnë. Ndërsa vitin e fundit, në oborrin e kësaj xhamie, janë hapur edhe biznese që menaxhohen nga turqit (gjë që nuk është parë më parë).

I kontaktuar me javë të tëra, Lutfi Ballëku, kryetar i Bashkësisë Islame në Prizren, nuk ka pranuar të flasë për gazetën.

Pas Prizrenit, Gjakova prin me investime

Në Prizren, pos restaurimit dhe tani menaxhimit të Xhamisë së “Sinan Pashës”, TIKA në korrik 2015, ka përuruar edhe rindërtimin e xhamisë “Emin Pasha”.

Turqia në këtë vend ka investuar edhe në restaurimin e Hamamit të Prizrenit, procedurat e të cilit janë udhëhequr nga arkitektë turq.

Ka kërkuar edhe restaurimin e objektit të njohur me emrin “Namazxhahu”, të cilën Perandoria Osmane e përdorte si shkollë të saj, e shumë investime të tjera.

Gjakova është qyteti tjetër, të cilit ia ka mësyrë Turqit. Kësaj radhe, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfëve në Turqi.

Në këtë qytet, Turqia ka filluar me ndërtimin e medresesë së vogël dhe librarinë në xhaminë e Hadumit, bën të ditur Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares së Gjakovës.

“Nuk kam të dhëna për para vitit 2009, por mund t'ju them se pos medresesë së vogël dhe librarinë në xhaminë e Hadumit, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfëve të Turqisë do të restaurojë edhe tri xhamia tjera në Gjakovë", thotë Tafarshiku, ndërsa shton se janë paralajmëruar edhe restaurime të të gjitha xhamive tjera, pra rreth 12 xhami nëpër fshatra të Gjakovës.

Kur në Gjakovë në shtator 2014, filluan punimet e këtyre dy ndërtimeve, ishte këshilltari i myftiut të Kosovës, Vedat Sahiti, i cili u shpreh se “kjo është vetëm faza e parë e investimeve në Komunën e Gjakovës”, ndërsa paralajmëroi rindërtimin e Xhamisë së “Mulla Jusufit”, atë të “Mahmut Pashës”, Xhaminë e “Kusarëve”, të “Sefës” dhe “Haxhi Ymerit”.

Në Pejë, shkolla e parë për mësime kuranore

Qyteti i Pejës për herë të parë do të bëhet me një shkollë, ku do të ofrohen mësime të këndimeve e ajeteve kuranore dhe tekbireve, ndërtesë që ka filluar në nëntor të vitit 2014, gurthemeli i së cilës është vendosur në prezencën e ambasadores turke në Prishtinë, Songyl Ozan, kreut të Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, dhe të Abdullah Vasfi Yuce, atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë.

Në këtë rast, investitori është komuna e qytetit të Yalloves në Turqi, e cila është binjakëzuar me KBI-në e Pejës.

Musli Arifaj, kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, konfirmon për “Zërin” nisjen e këtij ndërtimi, por nuk tregon detaje.

“Ndërtesën për mësimin e Kuranit, e ka financuar qyteti i Jallovës në Turqi. Ndërtimi ka filluar vitin e kaluar. Pasi që të përfundojë, do të shohim se si do të mësohet, kush do të mësojë dhe a do të jetë me pagesë apo pa pagesë”, thotë për “Zërin”, Arifaj.

Ndërkohë që, në prill të këtij viti, myftiu Naim Tërnava ka nënshkruar protokoll bashkëpunimi edhe me Drejtorinë e Vakëfeve të Turqisë, të cilët kanë marrë përsipër restaurimin e një numri të konsiderueshëm të objekteve fetare në Kosovë, si: Medresenë e Vogël në Gjakovë, Kutubhanen e “Hadum Agës”, pastaj edhe disa xhami të Gjakovës, Sahatkullën në Mamushë, si dhe xhamitë “Alaudin”, “Pirinazi” dhe “Xhaminë e Viçit” në Prishtinë, xhaminë “Bajrakli” në Pejë dhe xhaminë “Gazi Ali Beu” në Vushtrri.

Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Vakëfeve, Adnan Ertem, ka premtuar se në të ardhmen do të vazhdohet edhe me projekte të tjera.

Marrëveshjet e Turqisë me Qeverinë e Kosovës

Gjashtë marrëveshje ka lidhur edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), me Turqinë, saktësisht TIKA-n.

Vjollca Aliu, zyrtare për trashëgimi kulturore në MKRS, bën të ditur se TIKA ka marrë përsipër konservimin-restaurimin e Xhamisë së “Emin Pashës” në Prizren, konservimin-restaurimin e Xhamisë së “Jashar Pashës” në Prishtinë, rregullimin e oborrit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe projekti për rregullimin e oborrit me ndërtesë përcjellëse në Xhaminë e “Sinan Pashës” në Prizren, të përfunduar në vitin 2013, konservimin dhe restaurimin e “Tyrbes së Bajraktarit” në Mazgit dhe rregullimi i oborrit, punime të përfunduara në vitin 2013, dhe konservimin e restaurimin e “Gazi Mehmet Pashës” në Prizren.

Në memorandumet e nënshkruara mes tyre, nuk figurojnë financat, për çka Aliu thotë se MKRS-ja nuk merret me financa, dhe se “projektet hartohen nga TIKA, shqyrtohen në procedurë në përputhje me Ligjin për Trashëgimi Kulturore në MKRS e më pas të gjitha procedurat tjera dhe ato të prokurimit kryhen nga TIKA në Turqi. Kurse MKRS nuk është bashkëfinancuese e këtyre projekteve”.

BIK: Kemi nevojë për më shumë xhami

Zyrtarë të BIK-ut, si partneri kryesor i investimeve turke në Kosovë, në kulte fetare, përshëndesin punën e kësaj organizate qeveritare turke që po bën në Kosovë. Sipas tyre, Kosova ka nevojë edhe për më shumë xhami.

“E vërteta është më ndryshe, TIKA dhe së fundi edhe Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Turqisë, në bashkëpunim me institucionet tona relevante siç janë Ministria e Kulturës, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Bashkësia Islame e që kanë të nënshkruar bashkërisht edhe protokoll bashkëpunimi, ka restauruar dhe po restaurojnë  objekte monumentale me vlera historike e arkitektonike që i përkasin trashëgimisë materiale të proviniencës islame nga koha e Perandorisë Osmane dhe në ketë drejtim janë bërë disa punë të mëdha në trajtimin e duhur e profesional të monumenteve të trashëgimisë islame te ne”, thotë për “Zërin”, Ahmet Sadriu, përfaqësues për media në BIK.

Ai vlerëson se nevoja për të pasur xhami është më e madhe nëpër qytete.

“Sikur edhe jeni dëshmitarë ne kemi nevojë për xhami të reja, sidomos nëpër qytete, ku në mungesë të hapësirave të bollshme, besimtarët tanë falen edhe në trotuare e rrugë, në kushte të vështira atmosferike”, shprehet ndër të tjera Sadriu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora