E enjte, 25.04.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhosh Gaçe: Bahri Myftari - Një prozator i talentuar

E enjte, 06.08.2015, 07:27 PM


Bahri Myftari - Një prozator i talentuar i kohës sonë

Shënime rreth librit “Darka e Berlinit” të autorit Bahri Myftari

Nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Takimet e mia me prozën e Bahri Myftarit janë të hershme, qysh atë kohë kur ai ishte një djalosh i heshtur, nëpër auditorët e Universitetit apo në sallat e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, dhe herë – herë nisi të shfaqej në faqet e gazetave e revistave të kohës me tregimet e tij interesante, në të cilat na binin në sy, detajet poetike apo vizatimet e personazheve, me koloritin e ngrohtë dhe mjedisin që i rrethonte.

Në këto dekada, krijimtaria e tij e pasur letrare ka krijuar një individualitet të spikatur, duke lënë gjurmët e veta në prozën bashkëkohore shqiptare. Emri i prozatorit Bahri Myftari vihet natyrshëm krahas një vargu prozatorësh të tjerë si: Vath Koreshi, Nasi Lera, Koço Kosta, Preç Zogaj, Kiço Blushi, Moikom Zeqo, Teodor Laço, Zija Çela etj., të cilët edhe pas viteve ’90, në tregimet, novelat dhe romanet e tyre e kanë pasuruar më tej letërsinë shqipe.

Në krijimtarinë letrare të Bahri Myftarit, sidomos në përmbledhjet “Lumturia e të marrëve” “Djaj të lumtur”, “Vjedhësit e erës” apo në librin e fundit që pritet të botohet së shpejti në shtëpinë botuese ‘Onufri”, shpërfaqet një prozator me talent, i cili, siç ka vënë në dukje më pas edheshkrimtari Vath Koreshi, në botën e tij artistike gërshetohet një realizëm i thellë i ndërthurur me realizmin e tij magjik, në kërkim të pamjes universale të jetës njerëzore, duke na sjellë ndërmend herë – herë edhe shkrimtarin e madh, Markezin.

Në mendjen e lexuesit prej kohësh kanë lënë gjurmë të thella mjaft tregime të këtij autori si: “Një varr për qenin”,“Njëmijë udhët e detit”, “Vëlla ujku”, “Diktatori”, “Doraci i Shpatit”, etj., të cilat shpirtëzojnë botën njerëzore dhe personazhet gdhendin mjaft tipare e veçori të përftuara nga realiteti shqiptar. I vetëdijshëm për vlerat e tij artistike dhe estetike, shkrimtari Bahri Myftari në prozën e vet të shkurtër shquhet për vëzhgimet e holla të mjedisit shqiptar, pasqyrimit të tij në formë metaforike, në një liri të pakufishme të imagjinatës, duke e konceptuar frymëzimin e vet si një marrëveshje midis shkrimtarit dhe lexuesit.

Në mjaft tregime të tij, Bahri Myftari artikulon dilemat e njeriut shqiptar, fatin e tij dramatik dhe ekzistencën universale, moralin dhe filozofinë e tij përballë tranzicionit të gjatë dhe proceseve të integrimeve europiane. Ky këndvështrim i tij shpërfaq edhe botëpërjetime të fuqishme, skena e copëza të botës shqiptare nga një perspektivë narrative e veçantë.

Duke shfrytëzuar realizmin magjik, tregimet e këtij shkrimtari përcjellin natyrshëm peizazhet dhe mesazhet shpirtërore të personazheve, me një frymë reale e disi në mënyrë origjinale, duke rrëfyer e krijuar një mbirealitet letrar ndaj atij real.

Ndër prirjet e tregimtarisë së Bahri Myftarit është edhe pasqyrimi i fatit dramatik të jetës shqiptare, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Në vargun e tregimeve të tij

bëjnë pjesë edhe tregimet “Gjyqi”, “Shurdhëria e qiellit” apo “Armiku i popullit”, nëpërmjet të cilëve proza e këtij shkrimtari përfton një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin.

Raportet e lirisë me “robërinë” në përballjen e tyrenë vitet e sistemit totalitar, Bahri Myftari i kundron në një kuptim të thellë alegorik në tregimin “Shurdhëria e qiellit”, “Të bëftë mirë ambasador”, “Darka e Berlinit”, tablotë e jetës së tre të dënuarve te tregimi “Shurdhëria e qiellit,” në një burg buzë kënetës, fluturimet e tufave të lejlekëve mbi kryet e tyre nëpër qiellin e kaltër, qëndrimet dyshuese të gardianëve dhe oficerëve për të burgosurit, rropatjet e tyre nëpër kënetë, shpalosin natyrshëm fatin dhe dramën individuale e kolektive të jetës shqiptare.

Simbolika e vrasjes së lejlekëve, që u sillnin sado pak gëzim në jetën e tyre të burgosurve, i jep një alegori të thellë rrëfimit, duke e bërë situatën reale edhe më dramatike me përjetime disi surealiste.

Gjerësia dhe thellësia nga e cila e vështron jetën shqiptare shkrimtari, dëshmojnë edhe një aspekt tjetër të prozës së tij, përvojën e gjerë jetësore dhe artistike të Bahri Myftarit. Ai përzgjedh fabula e ngjarje interesante, duke na zbuluar njeriun me prikën e vet, mundimet, shqetësimet e përpjekjet e tij drejt lirisë. Këto përpjekje sizifiane përftojnë edhe një veçori tjetër në tregimtarinë e këtij shkrimtari, në mjaft tregime portretizon shqiptarin e kohëve moderne me dilemat e tij, në purgatorin e tij si mundim njerëzor, por edhe si flijim për idealin dhe aspiratat e tij.

Mesazhe të tilla të raporteve të lirisë njerëzore nën diktaturë shpalosen edhe në tregimin “Armiku i popullit”. Në këtë tregim, ashtu si edhe në atë me titull “Gjyqi”, nëpërmjet një realizmi të thellë zbërthehet bota psikologjike, morale e shoqërore e personazheve, mbijetesa e tyre, të cilat na sjellin përfytyrime mbi realitetin jetësor, si dëshmi e përçudnimit të identitetit dhe vlerave shpirtërore.

Shpesh herë në tregimtarinë e Bahri Myftarit, bota shqiptare shpërfaqet me aspektet e veta të hijes së diktaturës dhe sistemit të utopisë së barazisë, por herë herë ligjërimi i tij poetik, na jep edhe tablo të gjera të tjetërsimit të njeriut dhe denatyrimit të marrëdhënieve shpirtërore me përmasa gati migjeniane në raport me të tjerët, por edhe me veten. Shikoni me kujdes tregimet”Dëshira e drejtoreshës”, “Nëpunësi Aleks Murdaku”, ”Pelerina e rehatisë,” Rrëfimi i arushës”, “Piktori”, “Meritokracia”, se si vizatohet e skalitet me mjeshtëri koha dhe njerëzit që lëvrijnë në të!

Në tërësi proza e Bahri Myftarit edhe në dekadat e fundit, krahas subjekteve, detajeve e botëpërjetimeve të freskëta, e pasuron më tej prozën shqipe me magjinë e tij të rrëfimit, portretet e skalitur të personazheve, mjediset interesante, të cilat depërtojnë në thellësinë e karaktereve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora