E premte, 29.03.2024, 01:06 AM (GMT)

Faleminderit

Bajram Çeliku: Dervish Emin Kaçaku

E shtune, 08.08.2015, 03:54 PM


DERVISH EMIN KAÇAKU – EMIN XHAMBAZI

(Gjurmëve pas trimave të lirisë)

NGA BAJRAM ÇELIKU - BALI

Të shkruash për historinë e popullit shqiptar, sot pas kaq viteve, nuk është punë e lehtë. Punë të cilën në të kaluarën e kanë bërë të tjerët edhe atë, ashtu siç kanë dashur ato si pushtues, pëlqyer e ardhur përshtati. Dihet, kanë shkruar siç u ka konvenuar atyre si sundimtarë. Një gjë e tillë do të vërehet edhe në shkrimet e mëvonshme për shumë ngjarje historike. E mua, më ra në sy teksti i historianit të shquar shqiptar Dr. Vebi Xhemaili, shkruar për nder të 170 vjetorit të kryengritjes së Dervish Carës nga Tetova, i cili para 170 viteve kërkoi autonominë e Shqipërisë. Në tekstin e shkruar nga ai si historian, gjeta të dhëna edhe për stërgjyshin tim Dervish Emin Kaçakun, përndryshe Emin Xhambazi si që është përmendur në shkrimin e autorit, por edhe nga historianë të tjerë. Për të ndriçuar pak më tepër veprën patriotike të stërgjyshit tim, vendosa të shkruaj edhe unë për disa të dhëna që i kamë dëgjuar nga gjyshi im, Emin Çeliku. Besoj se këto të dhëna do të jenë të mirëpritura, jo vetëm nga lexuesit në përgjithësi, por edhe nga historianët shqiptar.

Gjyshi shpesh më rrëfente, se: shqiptarët paskan vuajtur shumë gjatë shekujve që kanë kaluar, duke rënë nën sundime të ndryshme okupatore. Ai tregonte se, shqiptarët kanë kaluar një jetë të rëndë robërie: dikur, nën sundimin romak e pastaj edhe nën atë turk, serb e bullgar. Por, asnjëherë nuk u përkulën. Me armë në dorë e kërkuan lirinë maleve duke e paguar atë edhe me gjak. Gjithmonë, ruajtën bujarinë dhe krenarinë e tyre duke luftuar ndaj të gjithë okupatorëve që sundonin trojet e tyre shekullore. Shekuj me radhë kalonin një jetë të rëndë dhe të mundimshme, por sa herë që kapnin armët në dorë për të mbrojtur trojet e tyre dilnin fitimtar. Gjatë shekujve lindën trima mbi trima, të cilët me armë në dorë luftonin për të çliruar trojet e tyre shekullore. Historinë e shkruajtën me gjak, duke i treguar botës sesi duhet luftuar për mëmëdhe. Në mbrojtje të mëmëdheut dolën shumë trima, edhe atë në kohë të romakëve, si: Piro, Teuta, Agroni e shumë të tjerë, në kohën e sundimit turk: Skenderbeu, Isa Boletini etj. Edhe kundër okupatorëve serb e bullgar luftuan shumë trima duke dhënë edhe jetën e tyre vetëm e vetëm për të gëzuar lirinë. Edhe Kërçova dha shumë trima, të cilët duke i dalë zot vatanit flijuan edhe jetën e tyre. Ndër këto trima vlen të përmenden emrat e Dervish Emin Kaçakut, nga Cërvica, Sadin Selmanit, Selim Brajës, Nezir Koxhës, Osman Xhinit, Baftir Shitovës, Kalosh e Lazam Danit, Kamerr dhe Imer Bllacës, Mefaili Madh dhe Mefaili Vogël, Nefruz Çeliku, Ramazan Mislimi, Habib Kaleshi, heroina Sulltëna e Qafës e shumë të tjerë.

Unë në këtë shkrim nuk do të shkruaj për gjithë këto trima, të cilët me gjakun e tyre nderuan atdheun, por do të shkruaj për stërgjyshin tim, Dervish Emin Kaçakun. Që të shkruaj  për të si që ceka më lartë më shtyri studimi historik i shkruar nga historiani i shquar shqiptar Dr. Vebi Xhemaili. Në studimin e shkruar nga ai për nder të 170 vjetorit të kërkesës së Dervish Carës për Autonomi të Shqipërisë, ku stërgjyshi im Emin Kaçaku, përndryshe në shkrimin e tij përmendet si Emin Xhambazi nga Kërçova, autori i tekstit cek se Emin Xhambazi nga Kërçova ishte dora e djathtë e Dervish Carës.

Gjyshi më rrëfente shumë gjëra që kishte dëgjuar nga babai i tij për jetën e Dervish Eminit dhe trimëritë e tij gjatë jetës si kaçak i maleve, duke luftuar padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar aso kohe. Ato që i dëgjoja nga gjyshi im, i takova edhe në studimin e autorit të lartëpërmendur (V. Xh.), në tekstin e tij ku Emin Xhambazi nga Kërçova përmendet si dorë e djathtë e Dervish Carës në luftë kundër ushtrisë së madhe turke të udhëhequr nga Hajredin Pasha dhe Omer Pashë Latasi. Jam i bindur se, lexuesit e në veçanti historianët, në këtë shkrim do të pajisen me njohuri të reja në lidhje me aktivitetet luftarake të trimit sypatrembur nga Cërvica e Kërçovës, Emin Kaçaku si që e patën pagëzuar dikur shqiptarët e rrethit të Kërçovës.

Emin Kaçaku - Xhambazi u lind në fshatin Cërvicë të Kërçovës në lagjen Çelike. Babai i tij Ramë Çeliku, si që tregonte gjyshi im Emini (emrin e të cilit e trashëgonte në familje), kishte qenë  burrë i matur e i besës, por edhe trim i vërtetë. Kur i ka ardhë koha  për t’u martuar, ka kërkuar që nusja e tij të jetë nga një familje bujare dhe trime. Kjo dëshirë i plotësohet duke u martuar me një vajzë nga familja Bllace e fshatit Jagoll i Kërçovës. Kjo familje nga fshati Jagoll, kishte lindur shumë trima, të cilët brez pas brezi patën treguar trimëri ndaj pushtuesve të ndryshëm të këtyre trojeve. Familje, që dha shumë trima, si Kamerr Bllacën, një kaçak trim që rrallë  e lind nëna. Edhe, djemtë e tij Imer dhe Kalosh Bllaca, ndoqën rrugën e babait.

Djali i madh i Ramë Çelikut, Emini rritej shpejt dhe qysh si i ri u tregua si një djalosh sypatrembur. I donte dhe i respektonte shumë dajallarët e vet. Shpeshëherë i hipte kalit dhe shkonte te daja i tij Kamerr Bllaca. Gjyshi më tregonte një ngjarje, ku një ditë Emini i Ri i pat hipur kalit dhe kishte shkuar te daja i tij nga Cërvica për në Jagoll. Kur kishte hyrë në oborrin e dajës, tregonte gjyshi kishte takuar një vojvodë i cili shpeshëherë kishte përgjuar shtëpinë e dajës, duke kërkuar kaçakun e maleve nga ky fshat Kamerr Bllacën. Gruaja e dajës, disa herë ia kishte tërhequr vëmendjen vojvodës që të mos vinte shpesh në shtëpi, sepse mund të takonte nipin nga Cërvica, Eminin e Ri dhe se mund të kalonte shumë keq me të ballë për ballë. Vojvoda nuk e pat dëgjuar dhe ja, vojvoda dhe Emini i Ri, një ditë takohen në oborrin e dajës.  Emini pyet nusen e dajës se çka kërkonte vojvoda në oborrin e tyre? Nusja e dajës i përgjigjet se ai kërkonte dajën e tij Kamerrin, e ajo ku t’ia gjente si hall gruaje? Kamerri çonte jetën e kaçakut nëpër malet përreth Kërçovës. Vojvoda kur e sheh Eminin e Ri, fillon të qeshi dhe të tallet me të duke thënë? Vallë, ky qenka ai nipi i prapë e trim nga Cërvica? Kjo e nervozon Eminin e Ri, i cili nga brezi nxjerrë koburen dhe e qëllon vojvodën në lule të ballit duke e lënë të vdekur në mes të lëmës. E ngarkon trupin e pajetë të vojvodës mbi kalin e tij që qe hipur dhe e nxjerrë jashtë oborrit të shtëpisë së dajës me një shqelm bythëve nga ka ardhë.

Ramë Çeliku, tregonte se: gjyshi përveç Eminit ka pas edhe një djalë tjetër të quajtur Ibrahim dhe tri vajza. Djemtë: Emini dhe Ibrahimi rriteshin shpejt dhe bëhen burra të vërtetë për armë. Rehatinë e familjes, e prishin Reformat e Tanzimatit, ku nga shqiptarët kërkohej që të paguajnë tatime shtetit turk, si dhe nga një bir shtëpie të marrë pjesë në ushtrinë turke, duke i dërguar jashtë kufinjëve etnik për të luftuar në fushatat luftarake pushtuese turke. Radha i kishte ra Eminit të Ri, por ai si edhe shumë shqiptarë të tjerë në mbarë trojet etnike shqiptare, kundërshtoi që të bëhet ushtar në ushtrinë turke jashtë mëmëdheut. Si që tregonte gjyshi im, Emin Kaçaku dhe shumë trima të tjerë nga rrethina e Kërçovës, e prej tyre sipas rrëfimit të gjyshit, nga Zajazi marrin një aksion luftarak duke sulmuar kazermën e ushtrisë turke në Kërçovë. Sipas rrëfimit të gjyshit, kazerma aso kohe paska qenë e vendosur rrëzë kalasë së qytetit, sot në afërsi të tregut të kafshëve. Për një kohë të shkurtër tregonte gjyshi, Emin Kaçaku me shokë pushton kazermën turke, merr dy të zënë rob dhe i drejton në drejtim të Manastirit që t’i tregojnë pashait të tyre se, shqiptarët e Kërçovës nuk pajtohen me Reformat e Tanzimatit, dhe se me armë në dorë do t’i mbrojnë vatrat e tyre shekullore nga çdo padrejtësi që do të i bëhet vendit. Kur Hajredin Pasha merr lajmin se, kazerma turke ka ra në duar të shqiptarëve dhe se Emin Kaçaku e ka kryer këtë sulm, niset me një ushtri të madhe që të kthejë kazermën përsëri në gjendjen e mëparshme, dhe gjallë a vdekur të sjellë Emin Kaçakun në Manastir. Për këtë ndodhi Hajredin Pasha lajmëron Stambollin dhe kërkon leje nga Sulltani që të sulmojë Kërçovën. Pasi merr leje nga Sulltani, me një ushtri të madhe, thuhet se ka pasur afër 5.000 ushtarë, niset në drejtim të Kërçovës.

Emin Kaçaku pas pushtimit të kazermës turke në Kërçovë me shokët e vet të luftës vazhdon rrugën për në Gostivar e Tetovë për t’iu bashkangjitur Kryengritjes së Dervish Carës, në luftë kundër Turqisë. Hajredin Pasha me ushtrinë e tij arrin në Kërçovë dhe mëson nga vendasit se, Emin Kaçaku na qenka nga fshati Cërvicë i Kërçovës. Me ushtrinë e tij niset për në Cërvicë dhe e rrethon Cërvicën, Duke menduar se Emin Kaçaku ndodhet brenda në fshat, i fut brenda disa misionarë që të dorëzohet pa luftë Emini se, përndryshe konflikti duhet të zgjidhet me luftë, ose fshatit do t’i vihet zjarri. Sipas rrëfimit të gjyshit, fshatarët qenë tubuar në mes të fshatit edhe atë, te shelgu i Hasan Vesel Xhambazit. Mblidhet paria e fshatit dhe kuvendojnë sesi të zgjidhet kjo situatë e vështirë dhe si të shpëtohet fshati nga zjarri. Ka qenë e pamundur që të dorëzohet Emin Kaçaku, sepse ai tani më me shokët e vet të luftës kishte marrë rrugën në drejtim të Gostivarit e Tetovës. Fshatarët mendohen, kuvendojnë sesi ta zgjidhin këtë situatë, dhe më në fund njëri prej tyre jep propozim që të merret një njeri tjetër nga mëhalla Çelike e t’u dorëzohet turqve kinëse ai është Emin Kaçaku - Xhambazi. Së shpejti e zgjidhin edhe këtë problem, shkojnë e marrin Zejno Çelikun dhe ua dorëzojnë turqve e kështu fshati shpëton nga zjarri (djegëja). Zejno Çelikun e marrin dhe e dërgojnë në Manastir e pastaj pas një kohe të shkurtër e depërtojnë për në Stamboll, që atje të gjykohet nga porta e lartë. Kur sulltani mëson për trimëritë e Emin Xhambazit duke qenë i bindur se i depërtuari është ai, vendos që t’i falet jeta dhe të dërgohet me ushtrinë turke në luftërat që i zhvillonte ushtria turke në Siri dhe Liban. Në këto luftëra edhe Zejno Çeliku do të tregonte trimëri të rrallë sa që nuk dyshohej fare se, ai nuk ishte Emin Kaçaku. Sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, Zejno Çeliku nuk kthehet më në Cërvicë, ai vdes në Siri dhe atje edhe varroset trupi i tij i pajetë si “shehit” lufte i Turqisë.

Në shkrimet e historianit të shquar nga Tetova, Dr. Vebi Xhemaili thuhet se, Hajredin Pasha pa asnjë rezistencë hynë në Kërçovë, dhe i rregullon punët ashtu si që kanë qenë edhe më parë. Këtë e tregonte edhe gjyshi im Emin Çeliku, por ai këtë e sqaronte mirë si ngjarje historike. Ai tregonte se, Hajredin Pasha kur vjen në Kërçovë, Emin Kaçaku me shokë kishte marrë rrugën për Tetovë dhe i ishte bashkangjitur Kryengritjes së Dervish Carës, e cila ishte nisur në drejtim të Shkupit për të çliruar atë si qytet, e pastaj për Katllanovë e Veles. Hajredin Pasha, kur mëson se edhe shqiptarët e Kërçovës janë nisur në luftë në drejtim të Shkupit dhe Velesit, nga Kërçova me ushtrinë e vet niset për në Prilep, e pastaj për në Veles, që atje me forcat tjera turke të udhëhequra nga Omer Pashë Latasi, të shuajnë kryengritjen shqiptare në krye me Dervish Carën. Si që mësohet nga shkrimet e historianit Vebi Xhemaili, Emin Xhambazi nga Kërçova na paska qenë dora e djathtë e Dervish Carës. Këtë ma thoshte edhe gjyshi im Emini, duke më sqaruar se Dervish Cara ka pasur shumë besim në Emin Kaçakun dhe e ka respektuar shumë si luftëtar trim e me besë.

Gjatë pranverës së vitit 1844, si që tregonte gjyshi, Emin Kaçak - Xhambazi, në grykën e Taorit kishte marrë disa aksione luftarake kundër ushtrisë së Hajredin Pashës duke i shkaktuar dëme të mëdha në njerëz. Në këto aksione trimi i maleve nga Kërçova do të tregonte aftësi të mëdha luftarake dhe gjithmonë me sukses e fitore. Kjo e hutonte Hajredin Pashën, i cili kërkonte leje nga Omer Pashë Latasi që sa më shpejtë të nisnin luftën e madhe kundër forcave kaçake shqiptare. Në ndërkohë, tregonte gjyshi ka pasur edhe negociata, që shqiptarët të heqin dorë nga kërkesat e tyre por ato mbaronin pa sukses, sepse shqiptarët nuk hiqnin dorë nga kërkesat e tyre legjitime. Shqiptarët nuk kërkonin më shumë sesa u ishte dhënë serbëve, bullgarëve apo grekëve, prandaj e merrnin të udhës se, edhe ato si popull meritojnë që të kenë aq sa kanë popujt e tjerë në Ballkan. Përderisa zgjasin negociatat, papritmas shtabi udhëheqës kryengritës në krye me Dervish Carën bie në duar të turqve.

Në shkrimet e Dr. Vebi Xhemailit thuhet se Emin Xhambazi zihet rob dhe aty për aty i pritet koka, e sipas disa të dhënave tjera nga turqit thuhet se ai vritet në luftë me turqit. Këto kanë qenë spekulime tregonte gjyshi, dhe se e vërteta qëndron ndryshe: ai as vritet në fushë të betejës e as që zihet rob nga turqit, e aty për aty i është prerë koka. Emin Kaçaku me shokët e luftës nga Kërçova do të vazhdonte edhe më tutje luftën kundër forcave turke duke u tërhequr në drejtim të Malit të zi të Shkupit, dhe herë pas here në befasi nga pusia i sulmonte forcat turke. Duke parë se forcat turke ishin të mëdha, ai me shokët e luftës nga Kërçova nuk do të kthehet në drejtim të Kërçovës, por do të vazhdonte në drejtim të Kosovës, ku së bashku me shqiptarët e këtyre trojeve do të vazhdonin luftën kundër forcave turke maleve për liri. Sipas rrëfimit të disa bashkëfshatarëve të mi, nga Cërvica të cilët kanë punuar dikur në Mal të Zi, edhe atë, në qytetin Cetinje, mësova nga ato se: në një kishë të këtij qyteti në një fletore të kishës na paska figuruar edhe emri i Emin Xhambazit - Kërçova. Në bisedë me Veli Spahiun, i cili dikur ka punuar në këtë qytet, mësova se malazezët me shumë respekt kanë përmendur emrin e tij, duke e cilësuar atë si trim të rrallë që me mish e me shpirt ka luftuar kundër forcave turke edhe në këto anë, e sidomos kur turqit kanë tentuar që t’i venë zjarrin kishës në fjalë, por kanë qenë të zbrapsur nga Emin Xhambazi - Kërçova. Dua të them, se: Emin Xhambazi - Kërçova në luftrat e zhvilluara me turqit afër ngushticës së Taorit dhe në Katllanovë, as nuk u vra e as iu pre koka, si që thuhet në spekulimet turke, por ai vazhdoi luftën edhe më tej ndaj tyre. Turqit këto spekulime i kanë bërë, thoshte gjyshi me qëllim që te shqiptarët të thyhet morali luftarak dhe të marri fund rezistenca e tyre ndaj sundimit turk, por shqiptarët luftuan trimërisht deri në dëbimin e tyre definitiv nga trojet etnike shqiptare edhe atë në vitin 1912, kurë në Vlorë shpallet Pavarësia e Shqipërisë.

Nga gjyshi mësova se, pas kthimit të Emin Kaçak - Xhambazit nga Kosova, ai do të vepronte në malet e Dibrës duke vazhduar luftën si kaçak mali me shokun e tij të pushkës, kaçakun nga Dibra Halil Reka. Ai me shokë sulmonte rrugës tagrambledhësit turq, duke ua marrë  plaçkat e mbledhura nga popullata: si drithëra, veshëmbathje, flori e plaçka të tjera. Sipas rrëfimit të gjyshit, drithërat dhe plaçkat e grumbulluara nga tagrambledhësit turq ua shpërndante përsëri fshatarëve prej të cilëve qenë marrë ato, ndërsa floririn e merrte për vete, sepse ato mblidheshin nga shtresa e pasur. Emri i Emin Kaçakut, tregonte gjyshi ka qenë i respektuar edhe nga banorët pleq të fshatrave të Kopaçkës me konfesion ortodoks, sepse si që tregonte gjyshi, drithin dhe plaçkat tjera të marra nga tagrat e mbledhësve turq, ua kishte kthyer përsëri fshatarëve. Me shokun e tij të luftës, kaçakun nga Dibra Halil Rekën patën marrë shumë aksione të tilla, por punët filluan të keqësohen pas vrasjes së shokut të tij besnik, gjatë një aksioni ku këto dy kaçakë kishin vrarë një vojvodë i cili aso kohe bënte dëme nëpër familjet shqiptare të anës së Dibrës. Pas vdekjes të shokut të pushkës, Emin Kaçaku përsëri do të vazhdonte jetën e kaçakut nëpër malet e Dibrës, shpeshëherë kalonte edhe në anën e Prilepit ku kishte të afërm nga gjaku, edhe atë, në fshatin Desovë, familjen e Bajraktarëve.

Si që tregonte gjyshi im, vdekja e Halil Rekës i kishte rënduar shumë Emin Kaçakut. Ai vetë kishte bërë varrimin e shokut të tij shumë të respektuar nën hije të një lisi atje në malet e Dibrës. Nuk kalon shumë kohë, tregonte gjyshi: Emin Kaçaku vendos që të hakmerret për vrasjen e shokut të tij besnik. Pas dy, a tre muajve mbërthen armët dhe një natë, fshehurazi i afrohet shtëpisë së shkinës e cila në prani të tij pas vrasjes së vojvodës nga Dibra ia vrau pas shpine shokun e tij të dashur. Aty nga mezi i natës, tregonte gjyshi i afrohet shtëpisë së shkinës dhe ia vë zjarrin. Pasi heton zjarrin shkina, përndryshe gruaja e vojvodës së vrarë, piskatë dhe kërkon ndihmë nga bashkëfshatarët e sajë. Së shpejti i vjen ndihma, por Emin Kaçaku i pengonate duke qitë me pushkë në to, dhe sa herë që qitëte nga një po vriste, më tregonte gjyshi. Zjarri patë bërë shkrum e hi shkinën që ia vrau shokun e luftës. Pas kësaj ndodhie, Emin Kaçaku largohet nga vendi ku patë kryer aksionin dhe kishte shkuar te varri i Halil Rekës, ku ia kishte thënë disa fjalë te koka. Ai i patë thënë shokut të humbur te varri, ku pushonte për jetë, se: ia kishte marrë gjakun dhe se e ka bërë shkrum e hi shkinën që e vrau pas shpine. Nga mallëngjimi për shokun e vet kishte thënë edhe fjalët: O bre Halil, bre shoku im, si të vrau bre Lilë ajo shkinë e keqe?! Pastaj më vonë, tregonte gjyshi im Emini, Dervish Emin Kaçaku i pat thurur edhe një këngë shokut të vet të pushkës. Këngë të cilën e këndonte shpeshëherë edhe gjyshi im Emini nëpër gëzimet familjare. Unë nuk e mbajë krejtësisht në mend, por më kujtohen vetëm disa vargje të asaj kënge historike, e në veçanti dy strofët ku përkujtohet me mall si kaçak mali Halil Reka:

 

Halil Rekë, bre sojin pi trejmi

Mol më mol të shkon kushtrejmi!

Mol më mol e kep më kep

Pushkë e Lilës veç kërset.

 

Pushka e Lilës me dy teneqe

Si të vrau bre Lilë ajo shkinë e keqe?!

Sa të jemë gjallë bre Lilë do të kujtoj

Asnjë herë bre Lilë, s’të harroj...

 

Gjyshi tregonte, se: Dervish Emin Kaçaku, gjithmonë ka folur fjalë të mira për shokun e tij të luftës që ia vrau shkina mbi krahët e tij duke dalë për baxhe nga çatia e shtëpisë. Vdekja e shokut e mërziti shumë, por ai nuk e ndali luftën për drejtësi e barazi kundër sundimit të rëndë turk. Dervish Emin Kaçaku, tregonte gjyshi ishte largpamës dhe besonte, se: do të vijnë ditë më të mira për popullin shqiptar, dhe se një ditë do të jetojnë të lirë në trojet e tyre etnike. Ajo ditë arriti edhe para syve të tij, kur në vitin 1912, në qytetin e Vlorës u shpallë Pavarësia e Shqipërisë. Dita e Madhe, kur Shqipëria u çlirua nga prangat e pushtetit turk. Ky gëzim nuk zgjati shumë në zemrën e tij liridashëse, sepse shqiptarët më vonë e pësuan edhe më keq nga pushtuesit serb, bullgar e grek. Me sytë e tij pa masakrën e vitit 1913 në Cërvicën e tij, ku edhe vetë mezi shpëtoi nga vdekja së bashku me dy djemtë e tij Bajramin dhe Ademin, si dhe luftërat ballkanike.

Emri i Emin Kaçak – Xhambazit, tani më ishte i njohur nëpër të gjitha trojet etnike shqiptare, prandaj në vitin 1878, do të marrë thirrje që të marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit. Edhe pse, i ndjekur nga pushteti turk këmba – këmbës, ai së bashku me një shok tjetër nga fshati Premkë i Kërçovës do të marrë pjesë në mbledhjen që do të mbahej në Prizren si delegat nga Kërçova. I njohur si trimi i maleve, në mbledhjen e Prizrenit bashkë me shokë të tjerë do të përbetohet se do të luftojë deri në vdekje për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë ato, në trojet e tyre etnike për të fituar një Shtet Shqiptar nga pushteti turk, si që e patën fituar këtë të drejtë popujt tjerë në Ballkan e sidomos serbët, grekët e bullgarët. Prezenca e tij në këtë mbledhje demanton të thënat turke se, ai u vra në betejën e Katllanovës e në veçanti se, atij pasi u kap rob nga turqit iu pre koka aty për aty si kryengritës. Pasi u moshua pak, tregonte gjyshi: ai braktis jetën e kaçakut dhe nga malet e Dibrës kthehet në shtëpi dhe merret me punët e fushës duke u munduar që të sigurojë kafshatën e bukës për vete dhe familjarët. Viti 1913, nuk do të harrohet kurrë nga cërvicasit. Erdhën ditë të zeza, tregonte gjyshi im Emin Çeliku. Forca të zeza serbe dhe bullgare vepronin këtu në Serbinë e Jugut (Juzhna Serbija) e në vise të tjera ku jetonin shqiptarët. Këto egërsira sllave, bënin lloj - lloj masakrash mbi popullatën e        pafajshme shqiptare, duke vrarë e prerë burra, gra e pleq të pafajshëm. Në Zajaz, egërsirat barbare sllave, therën e vranë më se 300 vetë, në fshatin Qafë, thuhet se vranë 90 qafali, në Cërvicë 45 veta, në fshatin Jagoll 17, si dhe nëpër fshatra tjerë të Kërçovës.

Masakrën e fshatarëve të Cërvicës, gjyshi e përshkruante kështu: Cërvica qe rrethuar natën nga forcat sllavo - serbe nën komandën e Mihajllo Josifoskit, ose  Mikajlit të Brodit si që njihet në popullatën shqiptare të Kërçovës. Në mëngjes, kur hoxha i fshatit kishte shkuar të fali sarafin, Mikajl Brodi hynë në xhami dhe i jep hoxhës së fshatit i cili vinte nga mëhalla Xhambaze, një kuti duhani që ta mbushte me flori, sepse përndryshe do të therte burrat e fshatit. Hoxha merr kutinë e duhanit dhe mundohet që nga fshatarët të mbledhë flori që t’ia japi Mikajlit Brodit, por pa sukses. Fshatarët nuk i besojnë atij, duke menduar se hoxha do t’i mbledhë për vete. Kutinë e duhanit ia mbushin me duhan të verdhë, kinëse nuk e kanë kuptuar porosinë e Mikajlit. Kur e merr në dorë Mikajli kutinë e duhanit dhe sheh se në te ka duhan të verdhë e jo flori, urdhëron hoxhën që t’i mbledhë burrat e fshatit te xhamia, dhe pastaj grupe - grupe i çon pas kodrës së Ballazhe në vendin e quajtur Bllatë, ku më parë fshatarët me konfesion ortodoks nga fshati Osllome kishin hapur tre gropa, vend ku do të kryhej masakrimi dhe pastaj do të mbuloheshin me dhe kufomat. Sot, këto njihen si varreza masive ku u masakruan fshatarët e pafajshëm nga Cërvica, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë. Sipas gjyshit tim, kësaj masakre i ka shpëtuar pelivani i njohur nga ky fshat Xhaferr Iljaz Spahiu me disa të afërm të tij, si shenjë respekti që ka pasur ndaj tij Mikajl Brodi. Sepse, kur ai ka qenë i ri ka qenë simpatizues i denjë i tij nëpër dasmat me pelivanë, që mbaheshin aso kohe nëpër fshatrat e Kërçovës, Brodit e Prilepit. Kësaj masakre i shpëton edhe trimi i maleve Dervish Emin Kaçaku me dy djemtë e tij Ademin dhe Bajramin. Gjyshi tregonte se, pasi Mikajli i Brodit ua lidhë duarët te xhamia e fshatit ku ishin edhe fshatarët tjerë, i nisin në drejtim të vendit ku bëhej masakrimi i fshatarëve të pafajshëm. Pasi kalojnë kodrën e Ballazhe, Mikajl Brodi i thotë Emin Kaçakut – Shpëtove nga turqit, shumë luftëra bëre dhe mbete gjallë e sot të erdhi dita që së bashku me dy djemtë e tu të të pritet koka nga dora ime. Shpëtimi i vetëm është, nëse ke ruajtur ndonjë flori nga jeta që ke bë si kaçak. Tani je mplakur dhe nuk je në gjendje as të luftosh e as të ikësh nga duarët e mia.

Emin Kaçaku i përgjigjet me një gjakftohtësi: Nëse puna qëndron te florinjtë, ajo punë bëhet lehtë, e nëse punët qëndrojnë ndryshe s’kam çka të bëj, më ka arritur dita e vdekjes. Pasi bindet se, puna qëndron te florinjtë, i thotë Mikajl Brodit që të fusi dorën në xhepat e tirqve që i mbante dhe pasi të merrte atë që kërkon ta lëshonte së bashku me dy djemtë e tij që i kishte përkrahu. Mikajli Brodit, pasi merr florinjtë nga xhepi i tirqëve të Emin Kaçakut, ua zgjidh duarët dhe i lëshon në liri. Kështu trimi i maleve shpëton nga vdekja e sigurtë dhe gjallë e shëndoshë zbretë për në Katund.

Trimi i maleve me djemtë e tij duke kaluar luginën e ngushtë të Rupës, niset në drejtim të shtëpisë së vet. Djemtë e vet i këshillon që të kenë kujdes për në shtëpi, mos bijnë përsëri në duar të armikut, ndërsa vetë vjedhurazi ngjitet mbi Përronin e Xhetit, aty te Lugu i Ymerit dhe për së afërmi ndjek torturat e ushtarëve serb të udhëhequra nga Mikajli i Brodit ndaj shqiptarëve, dhe në pamundësi që të bëjë diçka kthehet i brengosur dhe i dëshpruar nga e gjithë ajo që e pa me sytë e tij. Ngjarje tragjike, të cilën kur kthehet në shtëpi ua tregon edhe të afërme të tij që e pa me vetë me sy në vendin e masakrimit.

Pra, Emin Kaçaku është dëshmitari i vetëm i cili me sytë e tij  pa, sesi bëhej masakrimi i fshatarëve të pafajshëm të Cërvicës nga dora e kasapit Brodit. Trimi i maleve, tregonte gjyshi im: pas kësaj ngjarje jeton edhe katër vjet, dhe aty kah viti 1917 ndërron jetë në moshën 96 vjeçare prej ditës së vet, si që thuhet në popull e jo nga dora e tjetërkujtë. Rruga e tij luftarake, e një trimi të rrallë që luftoi vite të tëra nëpër male me pushkë në dorë për liri dhe barazi, për të drejtat e shqiptarëve kudo që të ishin ato në trojet e tyre etnike, sot duhet të na japi shembull sesi duhet luftuar për Shqipëri. Sot Cërvica dhe Kërçova duhet të mburren që nga gjiri i tyre lindi një trim i rrallë, i cili me armë në dorë luftoi për Atdheun, dhe për të drejtat e shqiptarëve kudo që të jetonin ato, si dhe për një jetë sa më të mirë të brezave të rinj që do të jetonin pas tij në liri.

Gjyshi tregonte se, ai na paska qenë edhe fetar i mirë. Të falmen e bënte nëpër tyrbe të ndryshme, jo vetëm në territorin e Kërçovës por edhe jashtë teritorit të Kërçovës, si në Ohër, Makedonski Brod e tyrbe të tjera të qyteteve në Maqedoni. Emin Kaçaku, tregonte gjyshi na paska qenë – dervish, prandaj njerëzit e quanin Dervish Emini. Thuhet se, ka qenë në krye të bektashive të Kërçovës, Dibrës, Ohrit, Strugës, Makedonski Brodit, Gostivarit e Tetovës. Njohuritë e tija nga bektashizmi në moshë të thyer sipas rrëfimit të Dervish Sulejman Spahiut, i ka përcjellë edhe te babai i tij Dervish Babë Neshyt Spahiu, i cili pas vdekjes së Dervish Eminit pranon postin Babë Dervish i fshatit Cërvicë. Ky post fetar, pastaj u përcollë nga brezi në brez.

Vepra patriotike e Dervish Emin Kaçakut nuk duhet harruar përjetë, sepse ai punoi gjithmonë për kauzën shqiptare. Nateditë i luftoi padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve kudo që jetonin ato si banorë liridashës. Vërtetë, kaloi një jetë të mundimshme plotë pusi, por gjithmonë doli fitues maleve. Ai pati respekt, jo vetëm te shqiptarët por edhe te të krishterët, sepse nuk i bënte dëm askujt pa dallim feje ose kombi. Kauza e tij ishte drejtësia e barazia në mes të njerëzve kudo që jetonin ato në vendlindje. Vepra e tij do të mbetet shembull për të gjithë ne pasardhësit, sesi duhet vepruar në jetë për liri, dhe çdo kujt  t’ia mendosh të mirën, e jo të ligën...



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora