Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Koha të gdhend emrin

| E shtune, 08.08.2015, 06:43 PM |


KOHA TË GDHEND EMRIN

Mësuesit meteor, Xhevit Mema

Nga Pëllumb Gorica

Të rindërtosh portretin e një mësuesi, është paksa e vështirë, sepse do të duhet të rindërtosh sërish nga e para një kullë prej drite dhe dije. Profesioni i mësuesit është vlerësuar për formimin e tij botëkuptimor dhe qëndron më lart se çdo profesion tjetër të përgjegjësive si një prind i dytë. Këto radhë ja kushtoj njërit prej mësuesve nga krahina e Sulovës, Xhevit Mema. Sëmundja e papritur e rrëmbeu atë dhe e largoi nga kjo jetë në moshën 54-vjeçare, duke lënë një boshllëk në shpirt për familjen, kolegët, miqtë. Me thënë të drejtën kam pritur vite se mos dikush nga ish-kolegët e tij, ndoshta edhe të tjerë, që kanë punuar dhe njohur mirë atë do të merrnin mundimin për të shkruar dy fjalë ata, që i kanë edhe mundësitë për të thënë mendime e vlerësime për kolegët, njerëzit e zotë, me virtyte të kësaj krahine. Por, ndodh që njerëz të çfarëdo kategorie qofshin këta të impenjuar për të ecur me ritmin e saj, harrojnë të kthejnë kokën mbrapa për të nderuar e kujtuar ata, që në momente të vështira kanë treguar përkushtim. Jam i bindur se heshtja dhe pluhuri i harresës, që duket se ka mbuluar punën dhe vlerat e jashtëzakonshme të tij dhe qindra e mijëra mësuesve të tjerë që ushtruan profesionin në vitet e vështira të analfabetizmit. Por kjo heshtje është e përkohshme, mbasi një ditë ky pluhur do të fshihet dhe vlerat e tyre do të shkëlqejnë sërish. Nejse, e mora unë mundimin të shkruaj për kontributin e Xhevit Memës si ish-nxënës i tij, duke shprehur pa rezerva edhe respektin e mirënjohjen e dhjetëra brezave të nxënësve, që edukoi me dashuri për gjuhën shqipe. Pena ime ndoshta nuk e jep dot të plotë personalitetin për të paharruarin Xhevit Mema, por në respekt të tij shkrova këtë portret modest në radhë të parë si njeri në kuptimin e plot të fjalës e së dyti, që jeta nuk e përkundi në shtratin e privilegjeve, por ishte ai që diti t’i rrëmbejë asaj me sakrifica çdo gjë të mirë kudo ku punoi. Atë e karakterizoi disiplina, pasioni dhe dashuria për profesionin, korrektësia, serioziteti si një filozofi e jetës së tij.

Xhevit Mema u lind më10 shkurt të vitit 1949 në gjirin e një familje të madhe në Klos të Elbasanit. Fëmija i parë i Riza e Selime Memës, punëtorë, të ndershëm, bujar e mikpritës. Që në fëmijëri, Xhevit Mema është dalluar për urtësi, zgjuarsi dhe këmbëngulje për të arritur atë që dëshironte. Arsimin fillor e mbaroi në fshatin Selvias, 7-vjeçaren në Mollas. Nxënës i të mirënjohurve mësues: Dilaver Shkodra, Astrit Bishqemi, Liri Arapi, Sami Domni, Sabaudin e Hysen Pobrati, etj, që punuan në Sulovë në vitet ‘50-‘60 të shekullit të kaluar. Të mesmen petagogjike dhe të lartën e përfundon në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë në vitin 1969. Arsimimi në qytete dhe jeta në konvikte ndikuan në formimin e tij kulturor, duke e futur denjësisht në botën e madhe të dijes. Të arsimosh sa më shumë një njeri nuk do të thotë thjesht dhe jo vetëm kaq, por me rëndësinë që i kushtohet të ndikoj në mënyrën e të sjellurit, të kërkesave për jetën, të shfaq energjitë që zotëron. Ndaj mësimet që mori i vuri në jetë kur u emërua për herë të parë mësues në Dëshiran të Dumresë. Kështu nisi rrugën e profesionit të mësuesit plot pasion e përkushtim së bashku me të sapo diplomuarit Ali Sallja, Petrit Meta, Stefan Tafa, Selim Gjoshi, Ramadan Izvra mes kushteve të vështira të jetesës. Sidoqoftë ishte koha kur mësuesit ashtu si inxhinierët, agranomët, mjekët, ekonomistët i transferonin në fshatra të largët. Ishte 20 vjeç dhe me dëshirat e kontributin e tij fillestar do të farkëtonte karakterin në përballimin e sakrificave. Nuk kish si ndodhte ndryshe. Shkolla 7-vjeçare e Dëshiranit ecte në një shtrat suksesesh e arritjesh cilësore. Ai këtu brenda mundësive u shqua për punë të lavdërueshme në procesin mësimor dhe edukativ. U desh të shkonin pak vite. Detyrimet me trillet tekanjoze i ndërprenë udhën e profesionit dhe e dërguan të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak tre vite larg. Kur e thirri Sulova, rendi për atje e dha mësim për t’u bërë edhe viktimë e një politike të mbrapshtë, e transferimeve të shumta nga njëra shkollë në tjetrën në Linas, Dragot, Mollas etj. Përkushtimi ndaj profesionit edhe mbrëmjeve në shkollën e natës do e mbushnin jetën e tij aktive. Në këtë këndvështrim, pothuajse, shumica e mësuesëve të kësaj krahine ishin të virtytshëm dhe me urtësinë e përkushtimin fituan respektin e admirimin e banorëve të zonës. Nuk duhen harruar mësuesit nga Sulova:Riza Cërriku, Tajar Hoxha, Shaban Dyrma, Hajdar Mëhalla, Alush Xheria, Fadil Hysa, Baki Asllani, Flamur Cërriku, Hajrie Zavalani, Neim Memini, Azis Mici, Dilaver Shabani, Nezir Duzha, Nazmi Senja, Petrit Kumria etj, që çdo ditë me vetmohim e pa u lodhur me çdo nxënës, duke i mësuar dhe edukuar, mbollën jo vetëm dije, por edhe dashuri e respekt për mësuesit, prindërit, shokët e shoqet. Respekt të veçantë do të shprehte ai për të gjithë ata mësues nga Elbasani që dhanë maksimumin e punës së tyre gjer në sakrificë, të cilët punuan me devotshmëri në gjithë fshatrat e Sulovës. Nuk harrohen Spiro Kallajxhiu, Shefki Ruda, Rifat Xhina, Fitnet Struga, Natasha Ballta, Mimoza Gremi, Agim Tarba, Vladimir Ganjolli, Kujtim Spahiu, Vilson Karanxha, Marjeta Osmani, Albert e Myzejen Palloin etjer. Ata me horizontin kulturor, kërkesat për jetën, mënyrën e jetësës dhe komunikimin ndikonin jo vetëm në kolektivat arsimor, por eklipsonin vlera edhe në mjediset e tjera të vendbanimeve. Aty nga fillimi i viteve ’70 Xhevit Mema punoi si mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit Linas. Krahas mësimdhënies Xheviti nuk pushoi së shtuari njohuritë për t’u bëre i aftë në kryerjen e misionit të mësuesit. Puna në këtë shkollë ka qenë përcaktuese për formimin e tij profesional e cila do të shpalosej e shoqëruar me vite të palodhura, duke e kthyer mësimdhënien cilësore dhe njëherazi art. Kështu fitoi një eksperiencë në profesion dhe u bë simbol i sakrificave shpirtërisht, kur i duhej të udhëtonte shpesh në Elbasan. Rëndësi i dha edhe veprimtarisë si mësues kujdestar. Por kjo nuk e pengoi të mendonte për krijimin e familjes. Në Linas u njoh me Selimen, që më vonë u bë gruaja e jetës së tij. Jeta ka të papritura, por që duhen kaluar sado me dhimbje. Vdekja e fëmijës së parë, djalë, pa mbushur vitin ishte një pikëllim i madh për të. Humbja e tij mbeti një plagë që i rridhte gjithmonë dhimbje.Jeta e tij e lidhur pazgjithmërisht me profesionin e dërgoi disa vite të tjera në shkollën 8-vjeçare të fshatit malor të Dragotit. Ishin vite kur pushteti i kohës i kushtoi vëmendje të veçantë arsimimit dhe shtrirjes së tij në gjithë fshatrat e krahinës. Ky masivizim ishte edhe elementi më pozitiv i arsimit, duke pohuar se u u luftua analfabetizmi dhe po rendej drejt arsimimit cilësor. Pa dashur të bëj historinë e këtyre viteve e të zgjatem më tej, duhet të theksoj se vështirësitë ishin të mëdha dhe përballja e tyre kërkonte sakrifica të shumta. Për të shkuar në Dragot nga fshati i tij, Klos, Xeviti bënte tre orë rrugë në këmbë në një terren tepër të vështirë. Këto sakrifica i kaloi pa u ankuar me qetësi dhe buzëqeshjen e tij karakteristike. I apasionuar pas profesionit, ai punoi me përkushtimin e tij të njohur dhe bënte ç’ishte e mundur për të qënë në nivelin maksimal të pregatitjes. Serioz, kërkues në orën e mësimit. Veç të gjithave shquhej për disiplinë. Ndaj kështu e kujtojnë me nostalgji për shpjegimet e qarta e me një ton të ëmbël dhe konkret të temave të mësimit në lëndën gjuhë shqipe. Mundohej për të qenë sa më i saktë në vlersime. Kjo bëri që shpejt të ngrihej në pozitën e zëvendësdrejtorit të shkollës së mesme në Mollas. Me kujdes e pasion punoi këtu dhe shpalosi një vizion të ri në drejtimin e saj krahas mësimdhënies. Në rrjedhën e viteve ’80 të shekullit të kaluar, shkolla e mesme bujqësore e Mollasit ndryshoi shumë qoftë në frekuentimin e saj, por edhe rezultate cilësore të studentëve që vazhduan shkollat e larta. Krijimi e sistemimi i ambienteve shkollore, zgjerimi i bazës prodhuese ishin efektive të shoqëruara me larminë e veprimtarive kulturore-sportive. Kështu që punët të ecin mirë, duhet që drejtuesi të jetë shembull në të gjitha drejtimet. E padyshim një nga arsyet e këtij suksesi të kësaj shkolle ishte edhe mënyra e komunikimit, si një ndër cilësitë më të spikatura të Xhevit Memës, por edhe përkushtimi i mësuesve të palodhur që punuan aty, shumica vendas, e të tjerë nga Elbasani që u bënë më vonë, profesorë universiteti, drejtues pushteti lokal, etj. Ai punoi me kolegë të zotë e të nderuar si:Arben Haxhiymeri, Ndriçim Zavalani, Reshit Lleshi, Pëllumb Dedja, Eva Kajanaku, Eqerem Isai, Marica e Pandi Strati, Rexhep Gorica, Stefan Tafa, Sulejman Haxhihasani, Vehap Cerri, Ligor Bodurrin, Myftar Salliun, etj. Nuk harrohen momentet e kënaqësisë që ndjente në arritjen e rezultateve cilësore dhe nëse ka një kapitull cilësor të punës së tij në arsim, ishin ato vite kur punoi aty. Ngarkesa psikologjike që rridhte prej frymës ideologjike ndikonte thellësisht në programet mësimore, të cilat ishin mbushur me elementët e formimit të njeriut të ri socialist nga idetë e partisë-shtet. I vetëdijshëm për përballimin e sfidave, ai dallohej për tiparet e mësuesit të devotshëm në njohuri, mendime, arsyetim dhe rrezatim kulturor, por edhe në përpjekjen për forcimin cilësor të mësimdhënies. Në orën e mësimit shpjegimet e tij, komentet e analizave të veprave letrare tregonin intelekt. Njëherazi në sensin e thellë të punës ishte vështirë të gjeje një të dytë si ai në atë kolektiv punëtor, ndaj edhe do ta cilësonin një ndër mësuesit më të mirë të Sulovës. Puna e frytshme profesionale në këto vite dha prova të tjera të zotësisë, gjë e cila ishte garanci për suksese të tjera në jetën e tij. Nga arsimi punoi disa vite në administratën e Këshillit Bashkuar në Mollas, ku edhe atje u shqua për sinqeritet, korrektësi, përkushtim ndaj detyrës. Këto cilësi më shumë se kaq ishin një aftësi që përmbledh në esencë kulturën komunikuese, rregullin, disiplinën, rigorizitetin, tolerancën. Ai la gjurmë në sensin më pozitiv të fjalës ku aftësia drejtuese u gërshetua me virtytet e trashëguara familjare të drejtësisë, ndershmërisë, mikpritjes.Në vitet e para të demokracisë, Xhevit Mema kaloi përsëri në profesionin e mësuesit, në shkollën 8-vjeçare të Linasit dhe shëmbëlltyra e njeriut të ndershëm e të përkushtuar, që i deshi nxënësit si fëmijët e tij u shfaq akoma më shumë. Në fillim të viteve ‘90, Shqipëria kaloi momentet të rëndësishme me pasoja edhe në arsim, që janë të paharruara në kujtesën e secilit. Ka qenë një kohë e vështirë, por edhe kohë e ndryshimeve të mëdha. Demokracia e brishtë kërcënohej të stabilizohej nga veprime antiligjore e mosbindje civile, ku sindikatat me greva i ftonin  me anë të  presioneve edhe mësuesit. Më e rëndë ishte çoroditja e shtetit nga kryengritja popullore në vitin ’97, e cila u përhap pothuajse në gjithë Shqipërinë me ngjarje të shumta:tmerre, vrasje, grabitje. Kjo situatë e amulltë bëri që edhe frekuentimi i shkollës të zbresë në kuota alarmante edhe prej largimit të familjeve dhe nxënësve në kurbet, e më kryesorja mosinteresimit ndaj saj. Xhevit Mema i përjetoi, duke mos braktisur nxënësit dhe punën, ashtu si gjithë mësuesit në gjithë Shqipërinë. Ai e pasuroi emrin e tij të mirë, duke i shtuar të tjera vlera morale e shpirtërore, me efektivitetin e profesionit dhe besimin se mësuesi duhet të kryejë detyrën e tij fisnike për të zënë vendin që meriton.

Kështu vitet e jetës së Xhevit Memës rrodhën në lumin e kohës ku ai me profesionin e tij rrezatoi shumë më gjerë, edhe pse filozofinë e kohës e kishin pushtuar zhgënjime, sakrifica, stërmundime. Të bënte përshtypje gjithçka në karakterin e tij, por duhen vënë në dukje cilësitë e veçanta. Mbi të gjitha ai ishte me plot kuptimin e fjalës njeri. Të jesh  njeri i tillë në këtë jetë nuk ishte pak. Xhevit Mema zotëronte një fjalor të kulturuar mes shokëve, kolegëve, nxënësve e miqve. Në kujtesë ai ka mbetur i muhabetit, i shakarave dhe humorit të këndshëm sulovar. I pëlqente jeta me gëzimet e saj, edhe pse ajo krisej nga hidhërimet. Nuk duhet harruar veshja e tij e thjeshtë dhe e pastër, fytyra e qeshur si shfaqje e jashtme e portretit fizik. Vinte pak i imët nga trupi, me ca sy gështenjë, që dukeshin të qetë, por flisnin shumë me shikimin depërtues. Me një sjellje të natyrshme ndaj njerëzve e sidomos të afërmve, shokëve, miqve të tij të shumtë ai të imponohej. Nuk mund të rri pa përmendur një cilësi tjetër të veçantë të tij, cila sado ta përshkruash është e vështirë dhe i mbetem borxhli për të thënë më shumë. Është fjala për botën shpirtërore të Xhevit Memës. Bëhej shpirtërisht pjesë e gëzimit të mikut dhe rrethit shoqëror, e me çiltërsi për të mirat dhe të këqijat që kishin. Pothuajse gjithmon krijonte situata të gëzuara dhe i pëlqente të tregonte histori të bukura. Ai bënte shakara për të qeshur, edhe atëherë kur duhej të cënonte dike i priste fjala. Gjithmonë batutat e tij parathonin diçka të rëndësishme, për dukuri që sigmatizoheshin. Natyrisht Xheviti tregoi gjithmonë një pasion dhe talent të veçantë në organizimin e festimeve familjare, sepse i donte dhe respektonte të afërmit, por edhe i shëtitjeve me nxënësit në peisazhet natyrore dhe historike të krahinës, të udhëtimeve në Berat, Vlorë, Krujë, Tiranë, Gjirokastër, Sarandë, etj çka i mrekullonte ata. Ai ishte i apasionuar pas këngës. Pikërisht sa here që mblidhej në gëzime me kolegë dhe festat familjare, do t’ia merrte këngëve të krahinës.

Njerëz si Xhevit Mema e jetojnë kohën me veprimtarinë e tyre. Jeta e tij, edhe pse e shkurtër mbeti gjurmë për t’u ruajtur në histori dhe kujtesë. Xhevit Mema do të largohej nga jeta para kohe në 1 mars 2003, për të lënë mbresa e kujtime respekti ndër koleg, të afërm e nxënës. Iku në një moshë kur kishte shumë energji për brezat që vijnë. Për të gjitha këto e shumë arsye të tjera dhimbja për vdekjen e tij qe e madhe. Pjesëmarrja dhe lotët në ditën e përcjelljes, treguan se sa vend kishte zënë ai në zemrat e njerëzve të thjeshtë. Isha edhe unë mes atyre njerëzve të pushtuar nga dhimbja për vdekjen e tij të parakohshme. Një humbje e rëndë për familjen, vëllezërit, për të gjithë shokët, miqtë, nxënësit e tij për të cilët do të mbetet i respektuar, me imazhin e njeriut të qeshur, por gjithnjë objektiv. Zakonisht kur njerëzit largohen nga kjo botë ca i mbulon harresa, ca të tjerë janë në jetën e njerëzve. Xhevit Mema, njeriu i virtyteve nuk do të harrohet kurrë, ndaj të shkruash më shumë duhet një libër i tërë, veçse ky shkrim i sinqertë le të shërbejë si një homazh. Ashtu si njerëzit e mirë edhe ai s’ka për t’u larguar nga kujtesa e sulovarëve e nuk do harrohet për kontributin e vlefshëm ndaj shoqërisë. Një ditë do të përcillemi të gjithë, por i takon organizmave shtetërore të nderojnë njerëzit me kontribute për shoqërinë. Në fund të këtij portreti i shkojnë shumë mirë fjalët e poetit gjerman, Gëte se: “Përtej njeriut vepron emri i tij. ”