E enjte, 25.04.2024, 01:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Vera Pelaj: Intervistë me poetin dhe gjuhëtarin Nuhi Veselaj

E enjte, 06.08.2015, 08:00 PM


Intervistë me poetin dhe gjuhëtarin e mirënjohur Nuhi Veselaj

MJESHTRI I FRYMËZIMEVE DJALOSHARE

Poeti dhe gjuhëtari i mirënjohur nga Prishtina, Nuhi Veselaj, në një intervistë për Radio Kosovën, ka thënë se poezia e tij dhe e brezit të tij letrar frymëzimin e gjeti tek poezia e traditës popullore dhe sidomos tek poezia e autorëve të Rilindjes Kombëtare. Sipas tij, gjuha shqipe është si një minierë e paeksploruar, thesaret e së cilës, edhe pa hapur galeri, mund të kapen me dorë.

Intervistoi: Vera Pelaj

RADIO KOSOVA: Zoti Veselaj, Ju jeni njëri prej poetëve pionierë të letërsisë shqipe për fëmijë që është shkruar dhe botuar në Kosovë, a mund të na thoni se cili qe frymëzimi juaj dhe i brezit tuaj ... cila qe ajo letërsi që ju frymëzoi?

NUHI VESELAJ: Në të vërtetë veprimtarinë time letrare pioniere unë e kam filluar kryesisht me tema serioze atdhetarie, kryesisht për të rritur. Siç dëshmojnë veprat e shkruara para viteve ‘60 -70 të shekullit të kaluar, por çka do të dëshiroja të kem një intervistë të veçantë me hapësirë më të madhe… Por sidoqoftë, meqë është fjala për letërsinë për fëmijë nuk do të filloj nga frymëzimi im as ai i brezit tim në vitet ’60- 70, kur fillova të bëj emër në këtë degë, por po i sjell disa dromca interesante vjershërie nga periudha pasfoshnjore nga fundi i viteve të ’30-a në kohën e Kralevinës jugosllave. Mbaj mend se kur na lante nana ne fëmijëve, për fund, na çonte në kambë dhe me ujin e shpëlarjes recitonte fjalët:

Ujët teposhtë/Djali (ose bija) përpjetë, Shëndet e jetë!

Dhe pasi na veshte këmishën e gjatë (njëfarë fustanelle) shkonin te Baba në odë. Ai ngrihej në këmbë na kapte ngrykë dhe deri tri herë thoshte:

Op arashka, op arashka, op arashka! (dhe vazhdonte)

          Ndihmo Zot,

gëzim e shëndet, për jetë e mot!

Këto janë vjershërimet e para të ngulitura nga tradita. Me këtë dua të them se jo vetëm unë, por të gjithë shkrimtarët tanë për fëmijë kanë pse të kenë mbështetje në traditën tone të shkëlqyeshme, ngase çdo prind ose çdo njeri thur diçka të bukur për të miturin, apo jo? Pastaj në periudhën tjetër në vitet 1941-1944, që ishin vitet më fatbardha për ne, ngase pas shpartallimit të asaj Jugosllavie, mësuam shkrim-leximin shqip dhe vijonin shkollën shqipe, ku nga librat e këndimit, kishim rast të mësonim edhe vjersha, e lojëfjalësha të bukura me plot edukatë, përmbajtjet e tyre mund t’i lakmojnë edhe tekstet e sotme moderne. Pothuajse të gjitha i pata mësuar përmendësh. Po e rikujtoj vetëm këtë:

Mori mice, çka je tu e ba?

Jam tue u lëpi, e jam tue u la,

mos me u lëpi e mos me u la

kurrkush gjallë nuk don me të pa!...

Me thënë të drejtën, ndërsa udhëtoja këmbë për në shkollë 5-6 kilometra, thurja edhe vargje dhe i këndoja me shpirt. Po e rikujtoj , si me thënë, vjershën e parë:

Këndon zogu ciu, ci ci!

          Nana jonë e mirë je ti…

Ndërkaq në vitet 1945-1952, kur na u ndryshuan (u ndaluan) ato libra, u ndryshua edhe disponimi, atëherë për ne edhe pse ende fëmijë e adoleshentë filloi një epokë shtrëngimi, jo çlirimi. Andaj, provonim të shkruanim vargje me tema serioze… Po si rrodhën më vonë vargjet e “miklimeve” është çështje tjetër. 

RADIO KOSOVA: Librin e parë me vjersha për fëmijë “Miklime” ju e keni botuar në vitin 1967, a mund të na flisni më shumë rreth asaj kohe – çfarë temash trajtonte poezia për fëmijë e kohës që po flasim, çfarë porosie bartte ajo dhe sa lexohej?   

NUHI VESELAJ: Flas për vete, nuk di për të tjerë. Kështu pas daljes nga burgu dhe kthimit nga ushtria në vitet 1956, edhe pse me mjaft vështirësi, sapo u punësova si mësues, ballafaqimi me varfërinë e robërinë më vrante, por buzëqeshjen e fëmijëve “pa mashtri”, si shprehej një poet rilindës, adhurues yni, po thuaj na dha zemër që edukimin tonë ta mëveshnim edhe me ndonjë vargëzim që të gëzonim fëmijët. Këtu patën ndikim edhe veprat e pararendësve tanë: Anton Çetta, Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha etj. Kështu edhe te ne filluan të rilindin edhe vargjet e para për fëmijë, që fillimisht i shqiptonim, por edhe u shtonim si përpunim cicërimeve vjershërore të nxënësve që i vendosnim në ndonjë gazetë muri, ose që recitoheshin në skeçe para prindërve etj. Mirëpo, ndërkohë, ndërsa punoja si mësues gjuhe në një shkollë fillore të Ferizajt, gazetarët Rrahman Dedaj e Rrustem Berisha, pothuaj zbuluan talentin tim, m’i kapën disa vjersha, sipas tyre të arrira të këtij zhanri, të cilat dhe i transmetuan në atë kohë në Radio Prishtina. Kështu mora guximin që legalisht të bashkëpunoja me revistën “Pionieri” dhe “Rilindjen për fëmijë”. Së këndejmi ndërkohë kur u rrit numri, për “Biblioteka e pionierit” (nga Tajar Hatipi dhe Anton Çetta) u pranua vepra ime “Miklime”(1967), ndërkaq për bibliotekën “Nxënësi”, (me vizën e dhënë nga Azem Shkreli, Ali Aliu, Mehmet Gjevori redaktor) u botua vepra ime tjetër “Rrezet e ylberta”. (1971). Është e vërtetë, veç tjerash, se pjesë frymëzimi për vargjet në këto dy vepra patën hise motivimi edhe fëmijët e mi (Floria) 1958) dhe Blerimi (1966). Në të vërtetë, viti 1966, për shqiptarët në ish-Jugosllavi e sidomos për ne në Kosovë, ishte si me thënë njëfarë sipërlindje, ngase me rënien e Rankoviqit u zbut paksa qëndrimi ndaj shqiptarëve. Kështu gjeten dritë publikimi edhe dy veprat e mia, të cilat u priten me shumë jehonë. Kështu, e para u përzgjodh lekturë për parashkollorë e klasat e para, ndërsa e dyta u përzgjodh lekturë shkollore për klasën e katërt… Por ende pa u shpërnda mirë, u ndaluan të dyja, ngase ishte konstatuar nga organet e hetuesisë se “autori nuk ishte rehabilituar…”

RADIO KOSOVA: Për shkak të “biografisë së papërshtatshme” politike pasi ishit i burgosur dhe më parë, e tash u përjashtuat nga procesi arsimor, dhe si pasojë e kësaj edhe ju ndalua veprimtaria krijuese për shumë vite – deri në rënien e sistemit komunist jugosllav, a mund të na thoni se çfarë do të thotë për një krijues të mos ketë të drejt t’i botojë librat që shkruan?

NUHI VESELAJ: E thamë më sipër se u ndaluan institucionalisht, sidomos vepra “Rrezet e ylberta”, për shkak të përmbajtjes së disa poezive… Në të vërtetë, ishte e vërtetë, siç e komentonin ndaluesit, se vetë titulli Rrezet e ylberta një simbol-metaforë, ishte provokues që nënkuptonte se si fëmijët, të rinjtë, populli ynë nuk ishte i lirë dhe me demonstratat e vitit 1968, kërkohej të tejkalohej “shoka e ylberit” dhe kështu ta bënin të pamundurën të mundshme… Sido që të ketë qenë, është periudha kur nuk m’u ndaluan vetëm këto dy vepra, por u vu derë e hekurt për mosbotimin e veprave të tjera, madje aq më keq me dekret, më rreptësishtë se 6 herëve të tjera, m’u ndalua puna në arsim e kudo në institucionet shtetërore. Pa marrë parasysh, po shtoj edhe këtë se veprimtaria krijuese imja kurrë nuk ka mundur me u ndalë, madje edhe në atë periudhë ndaluese, ndonjërit nga redaktorëve (si Vehbi KIkaj, Sedat Dida e ndonjë tjetër, bënin ndonjë lëshim…edhe pse emri i autorit shënohej me iniciale. Është vërtetë se pasi nuk mund të botoja ajo krijimtari në çaste mund të ketë humbur motivimin. Dhe vërtet është fatkeqësi e pakompenzueshme, kur veprat e shkruara në periudha të caktuara nuk mund të bëheshin publike. Kjo dhemb shumë. Rrjedhojat fatkeqësisht ndjehet edhe sot, por dihet se kush pengonte. 

RADIO KOSOVA: Duke qenë se jeni njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më me zë të shkencës së gjuhësisë shqiptare, në poezinë tuaj doemos lexuesi gjen një sistem shumë të gjerë fjalësh e fjalëformimesh, sistem figurash gjuhësore që e japin – si të themi - një tekst letrar shumë të përpunuar, çfarë mund të na thoni – brezat e rinj letrarë a po e respektojnë sa duhet natyrën dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe në tekstet e tyre?  

NUHI VESELAJ: Është e vërtetë, se në shtatë rastet e përjashtimit tim nga detyrat si shkak më përmendnin respektin tim të tepruar ndaj gjuhës shqipe, ajo nuk më ka demoralizuar aspak, përkundrazi kam mësuar edhe më shumë sidomos gjuhën shqipe, por njëherazi kam respektuar e mësuar edhe gjuhët e tjera. Për të mbetur gjallë dhe kurrsesi mos me ia shtri dorën jomikut, kam kryer edhe punë fizike - bujqësie e ndërtimtarie, mirëpo pas përjashtimit të fundit, për shkak moshe dhe për shkaqe familjare, u detyrova të jem “i dëgjueshëm”, u detyrova të punoj si referent zyre, në “Partizanksi put”, madje edhe si përkthyes në Uzinën e amortizatorëve –Prishtinë. Meqë kisha njëfarë parapërgatitje përkthimi në dy gjuhët shqip-serbokroatisht, madje edhe në lëmin e terminologjisë tekniko-shkencore, kjo më ndihmoi, kështu që derisa punoja në uzinë dhashë kontributin tim jo të vogël: së pari lidhur me raportin terminologjik shqip-serbokroatisht e gjuhë të tjera, së dyti, lidhur me raportin terminologjik shqipe-kosovarishte letrare ndaj shqipes së sotme letrare dhe së treti, raporti rreth kompletimit të shqipes së sotme standarde me vlera nga shqipja globale ose nga ish shqipja standard mbi bazë të gegnishtes. Dhe vërtet, në bazë të studimeve që bëmë doli se standardit të sotëm i formuar më fort me forcimin e krahut të toskërishtes, krahu tjetër i kishte mbetur paksa i dëmtuar, prandaj në mënyrë që të mund të fluturojë shqipja standarde pa pengesa në të gjitha fushat, shtigjet e brigjet e shqiptarisë, nga punimet tona doli se duhej forcuar edhe krahu tjetër, ai i gegnishtes. Dhe vërtet përveç golleve që kishin mbetur në burimet tona normative lidhur me trajtimin jo të plotë të sistemit foljor (foljet më –Oj) etj.) dhe atij emëror (asnjanësi, shumësi etj)., gegnishtja në kuadër të shqipes globale paraqitet si një minierë e paeksploruar, thesaret e së cilës, edhe pa hapur galeri, mund të kapen me dorë, siç janë paskajorja e mirëfilltë me pjesoren e shkurtër, foljet me –NO, ato me -AVË, mbiemrat me –(ë)T, -uet, pastaj edhe kthjellimi rreth kontaminimeve përkatëse si emën /emër, etj. si dhe mungesa e shumë shprehjeve lapidare mbi bazë gege etj., integrimi i të cilave vetëm e forcojnë standardin aktual pa i prishur komoditetin me të veçantat toskërishte që ka. Për këtë kemi bindje të plotë, nëse veprohet mirë, me zemër, me mendje të esëlluar…Me sa po shohim aktualisht s’kemi të mos t’u gëzohemi fakteve: abetarja e përbashkët, gjuha e përbashkët administrative, terminologjiia e përbashkët tekniko-shkencore etj.etj. por këto veprime duhen bërë, jo sa me thënë, po me kuadër të përgatitur dhe të orientuar drejt dhe jo vetëm nga një grup a grupim të një Qendre. Në fund, jo si sfidë, por në shenjë sprove për shqipen e sotme standarde shtrojmë pyetjen: Në librat tanë të përbashkët shkollorë, mund të qëndrojë apo jo, kjo moto, që dikush e quan klithje pasthirmë, po ne e quajmë shprehje lapidare:

O sa mirë me qenë shqiptar, me folë shqip e me pasë atdhe!

Pra, e lejon apo jo, letrarishtja e sotme, një shprehje e tillë kaq të përzemërt dhe kaq të kuptueshme që shton krenarinë e çdo shqiptari, në njërën anë dhe në anën tjetër, asnjë barasvlerës i mundshëm, me shikue drejt, nuk mund t’i afrohet kuptimisht kësaj shprehjeje, sepse kjo ka paskajoren e mirëfilltë shqipe, e cila ngërthen ngrohët të tetë vetat? Për brezat e rinj, po them, se vërtet zemra më bëhet mal kur lexoj e mësoj ide të reja nga studiuesit e rinj. Gjithsesi më vjen mirë që shumë studiues tanë po i mësojnë me themel gjuhët e huaja, por njëherazi më vjen shumë keq, që gjuhën e vet shqipe nuk po e zotërojnë sa duhet. Sa kanë faje për këtë vetë ata, gramatikanët tanë akademikë, apo disa veprimtarë nga“podina” që i bojkotuan e po i lënë pa jehonë edhe disa punim me ide të reja, si tonat, le të vlerësohet. Ne kemi bindje të plotë se gjuha jonë është aq e pasur dhe e zonja që jo vetëm t’i përballojë, por edhe t’i tejkalojë të gjitha sfidat që po i sjell globalizmi i sotëm gjuhësor.

RADIO KOSOVA: Lexuesve dhe dëgjuesve të rëndomtë rrallë u bie që t’ua dëgjojnë emrin në veprimtari promovuese, ndërsa, siç dihet, vetëm pak javë më par ju nxorët në tregun e librit gjashtë tituj të rinj me studime gjuhësore, a mund t’u premtoni lexuesve të vegjël dhe të rinj ndonjë libër nga fusha e letërsisë? 

NUHI VESELAJ: Është vërtetë, se veç 10 veprave shkencore nga fusha e gjuhësisë, më kanë mbetur të pabotuara edhe 5 sosh, jo vetëm për shkak të mjeteve, por edhe për arsye se nuk arritëm t’i rilexonim. Pasi ai rilexim, pothuajse pritet të kryhet së shpejti, menjëherë kemi në plan me i marrë në dorë, për t’i rilexuar e kompletuar nja 4 vepra nga fusha e letërsisë pjesërisht të botuara. Sidoqoftë, faleminderit prej Jush që më dhatë mundësi të shpreh së paku diçka nga ajo që duhej thënë ndoshta shumë më herët, por më mirë vonë se kurrë. 

 Jetëshkrimi:

Dr. Nuhi Veselaj (1933) ka botuar këta libra nga fusha e letërsisë:

“Rrezet e ylberta, “Me buzët në gazë”, “Flet ditari rreth një motmotari”, “Trimoshi”, “Caqe e hope djaloshare”, “Shifrime nëpër mjegullnajë”, “Mësime nëpër pësime”, “Gërricje në damarët e djalërisë”, “Bulëza të përshenjuara”, “Thermë me pupël” etj.

Kurse nga fusha e studimeve gjuhësore ka botuar këta tituj: “Çështje të shqipes standarde në fushën e leksikut dhe të fjalëformimit 1”, “Paskajorja çështje e shqipes standarde”, “Foljet me o në gjuhën shqipe”, “Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe”, “Rreth formësimeve të emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe”, “Çështje të shqipes standarde në fushën e normëzimit”
“Rreth formëzimit të emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe”
“Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme”, “Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde”, “Drejt standardizimit të gjuhës shqipe”
“Kontributi i Asdrenit në formimin e gjuhës letrare kombëtare” etj.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora