E enjte, 25.04.2024, 07:54 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Muri i Berlinit në Amerikë

E enjte, 13.08.2015, 09:05 PM


NJË PJESË E MURIT Ë BERLINIT DO TË VENDOSET NË QËNDRËN E RE TË DIPLOMACISË AMERIKANE TË DASH

Nga Frank Shkreli

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të arrijë të ënjtën më 13 gusht, 2015 në Washington për t'u instaluar në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara në Kryeqëndrën e Departmentint Amerikan të Shtetit (DASH).   Në njoftimin e DASH për media, thuhet se vendosja e një pjese të veçantë të Murit të Berlinit  në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane, do të bëhet me rastin e 54-vjetorit të mbylljes së kufirit midis Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor, më 13 gusht, 1961.

Departmenti Amerikan i Shtetit njofton se segementi unik i këtij muri që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington, është nënshkruar me dorën e vet nga disa protagonistë që  -- secili në mënyrën e vet -- luajtën rol në shëmbjen e Murit të Berlinit e të cilët janë ende gjallë, përfshirë ish-Presidentin amerikan, George H. W. Bush, ish-udhëheqsin e Bashkimit Sovjetik, Mikhail Borbachev, ish-Kancelarin gjerman Helmut Kohl, ish-Presidenti i Polonisë dhe ish-udhëheqsin e Sindikatës Solidarnoshq, Lech Walesa.  Këtë pjesë të Murit të Berlinit që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington e kanë nënshkruar gjithashtu edhe Kancelarja e tanishme e Gjermanisë Angela Merkel dhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker.

Në njoftimin e bërë të mërkurën, DASH thotë se Muri i Berlinit shërben si një kujtesë e përhershme e historisë sonë të përbashkët si dhe e rolit të pazevendësueshëm në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve transatlantike, në të ardhmen.  Instalimi i kësaj pjesë të Murit të Berlinit në Qëndrën Amerikane të Diplomacisë do të mbikqyret nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe gjermanë.

Objektivi i Qëndrës së re të Diplomacisë Amerikane në ndërtim e sipër, sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, është për të paraqitur mënyrat e ndryshme të zhvillimit të diplomacisë amerikane si dhe rëndësisë së saj gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara.  “Diplomacia dhe puna e diplomatëve tanë në mbi 250-ambasada, konsulata dhe misione të tjera diplomatike, është jetësore për fuqinë dhe imazhin e kombit tonë, dhe janë jetike për avancimin e interesave të tij anë e mbanë globit”, ka theksuar John Kerry.  Në këtë Qëndër, ka thënë kryediplomati amerikan, vizitori do të zbulojë fakte mbi veprimtarinë dhe jetën e diplomatëve amerikanë dhe të familjeve të tyre në vende të ndryshme, të cilët me punën e tyre nderojnë dhe promovojnë vlerat dhe parimet e Amerikës anë e mbanë botës.  Si shtetas amerikan, nga kjo Qëndër e Diplomacisë, shtoi ai, ju do të mësoni se si diplomacia afekton drejtë për drejtë, jo vetëm interesat dhe mirëqenjen e kombit tuaj, por njëkohësisht ndikon edhe në jetën tuaj personale. Vizitorët  nga vende të huaja do të zbulojnë diçka të re mbi Shtetet e Bashkuara që nuk e kanë ditur deri më tani, ka thënë Kryediplomati amerikan Kerry.

Muri i Berlinit ose, siç e ka quajtur ish Kancelari gjerman Villy Brandt, “Muri i Turpit” u shëmbë në vitin 1989, por lufta për shëmbjen e tij kishte filluar shumë më heret.  Ishte fjalimi  ish-presidentit amerikan, John Kennedydhe deklarata e tij, “Ich Bin Ein Berliner”, (Edhe unë jam Berlinas) në vitin 1963 në Berlinin e ndarë, që i tërhoqi botës vëmendjen mbi fatin e keq të Berlinit dhe të Europës së ndarë nga komunizmi.  Ish-presidenti amerikan Kennedy ka thënë me atë rast, se “Ka shumë njerëz anë e mbanë botës të cilët nuk e kuptojnë ose thonë se nuk e kuptojnë ndryshimin e madh që ekziston midis botës së lirë dhe botës komuniste.”  Ai u bëri thirrje atyre që të shkonin në Berlin e të shikonin për veten e tyre, ndryshimin midis perëndimit demokratik dhe lindjes komuniste: Lass' sie nach Berlin kommen!

Ndërsa, 24 vjetë pas fjalimit të ish-presidentit Kennedy në Berlin, një tjetër president amerikan, ish-Presidenti Ronald Reagan në të njëjtin vend, aty në vijën që ndante Berlinin perëndimor nga ai lindor, në fjalimin e tij historik, i bëri thirrje ish-udhëheqsit sovjetik: “Nëqoftse dëshiron paqën, nëqoftse dëshiron begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe për Europën Lindore dhe nëqoftse kërkon liberalizimin…Z. Borbachev, shëmbe këtë mur.”

Fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë në Berlinin e ndarë midis lindjes dhe perëndimit kanë hyrë në histori si ndër fjalimet më të shquara për kohën kur janë mbajtur, fjalime të cilat sipas shumë historianëve kanë influencuar marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në zhvillimet politike në kontinentin e vjetër gjatë periudhës së luftës së ftohtë.  Si të tilla, fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë -- Kennedy dhe Reagan -- përcaktuan fatin eventual të Murit të Berlinit, duke mundësuar shëmbjen e tij në vitin 1989 – të atij “Muri të Turpit”, i cili për 28 vjetë qëndroi si simbol i shtypjes së komunizmit dhe i ndarjes së Europës dhe botës.

Sipas disa historianëve, fjalimi i ish-presidentit John F Kennedy në vitin 1963 në Berlin, bëri që bota ta shikonte Murin e Berlinit si simbol të shtypjeve politike të komunizmit, ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut, të popujve nën komunizëm. Ndërsa fjalimi i ish-presidentit Ronald Reagan më 1987, thonë ata, ndikoi drejtë për drejtë, në shëmbjen eventuale të murit.  Nënshkrimi i ish-presidentëve amerikanë Kennedy dhe Reagan -- në cilëndo pjesë të Murit të Berlinit dhe kudo që të vendosen ato, përfshirë edhe segmentin e veçantë që do të instalohet në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington -- është i përjetësuar përgjithëmonë në analet e historisë së diplomacisë amerikane dhe të botës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora