Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mirdash Shehu: Justin Godart kryemik i shqiptarëve

| E marte, 11.08.2015, 06:22 PM |


JUSTIN GODART KRYEMIK I SHQIPTARËVE

(Parathënie e librit të Justin Godart “Shqipëria në 1921”, botuar nga Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë, Tiranë, 2015)

NGA MIRDASH M. SHEHU

Ja kushtoj këtë punë babait tim, intelektualit qytetar, mësuesit patriot, kompozitorit dhe mbledhësit të apasionuar të folklorit dibran, Munir F. Shehu. Gjithçka që di m’a ka mësuar ai. Edhe dalja në dritë e këtij libri i takon atij, jo vetëm për frëngjishten që më mësoi, por edhe se vetë libri është pronë e bibliotekës së tij. Shqipëria ka patur edhe do të ketë gjithmonë intelektualë që pavarësisht përmasave, do të luftojnë e do t’a mbrojnë me dije dhe dashuri. Pikërisht, këtyre intelektualëve u përket edhe Muniri, i cili, në rininë e hershme, duke dashur të mësonte sa më shumë për historinë e vendit të tij, për lojrat që po luheshin në kurriz të popullit të tij do ta kërkonte, do ta gjente, lexonte e ruante fort, rreth 80 vjet edhe këtë libër të rrallë në bibliotekën e tij. Por, historia e këtij libri nuk mbaron këtu. Intelektuali dhe libri, të dy, do të vuajnë së bashku dhe veç e veç kalvarin komunist. Për kulturën dhe bindjet e tij demokratike, që në fillim, me vendosjen e komunizmit në Shqipëri, në 1945, Muniri do të arrestohej, do të shpallej “armik i popullit”, do të burgosej, do të lirohej, do të burgosej e lirohej përsëri, por kjo nuk do t’a shqetësonte aq sa meraku i shkatërrimit të bibliotekës nga konfiskimi. Një biliotekë  e  ngritur  me  mund  e   me   vlera..  I  shqetësuar për fatin e saj, porositi të afërmit t’i fshihnin librat… Inkuizicioni komunist do të hakmerrj edhe ndaj tyre.  Të ngarkuar në kuaj, mushka, gomerë, a ç’të mund, natën, librat udhëtonin nëpër Dibër, sa në një shtëpi në tjetrën për t’i shpëtuar sekuestrimit në një ndërrmarje të pasukseshme. Një pjesë u grisën, një pjesë humbën rrugëve gjatë transportit edhe ajo që mbeti u mbulua nga uji në një podrum bashkë me shumë shkrime të tij. Më në fund, të shpëtuar nga kjo odise e dhimbshme, ishin një Larus i 1936, një metodë solfezhi, mendoj shumë e rrallë e Klod Ozhe, ndonjë gjë tjetër dhe… libri i Godartit. Vetëm ai shpëtoi. I vetmi libër që mbeti gjallë në këtë përpjekje të dëshpëruar si dëshmi e historisë, për të treguar se e vërteta nuk vdes. Ai duhet të mbijetonte dhe mbijetoi duke patur historinë e vet të mbijetesës. Libri i shlyerjes së borxheve, libri i shpëtimit të moralit. Nëpërmjet tij, D’Estournelles “pagoi” një detyrim ndaj shqiptarëve, ndërsa unë, një borxh që ja kisha babait tim. Ky libër sot flet shqip.

Në mars të vitit 1997, kur rrugët e paqeta të qytetit tim i kishte pushtuar çmenduria e njerëzve të armatosur që qëllonin papushim, pa kuptim, kur urrejtja e frikshme njerzore shkaktonte viktima të pafajshme, unë kërkoja paqen. Po ku?Po ku tjetër përveçse tek libri mund t’a gjesh atë? Libri është paqja vetë dhe libri i J. Godart vetë libri i paqes. Komunizmi mundi të më heqë të drejtën e arsimimit, po jo dashurinë për librin. Ndërsa jashtë, netëve të frikshme u ishte prishur gjumi nga krismat pa pushim, brenda, unë fillova të lexoj Godartin duke e përkthyer fjalë për fjalë, rresht për rresht, faqe për faqe. Një stërmundim i madh që më ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Këtë libër të mrekullueshem, kur isha fëmijë, e kisha prekur, e kisha marrë në dorë me dhjetra e dhjetra herë. Ngaqë ishte me kapakë të trashë e përdorja për të vendosur në faqet e tij koleksionin e pullave të filatelisë. Vonë, shumë vonë, e mora përsëri në dorë krejt rastësisht, thjesht duke kërkuar diçka për të lexuar. E mora në dorë dhe, si një relike e fëmijërisë time, më ngjalli kujtimet e hershme kur me shumë kujdes i hapja faqet e tij për të vendosur pullat pa u dëmtuar. Dhe ja, kështu, duke shfletuar faqet, kurioziteti më shtyu të lexoj, pa qëllim, rreshtin e parë të parathënies së tij, të shkruar nga nobelisti i paqes, sekretari i komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë me Malin e Zi, D'estournelles de Constant: Je dois l'Albanie beaucoup; je paierai cette dette de jeunesse (Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t'a paguaj këtë borxh të rinisë).

Ishte hera e parë që lexoja një diplomat të huaj, të një kalibri të tillë, që shfaqte pendesë për qëndrimet ndaj Shqipërisë, megjthëse kjo ishte shkruar prej tij që në 1921!

Vazhdova më tej dhe ndalova vetëm në fund. Nga ndjenja që nuk është e vështirë të përjetohen në situata të tilla, e lexova dhe e përktheva  me durim e dashuri, me dëshirën e mirë për t'u sjellë lexuesve një libër, që, mendoj, duhet t'a lexojnë e t'a mbajnë me vete në udhëtime, për pushime, në zyra, në makinë, kudo.

Ky libër i autorit Justin Godart,  politikan i shquar francez dhe njohës shumë i mirë i shqiptarëve, të cilin, e drejta e bëri mik të tyre, i shkruar në vitin 1921, është në fakt vetë historia e Shqipërisë, historia e padrejtësive të diplomacisë të Fuqive të Mëdha për të fshirë nga harta një nga kombet më të vjetër në Europë, historia e përpjekjeve të  paepura të presidentit Willson në mbrojtje të shqiptarëve, historia e vuajtjeve dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar, duke luftuar kundër të gjithëve, të braktisur, krejt  vetëm.

Justin Godart është ndër të paktët njerëz që, me guxim, në mbrojtje të së vërtetës, nuk i braktisi kurrë shqiptarët.

Gjërat duken si të ditura, por duhet menduar thellë…

Me këndvështrimin e tij të drejtë, me shikimin e tij të sprovuar, me këshillat e tij të ndershme, ky libër vlen  sot, bile  shumë,  për të kuptuar forcën e gjërave. Eksperienca e Godart që vjen nëpërmjet këtij libri është një vlerë e pallogaritshme për të njohur veten dhe të tjerët.

Duke pasqyruar me vërtetësi dhe paanshmëri të gjitha intrigat që ju bënë shqiptarëve si nga fqinjët ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha, ky libër u jep përgjigje edhe shumë pyetjeve për ngjarjet që po ndodhin sot.

D'estournelles de Constant, nobelisti i paqes 1909, ndër diplomatët, politikanët dhe humanistët më të shquar të kohës, si një detyrim, dhe jo vetëm, ka marrë përsipër dhe ka shkruar një parathënie, sa të gjerë, nga temat që trajton, sa të thellë e të drejtë, nga mënyra si i trajton, po aq edhe prekëse, nga dashuria dhe dhimbja për pdrejtësitë në dëm të shqiptarëve.

Kështu pra, këta dy burra të mëdhenj, kanë sjellë para nesh prej shumë kohësh një libër, që po ashtu, prej shumë e shumë kohësh duhet  të ishte në bibliotekat e shqiptarëve.

Besoj se e kuptoj edhe pse-në e mungesës së tij.

  fundi, duke mos qenë një njohës i thellë i gjuhës frënge, ju kërkoj ndjesë për guximin, por pasi durova mjaft që ky libër të shihte dritën e botimit, nuk mund të rrija më gjatë duke pritur.

Shpresoj se duke e lexuar do të më jepni të drejtë.