Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Krijuesi shqiptar si ''armik''

| E enjte, 13.08.2015, 07:00 PM |


PËRNDJEKJA E KRIJUESIT SHQIPTAR

SI “ARMIK” I SHTETIT

(Steven Harri: Monstrum roman, botoi Shoqata për Art

dhe Letërsi “DODONA”, Tiranë – 2015).

NGA KALOSH ÇELIKU

Historikisht, populli shqiptar ka pasur një fat tragjik me krijuesit kryengritës. Patriotët dhe intelektualët më në zë, janë përndjekur në Atdhe dhe nëpër botë. Ose, janë vrarë me porosi nga “dora e zezë” pas shpine si “armiq” të popullit dhe Shtetit (Njerkës). Vetëm, hidhni një sy Historisë shqiptare nëpër shekuj: Pjetër Bogdani, Papa Kristo Negovani, Frang Bardhi, Sami e Naim Frashëri, Asdreni, Çajupi, Ndre Mjedja, Filip Shiroka, Fan Noli, Martin Camaj, Arshi Pipa, Lasgush Poradeci, Sadudin Gjura, Frederik Rreshpja, Mehmedali Hoxha, Teki Dërvishi, Jusuf Gërvalla, Vahit Nasufi, Fadil Bekteshi, Shaqir Sadiku etj. Burra të penës, që janë përndjekur deri në vdekje, ose janë vrarë në pabesi në emër të “Atdheut” (Njerkës). Edhe, autori i këtij romani Steven Harri, mesiguri po të ishte shqiptar, një Zot e di se ku do të përfundonte si shkrimtar.

Libri më i ri i autorit Steven Harri: Monstrum roman, i botuar këto ditë nga Shoqata për Art dhe Letërsi “DODONA” në Tiranë, përçudi sjellë një risi në përndjekejen e krijuesit shqiptar si “armik” i Shtetit (Njerkës). Ngjarjen e romanit me sa duket autori e vendos në Shkup. Temë kryesore e romanit, është afera e përgjimeve, ose siç njihet në popull: “Bombat” e hedhura politike të “Shpëtimtarit” të shqiptarëve para kamerave televizive. Rastet e montuara politike: Bit – Pazari, Gostivari, Brodeci, Sopoti, Luboteni. Monstra, Lagja e trimave, në Kumanovë… Shqiptarët duke i nxjerrë në protesta “paqësore” si kope pa bari me flamuj turko-arab e “Allahu Akbar” duke kërkuar “Pranvera arabe” para syve të botës edhe në Shkup.

“Madje u hapën të gjitha dyert e zyrave për të parë se kush është ai i cili kaq hapur flet kundër një fuqie të tillë si Amerika. Aq më shumë tani pas djegies së flamurit amerikan në disa protesta partiake qytetare. Protesta të cilat natyrisht se ishin të organizuara nga anëtarët e shumtë të Projektit që quhej “Të Ndryshojmë Veten”!

-Ju duhet të merrni dhe të mësoni nga Ivo Andriqi i madh. Unë asgjë s’bëj pa u kosultuar me projektin e njeriut i cili të gjithëve na e ndriti fytyrën. Ai na mësoj se si duhet dhe çka duhet të bëjmë. Kështu pra, dhe vetëm kështu i krijojmë vetes mundësinë që t’i lagim këmbët në ujërat e Adriatikut. Përse nuk arritëm qëllimin tonë? Ja ju them unë: së pari janë fajtorë austriakët e tani amerikanët!”

Përndjekjet e papara që i janë bërë krijuesit shqiptar për ta shndërruar në bashkëpunëtor të sigurimit, nuk kanë të ndalur edhe sot e kësaj dite. Edhe atë, duke u shitur shumë lirë si mall tregu vetëm për një përdorim: një post politik, një vend pune, banesë, anëtar akedemie, gazetar në redaksi, imam në xhami…

Rebelin e papërmisueshëm edhe e ka vra: nxjerrë jashtë institucioneve të shtetit si “nacionalist” e irredentist” shqiptar, e ka lënë pa punë, ose e ka përzënë nga vendlindja të endet si krah pune rrugëve të botës. Diagnoza përfundimtare: “Armik” i shtetit.

Romani i shkrimtarit Steven Harri na rrëfen mes faqeve, sesa thellë i ka hyrë deri në asht sigurimi shtetëror krijuesit shqiptar. E ka përndjekur dhe përgjuar edhe në familje, dhomën e gjumit. Gruan ia ka nxjerrë si dëshmitare në gjygj, mikun, vajzën, djalin e dashnoren. Raste ka, kur i ka dërguar me porosi edhe “dashnore” për ta pasur

nën “përkujdesje” (kontrollë) sa më afër syve dhe në dorë. Që nesër, rrufjanët kur t’ia bëjnë me gisht pas porte si i “rrezikshëm” për shtetin, “miqtë besnik” e “dashnoret” t’i ndërsehen pas shpine si “armik” i Shtetit dhe Kur’anit.

Agjentët e fshehtë të sigurimit në këtë roman, për karrierë profesionale, janë në gjendje të vënë në rrezik edhe familjen, e “hanë” njëri – tjetrin për një post polici. Gratë dhe fëmijët e tyre i vënë në shërbim të “Atdheut”. Autori me mjeshtri rrëfen në roman: “Ndiqeshin nga njëri tjetri duke marrë urdhëra nga shefat e tyre, sa që me një rast ndodheshin dy të parët e zyrës 71, me të njëjtën detyrë - për njëri tjetrin. Të dy do duhej të shkruanin nga një raport për takimin që me shumë dëshirë e kishin caktuar tek Klubi 77. Në të njëjtin ambient takuan edhe shefin zyrës 99, që ishte pranë Shefit të Madh. Kjo nuk i befasoj pasi që të dy e dinin se ambientet e Klubit 77 vizitoheshin nga punëtorët e besueshëm të Shërbimit të Lartë pran Shefit të Madh.”

Projekte dhe montime politike kurdisnin për ta futur në kurthë popullin shqiptar. Ose, siç thotë populli: Bishtin t’ia zënë me derë. Sytë dhe veshët i kishin tek partitë politike shqiptare. Mashat e tyre shqiptare, pothuajse i kishin në çdo parti politike shqiptare. Vetmevete, shpesh e thonin: kur i kemi mashat shqiptare pse t’i djegim duart. Neteditë, përpiqeshin fytyrën t’ia marrin popullit shqiptar para syve të botës. Gjithë kohën të merret me dudumët, që ka probleme me vetveten si popull e jo me “vëllezërit” e Njerkës. Idetë e montimeve të proceseve politike i marrin nga “Frncuska 77”. Kuzhinë e dikurshme antishqiptare në sistemin komunist, që ende për nga veprimet antishqiptare nuk ka ndryshuar as në Ditën e sotshme, por edhe më zi se dje, me të njëjtat metoda policore e ndjek këmba-këmbës krijuesin shqiptar si “armik” i shtetit (“Atdheut”). Edhe, kur e vret, frikë ka se do t’i ngrihet nga varri. E përgjon edhe të vdekur përmes vajzës së tij të mitur jetime me trauma psikologjike, që në bangat e shkollës fillore, i vë roje te varri ta vrasë për së dyti herë  si “armik i rrezikshëm” i Shtetit.

Prekse në roman, është biseda e Stefanit dhe Mirkut për vogëlushen Ereta:

“-Hej mik tha ai: Si tha ajo vogëlushja? E nguci kolegun Mirku.

-Cila vogëlushe?! U bë sikur ndjehej krejt në rregull Stefani.

-Bëhesh sikur s’të kujtohet?! Ti me shumë vëmendje përcjell gati çdo regjistrim! Unë mendoj se Ti je shumë i ngarkuar me regjistrimet. Mos po na shkruan diçka; qeshi Mirku duke e shikuar drejt në sy.

Stefani ia ktheu me një buzëqeshje ironike duke hequr celularin nga xhepi i palltos.

-Ne përgjojmë fytyra publike, shkrimtar, gazetar, publicist, madje dhe redaksi të tëra dhe kemi edhe çka të shkruajmë. Por kjo nuk më takon mua. Të them të drejtën nuk di të shkruaj se po të dija do bëja një vepër të mirë, ndoshta më të mirën për vete dhe për familjen time. E sa i përket asaj pyetjes për vogëlushen nuk më kujtohet se ne regjistrojmë shumë e koka më është mbushur.

-Për atë që thotë: “vijnë vrasësit”! Mbase unë nuk ia mbaj mend emrin. Ka një emër të çuditshëm. Unë se kam dëgjuar ndonjëherë madje as që kam pyetur.

-Aha, po koleg. Ajo që  i thoshte nënës së vetë; “po vijnë vrasësit”. Nuk e di përse e përsërit shpesh; “po vijnë vrasësit”.

Autori i romanit është i pamëshirshëm në luftë me krimin, dobësitë institucionale të Shtetit të “pëbashkët”. Urrejten patologjike ndaj një populli liridashës me të cilin jetojnë me shekuj nën një çati (shtëpi). E sidomos, kur janë në pyetje arsimi dhe kultura shqiptare, themelet e nje shoqërie, shteti. Flamuri kombëtar kuqezi dhe Gjuha Shqipe. Fati i të cilave ka mbetur në dorë të partive politike. Argatëtë e tyre besnik, që gjithë jetën politike e kalun në rolin e lypsit te Ura e Gurit. Partizanëve të tyre trusakatë, që e masakrojnë pamëshirë nëpër komisionet e institucioneve të shtetit “pëbashkët”. Herë e qepin xhamadan para syve të popullit, e herë struke. Ballë për ballë ulen në një tavolinë me anëtarët e palës tjetër të komisionit, pedagogë të dëgjuar me emër, shkrimtarë të mirënjohur në mesin e tyre e më larg, dhe askushët vëndosin kritere për arsimin dhe kulturën shqiptare. Demagogët, që kurrë në jetën e tyre nuk kanë kapur ditar në dorë, nuk e kanë shkruar as edhe një varg. Autori i romanit tymeflakë e nxjerrë lapsin nga brezi:

“Përgjimi i tij është një nga rastet më të veçanta. Bisedat e tij qofshin ato edhe me ndonjë të dashur i kërkon edhe Projektuesi. Kjo më befason se si kanë durim të dëgjojnë kur flitet edhe për gjëra personale. Në një bisedë me një mike shkrimtare unë kam qeshur aq shumë sa atyre nga lart iu erdhi sikur u ra rrufeja. Ajo e pyeti se a do ketë diçka nga kultura pasi ky shkrimtari kishte pas një takim formal me një mikun e tij deputet, ai i ishte përgjigjur. Po tha për kulturën shqiptare sivjet do ndahen mjete sa bënë një herdhe e një luani. Mua mu qesh ndërsa ata u tmerruan dhe shtrënguan dhëmbët. Projektuesi i ra tavolinës me grusht.

-Hahahahaaa - qeshi Stefani. Edhe unë e kam dëgjuar, bile edhe atëherë kam qeshur”.

Shkrimtari, në këtë roman realitetin shqiptar e nxjerrë lakuriq në sipërfaqe. E përmbaj veten, mos them pa brekë. Ose, me brekët mbi pantollona, siç thoshte shpesh një mike e imja Poete. Përçarjen e shqiptarëve nëpër parti politike. Bërrylat e tyre për poste partiake. Herë – herë që përfundonin edhe me vrasje brenda partiake. Pasuritë e tyre marramendëse në emër të popullit. Xhipat me xhama të errët me të cilët ato shëtitnin si politikanë para kamereva televizive. Fotografitë e tyre “artistike” sesi bëjnë së bashku plazh me politikanë në pushtet nga Shqipëria. Ose, siç thotë populli: me një plumb i vrasin dy veta. Krijuesin e përndjekur shqiptar, që fatkeqsisht ndodhet mes dy zjarreve:

“-Kur është fjala te heqja nga kjo botë, ti mendon se është lehtë ta heqim: foli si me dyshim Stefani i cili tani dukej i pasigurt dhe si i lodhur për të zhvilluar ndonjë debat cilësor dhe të dobishëm për raportin e vet.

-Po ne vetëm bëjmë plane siç tha dhe Projektuesi, se e heqin ata.

-S’të kuptova. Kush janë ata?! Kush? Ia ktheu Stefani.

-Po ata të vetit. A sheh se si e largojnë, se si flasin për të, si e izolojnë? Ata e llogarisin për kundërshtarë, madje edhe si armik të tyre”.

I hatashëm në roman, është dialogu artistik mes Mirkos dhe Stefanit për ta përpunuar një “dëshmitar”. Sigurimin e shtetit mes atyre faqeve të romanit e zhvesh lakuriq, mos them pa brekë na e hedhë para syve si lexuesë në këtë libër. Dyshimet e tyre në njëri-tjetrin si kolegë pune, provokimet dhe kurthet për poste te Shefi. Projektuesi, që me anë të përgjimeve i ka në dorë.

Provokimet janë të natyrave të ndryshme policore: politike, familjare e shoqërore. Herë pas here, padashtas duke u dalë si sekrete shtetërore nga dora livadheve. Dalldisen dhe arratisen pas identitetit të tyre si popull në kohën komuniste dhe të sotmen antike. Gjakun e përzier nëpër vite: herë si bullgarë, herë si shqiptarë ortodoks, herë si serb, herë turq e herë vlleh. Lëmsh rrokullisen si popull me shtet e pa idnetitet: gjuhë, flamur e histori kombëtare. Shtet i ri, që ende i ngatërrohet nëpër këmbë Ballkanit, Europës dhe Amerikës. Shtet, të cilin ende e mbajnë gjallë shqiptarët.

-Eh koleg! Ti më duket se e tepron tani me këto dyshime. Ne jemi duke punuar në sektorin më sekret të sigurisë kombëtare. Po më thuaj ti ç’interes ka Projektuesi që vije, përtej kufirit dhe na detyron të gjithëve të jemi të përpiktë në projektet që ai i harton. Unë si Mirko dua t’i kryej punët me nder, dua t’i zbatoj urdhëratë pikë për pikë që vijnë nga lart. Është çështje sigurie kombëtare.

-Po mirë u përgjigj Stefani. Sikur të vije urdhri nga lart dhe thonë dil në rrugë dhe ekzekutoje vajzën apo shkrimtarin. Çdo bëje?!!

-Do e kryeja urdhrin; tha Mirku. O Stefan, ky emri yt më duket i dyshimtë nga ishe ti me prejardhje?

Stefani qeshi. Edhe emri yt nuk ka ndonjë ndryshim nga imi. Më duket që të dy jemi nga një rajon tejet i dyshimtë. Por jemi nën betim sigurie kombëtare. Unë jam nga Reka e ti nga ishe?

-Unë jam nga Prespa tha Mirku. Sa për Projektuesin nuk e kam idenë se përse shprehet aq entuziast në realizimin e projekteve.

-Ti miku im si duket dyshon në prejardhjen tonë?- tha Mirku.

-Ti vetë e the, nuk e thash unë. Ne nuk dijmë prejardhjen tonë dy apo tre breza, pastaj ata që e dijnë e fshehin për arsye të ndryshme. Pastaj si do ta dijmë ne se kemi prejardhje antike edhe atë nga Aleksandri i Maqedhonisë? A të dëgjojmë ata leshrat e paguar mirë me nga dy a tre nënshtetësi. Këtë tonën e mbajnë sa për ta mjelë shtetin”.

Steven Harri, siç duket e njeh mirë edhe historinë e Ballkanit, lëshohet shkallëve teposhtë thellësive nëpër shkeuj. Popujt e tjerë ballkanik, sesi kanë ardhë deri tek liria. Shteti. Përmend ngjarje historike:

“Kur dëgjova nga Projektuesi se Katerina ka shpëtuar Car Petrin  me gjithë ushtri dhe atë pse ka fjetur me Sulltanin tri net (kështu thonë por nuk besoj as sytë t’i ketë mbyllë). Petri pasi e morri veten i shkaktoj humbje të mëdha Sulltanit sa që e detyroj që në këto vise për shumë fise sllave të bëjë lëshime dhe të fitojnë pavarësinë. E mu për këtë fakt që ne asaj kohe nuk përmendeshim as si emër s’fituam gjë. S’di se kujt i ra mendja më vonë që ne të marrim këtë emër, dhe mu për këtë që ne s’kemi fituar asaj kohe nuk duam të quhemi sllav”.

Dëshprimi i Stefanit arrin kulminacionin kur e dëgjon në zyrë një përgjim të vajzës së tij Sonjës me Eretën, vajzën e “armikut” të Shtetit. Frika nga pabesia, që i rri pas dere. “Armiku” i shtetit, tinëz i kishte hyrë edhe në shtëpi. Valle shqiptare i hiqte para syve, në lëmë. “Nagantin” e nxirrte nga brezi për fitore. Krushqit e Lirisë i kishin shkri mes maleve. Nuse merrnin me koçi, në Katund.

“Stefani e ndali aparatin dhe e kapi kokën me duar. Si është e mundur i thoshte vetes. A ka mundësi që vajza ime të shoqërohet me vajzën e një krimineli të vrarë nga shteti. Oh zot! Po këto përgjime kanë kaluar atje lart e unë s’i kam vërejtur. Unë rashë, rashë nga provimi. Shefi për këtë arsye më thotë shkruaj raport. Sa keq! E Sonja ime e vogël më thotë: “Të vije era gjak”.

Ironike dhe e pabesueshme është, ndjekja e varrit të viktimës. Papritmas, kolegëve të punës u lind dëshira që të jenë viktima përgjimi. E, jo përgjuesë. Shkaku, se: viktimat jetojnë më mirë se përgjuesit e shtetit në këtë shoqëri “demokratike”.

“Dhe në çast iu drejtua kolegut duke e pyetur; a mban mend një bisedë të shkrimtarit me një rast kur e pat pyet një mik mos po përgjohemi? Ai iu kishte përgjigjur shumë çartë: “Jo vetëm ne që përgjohemi por ata përgjojnë edhe njëri tjetrin. Përgjimi në mesin tonë është i dyfishtë njëherë na ndjekin e përgjojnë të tanët që iu shërbejnë atyre, pastaj ata bashkë të gjithëve. Mos u shqetëso, se na përgjojnë edhe kur puthemi edhe kur bëjmë seks. Përgjimi bëhet sëmundje, kurreshtje për të ditur të fshehtat e shokëve, miqve, fqinjëve dhe kështu krijon armiqësi me të gjithë. Njeriu është si monedha me dy anë, njërën të vërtetën për veti e tjetrën për publikë”.

Dyshimi dhe lufta për karrierë policore mes dy kolegëve të punës vazhdon me provokime të përditshme banale:

“-Është pyetje e vështirë kjo kolegu im. Kur janë në pyetje shiptarellat në urdhra, ndërsa kur është puna në vepra tjera që s’kanë të bëjnë me ata fiset malësore apo siç thonë nga zyra 98 fiset indiane ajo do veproj me urdhra.

Ne me emër u dëgjuam për herë të parë në Jajce.  Unë nuk mendoj se ky projekti që vjen nga “Francuska 7” të mundet të realizohet në këto kushte.

-Si the? Nga “Francuska 7”?!

-Po. Përse ti nuk e ke ditur?!

-Jo. As që më ka shkuar ndërmend. Po ti nga e di.

Përgjuesi i Dytë qeshi. Pasi morri qëndrim autoritar iu kthye kolegut të punës.

-Eh miku im, unë e di. Më ka treguar Shefi.”

Tërmeti politik posa bie në këtë roman. Çthurja e ngjarjes politike kalon kufirin artistik. Autori shperthen me ironi. Çmenduri artistike para gjykates:

“Stefani dëgjojë se pesë veta të rinj janë vrarë nga persona të panjohur që do duhet të zbulohen së shpejti…”

Pas ca minutash njëri si tip ushtaraku, hap një letër dhe ma lexon: “Ti ishe disa metra larg kur ndodhi vrasja. Ti i ke parë këto fytyra të cilët bënë një krim të paparë. Trego a ishin këto që janë sot këtu para gjyqit?! Me çfarë armësh gjuajtën? Me çfarë makine ikën?

-Zotëri ju e keni gabim. Nuk jam unë ai që mendoni. Unë s’kam parë asgjë. Unë çdo ditë jam në punë, në ndërtim privat. Ju mund të pyetni cilin të doni.

-Ne e dimë kush je. Ne s’kemi nevojë të pyesim. Nëse pranon është mirë për ty nëse jo përsëri do pranosh. E mira është që të thuash ate që themi ne e të mbash mend mirë e mirë se rrugë tjetër s’ka.

-U betohem se unë s’kam parë asgjë.

-Mirë pra, ta dëgjojmë tha Mirku.

-Mua më thua?- u përgjigj Dëfrimi.

-Po Ty -iu drejtua gjykatësja.

-Jo unë s’mundem!

-Përse nuk mundesh?

-S’mundem as të eci, as të ulem.

-Të pyeta përse.

-Sepse nga mjalti më është ngjitur leshi për herdhesh.

Eh zonja gjykatëse a të thash se ka rrëshqit pak. Që atje ne e hetuam tha roja.

-Po ju zotërinj përse nuk e dërguat të pastrohet?!

-Po ne na thanë më mirë kështu që të dëshmohet natyrshëm se çka ka ndodhur.

-Idiot tha gjykatësja.

-Hahahahaaaa, qeshi me të madhe Dëfrimi. Dy i kam në shtëpi.

-Nuk të thash ty. A din ku je. Mos u përgjigj pa të pyetur.

Nina ishte e zgjuar dhe shumë inteligjente. E shikoj mirë Dëfrimin disa minuta pa e pyetur asgjë. Ajo donte ta mundë durimin e tij për të hetuar në thotë të vërtetën. Dikur e para e humbi durimin dhe iu drejtua.

-Çka ndodhi më ty?

-Kur?

-Sot çka ndodhi? Ku ishe?

-Aha, po. Unë luaja dhe këndoja me bletët. Dikur u lodha dhe u ula. Ato erdhën që të gjitha dhe më puthën. Nga puthja me mbushën me mjaltë.

-Ku ndodhi kjo?!

-Atje te Fusha e Madhe. Nuk ke dëgjuar ti.

-E mirë nuk i ke frikë se të kafshojnë?

-Jo. Ato më duan.

-Më thuaj për atë vrasjen atje te Liqeni. A i njeh ata nëse i sheh.

-Kjo ndodhi në det jo te liqeni.

-Te cili det? Ku e ka parë ti detin.

-Po unë isha atje u lava se mjalti veç me ujë të ftohët hiqet. Tash do shkoj të pastrohem se  s’mundem me e bë shurrën.

-Mirë përse i do bletët pasi ato të lyejnë me mjaltë e pastaj ndihesh keq.

Hahaaahhahaa, qeshi Dëfrimi. Ato puthin lulet unë i puthë ato. Ato e mbushin fushën e madhe më zhurmë. Ato këndojnë.

-Po zogjtë nuk këndojnë.

-Ua, më kruhet.

-Çka të kruhet?

-Herdhet më janë ngjitur.

Roje bërtiti gjykatësja. Merre dërgoje të pastrohet dhe hidhe në çeli. Do kemi ende punë me te. Ndërsa në raportin shkroi: “Duket se ka pësuar nga tmerri. Niveli i keqtrajtimit e ka kaluar kufirin e përdorimit efektiv të dëshmitarit. Mund të jetë i dobishëm për një përdorim të shkurtër me montim profesional. Duhet disa ditë të qëndroj në vetmi, nëse kamuflon do e kemi lehtë por kjo zgjatë tre ditë. Nëse edhe pas tre ditësh është me të njëjtat simptome mirë është të dërgohet drejt e në shtëpi se nuk mban mend asgjë. Rasti të paraqitet human. Kaq!”.

Romani arrin kulminacionin artistik me një dialog të çuditshëm:

-Çka u bë me dëshmitarin?

-Dështuam, u përgatit shumë para kohe dhe si të thuash nuk mbajti në fjalë. Rrëshqiti. Morri me veti edhe ca idiot nga tanët. Ai të paktën jeton ata aq të paditur sa që në gjendje të dehur hapin luftë me bletët. Shkuan. Ndërsa ne thamë se ishte një aksident! U dhamë dekorata dhe do i mbeten historisë si dëshmor.

Ata u ulën nëpër vendet e tyre. As vetë nuk e dinin se cilët numra janë futur në linja të cilët do dëgjonin. Vendimi se ku dhe cilët do ishin me fat që të dëgjohen vinte nga lart. Ishte urdhër. Numrat atje lart janë regjistruar ndërsa këtu janë vetëm si linja nga një deri në katër. Ora 22 e 45. Linja numër një jep shenjë. Ata vështrojnë. Jepi zë.

-Alo..

-Alo! Po!

-Si je e dashur?

-Mirë. Në punë. Ti si je?

-Mirë. Jam nisur se dua të takoj.

-Nuk bënë. Ndalu aty ku je.

-Jo. Jam nisur.

-Të lutem. Unë jam në punë.

-S’ka rëndësi vetëm dy minuta.

-Nuk bënë. Dije se nuk do dal as te dera e as te dritarja.

-S’ka rëndësi a do dalësh apo jo. Me rëndësi që unë kam vendosur njëjtë si herët tjera. Kam diçka për të thënë. Pastaj dua vetëm të  t’i shohë sytë .

-Dëgjomë. Ne nuk duhet dhe nuk do shihemi.

-Ç’thua?! Asnjëherë!

-Po! Asnjëherë! (Ajo lëshoj një ngashërim dhe iu kthye zëri si në vaj. Ai e kuptoj se në këtë mes është i treti që ka ndikim. Kjo s’është lojë. Ka diçka. Dikush ka hyrë në mes. Ndaloj makinën dhe vazhdoj bisedën).

-Përse? Ka ndonjë arsye.

-Jo. Por unë kam vendosur.

-Nuk ka mundësi. Unë do vi te ti dhe ma thuaj aty përball.

-Ti nuk bënë të vish. Është më mirë për ty, por edhe për mua. Të gjithë na kanë marr në sy. Të lutem!

-Do të thotë se nuk më dashuron.

-Të dua shumë por është e kot.

-Atëherë dil të të shohë. Ma thuaj edhe në sy se s’më do,  jo vetëm me gojë.

-Ndalu aty ku je. Ndalu se nuk bënë.

-Po s’më thua arsyen nuk ndalem.

-Je në rrezik. Kjo është arsyeja.

-Çfarë rreziku?! Ç’thua?

-Të thash. Po të shihesh me mua dikush ka për të vrarë. Ishte një gabim i imi. Fund.

Në zyrën ekzekutive pritej me padurim shkrepja e armës. Ata dëgjonin me vëmendje. Kur ai u ndal aty u rrokullis gjithçka. Ç’është kjo që po ndodh?! Si është e mundur?! Do shpërndahej e gjithë vëmendje në katër anë. Çfarë nate e kobshme për projektin tha i pari i të gjitha formacioneve”.

Zemrimi e hapi derën. Hapat e parë i bëri në lëmë. E kaloi gardhin dhe doli në livadh. Rrëzë Çukës iku me të katra te Mulliri i Arapit. Shelgut pranë lumit iu ngjitë në majë. I bërtiti Qiellit me yje: Ehu, Hënë! Sonte vetë i dyti më ke për darkë.

“Në zyrën e përgjimeve Stefani dhe Mirku nuk flisnin. Të shtangur për kolltukësh rrotullues zgurdullonin sytë drejt tavanit. Të dy e dini se çka po ndodh. Si njëri ashtu dhe tjetri s’kishin falur atë më të shtrenjtën, dashurinë në familjet e tyre. Dikur një mik Mirkut që shkonte në punë shpesh natën i kishte thënë: “Shtrati donë burrë. Nata se duron vetmin”. Atij tani i kujtoheshin shumë biseda me shumë miq të dikurshëm që tani nuk i takonte. Lakmia! Çoftë e mallkuar ajo ditë që kur vesha teshat e saj. Lakmia më rrëzoj.

-Ne s’kemi rrënjë, miku im tha Mirku.

-Të kam thënë moti se jemi të humbur.

-Ajo është e vogël, ti mund ta kthesh por unë a do të mundem ta fal Ninën.

-As unë e as ti s’kemi forcë që të ndryshojmë. Nuk ka kthim. Ti vetë me the se jemi vrasës. Por ja që kemi vra veten tonë më keq se të tjerët.

-Hesht. Sinjali i linjës tre. Ora 01:45. Ditë e re.

-Mami. Mami zgjohu. Ikim. Vinë vrasësit.

-Ç’thua Ereta?! Je në gjumë.

-Merre Detin. Zgjoje. Ikim unë jam gati. Shpejt mami, shpejto. Ja dhe Deti u zgjua. Eja te motra. Eja ikim.

-Ku shkuat. Pritmëni!

-Ja, ja. Shkojmë pas babit!

-Oh më çmende!

-Po vinë vrasësit por ne s’do na gjejnë dot! Sa mirë!

-Ja mami arritëm. Këtu s’na gjejnë dot.

Ekzekutivi u çmend nga kjo bisedë e papritur. Si u zbulua aksioni i madh.

-Si ka mundësi?! Si mund të komunikojë i gjalli me të vdekurin. Tash na humbi krejt lidhja. Ajo kësaj radhe e la strajcën në shtëpi tha zëri i parë.

-Zëri i dytë: Kemi hyrë pa përgatitje. Kam frikë do dështojmë.

-Zëri i parë: Këta na humbën, por atje kemi të gjitha formacionet.

-Zëri i dytë: Po! Edhe dhjetë minuta dhe fillon goditja.

-Zëri i parë: Saktësisht do merren shumë. Do prangosin të çdo njërin që kundërshton. Pastaj na duhen vetëm pesë.

-Zëri i dytë: Nuk besoj të pranojnë.

-Zëri i parë: S’ka rëndësi kjo. Do mjaftojnë deklaratat zyrtare. Kjo është e rëndësishme. Dhe ajo që na duhet neve është aksioni. Aksioni që do krijojë tmerr.

-Zëri i dytë: Ata do reagojnë.

-Zëri i parë: Mos u shqetëso se ende s’kanë bërë reagim për aktivitetin tonë para dhjetë vitesh. Ata kanë krijuar besim se ne veprojmë drejtë. Pastaj e di ti siç e di edhe unë, pse nuk do të reagojnë.

-Zëri i dytë: Hesht!

Në zyrën e përgjimeve ra një heshtje e rëndë. Më i goditur nga ky rast dukej Stefani. Ereta shoqja e Sonjës e donte babain e vdekur ndërsa ajo s’më do të gjallë. Cili është këtu dallimi? Kush na ka hyrë në mes? Sonja thotë gjaku, era e gjakut! E çuditshme kjo. O zot! E çfarë zoti, kur kam besuar unë në zot. Ai që beson në zot nuk bënë vepra të tilla. Unë do të ndryshoj. S’mundem më. Do bëjë të pamundurën që ta heq nga vetja erën e gjakut. Të gjitha do i nxjerri jashtë. Sa të mbetem vet. Të gjitha. Pastaj Sonja do më shohë në ëndërr pa gjak. Kjo do mjaftojë që unë të ulem njëherë bashkë me familje në tryezën e shtëpisë. Do të dhuroj shumë dashuri. Do i them Sonjës le të shoqërohet me Eretën, bile le të vijë edhe në shtëpinë tonë. Nuk do e lëndojmë. Të gjithë përgjimet do i shpërndaj. Stefanin nga meditimi e zgjoj zëri i Mirkut.

-Eh miku im si thua tani?

-Nuk them asgjë. Më mirë jetojnë ata që ne i sulmojmë në gjumë. Më shumë dashuri ka në mes tyre. Ne të gjithë jetojmë me kurthe.

-Ashtu është. Unë në punë, e gruas Shefi ia zbret brekët tha Mirku.

-Mos u ngut ndoshta s’ishte gruaja jote ia ktheu Stefani.

-Ndoshta ! Ndoshta !

-Ne si lemë të qetë të gjallët ata i duan të vdekurit. I vdekuri strehon të gjallët. A e di përse?- tha Stefani.

-Jo! Ma thuaj!

-Se nuk mbjellin mëkate, jetojnë të lirë si zogjtë.

Bisedën e tyre e ndërpreu linja e parë. Ora 6 e 55 minuta. Mëngjes me diell.

-A dëgjove çka ndodhi?

-Po dëgjova.

-Si ka mundësi?

……………………………….

Zëri i dytë: Është përzier leshi.

Linja numër katër. Ora 7 e 17 minuta.

Zë mashkulli: Ishte mrekulli.

Zë femre: Shumë faleminderit për dhuratat. E posaçërisht për brekët.

Zë mashkulli: S’janë gjë ato. Ti meriton shumë. Tani do vije zyra dhe detyra e re për Ty. Shihemi. Kujdes!

Linja e dytë ora 6 e 46 minuta.

Ikë nga unë. Të vije era gjak. Nuk të dua.

Linja tre ora 6 e 47 minuta.

Qesharak është dialogu i dy sigurimcave, kur i marrin si shmebuj popujt tjerë sesi për të krijuar shtet i kanë vënë në shërbim të “Atdheut” edhe gratë e tyre besnike. Ironia e arrin kulminacionin, kur ato me keqardhje thonë, se: ne nuk kemi edhe gra për “Atdheun”. Burra kemi me qerre, por ato që i kemi, nuk janë të gjakut tonë sllav: janë bullgarë, vlleh, serb, turq, ose shqiptarë ortodokës.

E dhimbëshme dhe tragji-komike është mes këture faqeve, kur agjenti i sigurimit e sheh me sy një shqiponjë dykrenare në brekët e gruas së tij besnike të shtrirë në shtrat. “Nacionalistët” dhe “irredentistët”, përderisa ai i ka përgjuar e përndjekur në rrugë, kafene, nëpër botë, papritmas i kanë hyrë në shtëpi.

“Stefani e ndali. Nuk donte të dëgjojë më shumë. Me gjithë ato plumba a mundet ai të jetë gjallë. Po të jetë gjallë ne ia bëjmë disi, por nëse është i vdekur e paraqitet si i gjallë të mjerët ne. I vdekuri që ngrihet nga varri e dinë se kush çka i ka bërë. Kjo e tmerronte. Shoqërimi i vajzës sime me të tijën, ka ndonjë arsye të thellë. Ndoshta vije që përtej varrit. Është ndonjë paralajmërim.

Ata dolën nga puna. Aksioni përfundoj me sukses. Kështu flitej në mjetet e informimit. Pasojat jo shumë të rënda. Thyerje dyersh, trazim fëmijësh, vjedhje parash e gjërave me vlerë. Thyerje orendish, dëmtime të shumta por pa marrje jetësh. U tha se u zunë kriminelët që nuk duan pjesëtarë të komunitetit tjetër, urrejnë gjuhën dhe besimin e tyre dhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me vepra terroriste. Ata dy e dinin që përpara komunikatën e lëshuar pasi flitej tash një muaj. Mirku ngutej për në shtëpi, ashtu dhe Stefani. Ai donte të kuptoj nëse është gruaja aty apo jo? Ndërsa Stefani sikur deshti ta gjejë ende në gjumë Sonjën. Ajo trazohet nga ëndrra e Ereta ikë për tu shpëtuar forcave që e trazojnë në gjumë. Dielli ishte ngjitur disa shkopinjë mbi horizontin e malit përballë. Mirku ngutej. Hapi derën dhe hyri, menjëherë në dhomën e fjetjes. Nina flinte. Ai morri frymë thellë. Kot paskësha menduar keq, ajo është këtu. E vërejti. Ishte po ajo fytyrë. E zbuloj ajo as që luajti. Pastaj vuri re, të brendshmet e saj tepër romantike. Të kuqe në të majtë me një shqiponjë të vogël të zezë. Përpak sa nuk i ra pika. Iku në kuzhinë. Mori ca qetësues dhe një gotë me ujë. Si ka mundësi. Brekët me shqiponjë. Doli jashtë. Dëshiroj të ikë. Të ikë diku larg. Sa më shumë largohej aq më shumë dyshonte. Ajo thotë i urrej dhe vepron me urrejtje e merr dhuratë të brendshme me shqiponjë. E tmerrshme. Vrastare. Kjo është vrasje e jo ajo që bëjmë ne. Ne veç sa i këndellim. Duke menduar se po largohej nga shtëpia ai arriti sërish tek zyra. Të gjitha zyrat ishin të hapura. Nga lart zbriste Stefani. Ky u befasua, si ndodhi kur ata dolën bashkë. Ndoshta ai ka bërë ndonjë hile, është kthyer për të festuar. Thoshin se ishte zënë grupi më i rrezikshëm. Të gjithë ishin të gëzuar. Gëzimin e tyre e shoqëronin me raki kumbulle në ferk të sabahit.”

Përndjekjet dhe rastet e montuara antishqiptare, sot u kanë mbetur si zorrë lope nëpër këmbë “vëllezërve” të Njerkës para syve të ndërkombëtarëve. Nuk dinë çka të bëjnë me to dhe si të dalin nga qorrsokaku. Semafor nuk kanë në rrugë. Ngjyra e kuqe u delë në Bit – Pazar. Drita të ndezura në qorrsokak. Nateditë, sillen në rreth, mu si ajo pula pa kokë në mes të lëmës.

E presin Maxhatoren me dy shami lidhur për brezi e ferexhenë hedhur krahëve: Zonjën Amerikë, të cilën e shanin dje dhe ia digjnin publikisht flamurin përpara Ambasadës, sot t’i ndjek në fund të Lëmës, e mendon t’i zë Nesër te Pulaniku…