Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Festa Zoja e Hasit, 15 gusht 2015

| E enjte, 13.08.2015, 07:09 PM |


FESTËN E ZOJËS SË HASIT EDHE DITA E MËRGIMTARËVE

Në Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, më 15 gusht 2015, kremtohet Festa fetare - ZOJA E HASIT, përkatësisht për të 14-ën herë me radhë, mbahet manifestimi kulturor “DITËT E MËRGIMTARËVE”. Manifestimi që i kushtohet mërgimtarëve, përkatësisht diasporës,  organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve “SHTJEFËN GJEÇOVI”, Ansambli etno-kulturor “KATARINA JOSIPI”, që të dyja në Zym, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës.

Në fillim pjesëmarrësit e këtij manifestimi do të vendosin lule te lapidari “GURI I KURBETÇARIT” e pastaj do t’i vizitojnë monumentet kulturo-historike të Zymit, si dhe në fund mbahet një tubim kulturor ku pasi të përshëndeten pjesëmarrësit, do të mbahet një kumtesë që ka të bëjë me historikun e kurbetit te zymjanët, përkatësisht hasjanët, por edhe për kontributin që e kanë dhanë kurbetçarët e Zymit në zhvillimin e vendlindjes së tyre.

Njëherësh, në këtë eveniment kulturor do të promovohet edhe libri “Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi 4”, të cilën e ka botuar Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klimenti XI Albani” që vepron në Suedi.

Me atë rast do të hapet edhe ekspozita e librave të autorëve zymjanë (Imzot Ndre Bogdani, Imzot Pjetër Bogdani, Lukë Bogdani, Lazër Lumezi, Atë Ndue Bytyçi, Anton Pashku, Gjon Dulaj, Frrok Kristaj, Nikollë Kërhanaj, Atë Nue Kajtazi, Motra Ollga Dulaj, Hilë Gjevelekaj, Dr. Hashim Çollaku, Balë Kajzogaj, Hilë L. Sh. Prekpalaj, Lucije Marklushaj, Tunë Prekpalaj, Nol Kristaj, Gjon Gjevelekaj, Hajdar Mallaku, Gjon Kolëndrekaj, e kështu me radhë).

Njëherësh do të hapet ekspozita e Frrok Kristajt me fotografi të Imzot Pjetër Bogdanit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Katarina Josipit e të Anton Pashkut.

Në fund, veprimtarët kurbetçarë, që i kanë kontribuar zhvillimit të vendlindjes - Zymit, do të laureohen me mirënjohje. (f.k.)