E premte, 19.04.2024, 09:23 PM (GMT+1)

Mendime

Basha: Besimtarët duhet të pajtohen me ofendimin

E marte, 04.08.2015, 07:41 PM


Pse besimtarët dhe jobesimtarët duhet të pajtohen me ofendimin si pjesë e lirisë së shprehjes

Nga Dimal Basha

Pa shprehje të lirë nuk ka shoqëri të lirë. Në atë moment që ndëgjoni dikë duke kërkuar cenzurë mbi fjalën e lirë, qoftë nëse ajo vjen nga qeveria apo një individ i caktuar, ju them ndëgjojeni me vëmendje dhe keni kujdes. Liria e shprehjes gati gjithmonë shihet si pengesë për regjime të ndryshme, por kjo nuk do duhej të shihej si e tillë edhe nga elita intelektuale apo vet qytetarët. Në vende ku shtypet fjala e lirë, qytetari duhet të ketë frikën pushtetit, kurse në vendet e lira ku fjala e lirë triumfon pushteti ka frikën qytetarit. Ruane me zili të drejtë të shpreheni lirshëm dhe të keni drejtë kritike ndaj njerëzores dhe hyjnores sepse po e humbasët, i humbasni të gjitha drejtat tjera. Përmbledhjen më të bukur e jep Daniel Webster, një politikan amerikanë i shekullit njëzetë i cili thoshte, “nëse më mirren të gjitha drejtat dhe më kërkohet që të ruaj vetëm një, do zgjidhja të drejtën të shprehen lirshëm, sepse përmes kësaj drejte do i riktheja prap të gjitha tjerat.” Prandaj, e drejta për tu shpreh përfshin të drejtën për të menduar ndryshe, ku në të njejtën pako përfshihet e drejta për të ofenduar sepse demokracia është treg i lirë idesh ku të gjithë participuesit duhet të ndjehen të ofenduar.

Me këtë letër do të mundohem të sqaroj një mospajtim të thellë për disa thirrje për gjymtimin e shprehjes së lire duke arsyetuar se po ofendon ndjenjat e tjerëve. Përveq në raste kur cenohet drejtpërdrejtë jeta e dikujt apo kur ajo liri e shprehjes thërret në dhunë direkte ndaj një individi apo grupi të caktuar, gjithçka tjetër duhet të jetë pjesë e shprehjes së lirë. Qëllimi i këtyre rreshave do të jetë synimi që përmes argumenteve në vazhdim të ju bind ju se a) cenzura është një thikë me dy teha që nuk do e dëshironit asnjë prej jush, për shkak se hap më shumë probleme se sa zgjidh, dhe b) ofendimi i inteligjencës është më i rëndë se ofendimi i ndjenjave mirëpo që të dyja janë shprehje që duhet të mbrohen me xhelozi si pjesë e fjalës së lirë.

Shprehja e lirë dhe kritika ndaj hyjnores

Me hyjnore nëkuptoj cfardo besimi, idhuj, apo profetë që thirren në cilësi mbinatyrore, cilësi që kryesisht ndërlidhen me religjionet dhe besimet e ndryshme. Për hir të korrektësisë, po ndërlidhem direkt me religjionet monoteiste, me fokus Islamin, sepse kjo është, besoj, edhe arsyeja pse po kërkohet kufizimi i lirisë së shprehjes. Prandaj, për të kuptuar se si disa intelektualë kanë ardh në këto përfundime ku publikisht kërkojnë kufizimin e shprehjes së lire për të kënaqur një grup të vegjël individësh, të cilët i bien tupanit për të shtuar presionin që të ndalohet kritika ndaj bindjeve të tyre. Shkurt, kush në të vërtetë po ofendohet, dhe se a kemi nevojë ta gjymtojmë larine e shprehjes për të kënaqur apetite të një grupi muslimanësh që nuk besojnë në këtë vlerë.

Kush po ofendohet?

Duke e shtjelluar këtë pyetje në kontekstin kosovarë, sigurisht se kjo ndërlidhet me një grup muslimanësh që thërrasin në cenzurë për shkak se ndjehen të ofenduar nga kritika ndaj besimit të tyre, por edhe kritika dhe vizatime të ndryshme të profetit të tyre. Kjo kërkesë është si pasojë e një makinerie propagandistike të disa imamëve të indoktrinuar në ideologji fashiste të botës arabe, bindjet e të cilëve janë në kundërshtim me të gjitha vlerat demokratike. Pra sigurisht se Shefqet Krasniqi me kompani është përkrahës i këtyre kërkesave që mos të ofendohen profetët dhe këtu jeni me një pikë, mirëpo së paku kisha kërkuar të gjithë ata që janë dashamirë të fjalës së lirë, të pyesni veten, a janë më ofenduese predikimet e sojit të Shefqetëve & Co apo ofendimet ndaj atyre ideologjive të ligjëruara nga këta hoxhallarë? Jam i sigurt se shumë prej jush besoni se nevojitet një lloj cenzure edhe ndaj gjuhës denigruese e poshtëruese nga disa hoxhallarë. Mirëpo kjo është shumë problematike dhe këtu është kthesa ku qëndrimet tona marrin kahje të kundërta! Mendoni, për shembull, sikur dikush të kërkoj cenzurë nga imamët që predikojnë lirshëm kundër evolucionit, ligjëratave homofobike, anti-feministe, anti-shkencore, dhe shumë herë predikime që suspendojnë arsyen, por edhe ligjet e fizikës, për të arsyetuar fluturimet profetike apo tregimet fantastiko-shkencore nga librat e shenjtë. Duken pallavra ofenduese për inteligjencën dhe integritetin e shumë tjerëve, mirëpo pallavrat janë pjesë e patjetërsueshme e shprehjes së lirë.

Ja dhe një shembull tjetër. Merrni një rrugëtim deri tek Bashkësia Islame e Kosovës dhe aty do hasni në punime “shkencore” të sponzorizuara nga ky institucion, ku ndër tjera, gjen publikime mujore ku përshkruhen rregullat për legjitimizimin e dhunës ndaj atyre që nuk ndajnë bindjet e njejta me muslimanët. A nuk besoni se këto publikime dhe bindje absurde ofendojnë inteligjencën e secilit prej nesh që për bazë kanë mendimin racional? A nuk është shqetësuese kur institucioni më I lartë fetarë në vend që përfaqëson një shumicë të popullit publikon punime ku legjitimizohet dhuna, homophobia, dhe injoranca? Prandaj intelektualët, por edhe vet besimtarët, që kërkojnë vetëcenzurë duhet të kenë kujdes sepse kjo kërkesë është një thikë me dy teha ku cenzura pastaj bie si mëndafsh që i gjymton të gjithë, përfshi edhe ligjëratat dhe publikimiet e tyre pseudo-shkencore.

Demokracia si qendër tregtare idesh!

Unë nuk i rrespektoj mendimet e hoxhallarëve të pasluftës që me vete kanë sjellur një mori vlerash antidemokratike dhe anti shqiptare. Megjithatë, unë rrespektoj të drejtën e tyre për ti shprehur ato dhe më shumë rrespektoj bindjet e tyre të pandryshuara dhe qëndrimin e tyre pas atyre argumenteve. Thjesht janë të hapur me mendimet e tyre dhe i kupton saktë se ku qëndrojnë. Problemin e kam me disa intelektualë, por edhe majtistë apologjetikë, të cilët janë paradoks në vete. Në njërën anë hidhen se besojnë në vlera demokratike derisa të njejtë kohë përkrahin kërkesa anti-demokratike që gjymtojnë shprehjen e lirë. Shkurt, mbajnë flakadanin e shprehjes së lire për sa u nevojitet atyre, mirëpo e fikin atë kur ju nevojitet tjerëve. Pra askush nuk i kupton qëndrimet e tyre sepse nuk e kanë problem të ndryshojnë kahje sa herë që ju nevojitet interesave personale e jo atyre shoqërore. Shpeshherë dua të besoj se e bëjnë këtë për shkak të injorancës, por ka raste që e bëjnë, unë besoj, për të kërkuar një lëmoshë dhe simpati tek masa.

Lexoni për shembull shkrimin e z. Matoshi kur thotë se “loja me emocionet” është e padrejtë dhe qorton se “të mos i preken profetët” me arsyen se e drejta e besimit është e “patjetërsueshme.” Sikur të ndaloje aty do kishe një argument, sado të dobët, mirëpo vazhdon më tej duke shtuar se edhe e drejta për të mosbesuar është e “patjetërsusshme.” Tani kjo ka kundërthënie sepse nëse kërkon cenzurë ndaj religjionit dhe profetëve, ku mbetet e drejta e “pabesimtarëve” ti shprehin mendimet e tyre kundër ideologjive fetare? E kupton që ju kërkoni të cenzurohen kritikuesit e dogmave dhe profetëve, mirëpo të njejtën kohë u thua se kanë drejtë të mos besojnë? Argumenti juaj vijon kështu: “keni drejtë të mos besoni, por nuk keni drejtë të kritikoni.” Më trego si arrin njeri tv mosbesoj nëse nuk arrin kurrë të lexoj kundër besimeve e ideologjive të ndryshme? Ku mbetet e drejta që të gjithë të shprehen të barabartë, dhe ku mbeten debatet për sfidimin e ideve kur kërkesa juaj ngulfat njërën kurse lejon tjetrën? Pra, juve mbeteni paradoks në vete!

Unë gjithashtu shtoj se qasja ime nuk është trajtim i njëanshëm siç bëhet nga paradoksalët. Unë them se BIK-u bashkë me Shefqetat e Irfanët duhet të lejohen të shprehin lirshëm dhe t’i publikojnë dokrrat e tyre sepse, për mendimin tim, idiotët dallohen vetëm nëse lejon që të hapin gojën, derisa cenzura na privon nga kjo e drejtë. E drejta e të shprehurit lirshëm të mbron nga çfardo dënimi i pushtetit, por nuk do të thotë se të mbron nga punëdhënës private. Sic e dijmë të gjithë, Irfan Salihu është ka marr dënimin e suspendimit nga BIK-u si institucion i pavarur por jo nga qeveria. Kjo e fundit si organ i pavarur ka vendosur të marr një vendim të tillë brenda kodeve dhe ligjeve të veta brenda atij institucioni, por jashtë tij, ky hoxhë do duhej të gëzonte të drejtën të predikoj dokrra dhe asnjëherë nuk do duhej të dënohej nga asnjë qeveri, dhe njëkohësisht të lejohet çfardo kritike kundër tij apo ideologjisë që ai e ligjëron. Fundja, demokracia është treg i hapur ku ideologjitë e ndryshme janë komoditeti që i ofrohet konsumatorit dhe i mbetet këtij të fundit të zgjedh se çka pëlqen, kurse analistit duhet ta ketë lirinë absolute ti gjykojë, analizoj dhe kritikojë ato ide apo ideologji dhe themeluesit e tyre, qofshin ato njerëzore apo hyjnore.

Kërkesa e cenzurës në nivelin ndërkombëtarë.

Do ta ngris këtë qështje edhe në suaza ndërkombëtare për të krahasuar kërkesat e intelektualëve në Kosovë me cenzurën e kërkuar nga Pakistani para Kombeve të Bashkuara. Pra Pakistani, sikur disa intelektualë që po bëjnë në Kosovë, me mbështetjen e të gjitha vendeve Muslimane si Arabia Saudite, Siria e Bashir la-Sadait, Libia e atëhershme e Gadafit, e shumë teokraci tjera, kanë kërkuar që të ndalohet ofendimi i të gjithë profetëve të religjioneve monoteisteve dhe kanë kërkuar që të aplikohet nga të gjitha vendet e botës. Tani lexo hipokrizinë që përngjan me paradoksin që e gjeni edhe tek ju! Pakistani është vendi i cili në vitin 1984 ka krijuar ligjin kundër Ahmedive (një sekt brenda fesë Islame ku numri i të cilëve besohet të jetë prej 10 deri 20 milion) me arsyen se vetëm deklarimi i tyre si “muslimanë” ofendonte ndjenjat e muslimanëve të “vërtetë” dh thirrjet e klerikëve fetarë për dhunë ndaj tyre gati se janë arsyeja kryesore për persekutimin e tyre.

Mendo situatën tjetër në Arabinë Saudite, vatra e dijetarëve të Shefqetave & Co që sot ofendohen, vend i cili ende aplikon dënime barbare të ushtruara në mesjetë dhe përditshmëria e tyre përshkruhet me abuzimet më bazike të drejtave të njeriut të udhëhequr nga një familje e vetme që nuk jep përgjegjësi ndaj asnjë qytetari. Pra, vendet më lartë nuk ndryshojnë me bindjet e Shefqetave dhe gjithe hoxhallareve te indoktrinuar ne vende si Arabia Saudite sepse ata kanë përqafuar ato vlera që sot mundohen t’I importojnë në vendin tone me ndihmën e apologjetikëve që u janë bindur urdhërave të tyre për vetëcenzurë.

Prandaj, ka rëndësi që nëse kërkoni të jeni të drejtë dhe pa standarde të dyfishta, së paku vazhdoni një katë më lartë dhe kërkoni të njejtën cenzurë nga klerikët që të ndalojnë ligjërimet e publikimet fashiste që thërrasin në vrasje e urrejte.

Autoriteti i censurës!

Mendoni tash nese vërtetë duhet bërë përjashtime idhuj, profetë, apo religjione të caktuara? - dhe krejt cka dua nga ju pastaj është të më tregoni se ku të ndalemi? Shkurt, e ka menduar kush se kënd do kishit zgjedhur për autoritet për të caktuar kritere se cili religjion apo profetë duhet përjashtuar nga kritika?

Po ju kujtoj këtu disa fjali të urta të z. Matoshi që shkruante, “mos luani me emocionet e të tjerëve,” dhe vazhdonte duke qortuar “mos ua prekni profetët.” Dakord, tani na trego cilin profetë e idhull ta cenzurojmë? Buden, Muhamedin, Krishtin, Musën, kafshët në Indi? Cilat nga 2000 religjione dhe idhujt e tyre po zgedhim t’i përjashtojmë nga kritika? Cilët nga mbi 2700 zotëra ti ndajmë që mos të kritikohen? Ku të ndalemi? Nuk besoj se intelektualë si z. Matoshi e kanë menduar nese do e kishe pranuar nje post ku do të vendosnin se cilët profetë dhe religjioni na lejohet t’i kritikojme? Nëse dikush privohet të kritikoj profetët që janë themeluesit e një ideologjie, atëherë si të kritikohen ideologjitë nëse nuk lejohet të kritikohen vet themeluesit?

Ka rëndësi që të mendohet mirë noti para se të zhyteni në këto ujëra dhe kjo ka rëndësi sepse me një vend të vogël që pak njerëz kanë njohuri mbi demokracinë apo fjalën e lirë, kërkesat që vijnë nga individ si z. Matoshi hapin kutinë e pandorës që është një thikë me dy teha, por edhe një çmim i madh për shoqërinë. 

Vetëvrasja demokratike!

Eshtë shumë interesant rasti juaj për shkak se në të gjitha shkrimet në lidhje me temën që vijnë nga shkollarët dhe dashamirët më të mëdhenjë të fjalës së lirë parashikohet dicka komplet e kundërt. Në të gjitha shoqëritë e civilizuara e gjen mbrojtjen e fjalës së lirë nëpër dokumentet më të larta juridike si Kushtetuta. Arsyeja pse Thomas Jefferson e shumë përkrahës të këtij principi e ingrinuan mbrojtjen e fjalës së lirë në kushtetutë ishte që të ndalojnë qeveritë nga cfardo ndërhyrje në liritë dhe drejtat e individit, dhe gjithmonë me bindjen se tirania zakonisht vinte nga pushteti. Në një moment Jefferson e quante shtetin si një “djall” por “djall të nevojshëm” për shkak se e parashikonte se vetëm shteti kishte fuqinë për të ndarë drejtësi dhe ofroj siguri, por të njejtën kohë ai dyshonte se shteti kishte të njejtën fuqi dhe motivë të cenzuroj liritë dhe drejtat e individëve dhe ishte po kjo arsyeja pse Jefferson në Deklaratën e Pavarësisë se SHBA-ve shkroi se herë që qeveria ndërhyn në të drejtat e qytetarëve dhe mundohet të instaloj një qeveri tiranike, qytetarët kanë të drejtë që të rrëzojnë atë qeveri dhe të instalojnë një qeveri të re. Mirëpo këtu fillon habia me ju, sepse as Jefferson, por as edhe shumë dashamirë të mëdhenjë të fjalës së irë, nuk e kanë menduar se cenzura do të kërkohet nga qytetarët, e aq më pak nga intelektual dhe publicistë që ndoshta kanë hapësirë dhe kapacitet me kriju edhe opinion publikë në lidhje me qështjen.

Prandaj rrëziku i cenzurës është parashikuar të vie nga lartë-poshtë, gjithmonë këtu duhet përjashtuar ideologjitë fetare që kërkojnë të fundosin sistemet demokratike dhe të instalohen vetë për shkak se këto ideologji demokracinë nuk e kanë mik, por konkurrencë. Kur hoxhallarët shprehen se ata e duan demokracinë kjo nuk është për shkak se ata i dashurojnë vlerat demokratike, mirëpo demokracia është i vetmi sistem që u lejon atyre hapësirë dhe mundësi që ta përmbysin demokracinë dhe të instalojnë sheriatin. Një shembull të një demokracie të keqe e gjen tek të ofenduarit e BIK-ut, të cilët vetëzgjedhën që ti hapin rrugë ligjore instalimit të një sistemi autokratë.

Prandaj, kam frikë se kërkesat që viejnë nga disa intelektualë – por edhe liberalë injorantë - ofron krijimin e kushteve për instalimin e despotëve dhe tiranëve sepse demokracia, me gjithë të mirat e saja, ka edhe shumë dobësi të saja, sepse si sistem i lirë nuk ka mekanizma mbrojtës ndaj përzgjedhjes se keqe të individëve që zgjedhin ta përmbysin atë. Me fjalë tjera, nëse qytetarët kërkojnë vetëcenzurë dhe arrihet të krijohet një opinion publikë rreth kësaj, nesër kjo vetëcenzurë mund të votohet edhe në parlament, dhe sic edhe po e përcjell rrjedhën e argumentit, sikur të kishte individ të mjaftueshëm si ju demokracia do fundosej dhe do kishim një vetëvrasje demokratike. Pra, nëse ke një shoqëri dhe një elite intelektualësh që kërkojnë vet-cenzurë, kjo mund të ketë vetëm një përfundim, hapjen e shtigjeve për përkrahjen morale të instalimit të ideologjive fashiste.

Për të ju bindur më tej që jeni gabim do ju kthej pak në histori. Mendoni zhvendosjen e kishës në perëndim dhe instalimin gradual të shkencës për të zavendsuar “hyjnoren” me njerëzoren. Me shekuj Vatikani vrau e persekutoi individ për shkak se zbulimet shkencore shkaktonin ofendime ndaj bindjeve dhe profetëve për shkak se, në atë kohë, shkenca nuk përkonte me bindjet e Vatikanit. Kujto turpin e kishës për “heretikët” si Gjordano Bruno. Shumica shpesh ndjehet e ofenduar, por kjo nuk nënkupton se kanë të drejtë. I njejti argument do të kishte vlerë për helenët e vjetër dhe ofendimin ndaj zotërave të tyre, mirëpo ja që sot nuk ekzitojnë më. Njerëzimi është zhvilluar si pasojë e ngadhnjimit të fjalës së lirë, por asnjëherë nga vetë-cenzura. Perëndimi edhe sot kremton vrasjen e represionit ndaj fjalës së lirë dhe vazhdon ti përqafoj vlerat demokratike, kurse për mendimin tim këtë liri nuk e gjen tek shumica e vendeve muslimane dhe prandaj argumenti i “ofendimi ndaj tyre” presupozon pajtimin me vlerat e tyre ideoogjike që janë në kundërshtim me vlerat demokratike, por edhe ngrirje në kohë për vet qytetarët e tyre. Jam i bindur se cenzura e despotëve ndaj shprehjes së lire të qytetarëve në vende muslimane është një ndër arsyet kryesore për mangësitë e zhvillimit dhe shkencës.  E njejta do të vlente edhe për perëndimin, sepse sikur kjo cenzurë të kërkohej nga rilindasit dhe intelektualët perëndimorë sot Vatikani ende do të kishte supremacinë qeverisëse dhe perëndimi nuk do të gëzonte këtë zhvillim që ka sot.

Çka nuk po kuptoni më tej është se pasojat e cenzurës nuk përfundojnë me dënimin e një individi të shprehet lirshëm, por njëkohësisht privon me miliona njerëz që të ndëgjojnë atë mendim ndryshe. Siç e ka thënë në mënyrë të mrekullueshme Rosa Luxemburg,”liria e shprehjes është e drejtë ekskluzive e atyre që mendojnë ndryshe”, përndryshe fjala e lirë s’do të kishte kuptim. Kujtoni “Vargjet Satanike” të Selman Rushdi dhe mendoni nëse dëshironi të kujtoheni që keni ndarë një mendim me liderë supremë si Khomeini sepse edhe fetwat e tija për Selman Rushdin ishin me arsyetimin e “ofendimit të ndjenjave.”

Nuk është gabim të ndryshoni mendje.

Në psikologji spjegohet të menduarit racional dhe iracional. Mendimi racional njihet si të menduarit e njeriut që merr premisat të vërteta që e çojnë atë në një konstatim gjithashtu të vërtetë, derisa mendimi iracional merr konstatimin e dëshiruar dhe kërkon arsye gjetiu për të përmbushur besimin që ka. Shkurt, mendimtarët iracionalë veq kanë të formuluar konstatimin në mendjene tyre dhe kërkojnë që medeomos të arsyetojnë bindjet e tyre pa i testuar ato. Une jam i bindur se me një qasje racionale shumë prej ju do ndryshoni mendim sepse kërkesa për censure është një thikë me dy teha ku të gjithë pësojnë.

Mendoj se bindjet ndryshojnë dhe këto janë shenja progresi, prandaj, të njejtën e kërkoj nga të gjithë dashamirët e fjalës së lirë që të jenë racional në përfundimet e tyre. Unë besoj se edhe vet fetarët duhet të jenë të kujdesshëm sepse një cenzurë për fjalën e lirë që është kritike ndaj besimit te tyre mund të çoj tek cenzura e një mijë predikimeve të tyre. Prandaj, këshilla ime është, dyshoni ata njerez që kërkojnë të përcaktojnë kritere dhe autoritete për fjalën e lirë sepse ata po kerkojnë zbulimin e një roli të pamundur, roli ku paraprakisht ju tregon se cka ju keni drejt me fol e lexu. Pra edhe me lexu sepse në moment qe flasim për ofendime bie cenzura edhe në libra, dhe kjo nënkupton privimi nga e drejta e të lexuarit nga mijëra të tjerë. Kjo pastaj shkakton një domino-efekt ku ne momentin kur njeriu ndalohet të flas, njekohesisht ju ndalon drejten të tjerëve të ndëgjojnë.

Shkurt, nuk është pyetja nëse shprehja e lire duhet të jetë moralisht e drejtë, sepse kjo është relative, mirëpo e drejta për të kritikuar njerëzoren dhe hyjnoren duhet të mbetet e drejtë e patjetërsueshme për secilin, sepse përndryshe vetëcenzurimi hap më shumë probleme se sa zgjidh. Mos kërkoni autoritet mbi cenzurën sepse është thikë me dy teha. Kur plotësoni kërkesa për cenzurën mbi religjionet e profetët hapni rrugë për regjime të Enver Hoxhës, mirëpo kur gjithashtu kërkohet të cenzurohen kritika ndaj besimeve apo profetëve, plotësoni kërkesat për hapjen e shtigjeve të instalimeve të regjimeve fashiste. Prandaj, sheshi ku sfidohen idetë duhet të jetë i hapur për të gjithë, përderisa ato ide nuk cenojnë jetën e askujt dhe nuk thërrasin në dhunë direkte ndaj një grupi apo individi të caktuar. Kurse, për liberalët që kërkojnë të mbajnë flakadanin e shprehjes së lirë, duhet që mbane atë deri në fund dhe ndriçoni rrugën për të gjithë, e jo vetëm kur ju duhet juve duke i lënë në terr kur tjerët e kërkojnë të njejtë drejtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora