Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Butrint, aty ku UNESCO-ja dhe vetë Enea trojani, i dorëzohen batërdisë shqiptare

| E diele, 16.08.2015, 07:00 PM |


Butrint, aty ku UNESCO-ja dhe vetë Enea trojani, i dorëzohen batërdisë shqiptare

Nga Elvi Sidheri

Si ka vendosur njeriu që t’ia marrë udhës për Sarandë dhe për t’i kaluar atypari një grup ditësh të këndshme, në mes të kësaj vape të lemerisshme të këtij viti 2015; rrjedhimisht dhe njëkohësisht, edhe pashmëngshmërisht, del përherë nevoja që qyteti antik i Butrintit, të përshkohet njëherë kryq e tërthor, nga këmbët e tua, duke u endur soditshëm përmes rrënojash mijëravjeçare, që nisin të datohen diku nga shekulli i 8 para Krishtit, dhe përfundojnë me mbeturinat e sundimit osman, dhe gërmimet italiane të Ugolinit në vitet 30 të shekullit të shkuar.

Faktikisht, të vesh në Sarandë, dhe të mos bësh një xhiro gjer në Butrint, do të përbënte një thagmë madhore, një mungesë ndjeshmërie historiko-gjeografike për çdo turist që rastësia apo qëllimi i mirëpërcaktuar e shpie në këtë qytet magjepsës që laget pareshtur hijshëm prej valëve të ngrohta të detit Jon (këtij deti që ngaherë vërtetë ka qenë dhe mbetet “I Joni”; ashtu siç padyshim që stërgjyshërit tanë ilirë do ta kenë pas quajtur shumë kohë më parë, përkundër tërë sofizmave dhe stërhollimeve moderne të lidhura me origjinën e emrit të këtij deti përherë të kaltër, që akoma sot e kësaj dite historianë e gjuhëditës të shumtë rreken së koti të bëjnë, si e si, për t’iu larguar me dashje, qenësisë ilire të emrit të këtij deti që dikur pati lagur thuajse ekskluzivisht vetëm brigje ilire, qysh nga Aulona-Vlora, gjer në Onhezëm-Sarandë, në Butrint, Artë, e përballë në brigjet puljeze të fiseve ilirë të Mesapëve dhe Japigëve, dhe qytetit të tyre të Brindizit, emrin e të cilit edhe në të tashmen, gjuhëtarët, vetëm falë fjalës iliro-shqiptare “Bri” mund ta shpjegojnë).

Saranda e 2015-ës, të ofron mundësi të pashtershme argëtimi, ashtu si edhe një fakt tashmë realisht “të kryer” që ka të bëjë me praninë e tejshtuar të vizitorëve të huaj në këtë perlë të turizmit shqiptar, që në këto ditë gushti gëlon nga mijëra turistë të të gjitha kombësive të mundshme dhe të imagjinueshme.

Rrugëve të thepisura mbi detin Jon, rrugicave dhe shkallareve të pamungueshme të Sarandës, nën hijen e palmave buzë bregut, tek moli i vockël i varkave të peshkatarëve, apo pranë portit turistik (në të cilin anijet kroçiera të madhësive të ndryshme, nuk reshtin së zbarkuari turistë ditë për ditë); të qëllon të dëgjosh papushim një përzjerje gjuhësh botërore, që të lënë si të shtangur në vend, nga habia e të konstatuarit (me fort çudi, dhe një vështirësi të madhe për t’u mësuar me këtë fakt); si pasojë e shumëllojshmërisë së folësve të tyre.

Ka polakë me shumicë, të ardhur me autobuzë, me makina private, gjer edhe me motora nga ato legjendarët që nëpër filma dhe emisione televizive kemi parë sesi e “çajnë” kryq e tërthor Amerikën, duke përshkruar krenarisht “Route 66” dhe të tjera itinerare legjendare.

Janë aq të shumtë këta të fundit, saqë ndonjë pronar largpamës shqiptar hoteli, i mikluar fort nga prania (dhe të hollat e tyre), nuk ka munguar që të ngrejë mbi hyrjen e resortit të vet turistik, edhe një flamur polak, ku mënjanë ngjyrave tipike të këtij simboli kombëtar, është shkruar edhe me shkronja të mëdhaja “Polska”!

Fundja, ndryshe nga stadiumi “Qemal Stafa” në Tiranë, ku para pak ditësh, papritmas e papandehur (“papandyer” siç thonë këtej), ca tifozë shqiptarë, në ngazëllim dhe xurxullim futbollistik e sipër, i patën kërcënuar me vdekje, miqtë tanë polakë, të cilët veç të qenit “sllavë”(po ka “sllavë e sllavë” gjithësesi; ngaqë jo të tërë janë serbë e rusë, sidomos polakët, që rusëve ua kanë parë dhe provuar përherë gjëmën dhe mizorinë); në Sarandë, turistët e kësaj kombësie, priten si mos më mirë, dhe në Ksamil për shembull, edhe “mirë se erdhët”, shpesh është shkruar në polonisht, nëpër lokale dhe stacione benzine.

Ka paskëtaj edhe mjaft italianë (mungonin dot këta “kushurinj” tanët vallë?, në një qytet kaq të hareshëm, për nga natyra, flora, fauna, deti, qielli dhe njerëzit e vet); apo edhe shqiptarë me banim shumëvjeçar në Itali, që bashkë me fëmijët e tyre, bredhin nëpër Sarandë, duke cicëruar gëzueshëm në dialektin tanimë të njohur edhe në Tiranë e më gjerë përgjatë Shqipërisë, të njohur si “shqiptalisht”!

Greqishtja ? qoftë ajo e folur nga minoritarët jo të pakët të fshatrave rreth Sarandës, apo edhe nga bijtë e emigrantëve të panumërt shqiptarë që vijnë të pushojnë në tokën e prindërve të tyre, duke u ushtruar mundimshëm në shqiptimin e fjalëve të gjuhës së tyre amë, që aq e ndryshme tingëllon nga gjuha në të cilën përditë, me dëshirë apo pahir, shprehen nëpër zonat e Greqisë, ku kanë lindur e jetojnë, punojnë apo mësojnë ?, nuk mund të mos dëgjohet po ashtu.

Më pas veshi të kap, sikur të bëhej fjalë për valë radiofonike, apo për mesazhe të koduar, që mezi i përkthen në mënyrë të kuptueshme, edhe buzë që formulojnë fjali të tëra në anglisht, në maqedonisht, në suedisht, norvegjisht, e qoftë edhe gjuhën tagalog të Filipineve të largëta.

Një “melting pot” turistik pra, që është padyshim qyteti i parë shqiptar, që është shndërruar mirëfilli në një magnet për turizmin ndërkombëtar, pjesë e pandashme e guidave dhe broshurave dhe e destinacioneve tërheqëse për vizitorët dhe agjencitë turistike nga të katërta anët e Europës.

Në Sarandë, pavarësisht mahnitjes që vetë Perëndia do të ketë ndjerë kur e ka parë të formësohet këtë margaritar të bregut jonian shqiptar, pavarësisht gjithçkaje të mirë që natyra dhe banorët e saj, kanë ditur të bëjnë dhe t’u ofrojnë turistëve të huaj dhe shqiptarë, megjithatë, mjaft gjëra nuk ecin siç duhet.

Por sidoqoftë, do pranuar, se rrënimi mjedisor, ndotja e detit, dërrmimi betonues i brigjeve, jetueshmëria dhe mundësia për t’i shijuar disa ditë në këtë qytet, ndotja akustike e fenomene të tjerë të ngjashëm, janë ku e ku në parametra më të pranueshëm, sesa, të themi, në Durrësin e konsideruar prej shekujsh, si polin turistik të bregdetit shumëqind-kilometërsh shqiptar.

Në Sarandë deti është xixë i pastër, është blu i kulluar, dhe të them të drejtën, duke e pas konstatuar një gjë të tillë edhe personalisht, peshku në Sarandë jo vetëm që nuk është zhdukur e ndrydhur (numerikisht) pa lënë gjurmë si tjetërkund nëpër brigjet shqiptare, por peshqthit e veckël, teksa ti vete të lahesh “çup e çup”, jo më larg se tek plazhi kryesor publik në qendër të qytetit, ose anës portit turistik, krah kroçierave që vijnë e ikin njëra pas tjetrës, të vijnë dhe të rrotullohen lodrueshëm nëpër këmbë, pa e çarë fare kokën për praninë njerëzore që pllaquritet me shumicë pranë bregut të detit.

Në Sarandë është pastër (po ore, P-A-S-T-Ë-R); një fjalë kjo e harruar qëmoti, jo vetëm në rajonet turistike, por edhe kudo tjetër nëpër territorin 28 mijë kilometërsh katrorë, të vendit tonë të bukur.

Është aq pastër, sa ty s’të del rasti që të shohësh dëngje plehërash përtokë në rrugicat e qytetit, nuk ka shishe apo mbeturina të tjera anës trotuareve, dhe uji i detit Jon, ashtu si edhe valët e tij, nuk i aviten bregut sarandiot, duke mbartur në kreshtën e tyre, tonelata plehërash pafund.

Po njëlloj edhe lumi Bistricë para se të hysh në Sarandë, është vërtetë “i kulluar” (sipas kuptimit burimor të emrit të tij, në gjuhën sllave, të lënë pas prej shekujsh nga vërshimet barbare, kohë më parë); e në të njëjtën mënyrë shkëlqen nga pastërtia edhe kanali i Çukës, ai i Vivarit dhe liqeni i këndshëm i Butrintit.

Por, për t’u kthyer tek kryetema e këtij shkrimi, që nuk mëton të jetë një “udhërrëfyes turistik” për Sarandën, por që njëkohësisht, nga ana tjetër, pretendon, që ta bëjë të duket sa më e hirshme, këtë “Zonjë” të bregut shqiptar; nuk mund të lë pa përmendur, sado shkarazi, edhe Butrintin e lashtë.

Këtë krenari, këtë mburrje, këtë dëshmi ende të gjallë, të lashtësisë më madhështore shqiptare, por edhe të mediokritetit acarues, të aktualitetit të sotëm shqiptar.

Jam i bindur, që edhe nëse vetë trojanit Enea, atij që sipas fjalëve të poetit romak Virgjil, pati kaluar nëpër Butrint, për të vajtur më pas të themelojë vetë Romën madhështore, pra Perandorinë më të madhe dhe të rëndësishme, që ka njohur ndonjëherë bota; do t’i binte udha sot për në Butrint (duke kaluar nga Ksamili), i ngrati do të lebetitej aq shumë, saqë ndoshta edhe do ta merrte parasysh të kthyerit nga sytë-këmbët për në Trojën e djegur dhe dhunuar nga helenët dinakë.

Sepse që ti si turist (qofsh shqiptar apo i huaj, por sidomos i huaj), të vesh nga Saranda për në Butrint, nuk ka asgjë të habitshme në këtë mes; për më tepër, do të thoja, se ky udhëtim i shkurtër pak kilometërsh, që përshkon një distancë tejet të vogël mes qytetit dhe zonës së famshme arkeologjike me emër në gjithë botën, të gjendur pranë tij; përbën pra, një rrjedhojë logjike, meqënëse midis Sarandës dhe Butrintit, tanimë ekziston një tip kordoni ombelikal, që i lidh ato në mënyrë të pazgjidhshme.

Por ndërkohë, Ksamili, megjithë magjinë dhe hirin që natyra i ka falur, bashkë me ishujt e vet të mrekullueshëm dhe bregun e bukurisë së pashoqe, në formën “tafti-bafti” dhe “rramsi-bamsi” (shkurt “LËMSH), sesi është ndërtuar, pa asnjë planifikim, planimetri, strategji të mirfilltë zhvillimore turistike apo çfarëdo lloj nocioni të ngjashëm për mënyrën amorfe dhe krejtësisht kaotike sesi aty është ndërtuar barbarisht gjer në rrëzë të parkut të Butrintit; përbën pra, një kalvar për durimin dhe shijen e hollë të çdo turisti që udhëton për në Butrint.

Më pastaj, kur në Butrint ke vajtur (më shëndet të plotë mendor, pas katrahurës ndërtimore të Ksamilit); nëse rastësisht ke vendosur që për shembull ta bësh vizitën tënde në këtë zonë arkeologjike shqiptare me famë botërore, ta zëmë, në orët e vona të pasdites (në kohë vere them, atëherë kur natë gjithësesi bëhet vonë); mund edhe të të ndodhë, që të fillojë të erret ndërsa ti je duke soditur Faltoren e Perëndinës Asklep, Teatrin e shekullit të 3-të para Krishtit, Agoranë-Forumin romak, Pagëzimoren e shekullit të 6-të, apo edhe Bazilikën e Madhe të shekullit të 6-të pas Krishtit.

Dhe atëherë, ty si turist, dhe tërë “specien” e ngjashme me ty (turistët e tjerë); “Të Piu e Zeza”, në të gjitha kuptimet.

Të zuri errësira, dhe asnjë udhërrëfyes, qoftë ai njeri (përgjegjës për këtë punë pra), apo ndonjë tabelë përkatëse që do të duhej të të tregonte udhën e daljes nga Butrinti, nuk të ndihmon dot.

Dhe kjo ndodh, për arsyen e thjeshtë se këto gjëra NUK EKZISTOJNË askund në zonën arkeologjike, të mbrojtur nga UNESCO-ja dhe shteti shqiptar, të Butrintit.

Askush s’e ka vënë ujin në zjarr që të lërë ndokënd që t’i udhëheqë vizitorët nëpër xhiron e tyre rreth rrënojave të Butrintit, ndërkohë që në orët e pasdites së vonë (se për mbrëmjen as që bëhet fjalë ndërkohë), ndriçimi anembanë Butrintit, mungon tërësisht!

Si për ironi të fatit, e vetmja ndërtesë dhe dëshmi arkeologjike e Butrintit, që është denjuar të ndriçohet, është Kulla Venedikase e shekullit të 15-të, e cila ndodhet mu në hyrje të zonës arkeologjike, fare pranë portës hyrëse të saj, aty ku vizitorët presin biletat për t’u futur brenda.

Aty ku s’i duhet askujt pra!

Tjetërkund nëpër gjithë zonën arkeologjike, po të zuri mbrëmja, “bëj si të bësh”, ruhu të mos biesh në liqen, në kanalin e Vivarit, në ndonjë pellg moçalor plot me mushkonja e bretkosa, që asnjë mikpritje “arkeologjike” s’ofrojnë, për turistin e gjorë, të cilit i ka perënduar dielli, pa mundur të dalë dot jashtë derës hyrëse të Butrintit pa rënë muzgu.

Prandaj turistë të dashur që doni të veni në Butrint, ose shmangni si djalli temjanin orët e pasdites, ose “armatosuni” gjer në dhëmbë, me elektrikë dore dhe mjete të tjera të nevojshme për mbijetesën tuaj në kushtet e errësirës moçalore!

Ndryshe, do ta pësoni edhe ju, dhe në të ardhmen, kockat tuaja do të mund t’i gjejë të zhytura në moçal, ndonjë ekip i rradhës, pjesë e një ekspedite arkeologjike, që krahas emrit të Eneas, Virgjilit, Eneidës etj, do të përmendë edhe emrin tuaj, si heronj dhe njëkohësisht viktima tragjikomike, të vazhdimësisë historike të këtij qyteti.

-“Turist i panjohur i mbytur në moçal, pasi e pati zënë nata diku nga 2015-a” do shkruhet aty në ndonjë cep paskëtaj.