E enjte, 28.03.2024, 09:40 AM (GMT)

Kulturë

Zyba Hysa: Bisedë me Prof. Dr. Skënder Kodra

E merkure, 05.08.2015, 06:23 PM


ZYBA HYSEN HYSA: TEK NJERZIT E DITUR STREHOHET DRITA E PERËNDISË...

(Bisedë me Prof. Dr. Skënder Kodra, Ph.D, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro - Amerikane)

1. Kur takoj personalitete të larta të shkencës dhe të kulturës shqiptare, ndjej sikur takohem

me vetë Perëndinë... Sot, ndjehem me fat që ju takoj Prof. Dr. Kodra, ndaj për të qartësuar mendimet e mia rreth jush dhe për të njohur lexuesin shqiptar me një personalitet të madh të kombit, më flisni diçka, ju lutem, rreth origjinës familjare, nga ku nisi rrugëtimi juaj drejt dijes dhe shkencës, drejt dritës së diturisë…

-      Kam lindur në Istog të Kosovës më 13 maj 1946, sigurisht nga një familje patriotike atdhetare e të

gjithë berzave. Familja ime shpërngulet nga genocidi i kralit të kohës për në Shqipëri dhe vendoset në Mamurras, periudhë kjo që përkon me sundimin e mbretit Zog. Ç’është e vërteta populli e ka pritur mirë, por edhe qeveria i ka përkrahur dhe strehuar.

Në atë kohë, siç më ka treguar baba, Mamurrasi kishte shumë pyje dhe në to rriteshin kuaj të egjër, të cilët i zbutshin. Po kështu, duke prerë pyjet, i shndërruan në toka pjellore. Krahas këtyre punëve, babai ka punuar me rërë, ka mbledhë rërë nga ora 4 e mengjesit me buaj dhe krijuan një pasuri jashtëzakonisht të madhe.

 

Vitet iknin dhe babës po i kalonte mosha për të krijuar familjen e tij, ndaj në moshën 35 vjeçare kërkon nonën time, që ishte me origjinë nga Gjakova të stabilizuar në Shijak. Siç tregonte babai, ai kishte dhënë 25 lopë për ta marrë nonën time, që ishte atëherë 16 vjeçare.

Më vonë, kur okupatori gjerman premtoi që trojet shqiptare pas luftës aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë, do të ishin tonat, i gjithë populli u angazhua. Mirëpo prindërit e mi nuk u morën me asnjë aktivitet gjerman, por duke besuar se do të jemi më në fund një shtet shqiptar, u kthyen përsëri në Kosovë, afër Mitrovicës, ku kishin tri fshatra të vetat si pronë: Tucep, Veric, Osojan dhe kur kaluan nga Shqipëria atje e morëm përsëri pasurinë. Aty punonin si argat 100 shkie edhe shkina, burrat korrshin dhe gratë shkina mbledhshin duaj e grurit, misrit, ndërsa në shtëpi nuk i pranonim si shërbëtorë. Arësyeja e këtyre fatzinjve qe, se kishin frikë se mos i vrisnim dhe donin vetëm sigurinë e jetës.

Me kalimin e kohës, bisedohej në ato fshatra që ka filluar një lëvizje komunistash dhe kryetari i komunës së kohës, Zeqir Rexha, edhe vëllau i tij, Beqir Rexha, u kërkoi të gjithë fshatarëvet që të mobilizohen kundra komunistëve dhe të gjithë me kuaj shkuan në Pejë. Kur arritën në Pejë, zonjat thanë se cilët janë këta njerëz me kuaj të armatosur, a janë budallenj, apo si e kanë hallin, kur komunizmi i ka marrë të gjitha trojet shqiptare e këta duan me na marrë në qafë e me na rrezikuar jetën. Dhe kur e panë situatën se si ishte, u kthyen mbas pasi kishin takuar shumë komunistë, njerëz të veshur keq, të pistë, pa kulturë, morracakë dhe menduan që s'kanë për të fituar, se nuk ua mbushën syrin, që këta do jenë ndonjë rrezik për vatanin, për Atdheun dhe u kthyen nga erdhën.

Më vonë komunistët u forcuan, vranë, dhunuan dhe shkaktuan 12 mijë dëshmorë të kohës dhe dëmin më të madh e ka bërë brigada e pestë e Shefqet Peçit.

Në atë kohë kalamajtë e axhës, të Halil Kodrës i internuan në Beograd, kurse baba dhe nona erdhën në Istog, ku edhe kam lindur unë. Komunizmi kishte marrë çdo gjë, por ajo më e tmerrshmja ishte, se në lisa vendosnin kutia, ku çdo serb që kishte ndonjë pakënaqësi me shqiptarët, i shkruanin dhe i qitshin aty dhe i merrnin këto ankesa dhe vinte OZNA, sigurimi i asaj kohe dhe i dhunonte fizikisht dhe u grabiste pasurinë dhe pse doktrinën e kishin mos me i prekun. Shqiptarët nuk kishin të drejtë ta bënin këtë gjë për serbët.

Nga fëmijët, unë isha i pari, më pas lindi Zeqiri, Enveri dhe motra Aishja; tre djem dhe një gocë.

 

2.  Shpesh mendoj se cilët kanë qenë shtysit e mi për të ndjekur rrugën e dijes dhe nuk mendoja që dikush më ka drejtuar andej, por sot e them me bindje që ka qenë nëna dhe babai im, të cilët pa shkuar asnjë ditë në shkollë dinin të shkruanin dhe të lexonin, bile nëna ime krijonte poezi, fabula, anektoda dhe si një aktore profesioniste interpretonte para nesh. Ata nuk e thoshin me fjalë, por me sy, me sjellje, me shpirt, me dëshirë, të pamundur ekonomikisht, por që sakrifikuan bukën e gojë për ne, gjashtë fëmijët për t’u shkolluar… mund të di, zoti Kodra cila ka qenë tradita familjare në fushën e arsimit dhe cili ka qenë shtysi kryesor i arsimimit tuaj?

 

-      Baba im ishte shumë fisnik, por i pashkolluar, nuk e donte shkollën, donte armën, burrërinë,

krenarinë, veshjen kombëtare, të cilën nuk e hoqi kurrë, bile ka vdekur me tesha kombëtare. Ndërsa nona ishte një grua gjakovare me një mendje të mprehte dhe një dashuri të jashtëzakonshme për shkollën.

Pasi linda unë, pra në moshë fëminore, baba më tregojke ngjarje të ndryshme për Kosovën dhe Shqipërinë, për të cilat kishte një dashuri të madhe e kjo dashuri bëri vend tek unë, ndoshta para kohe, që fëmijë.

Në kohën time, për në klasën e parë i merrshin shtatë vjeç, por, kur unë isha gjashtë vjeç, isha tuj lujt me ujë, vjen një shoku im, Muharrem Zeka, me të cilin më vonë kemi kaluar shumë peripeci bashkë nëpër burgjet e Serbisë, dhe më tha që të shkoja me të në shkollë. Pa i treguar nonës, bashkë me shokun tim, shkova në shkollë. Mësuesi me një dashuri që s’mund ta përshkruaj, erdhi pranë dhe më pyeti sesa vjeç isha. Edhe pse i tregova të vërtetën, mësuesi më mbajti në shkollë.

Kur i thashë nonës se kam konë në shkollë, ajo më tha që s'munesh, se je gjashtë vjeç. Kur i tregova që isha pranuar në shkollë ajo nuk më pengoi, përkundrazi më përgëzoi duke më rrokur për qafe.  Në fillim mësuesi nuk ma shkruajti emrin, por kur unë kalova klasën më regjistroi dhe mora klasën e parë.

Nuk mbaj mend asnjë mësues, apo profesor të ndryshëm që kam pasur gjithë jetën time ngado që kam mësuar e studjuar, por mbaj mend vetëm mësuesin e klasës së parë që e quanin Muhamet, babën e kishte hoxhë, se më solli kënaqësi të jashtëzakonshme, se doja të mësoja dhe të rrija me Muharremin.

Në shkollë shkojshim herët dhe lujshim me pesë gurësh, (guracak) me shokët derisa fillonte mësimi. Pas mësimit merrshim me bagëtinë, kujdeseshim për delet dhe për lopët. Sapo vinim nga shkolla, nona na priste me bukën në dorë, shumë bukë dhe pak djathë e unë i thosha: “Pse pak djathë e shumë bukë se s'mund ta haj”, por ajo më thoshte: "E han e han, ti...” dhe më jepte një shpullë duke qeshur.

 

Mbarova tetë - vjeçaren shkëlqyeshëm dhe gjithmonë kam qenë i shkëlqyshëm në shkollë. Kur isha në Istog, kam kry shkollën bashkë me Rugovën. Ai vinte nga fshati Xerxë 7 km në këmbë, pra 14 km në ditë. Më pas shkova në Pejë në shkollën Normale për mësues. Si student në shkollën e mesme dështova, se e qëllova me shpullë një profesor serbë, (profesorin e frëngjishtes) dhe prej Peje shkova në Gjkovë dhe u regjistrova në normalen e Gjakovës. Tek dajot në Gjakove, (familja Rugova) u lidha me profesor Kadri Kusari, Ali Riza Boshnjaku, Kimet Gojani, Sabahat Shehu, Hysni Shala i Suharekës. Profesor Kadri Kusari ishte kordinatori kryesor, kundër makinerisë serbe. Adem Demaçi ishte kryetari, por ai ishte i burgosur (1963). Profesor Kadri Kusari na mblidhte vetëm pesë minuta dhe na ndajke detyrat: na pyetke se nga cili vend ishim dhe na porosiste të ngremë flamurin në orën 12, ditën e enjte. Kështu shpërndaheshim të gjithë dhe flamujtë kombëtarë ngriheshin përnjëherë në të gjithë Kosovën. Atëherë bëhej rrëmujë e madhe, se flamurin e Titos e lidhinim tek një qen pas bishtin me një kanaçe dhe për këtë arësye jam denu disa herë.

 

Krahas studentëve që ishin angazhuar me lëvizjen kombëtare, kishte ndonjë që spiunonte. Ishte një student, që nuk dua t’i përmend emrin, ua vinte studentëve flamurin në palë të librit dhe nuk vononte shumë, vinte policia, i kontrollonin dhe i arrestonin, në një kohë që as vetë studentët nuk e dinin që kishin flamurin në çantë.

Duke e parë me këndvështrimin e sotën e quaj krejtësisht të gabuar, se pjesa më e mire e bijve të Kosovës u vranë apo mbushën burgjet me lulen e rinisë. E pse baba im më thoshte merru me punë, por çka ti bëjsha se edukimi ynë ishte shumë emocional dhe jo vetëm nga mësuesit po edhe nga nona.

Si student në shkollën e mesme dështova për arësyen që thashë, se autoritetet qeveritare serbe më burgosnin herë pas here për motive patriotike nëpër burgjet e Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt, Suharekës, deri në Ce Zene të Beogradit dhe vecanërisht në burgun e Pejës.

 

Duke provuar tmerre në burgjet e Serbisë, vendosa të arratisëm për në Shqipëri, ku na zunë në kufi dhe bëra përsëri një muaj burg. Mirë që na zuri policia serbe, se po të na kishte kapur policia e Enver Hoxhës, ose do na pushkatonte, ose do na dënonte 25 vjet burg. Vetëm nga ky fakt, e them me bindje; vërtet Titoja ishte i egër me shqiptarët e Kosovës, por Enver Hoxha ishte shumë herë më i keq se Tito.

Kur dola nga burgu, isha bashkë me tre çuna në kafene, mora një gotë raki edhe kur e shoh fotografinë e Titos, hipa në karrike e mora dhe e theva. Atëherë një serbë më tha: “Çka po bën?” dhe i mblodhi copat dhe i fshehu.

Shkova në shtëpi gjeta babën me duart në kokë. Ngrita gruan nga gjumi dhe fëmijët i lashë aty dhe shkova në Itali në një kamp. Lashë dy vajzat dhe nuk e harroj natën kur ika, vajza që ishte në djep u zgjua dhe më nguli sytë e mua më dukej sikur sytë e saj më thoshin: “Ku po më lini mu!” Kur shkova pas shumë vitesh Melihati ishte në shkollë e nuk po e din që isha baba i saj. Nuk pranoi të vinte me mua, veç më tha: “Po erdhi gjyshja, do vij edhe unë!” e s’erdhi, por ndenji me nonën e babën tem.

 

Kjo ndodhi në vitin 1969 dhe pas një viti përfundova në SHBA, ku mora menjëherë “Statusin e emigrantit politik”. Fillimisht punova si taksist, më pas kreva Akademinë e Policisë dhe në vitin 1986 përfundova shkëlqyeshëm studimet e larta në Universitetin “Mercy College”. Pas një viti laurohem me titullin “Master degry” në studimin “Diferencimi i trurit të mashkullit dhe i femrës”. Në vitin 1991 mbroj doktoraturën me temën “Shkaqet që çojnë në skizofreni” dhe marr titullin më të lartë shkencor në SHBA PH.D. Më tej u specializua në një profil më të ngushtë në fushën e Psikologjisë Klinike, 
Doktorova në sëmundjen e Skizofrenisë.

 

3. I nderuar Prof. Dr. Kodra, jo më kot e nisa bisedën me ju që nga fëmijëria, që jo vetëm unë, por gjithë lexuesit të binden se po ndoqe rrugën e dijes, drita e saj do të dërgojë përtej imagjinatës fëminore, ajo të bën të shohësh përtej maleve, pa pasur nevojë t’i kalosh ato me këmbë, të bën që ëndrrat të realizojnë njëra - tjetrën dhe të krijojnë ëndrra tjera deri në pafundësi… ndaj do ishte me interes për lexuesin shqiptar të dinim rreth veprimtarisë suaj në SHBA…

 

-     Veprimtaria ime është në tre pozicione: si psikolog, si profesor dhe si shkencëtar. Kam një

veprimtari të gjatë në psikollogjinë klinike, të cilën e kam pasuruar me përvojën e gjatë, ku dhe ende punoj të spitalit Ushtarak në New York, ku në dhjetë vjet jam marrë me pacientë të Luftës së Dytë Botërore dhe të Luftës në Vjetnam.

Jap mësin në tre Universitete, ku përgatitim kuadro nga i gjithë rruzulli tokësor dhe tash e njëzet vjet, kam qenë këshilltar i Ministrisë së Shëndetësisë të Shtetit të New Yorkut. Dua të theksoj dhe të pranoj, se jam më shumë doktor sesa profesor, por puna në universitete më jep një kënaqësi të veçantë. Kjo punë është si shplodhje për mua, por mendoj që është fat për studentët, ngaqë e kryej mrekullisht lidhjen e teorisë me një mori shembush nga praktika ime shumëvjeçare. Kështu mësimi në këto universitete është një kordinim perfekt i teorisë me praktikën, besoj kjo është shumë e rëndësishme për kuadrot e ardhshëm, të cilët do zëvëndësojnë ne.

Dhe pozicioni tjetër në jetën e përditshme është studimi shkencor, studime që për të mbetur brezave i kam pasqyruar nëpër disa nga librat e mi si: “Evoluimi i Trurit Dje, Sot dhe Nesër” Library of Congress (June 11. 2001), “Definition of Personality” Tiranë Library of Congress (2003), “Drugs and its Impact” Tiranë Library of Congress (June, 11. 2004), “Road Map Opportunities in Cilinical Psychology” Tiranë Library of Congress (June 12. 2006), Library of Congress 101 Independence Ave, S.E. Uashington D.C. 20559 – 6000.

Krahas punës individuale shkencore jap kontributin tim edhe në Shoqatën e Doktorëve në Shtetin e New Yorkut, jam gjithashtu Anëtar i Shoqatës të Sëmundjeve Psikike “Sigmund Frojd” të Austrisë, nënkryetar i Akademisë së Intelektualëve Shqiptarë të Shkencës dhe Artit në Kosovë, anëtar i Shoqatës së Psikiatërve në Shqipëri...

Një punë të vazhdueshme kam bërë në publikimet e ndryshme në revistën “Dituria”, Organ i Akademisë Shqiptaro - Amerikane me qendër në New York, si dhe në shumë revista e gazeta prestigjoze në SHBA dhe Shqipëri.

 

4. Nga studimet e mia në lidhje me personalitete të larta të Kombit tonë, që fatkeqësisht u është dashur të lënë Atdheun për të shpëtuar jetën, kam vënë re që krahas veprimtarisë së tyre në SHBA, apo gjetkë, kurrë nuk e kanë harruar mëmëdheun e jo vetëm kaq, po në një formë, apo tjetrër kanë dhënë një kontribut të çmuar… më thoni Prof. Dr. Kodra, si ka qenë kjo lidhje mes jush dhe atdheut?

 

-     Para viteve ’90, përveç dëshirës që na vlonte në gji, nuk kishim asnjë lloj mundësie të jepnim

ndihmesën tonë, por me hapjen e kufijve dhe ndryshimeve demokratike në Shqipëri, shpreha dëshirën për të punuar dy vjet në Tiranë si klinicist pranë Klinikës Psikiatrike të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës duke ligjëruar leksione të ndryshme dhe me dëshirë dhe kënaqësi i dhurova kësaj klinike një bibliotekë të pasur me literaturë të psikiatrisë klinike amerikane. Po kështu gjatë kësaj kohe, shërbeva në spitalin psiqiatrik numur 5 në mënyrë vullnetare.

Unë menaxhoj 150 doktorë nga mbarë bota, por kjo nuk më pengon mua që kur diçka nuk e shikoj në rregull në klinikë, ta sistemoj, apo dhe të pastroj, por në spitalin e Tiranës, edhe pse vlen të përmenden shumë mjekë të zotë, por më çudiste fakti se në mengjes ata që ishin demokratë merrnin gazetën “RD” dhe të majtët “Zëri i Popullit”, në vend që të merrnin seriozisht detyrat nga mjeku i rojës së natës, kjo ishte për mendimin tim e tmerrshme. Pacientët nuk janë as të majtë, as të djathtë, ata kanë vetëm një emër, pacientë dhe mjeku ka vetëm një emër, specialist. Kjo më shqetësonte dhe mendoj që kjo është katastrofa më e madhe në Shqipëri, politika është futur në çdo institucion dhe karrierën apo gradat shkencore i ngre dhe ul politika, gjë që për Amerikën janë absurde. Nuk dua t’i përmend, po është e pafalshme që doktori të rrahë të sëmurin, apo të pijë raki me të sëmurin. Në atë kohë në spital ishte një aparat (elektroshot) që e kishte sjellë Franca, por ai është për policinë e jo për spitalet, ai është shumë i dëmshëm për pacientët, në vend që të shërohen, dëmtohen edhe më shumë. Truni ka fushat e veta dhe çdo gjë zhvillohet në atë fushë, kështu prish dhe fushat tjera, ndaj urdhërova dhe e hoqa nga përdorimi.

Duke pasur dëshirën e madhe për të kontribuar për qartësimin e masave të gjëra, isha i ftuar  në Radio Tirana në një Rubrikë të përjavëshme me temë nga psikiatria.

 

Gjatë këtyre viteve, pra pas viteve ’90 kam vizituar shpesh edhe Kosovën, sigurisht jo vetëm si turist, por kam zhvilluar një veprimtari të vazhdueshme shkencore dhe patriotike, ku klinikën e ktheva në instikam lufte. Për këtë arësye, serbët e bastisën disa herë dhe më detyruan të paisem me dokumenta serbe, gjë që nuk e pranova, ndaj u detyrova për herë të dytë të largohem nga vendlindja ime. Ika, por me mend e shpirt isha në Kosovë, Shqipëri e kudo që jetojnë shqiptarë, jetoja me shqetësimet dhe mendoja për mënyrat se si të jepja kontributin tim. Kështu gjatë Luftës së Kosovës shkova në kampet që u ngritën në Shqipëri me të dëbuarit nga Kosova, po kështu kam sherbyer edhe në spitalin Ushtarak. Krahas ndihmës sime, djali im ushtarak, Isai, lindur e rritur në SHBA, u bashkuar me radhët e UÇK - së në Kosovë, si disa të afërm të tjerë ta familjes sime. Kjo nuk është gjithshka, ndihma dhe përkushtimi im dhe i familjes sime nuk mbaron me kaq, gjithë jeta ime do jetë në shërbim të kombit.

 

5. Kam dërguar për botim një roman me titull “Rrjedha” dhe nga ç’po bisedojmë bashkë, njëri nga personazhet e librit më duket sikur jeni ju, sikur janë të gjithë ata shqiptarë intelektualë që egërsia e armiqve tanë të jashtëm e të brendshëm i detyroi të emigrojnë në vende të ndryshme të botës, veçanërisht në Amerikë, ku dhanë maksimimin e tyre intelektual dhe shkencor… ju më lart përmendën Akademinë e Shkencave dhe Arteve Shqiptaro - Amerikane, ku ju, i nderuar Prof. Dr. Kodra, jeni President i saj, mund të na thoni se si u lindi ideja e krijimit të saj, se për nga përbërja jam më se e sigurtë që ka anëtarë të denjë, të cilët me kontributin e tyre profesional dhe shkencor janë një “rrjedhë” e ndërsjelltë për ta pasuruar dhe freskuar Akademinë tonë të Shkencave këtu në Tiranë.

 

-     Kjo ka qenë ideja e Profesor Martin Camajt, por nuk u realizua për arësye se ishin standartet

Amerikane për me u plotësu me ligjet. Kur u krijuan kushtet e favorshme e krijuam Akademinë Shqiptaro - Amerikane të Shkencave dhe Arteve, ku filozofia e saj është “Çështja Kombëtare”. Vërtet aktiviteti i kësaj Akademie është i larmishëm, gjithpërfshirës të problemeve dhe arritjeve të kombit tonë, por dua të përqëndrohem pak në arësyen e ardhjes sime së fundmi në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, si përfaqësues i kësaj Akademie për problemin e mprehtë të shqiptarëve në Maqedoni e konkretisht mbi ngjarjet në Kumanovë, për të bashkëpunuar me Akademitë e këtyre tre shteteve, me Qeveritë dhe politikanë të ndryshëm që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin më.

 

6. Po, i nderuar Prof. Dr. Kodra, ky fakt na mblodhi dhe më dha rastin të njihemi dhe komunikojmë së bashku, se çdo plagë e kombit dhemb tek të gjithë intelektualët e ndershëm shqiptarë, kudo që jetojnë e punojë. Unë e kam theksuar edhe në një shkrim tjetër, që para se të trokasim nëpër dyert e botës, të trokasim në portat e qeverive tona, për të bashkuar mendimet dhe forcën për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë në trojet e tyre dhe, më vjen mirë që në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Drejtave të Njeriut me seli në Kumanovë, keni bërë një kërkesë Kryeministrit shqiptar, zotit Edi Rama, me shpresë të realizohet për të mirën e shqiptarëve, më thoni ju lutem opinionet tuaja në lidhje me çka dini mbi këtë masakër dhe çfarë mendoni të bisedoni me kryeministrin Rama?

 

- Kjo ngjarje tronditi botën e ne, shqiptarët, u drodhëm, u rrënqethëm. Akademia Shqiptaro - Amerikane e Shkencave dhe Arteve në New York, si institucion i lartë intelektual, ndjek me vemendje zhvillimet e ngjarjeve në mëmëdhe, ashtu si gjithë bashkësia shqiptare në Amerikë, por ngjarjet e fundit në Kumanovë jo vetëm na kanë tronditur, por na kanë mobilizuar që të kontribuojmë në zbardhjen e shkaqeve dhe nxjerrjen e përgjegjsve realë të kësaj gjakderdhjeje. Bilanci i kësaj masakre ku dhanë jetë 14 vetë, mbi 30 të arrestuar, 68 objekte të shkatërruara, prej të cilave 18 shtëpi shkatërruar plotësisht, na bën të mos reshtim gjer të vihet në vend drejtësia.

Kështu që lind detyrë imediatë që të bëhet një analizë e gjerë dhe të kërkohet më ngulmin zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit me të gjitha kërkesat e saj, se me mbi 30% në Maqedoni janë shqiptarë, të cilët në çdo hap të jetës së tyre ndjehen të diskriminuar dhe të keqtrajtuar.

Ky është dhe qëllimi i bisedës sime me Kryeministrin Rama, se Shqipëria ka marrdhënie normale me Qeverinë Maqedonëse, sidomos në fushën ekonomike, por krahas tyre, duhet të ndikojë fuqishëm edhe në ruajtjen e dinjitetit të shqiptarëve në Maqedoni. Ne përshëndesim qëndrimin e qeverive të Tiranës dhe Kosovës për këtë problem, por mendoj që duhet qëndruar dhe insistuar që këto akte vandale të mos ndodhin më me shqiptarët.

Akademia Shqiptaro - Amrikane e Shkencave dhe Arteve kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shqiptarët të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre në Maqedoni. Akademia u kërkon liderëve politikë të shqiptarëve që të marrin përgjegjësi atdhetare e demokratike dhe të bashkëkohen midis tyre, pavarësisht nga nuancat politike që ka secila, ata duhet të tregojnë vendosmëri politike ne mbrotjen e të drejtave te popullit shqiptar në Maqedoni dhe kjo është dhe arësyeja që ne kemi kërkuar kontakt me Kryeministrin Edi Rama, që shpresojmë se do na realizohet, për të qenë qënë në krah të vëllezërve shqiptarë, ashtu si të gjithë bashkëkombasit kudo që ata punojnë e jetojnë.

Unë e kam deklaruar edhe herë tjetër, se qëllimi ynë është që t’i ofrojmë mbështetje familjeve të të paraburgosurve, por edhe avokatëve, përmes këshillave dhe logjistikës nga ana e ekspertëve dhe avokatëve amerikan. Për rastin e Kumanovës kemi zhvilluar disa takime në Nju Jork dhe Uashington, ku kam kërkuar mbështetje për të pasur një proces transparent. Prej tani do të jemi në koordinim me Forumin për të Drejtat e Njeriut IGFM dhe kryetarin e saj Idriz Sinanin si dhe këshillin emergjent të Lagjes së Trimave. Do të bëjmë çmos që të zbardhet e vërteta.

-     Faleminderit Prof. Dr. Skënder Kodra për këtë bashkëbisedim interesant dhe uroj suksese në

misionin tuaj të lavdishëm për të kontribuar me të gjitha mënyrat për çështjen kombëtare. Ishte vërtet kënaqësi të bisedoje me Ju!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora