E premte, 19.04.2024, 05:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Kënga e mirënjohjes

E marte, 04.08.2015, 06:32 PM


Kënga e mirënjohjes

Tregim nga Bahri Myftari

Në qender të qytetit, pranë shatërvanit të madh,mblidheshin dhjetëra të rinj dhe të gjithë në pritje të ndonjë oferte për punë. Midis tyre, njëri veçohej; djalë njëzet vjeçar, me trup mesatar, të lidhur shëndetshëm, me fytyrë të bukur, shumë të bukur,por ai kurrë nuk e pranoi atë kompliment, madje, sa herë e dëgjonte, skuqej deri në majë të veshëve, dhe, si për t’i vënë kornizën atyre cilësive, shërbenin flokët bionde, të gjata, deri mbi supe. Për orë të tëra, e shihje biondin të mbështetur mbi rrethimin prej betoni të shatërvanit,duke vështruar ngultas ujin qelibar dhe ata peshqit e vegjël, si peshq akuariumi..Zor të besohej se ai, humbte mendjen në ato dy pëllëmbë ujë dhe në ata peshq të vegjël të shëmtuar, më zi se cironkat, kur djaloshi biond, kishte lindur dhe ishte rritur buzë liqenit të Ohrit.Atëherë!?.. Ai kishte lënë atje, në fshatin e tij të largët, në atë fshat të habitshëm, ndërtuar gjysmë mbi ujët e liqenit dhe gjysmë mbi tokë, vajzën e tij, të dashurën, Elin. Kjo po, kjo e justifikonte përhumbjen e biondit!. U bë mbi dy javë që po dergjej i lodhur dhe i drobitur, në këtë vend, as mal, as fushë, këtu në mes të Ballkanit. Të ishte për të, sikundër thoshte; halli, halli për ato pesë lekë të qelbura, se do të ishte i lumtur atje buzë gjolit, qoftë edhe sikur të ushqehej një herë në ditë! Megjithatë, nuk kishte mendje të tërhiqej. Këtë sakrificë e patën bërë më parë edhe bashkëfshatarët e tij dhe s’kishin dalë keq. Vërtet, vjelja e qershive ishte punë e rëndë, por cili po i trembej?. Biondi nuk ta mbushte syrin për djalë pune, për fshatar dërdëng, i regjur dhe i tharë prej diellit dhe shiut. Hijeshija dhe ëmbëlsia e tij, të jepnin përshtypjen e studentit, a të një djali qyteti. Prapëseprapë, ai nuk tërhiqej. I qe betuar Elit se, edhe nën tokë do të punone, mjafton të vinte lekë mënjanë. Përndryshe, dëshira për të shkuar në Itali a më tej, do të qe e pamundur!. Ditë me radhë, nuk u pa në vendin e zakonshëm. Të ishte thyer, t’ia kishte mbathur!? Të dielën e fundit të muajit, biondi u pa përsëri në qytet, veç, këtë radhë, i shoqëruar me një fshatar vendas. U mor vesh, ishte punëdhënësi, ishte zotëria i ri. Pronari pati vepruar me të, njësoj, sikundër edhe ndaj emigrantëve të tjerë.. E kishte vënë të flinte në një kthinë tej vilës dhe, njëherësh i ndalohej të komunikonte me të zonjën e shtëpisë.. Pas disa ditësh e ftoi djalin në vilë dhe, për herë të parë, e njohu me të shoqen… Ti, i tha, e kalove provën, në fakt, unë e krijova mendimin e mirë për ty, që kur të pashë, që në takimin e parë. Njeriu, siç ka fytyrën, ka dhe shpirtin…E kini kështu edhe ju andej nga vendi juaj?... Po, iu përgjigj djali, por me sa kam dëgjuar, është fjalë e urtë turke, që pak a shumë do të thotë: shikoi fytyrën, gjykoji shpirtin! E njëjta gjë, ia ktheu pronari, po nuk është e vërtetë se na qenka turke, kjo haset te të gjithë ballkanasit… Nejse, unë prapëseprapë të vura në provë. Ty të lumtë! Ndërkaq, zonja, sapo e gostiti me një gotë qumësht.. Pra, kam pasur, vazhdoi ai, nga të sojit tënd, nga të racës tënde edhe herë tjetër, por… Nuk them për të gjithë, jo…disa, disa merrnin flakë, sedërlinj boll, dhe me pretendime.. disa ishin qenër të gotës, e disa i ndiqnin nuset dhe vajzat me sy nga pas, deri në një kilometër…. Të gjitha për robin janë, qeshi biondi.. Ashtu. tamam ashtu, po robi duhet t’i shtrijë këmbët sa ka jorganin..Ja, të pyes unë ty, djalosh, a nuk e ke qejf birrën, ti?,, Nuk e kam problem, i tha djali…Ashtu!...Po femrat? E zonja e shtëpisë po shkrihej nga hareja, seç i tha të shoqit në gjuhë të vet dhe që të dy, zunë ta ngacmonin djalin mbi këtë temë. Djali hezitoi pak, por u foli, më në fund, për të dashurën e tij, për Elin… Ata u kënaqën me rrëfimin e biondit, madje e shoqja e pronarit tha gjithë emocion: e vizatove aq bukur të dashurën tënde, sa portretin e saj, e kam mu këtu, përpara syve! Punëdhënësi nuk ishte as pronar platacione qershish, as tokash. Pasuria që zotëronte kishte si kontribues të parë, të birin, i cili kryesonte një biznes detar në brigjet e Egjeut. Biondit, që kur i bëri ofertën, i tha edhe diçka rreth punës. Bashkë do bëjmë një punë speciale, vërtet punë speciale; do të hapnin një pus, pus për ujë të pijshëm… dikur fshati ynë, nuk ka pasur kurrë një nevojë të tillë…Po le të vazhdojmë…Kontrata u hartua lehtësisht….Pronari u kënaq më tepër, edhe prej faktit se djali, po dilte tamam ashtu siç e pati vlerësuar. I futi krahun dhe u ngjitën tek vendi, që quhej Kodra e plakut...Të fola pak më parë për punë pusesh, besoj se nuk të ka qëlluar…Jo, jo, bëri djali…Isha i sigurt, por dua, që veç teje e meje, si dhe të gruas time, të mos e marrë vesh kush.!. Kam besim!.. Dhe tani, më dëgjo, më dëgjo me vemendje, i tha, duke e orientuar djalin për nga fshati poshtë. Shiko ç’bukuri! Plot jeshillëk, plot gjelbërim, me perime, zarzavate sa ai copë fshati, na mban me to, tërë krahinën!…Dikur, atë fat, atë bukuri, e ka pasur fshati ynë, i katandisur tani në fshat murrosh, mos, o zot, më keq! Kur dikur, do të pyesësh? Atëherë pra, atëherë, kur ecnim mbi ujë, atëherë, kur të merrte mendtë bukuria e mahnitshme e natyrës, atëherë kur, kujtdo do t’i vinte turp të merrej me puse e budallallëqe kësisoj…Po si! Si erdhi?,, bëri në mëdyshje djali,…Mos u ngut, i tha tjetri, mbi fshat kemi pasur një rezervuar, të cilin, për fat të keq, po vetë e mbyllëm. Kjo ishte një fatkeqësi e madhe, ishte mallkim..tregoi përsëri fshatin atje… edhe ky mallkim, po prej atij të mallkuari na erdhi! Një djalë i tyre, na ra në dashuri me një vajzën tonë, na ra ai, pa vajza, vajza nuk ia vërshëllente! Ai këmbëngulte, këmbëngulte vazhdimisht, këmbëngulja të bën kapedan anije, pilot avioni a rakete, të bën shkencëtar, filozof, por jo, nuk të shpije tek zemra e vajzës!. Këmbëngulja, bashkë me të, edhe vullneti, mund të bëjë namin, të nisë luftëra, të mundë kombe, shtete, qeveri, po ja, që s’e mund dot zemrën e një vajze! Dhe nuk e mundi, mirëpo ai kafsha shkoi më tej, bëri veprim kriminal ndaj saj, e përdhunoi duke e trumbetuar si triumf. Nuk e fshehu veprën e keqe, përkundrazi, ishte po vetë, që u ra më fort daulleve. Qëllimi ishte po aq djallëzor: vajza, me hir a pahir, do ta pranonte kërkesën, tani e përdhunuar, e turpëruar, do ta ulte kokën… U gabua, i marri! Vajza zgjodhi lirinë! Shkoi dhe u mbyt tek rezervuari… Ç’tragjedi! E paguam e paguam rëndë!. Humbëm vajzën, humbëm dhe ujin, jetën, begatinë. Askush nuk guxonte t’i afrohej burimit të madh!. Ne që ishim mësuar me gurgullima plot ujë, tani po rendnim pas disa currilave të mpakura, të ngjashme me fijen e urinës, që lëshon bibilushi i fëmijës… Kohë më parë, dy hidrogjeologë austriakë, punuan për hesap të tyre këtej nga ne. Kur mësuan këtë histori, kur panë se po vuanim për një pikë ujë, na qesëndisën rëndë po mirë, ç’u bë gjithë ai ujë i bollshëm, fluturoi! Dhe ja. një ditë, mu këtu, mu këtu tek kjo kodër, njëri syresh, ia priti me të madhe, e gjeta, e gjeta ku ka shkuar uji juaj!..dhe tregoi këtë fshatin që po ta tregoj edhe unë… E shikon, djalosh, përfundoi tregimin ai, e sheh, ç’na ka punuar ai fshat,!? Edhe vajzës ia mori jetën, edhe ujin na i rrëmbeu! Ja pra, ku qëndron vlera e detyrës sonë. Uji nuk ka fluturuar. Të shpejtojmë, t’i përvishemi punës...Nëse arrijmë të presim damarin që e çon ujin atje poshtë, fituam! Do të kthejmë gjelbërimin, jeshillëkun….Do të ankohen, do të thuash? U ankuam ne për vajzën, po patjetër, vajza ishte prej mishi e gjaku, kishte prindër, po ata? Uji nuk ka prindër. Nëse ka?.. Prindërit e tij, janë qielli dhe toka. Mirëpo, djalë i mirë, qielli dhe toka janë prindër për të gjithë njerëzinë!

Puna për hapjen e pusit, nisi që të nesërmen. Si vend, u respektuan piketat e dy inxhinierëve. Toka ishte e butë. Punohej çdo ditë, deri në perëndim të diellit. Ndërkaq, biondi trajtohej si djalë shtëpie. E zonja e shtëpisë, për të lehtësuar veten, por dhe për t’u shërbyer më mirë burrave, kishte marrë me pagesë, një fqinjën e saj, një vajzë nja 17-18 vjeç. Kristina quhej, vinte e hollë nga shtati, por gjoksi i bëshëm dhe i kërcyer, e bënin mjaft ndjellëse. Ajo, që kur erdhi, u befasua nga bukuria dhe hijeshia e biondit, madje pak e turpëruar i tha se, ata flokë të gjatë e të verdhë, po t’i kishte ndonjë vajzë, patjetër që do të shpallej mis. Ky qe kulmi i guximit Në, vakte dreke, pas buke, biondi, pushonte. Kristina, i afrohej pa u ndjerë, i jeptë një të puthur në faqe apo në ballë dhe largohej. Fillimisht deri këtu, më pas, puthja shkoi për tek buzët, djali, gjithnjë, hiqej si në gjumë. Kur Kristina e urtë, ishte duke kryer ritin e përditshëm, pra, sapo vuri buzët e nxehta mbi ato të biondit, u dha e zonja e shtëpisë Nuk e qortoi vajzën po e mori mënjanë, duke i thënë se e pati kuptuar me kohë dashurinë e saj, i pati folur edhe biondit, që dhe ai, të lavdëroi po aq sa unë.. po, më dëgjo, ai e ka një vajzë, e ka një të dashur atje në vend të vet dhe i ka dhënë fjalën, ka dhënë besën, siç e quan, ai, njësoj, njësoj.. si edhe ne, bija ime..shumë raca të ndryshme na ka kjo botë, por ama edhe shumë gjëra të njëjta!. Kristina nuk ndërroi mendje, po edhe ai e la në qejf të saj.. Ndër ato ditë, një moshatar, një nga djemtë e shatrivanit, i solli një letër nga Eli. E dashura e kërkonte me urgjencë.. Duhet të shkosh, i tha pronari, pa tjetër që duhet të shkosh. Ne, shpresoj se jemi në fund, sipas parashikimit të inxhinierëve, s’duhet të gërmojmë më tepër se një metër.Unë do të pres,kam besim se do të kthehesh.! Biondi e siguroi..Në mëngjes, kur po përcillej me pronarin, ai, veç përqafimit, i dhuroi një orë te bukur e shumë të shrenjtë. E kisha taksur për nusen e tim biri, por ai, ai, qeshi, qeshi fort,…është martuar nja tri herë deri tani!. Dhuroja vajzës tënde, si e ka emrin?..Ëh, po, dhuroja Elit!

..Pas dy ditësh, në mesditë arriti në fshatin e tij, buzë liqenit. Nuk mundi ta takojë Elin deri fund të javës,. Vajza i tha se familja po i  bënte presion, donin ta fejonin. Vetëm me peshqit në fund të gjolit, ua kishte prerë ajo. Kjo shprehje kobndjellëse, e frikshme, ishte marrë seriozisht prej tyre dhe e kishin mbyllur në shtëpi. Të më besosh, i tha ajo, të më besosh, po ikën vera, po unë s’e kam provuar ende freskinë e gjolit. Djali e shtrëngoi, e puthi, e puthi dhe i vuri në dorë orën e dhuruar për të, pastaj e mori atë dorë të vogël, elegante dhe e shtëngoi për minuta të tëra pranë zemrës. U vendos që djali të takonte vetë prindërit e Elit, por kjo nuk funksionoi.. Zgjati gati dy javë kjo përpjekje, por më kot. Ata nuk pranonin. Atëherë, biondi i kujtoi Elit, premtimin që i pati dhënë punëdhënësit,, premtim, që edhe kaq isht thyer goxha. Eli nuk e pengoi, madje  me të qeshur i tha atë shprehjen që u pati futur tmerrin prindërve’… fundin e liqen…

…Mori rrugën e kthimit në mesnatë.Afër drekës, djali mbërriti në qytetin e madh të Selanikut. E pati vendosur, së bashku me Elin, që, edhe ata t’i bënin një dhuratë punëdhënësit. Djali shkoi në tregun e suvenirëve. Në një market, u befasua me çka gjeti. Gjeti një çakmak që këndonte! Po, po këndonte. Në të, ishte montuar mjeshtërisht e njëjta gjë si tek celularët. Djali po kënaqej. Sa e hapte çakmakun, dëgjohej refreni madhështor i këngës “O sole mio” kënduar nga Pavaroti. Nuk e zgjati. Ishte i bindur se do të bënte një dhuratë të paparë!. Udhëtoi përgjatë gjithë natës me trenin e linjës dhe, në orët e para të mëngjesit, arriti në fshat. Plot një muaj që ishte laguar, veç sepse ishte i bindur, se ata njerëz të mirë, s’do t’ia zinin për të madhe. I doli para Kristina. Ajo iu duk krejt e lodhur, e këputur..Diçka të keqe parandjeu dhe s’ishte gabur.. I zoti i shtëpisë nuk jetonte më!…Ai, ashtu, edhe i vetëm, nuk e kishte ndërprerë për as një ditë punën..pikërisht në një syresh, kishte ndodhur një shëmbje në thellësinë e hapur Nuk pati mundur të shpëtonte. Shembja qe fatale, qe vdekje.. Erdhi djali, i tha e zonja e shtëpisë, erdhi djali, ia bëmë të gjitha nderet dhe për të kryer merakun e të ndjerit, djali me dy shokë, e përfunduan punën tuaj…Ashtu, duke folur, i ishin afruar pusit..tani kanë nisur edhe të tjerë…Kristina nxori kovën prej pusi dhe i bëri shenjë djalit, nëse donte të freskohej…Djali pranoi Ndihej si më gjemba…Kisha besim se ti do të ktheheshe, dhe bëre mirë, foli prapë e zonja e shtëpisë. E mori djalin prej dore dhe  u ngjitën tek Kodra e Plakut…shiko, tha, duke bërë me dorë drejt fshatit atje poshtë, kanë filluar të ankohen, kanë nisur të na mallkojnë si shtriga!…Kam shumë dëshirë, të vij verën tjetër, foli djali, dhe do të vij. Dua ta shoh atë gjelbërimin, atë jeshillëkun e tyre, të jetë ngjitur këtu lart…Kjo ishte edhe dëshira e atij qyqari, psherëtiu gruaja. Biondi ndihej i lodhur, i pagjumë. Pushoi dy-tri orë. Kur u ngrit, kërkoi dhe e mbushi vetë kovën në pus. U freskua mirë e mirë. Fillimisht, u përshëndet me të zonjën e shtëpisë, kur iu afrua Kristinës, i buzëqeshi dhe i qeshur i tha se, flokët e verdhë e të gjatë, ia kishte falur…Ajo s’e la të mbaronte fjalën, ashtu, krejt pa droje, e puthi në buzë….U nda me to. Kur doli në kthesë, iu kujtua çakmaku Jo, jo, ky nuk merret me vete.! Ky i takon të zotit të shtëpisë. I ra përqark asaj. Hapi çakmakun. Sakaq, u dëgjua refreni madhështor. E shrëngoi, e përkëdheli atë vegël të çuditshme dhe më pas, e fluturoi sipër, mbi çati. Kënga jehonte ende. Iu fiksua, apo thjesht, ishte forca e dëshirës se, atë këngë, do ta dëgjonte kudo e ngado, që të shkonte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora