E marte, 19.03.2024, 10:56 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Si e njoha Profesor Esat Stavilecin

E diele, 16.08.2015, 06:59 PM


SI E NJOHA PROFESOR ESAT STAVILECIN

Nga Adil FETAHU

Ndonëse ishte  më i ri se unë, profesor Esat Stavilecin për herë të parë e njoha në relacionin profesor – student. Ai katër vjet e sa më i ri se unë  - profesor imi, kurse unë student i tij.

Ishte kjo në vjeshtën e vitit 1970, kur në Prishtinë u hap Shkolla e Lartë Administrative-Juridike, si shkallë e parë e Drejtimit Administrativ të Fakultetit  (të atëhershëm) Juridik-Ekonomik. Ligjëratat dhe provimet në atë Shkollë i mbanin pedagogët e Fakultetit Juridik. Profesor Esati ka mbajtur ligjëratat dhe provimet nga lëndët administrative. Vitin e parë të studimeve (1970/71) ka mbajtur lëndët: E drejta dhe Procedura Administrative.

Profesor Esati ishte gjithnjë i përpiktë në kohë, dhe për dy vjet të studimeve nuk ka ndodhur ta humbë asnjë orë mësimi ose termin provimi. Më vonë kam dëgjuar prej tij një thënie, së cilës edhe unë jam përpjekur t’i perëmbahem: “Ora (e dorës ose e xhepit) nuk është vetëm për ta mbajtur,  por edhe për t’iu përmbajtur”

Ne studentët ishim në marrëdhënie pune dhe studimet i bënim si të thuash edhe të rregullta edhe me korespodencë. Statusin e studentit me korespodencë e kishim për shkak se studionim pa shkëputje nga puna. Por ligjëratat i kishim sikur të ishim studentë të rregullt, vetëm se ato mbaheshin në orët e pasditës, deri orët e vona të natës. Edhepse mungesa nga orët e mësimit nuk ndëshkohej në asnjë mënyrë, ne ishim të rregullt në ligjërata, sepse ishim të vetëdijshëm se kjo na ndihmon në zotërimin e lëndëve dhe në provimet që na pritnin. Unë për vetën time, për dy vjet të studimeve në atë Shkollë, nuk ka ndodhur ta kem lëshuar ndonjë ligjëratë që  ka mbajtur profesor Esati. Ligjëratat e tij i ndiqnim me vëmendje dhe pa përtesë. Shpjegonte ngadalë, qartë, rrjedhshëm, kuptueshëm, me stil e gjuhë  të pastër e të lehtë juridike. Gjithmonë ishte i gatshëm të sqaronte gjërësisht ndonjë çështje kur dikush nuk e kishte kuptuar sa duhet.

Gjithashtu, në provime ishte i përpiktë e korrekt. Nuk ishte i ashpër (i vrazhdë jo se jo kurrë), por edhe mbante kriter objektiv dhe stabil. Ishte në gjendje të dëgjojë me vëmendje të përqëndruar. Nëse ndonjëri kishte tremë apo hutohej në provim, që iu ndodhë studentëve, profesor Esati e këshillonte të del të pushojë (brenda ose jashtë), ta shfletojë literaturën përkatëse e të këthehej në provim pasi jetë qetësuar. Dhe, shpesh ka ndodhur që t’ia ketë bërë përsëri pyetjet e njëjta, me ndonjë nënpyetje. I tillë ishte profesor Esati. Te ai nuk ke mundur ta kalosh provimin nëse nuk e ke mësuar e zotëruar lëndën, por as nuk ka pasur mundësi të ngelësh në provim në qoftë se ke mësuar dhe përgjithësisht e ke zotëruar lëndën. Në provime te profesor Esati, kurrë nuk janë krijuar tollovi, as nuk ka pasur kundërshtime a paknaqësi. Secilit student i ka kushtuar kohë e kujdes, qoftë në konsultime a provime. Ai që ka rënë në provim, ka mund të jetë i pakënaqur me vetveten, e jo me vlerësimin e profesorit.

Në Fakultetin Juridik

Më vonë, në vazhdimin e studimeve në vitin e tretë e të katërt të Fakultetit Juridik, kam vërejtur se ishte po i njëjti: gjithmonë stabil, pedant, korrekt me studentët, me punëtorët dhe me kolegët, i përpiktë, e natyrisht me përvojë të shtuar.

Gjatë dhjetë vjetëve sa kam punuar në Fakultetin Ekonomik  dhe në Institutin Ekonomik, që ishin në të njëjtin objekt të përbashkët me Fakultetin Juridik, kam pasur rastin të takohem shpesh me profesor Esatin, sidomos si bashkëpunëtor në projekte të ndryshme të Institutit Ekonomik. Gjithmonë ishte i rregullt në kryerjen e obligimit të marrur për ndonjë projekt të caktuar. Çdo takim me te, për mua ka qenë kënaqësi dhe një mësim i ri, sepse prej tij përherë kam  dëgjuar e mësuar diçka të re.

Në Shoqatën e Pavarur të Juristëve të Kosovës

Kontakte më të shpeshta dhe njohje më të përafërt me profesor Esatin kam pasur në kuadër të angazhimit në Shoqatën e Pavarur të Juristëve të Kosovës. Për afro 10 vjet rresht, sa isha sekretar i përgjithshëm i asaj Shoqate, profesor Esati ka qenë njeri më aktiv dhe më produktiv në Shoqatë, qoftë si anëtar i Kryesisë, qoftë si kryetar i Shoqatës. Ishte iniciator dhe bartës i shumicës së aktiviteteve të Shoqatës. Ndërsa në periudhën 1995-1999, edhe si kryetar i Shoqatës ishte më i angazhuari në fillimin dhe realizimin e shumë aktiviteteve, në kushte tejet të pavolitshme dhe të rrezikshme, për shkak se pushteti okupues i Serbisë e përcillte me shumë kujdes aktivitetin e Shoqatës, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosove. E shoqata ishte adresa ku shumë subjekte shqiptare brenda e jashtë Kosovës kërkonin mendimin, në radhë të parë juridik, për të formuar qëndrimet e veta për çështje të ndryshme: për reagimin në format e ndryshme të shkeljes së të drejtave individuale dhe kolektive e  represionit të pushtetit serb;  për përjashtimet masovike nga puna të punëtorëve shqiptarë; për marrjen e banesave punëtorëve të përjashtuar prej pune; për masat e dhunshme të zbatuara në ndërmarrjet dhe institucionet e ndryshme; për kontratat kolektive dhe deklaratat mbi pranimin e masave të dhunshme; për regjistrimin e popullsisë (mars 1991);  për zbatimin e ligjeve diskriminuese serbe;  për kontestet gjyqësore; për ndarjet politike të territoreve të komunave të Kosovës dhe bashkimit rretheve të qyteteve të Serbisë; për rektrutimin e dhunshëm të shqiptarëve për t’i dërguar në luftën që zhvillohej në Kroaci e BH; për zgjidhjen e ngatërresave pronësore-juridike jashtë gjykatave serbe; për uniformat serbe të rojeve; për dhunën e pushtetit të Maqedonisë që ushtronte ndaj shqiptarëve atje; etj.etj.

Në kohën kur profesor Esati ishte  në krye të Shoqatës, është zhvilluar punë intensive në formimin dhe aktivizimin e shoqatave nëpër qendrat komunale në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, veçse edhe në Tetovë dhe në Luginën e Preshevës. Asokohe Shoqata ka bashkëpunuar dhe koordinuar aktivitetin e saj me BSPK-në, me KMLDNj, me Odën Ekonomike (paralele), me LASh-in dhe shoqata të ndryshme  dhe lëvizjet politike që vepronin në Kosovë e në trevat e tjera shqiptare.

Shoqata e kryesuar nga profesor Esat Stavileci, ka përcjellur me vëmendje lëvizjet e politikës kombëtare e ndërkombëtare për Kosovën, dhe ka reaguar në mënyrën e vet, me argumente juridike në favor të drejtës së Kosovës për vetëvendosje. Për këtë qëllim, ka dërguar reagime, protesta, deklarata, promemorje e memorandume në adresa të ndryshme të pushtetit të ish-RSFJ, të Serbisë, por edhe personaliteteve dhe institucioneve vendimarrëse të Evropës e të botës. Autor i pothuajse të gjitha reagimeve me shkrim të Shoqatës ishte, kush tjetër pos profesor Esati, por ai gjithmonë konsultohej me të tjerët dhe respektonte mendimin e tyre dhe qëndrimin e Kryesisë.

Si bashkëpunëtor i afërt në Shoqatën e Juristëve, por edhe më heret dhe më vonë  në konakte të shpeshta dhe si lexues i rregullt i shkrimeve dhe librave të profesor Esatit, vazhdimisht e kam përcjellur me interesim aktivitetin e tij publik, profesional, shkencor e kombëtar, qoftë në kuadër të Universitetit, qoftë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës apo të asociacioneve të ndryshme të përmasave kombëtare e ndërkombëtare. Kudo që është gjendur, ka medituar, vepruar, punuar, shkruar e folur shqip dhe denjësisht e ka përfaqësuar çështjen shqiptare.  Kam vërejtur dhe jam bindur se përherë e në kontinuitet ka qenë i preokupuar dhe ka shkruar, folur e sugjeruar për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në përgjithësi. Sepse, zgjidhjen e çështjes së Kosovës në veçanti, çfarëdo që të ishte ajo, nuk e ka konsideruar zgjidhje të plotë  e të drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan.

Kështu, vit pas viti e hap pas hapi, përherë aktiv por pa bujë, vetëm me punë e përkushtim,  profesor Esati arriti gradat dhe majat më të larta në profesionin e juristit, pedagogut, shkencëtarit, njeriut. Me kohë krijoi individualitetin e tij të qartë. Paraqitja e tij me kumtesa e referate i bënte nderë çdo tubimi a konference shkencore kombëtare a ndërkombëtare. Me tërë veprimtarinë e tij ishte dhe mbetet në shërbim të çështjes kombëtare. Është dhe do mbetet njëri ndër figurat e shquara të kombit tonë, jo vetëm si jurist e profesor, veçse me një horizont e kulturë që e nderon kombin Shqiptar.

Nëse është e vërtetë ajo që thuhet, se njeriu është ai se si e shohin dhe e vlerësojnë të tjerët, unë për profesor Esat Stavilecin kam konsideratat më të larta.

PS: Një version më i gjatë i këtij shkrimi, me analIzë të veprave, është botuar në Librin XX, të kompletit të veprave të Esat Stavilecit; libri XX mbanë titullin: “Disa vrojtime të autorit dhe mendimet e kolegëve për emrin dhe opusin e tij” (Prishtinë, 2013, fq.293-306).

Emri dhe vepra e Akademik Esat Stavilecit qofshin për jetë e mot në kujtimin dhe në shërbimin e kombit!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora