E enjte, 25.04.2024, 10:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Ky balsam i tejdukshëm

E marte, 04.08.2015, 07:06 PM


Adem Zaplluzha

 

Pesë poezi nga libri “Sytë e gurtë të erës”

 

KY BALSAM I TEJDUKSHËM

 

Mbrëmë kuptova

Se duart e mia vetmonin

Diku te përgjumja e baladave

Një serenatë e fjetur me vite

Në kreshtat e këndesit

E zgjoi mëngjesin e lodhur

 

Qante era me ngashërim

Diku te një arkivol i hapur

Qanin edhe akaciet

Në shpirtin e vrarë të erës

Derdhej një grusht lot prej luleve

 

Ky balsam i tejdukshëm

Që pikon në trurin tim

Mbase i shëron

Trishtimet e gjelbërimit

Një hënë e zhveshur te kiçi i anijes

I ushqen shpresat e pulëbardhave

 

Kjo kohë e ndrydhur dhe e shtrydhur

Për çdo ditë i mpreh dhëmbët

Një qyqe e zezë

Nga majat e bjeshkëve  të mira

I thërret shirat

 

 

ME KUKULLAT E VITRINAVE BLU

 

Mos më thuaj

Asnjëherë mos provo të thuash

Se heshtja e jote

Bisedon si stërkalat e shiut

Dimrat në qytetin tonë

Përherë i përngjajnë Lumëbardhit

 

Sa herë që dalin vashat në qytet

Pashmangshëm krahasohen

Me kukullat e vitrinave blu

Netët këtu janë të gjata

U përngjajnë atyre netëve

Që s’duhet t’i përmendim asnjëherë

 

Ju nuk do të më kuptoni

Se si nga rrënjët e zambakëve

Zgjohen baladat e përgjumura

Por ato edhe ashtu kurrë nuk flenë

Në djepin e gurtë të kujtesës

 

Ju kam folur edhe më parë

Për xhelozin e dallgëve të ujit

Sa herë që hidhërohen ato

Sa ora qohen peshë

Dhe bashkohen me shpirtrat e etërve

 

 

MOS M’I MBYLLNI SYTË

 

Kur një ditë do të më vendosni

Në arkivol të akullt

Ju lutem

Mos m’i mbyllni sytë

Dua të shoh

Se si rritet atdheu im

 

Unë nuk pata fëmijëri

Më kujtohet vetëm kukulla e motrës

Me të cilën luaja fshehurazi

Kur të gjithë flinin

 

Më përqeshnin

Kur e shikoja këmishën e portokalltë

Dhe sandalet e kuqe

Me këmbë të drunjta

 

Më thoshin se djemtë

Nuk duhet të lozin kukullash

Por unë nuk e qaja kokën

Për askënd

 

Asnjëherë nuk më kanë bezdisur

Fjalët e të tjerëve

I doja kukullat po aq shumë sa e doja

Edhe pushkën e babait

 

2.

 

Kisha një ndjenjë

Se edhe lufta është loja e të rriturve

 

Atë çast

Kur m’i drejtoni këmbët

Ju lutem

Lëreni një vërrimë

Në arkivolin tim të kaltër

 

Dua ta shoh mugullimin e gjelbërimit

Dhe zogjtë kah fluturojnë

Prej një dege në tjetrën degë

Se përndryshe

Si mund të rritet atdheu

 

Mbase nuk jam duke kërkua

Të pamundurën prej jush

Vetëm sytë mos m’i mbyllni

S’keni nevojë të shkruani

Asnjë epitaf te varri im

 

Nuk është me rëndësi

Se kush prehet

Në atë copë toke të atdheut

Me arkivol të hapur

O ju lutem

Vetëm sytë mos m’i mbyllni

Me lëni ta shoh vendin tim

Se si rritet e përtëritet

Në ashtin e tokës mëmë

 


HERËT A VONË

 

Atje ku më mbetën kujtimet

Ndoshta do të kthehem një ditë

Ky shi i mërzitshëm

I paska harruar rrugët

 

Ndoshta përsëri do bie sonte

Një shtrezë e kristaltë

Te flokët e mjegullave

 

Me ngashërim po qanë një portret

Herët a vonë

Do zgjohemi të dehur

Nga një gjumë i përdalë

 

Më duket se

Pritëm një kohë të gjatë

Pritëm aq shumë

Sa që na u gurëzuan ëndrrat

 

Nga majat e kujtesës

Po afrohet si hije  verdhë

Një vegim i harruar kaherë

 

Më duket se dje ishte herët

Kurse sot tepër vonë

Për të çelë një lule në shpirtin e gurit

 

Lumi i pikëllimit

Ka kohë që nuk buron më

Asnjë pikë uji

Nuk rrjedh më nëpër rrënjët e rrapit



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora