E premte, 29.03.2024, 03:42 PM (GMT)

Kulturë

"Le Monde" në admirim për Ismail Kadarenë

E enjte, 13.08.2015, 06:47 PM


Gazeta prestigjoze franceze i kushton një hapësirë të bollshme librit të shkrimtarit të njohur shqiptar, të përkthyer në frëngjisht nga Tedi Papavrami

Nga Genc Burimi

E përditshmja më e madhe franceze “Le Monde” i ka kushtuar kësaj vere një faqe të madhe ekskluzive shkrimtarit më të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare. Nën penën e Florence Noiville Hirsch (bashkëshorte e një ish-ministri të Sarkozisë), artikulli i “Le Monde” i bën një analizë me superlativa romanit më të fundit të Kadaresë, “Kukulla”. Përkthyer në frëngjisht nga Tedi Papavrami dhe botuar nga e famshmja shtëpi botuese “Fayard”, besnike e veprës së Kadaresë, “Kukulla” (“La Poupée”) ka dalë në libraritë franceze në prill të këtij viti. Pak ditë pas daljes në botim, vdiq dhe ai qe e bëri të njohur Kadarenë në Francë dhe ndoshta në mbarë botën, Klod Durand, ish-drejtuesi historik i shtëpisë botuese “Fayard” dhe autoriteti më i njohur në sferën e botuesve francezë.

Kadare dhe Durand ishin miq të vërtetë dhe që respektoheshin shumë. Ikja e Klod Durand në moshën 76-vjeçare fill në momentin kur sapo Fayard nxirrte në botim librin më të fundit të Kadaresë, është si një “shkelje syri” miqësore e “Papës” së botuesve francezë ndaj gjigandit të letrave shqipe, kandidat periodik për çmim “Nobel”. Nuk është e pamundur që një personazh të tillë me një rol të veçantë në itinerarin fantastik të veprës së Kadaresë, ta gjejmë një ditë të mishëruar në ndonjë nga librat e Kadaresë. Pasi pas “Kukullës”, Ismail Kadare, i cili feston 80-vjetorin e lindjes vitin e ardhshëm, me siguri që do të vazhdojë të na mrekullojë me krijimtarineëe tij homerike. Lexuesit në mbarë botën, e veçanrëisht ata francezë, e duan Kadarenë. Dhe Kadareja i duhet shqiptarëve.

Sot më shumë se kurrë. Në kulmin e globalizimit dhe të informacionit pa kufij, Kadareja është për shqiptarët si ai fari që tërheq vëmendjen ndaj një porti të humbur në skajin e një gadishulli famëkeq për luftëra e ndasi. Kadare është aset i shqiptarëve. Ashtu si Felini simbolizon Italinë nëpërmjet kinematografisë apo Xhokoviç Serbinë nëpërmjet sportit. Ndërsa shqiptarët që patën alfabetin e tyre dhe shkollat e para të tyre më vonë se të tjerët, marketohen pikërisht nga një gjeni letrar. A ka metaforë më të bukur, të mishëruar për më tepër nga vetë mjeshtri i metaforave? Nga një e keqe lind modemos një e mirë thonë legjendat popullore.

Obskurantizmi otoman do të ishtë njëkohësisht dhe shtysa që i dha forcë e flatra Kadaresë për të treguar me artin e tij të paarritshëm se ky popull meriton shumë më tepër. Populli shqiptar rikthehet në djepin e civilizimit europian me dy handikapet më të rënda në krahasim me popujt e tjerë: pesë shekuj robëri anadollake dhe pesë dekada diktaturë izolacioniste. Një vonesë të tillë astronomike nuk mund të arrish ta kompensosh vetëm me punë e reforma. Na duhen gjeni të kalibrit botëror, na duhen personalitete të jashtëzakonshme që të vazhdojnë të mirëmbajnë në sytë e botës mitin se shqiptarët janë popull të kulturës dhe zakoneve europiane, për t’u dhënë kështu kohë bashkëkombasve të tjerë të punojnë për ta kthyer mitin në realitet. Kadare është ky personazh me dimensione përtej normales.

Kadare është pararoja jonë, rrufepritësja jonë kur bëhemi pre e klisheve, sa të panumërta, aq të padrejta, që qarkullojnë mbi shqiptarët. Ai është i vetmi nga “ne” që mund të matet me “ata”. Me europianet me “rrënjë” që kanë mbrapa mbi 500 vjet shtypshkronja e botime enciklopedish, kur ne kemi 500 vjet bashkëjetesë me anti-europianë e përpjekje për mbijetesë. Pse e patëm këtë fat të zi? Kjo nuk është më çështja. Sot kemi fatin të gëzojmë figura si Kadareja dhe çështja është se, a jemi vërtetë të ndërgjegjshëm për këtë mrekulli? Më 2016-n, diamanti ynë kombëtar mbush 80 vjeç.

Le ta shpallim atë vit të Kadaresë, vit të kulturës shqiptare, ashtu siç qe 2012, 100-vjetori i shtetit shqiptar. Suedezët dhe norvegjezët kanë çmimin “Nobel”, gjermanët kanë institutet “Gëte”, italianët kanë institutet (societa) “Dante Aligheri”, Franca ka “Aleancat franceze”. Le të inaugurojmë më 2016-n institutet “Kadare” të gjuhës e kulturës shqipe kudo ku kemi përqëndrime të bashkëkombasve tanë në Europë e SHBA. Një investim i papërfillshëm përballë suksesit që thithim si komb nga fama e Kadaresë, por dhe një përfitim real, sepse me anë të këtyre qendrave kulturore, të huajt dhe fëmijët e diasporës shqiptare do të mbruheshin me gjuhen dhe kulturën tonë dhe do të krenoheshin, duke thënë: Kam frekuentuar institutin “Kadare” të Berlinit, të Romës, të Parisit apo të Nju-Jorkut...

Nuk mund të bëhemi europianë pa adoptuar reflekset e europianëve : kultura mbi të gjitha… Artikulli i mëposhtëm i “Le Monde” është një tjetër dëshmi sesi simpatia për veprën e Kadaresë transformohet natyrshëm në simpati për Shqipërinë e shqiptarët dhe ndikon pozitivisht mbi imazhin tonë. Është dëshmi sesi Kadare sapo nxjerr një libër të ri, analizohet, vëzhgohet, zbërthehet, si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës së sotme. Pak ose askush shqiptar tjetër, përveç Kadaresë, s’mund të mobilizojë një faqë të tërë te “Le Monde”. Çfarë reklame e shkëlqyer, falas dhe “chic” në një gazetë prestigjoze! Mirënjohje Maestro!

“Ismail Kadare në tokë amësore”

Nga Florence Noiville, “Le Monde”

Jemi në “trekëndeshin e origjinës”: nëna (ose babai), shtëpia, qyteti (ose fshati). Një ditë, medoemos, të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë hyrë në këtë trekëndësh. Mund të bënim dhe një lojë gjëagjëzash me të. Një prind, një shtëpi, një vend: gjeni autorin që fshihet prapa këtij kombinimi. Një at me fustan të bardhë si një fantazëm, në një kështjellë mesjetare, në Komburg? Pena e Shatobrijanit. Një nënë, e butë dhe që të ngushëllon, në shtëpinë e hallës Leonia, në Kombrej? Është Prusti sigurisht. Por nëse ju thonë: një nënë “joreale”, si të ishte një kukull; në një shtëpi tepër të madhe me çati me rasa, “me të cilën çdo pjestar i familjes duket sikur ka bërë një pakt”; një qytet po ashtu, i cili nën perandorinë bizantine njihej me emrin Argiropolis, ose “qyteti i argjendë” dhe që sot thirret me emrin Gjirokastër?

Prapë s’po e gjeni autorin? Ja një shenjë që t’ju ndihmojë. E regjistruar në thesarin kulturor të Unesko-s, Gjirokastra ka qenë nën sundimin e otomanëve. Është qyteti “më i pjerrët në botë”. “Çatia e një shtëpie prek nganjëherë themelet e një tjetrë”. “Po të biesh në një rrugë, rrëshqet dhe përfundon mbi një çati”. “Duke ecur mund të varësh kapelen tek maja e një minareje”. Doni prapë një shenjë? E përshkruar në librin “Kronikë në gur” (botimi në frëngjisht tek “Hachette” më 1973), Gjirokastra është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha, ajo ndodhet 200 km nga Tirana, në jugun malor të vendit… Kësaj here e gjetët me siguri se për kë bëhet fjalë.

Për më tepër që nuk njohim në Francë shumë shkrimtarë me origjinë shqiptare. Është Ismail Kadare, autori i “Kukullës” , ky tregim i shkurtër dhe magjepsës, ku ai flet për rininë e tij. Aty ai jep në sfond momentet kryesore të biografisë së tij - lindja më 1936, vendosja e komunizmit kur s’ishte as 9 vjeç, fëmijë “i obseduar nga ideja për të zhbiruar kuptimin e fjalëve”, poet që nxjerr në moshën 12-vjeçare vargjet e tij të para, fakulteti i Tiranës dhe më pas Instituti “Gorki” në Moskë, ku dërgohen të rinjtë e kalibrit të tij, ata që bëjnë pjesë tek “trupa e elitës së realizmit socialist”.

Ai përfiton për të dhënë aty po ashtu disa data kyçe të historisë së Shqipërisë, si për shembull vitin 1960, prishja me Bashkimin Sovjetik për t’u afruar me Kinën - një prishje e treguar me detaje në librin “Dimri i vetmisë së madhe” (botimi “Fayard”, 1978). “Ishte surealiste të shihje një vend komunist të linte “familjen” për të qëndruar zyrtarisht stalinist! Ishte komunizmi kundra komunizmit”. Por asgjë nga këto nuk përbën këtu themeloren.

Këndvështrimi i zgjedhur është pikërisht trekëndëshi magjik nënë- shtëpi-qytet, mbi të cilin mbahet e gjithë ngrehina e kujtimeve. Jemi larg “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” (Fayard) që e bëri të suksesshëm në vitet 1960, ose më vonë “Mosmarrëveshja” (Fayard 2013), eseja e tij mbi Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën. “Kukulla”, tregim i shkurtër, është intim, i prerë , eliptik. Dominon aty personazhi i paharrueshëm i nënës. Dobësitë, komplekset, misteret e saj të padepërtueshme dhe krejtësisht marramendëse. Nëna, “kukulla”. Me këtë fjalë thirrej ajo në familjen Kadare. Fytyra e saj e pudrosur kishte pamjen e një maske.

“Ajo dukej si e bërë me laps kopjativ që s’mund t’i fshihej kurrë nga fytyra”. Si ta përshkruash këtë “irrealitet të një filmi vizatimor”? Si ta bësh të ndjehet një prani pikërisht e lidhur me “një mungesë pranie”? Nën penën e prerë dhe pa zbukurime, ndjehet trishtimi i pafund i fëmijës së mplakur që nuk arriti kurrë t’i afrohet këtij prindi të pakapshëm. Deri në arkivolin e saj “e veshur e tëra në të bardhë, me faqe të ngjyera me të kuqe“, nëna ruajti atë “pamje gravurash”. Ashtu si “një kukull e vërtetë në kutinë e saj”. Spikatëse janë tabllotë psiqike. Nëna gjithmonë në atë botën e saj, fëminore, por pa moshë, që vuan nga fakti se nuk është “aq e zgjuar”.

Ndërsa ai, shkrimtari i ri mburravec dhe me bujë që e kqyr nënën e tij thuajse si një objekt studimi. Rrugët e tyre që marrin drejtime të kundërta. Frika e nënës për të mos qenë në lartësinë e duhur, frika se mos e mohojnë një ditë, frika se mos djali i saj “zgjedh një nënë tjetër, më të zgjuar”. Tmerri i të birit se çfarëdo që të bëjë ai, hendeku përsëri do të mbetet. Frustrimi i të dyve për hasjen në një pengesë, por të kujt lloji? Si shumë shqiptarë të gjeneratës së tij, Kadare lexon dhe flet rusisht. Ai vë re se në rusisht nënës i thuhet “mat”, ndërsa “tma” përkthehet “errësirë”.

Që për të do të thotë se sido që të jetë rendi i gërmave, nëna dhe nata do të jenë “gjithmonë të padeshifrueshme”, siç shkruan ai. Dhe në fund fare, kur njëra gëlltit tjetrën – dhe kur shtëpia në Gjirokastër bëhet shkrumb nga zjarri – mbetet ndjenja e fajësisë për gjërat që nuk janë thënë hapur. Ose që nuk janë dëgjuar mirë? Ose që nuk kanë qenë të dëgjueshme? Mbetet gjithashtu ideja tërheqëse se mund të ushqehesh dhe nga mungesa e diçkaje.

“Së paku në këto çaste do të doja të të siguroja dhe një herë se keqkuptimi midis nesh, jo vetëm që s’më kishte penguar në asgjë, por kishte qenë ndoshta më i duhuri se gjithë kuptimet. Sepse siç kisha dashur të ta shpjegoja kaq herë çështjen e dhuntisë, ajo mund të shfaqej pikërisht si e kundërta e vetvetes, një diçka e mangët në vend të reprize”. Duke e falenderuar kështu këtë grua që i dhuroi atë dhunti që ajo nuk e zotëronte, Kadare arrin kështu t’i kthejë këto kujtime në një reflektim prekës mbi dhurimin dhe faljen.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora