E shtune, 20.04.2024, 12:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Zyba Hysa: Dashuria është vetë Zoti

E diele, 02.08.2015, 09:59 AM


ZYBA HYSA:

 

POEZI KORRIKU “DASHURIA ËSHTË VETË ZOTI... URREJTJA SATANAI”

 

1. FALEMINDERIT DASHURI

 

Faleminderit dritë - magji,

Që shpirtin tim ke zgjedhur për truall,

Për të ngritur kështjellën tënde pa përmasa

E brenda saj mua më ruan,

Siç ruante thesaret e tij Ali Pasha...

Faleminderit...

Askujt nuk ia tregon portën sekrete,

As që të kundrojë bukuritë e tua,

Të gjitha mrekullitë,

I ruan për mua!

Faleminderit...

Që dhe mua nuk ma jep çelësin,

Mbase si Eva që kafshoi mollën,

Do të gaboja dhe brenda do të kisha strehuar

Edhe dreqin...

Faleminderit dritë - magji,

Që shpirtin tim ke zgjedhur për truall,

Për të ngritur kështjellën tënde pa përmasa

E brenda saj mua më ruan,

Siç ruante thesaret e tij Ali Pasha...

 

 

2. ASHTU SI NARCISTI...

 

Nëse dikush kërkon që të marrë në gji,

Një femër që me dikë tjetër dashuruar,

Kurrë gjiri saj s’ka për të prekur gjirin e tij,

Përjetësisht me dashurinë shtërnguar...

 

Kush këmbëngul ta blejë me premtime,

S’mundet t’ë ketë premptim më të madh,

Se sa drita e shpirtit me mijëra vezullime,

Që dashuria sjell, pa shperblim... dhuratë!

 

Nuk duhet shumë të kuptosh të dashuruarit,

U shkelqejnë sytë...  në sy një portret...

Si në ujët e një burimi...  më të kulluarit,

Ashtu si Narcisti... Narcist s’është vetë...

 

 

3. E DI... E DI...

 

Nuk di në je më larg, a më afër,

(Edhe largësinë se ku ke qenë nuk e di)

Po imagjinata kaq shumë të ka dashur,

Saqë të ndjek pas me përkushtim...

 

Herë ndërton kështjellë pranë liqeni,

Ku mjellmat të dehura bëjnë dashuri,

Ti nga dritarja i sheh e së andejmi,

Dashuri bën me mua... e di... e di...

 

Herë kështjellën mbi dallgë tsunami,

Me shpresë që t’fundosë bashkë me ty,

Po kur e sheh... fundësive përfundoni,

Vjen... u nxjerr s’andejmi me shpejtësi...

 

Mbi bregun e fildishtë të oqeanit,

E vendos kështjellën si një kuti,

Që brenda ruan sendet e thesarit,

E vetë, si rojë e pagjumë aty rri...

 

Herë kështjellë drite hapësi - qiellit,

Që dritë të ketë jo vetëm për ty,

Po dhe “Virimën e Zezë” të universit,

Ta ndrijë... ta bëjë strehë për dashuri!

 

 

4. SMERALD

 

Pa Ty, dashuri... shpirti do ish,

Një moçalishte mbushur me ferra e driza,

Strehë larvash, bretkocash llafezane

E shushunjash gjakpirëse...

Ti, vetëm Ti... ndër vite ngre dallgë,

Egër i përplas në muret e tij

E në përplasje shpirti bëhet më i larë, më i fortë,

Dallgët shndërruar në stërkalë

Bien mbi të si smerald...

PA Ty, dhe Toka s’do kish gravitetin,

As galaktika orbitën e saj,

Ti, dashuri je vetë ZIOTI,

Urrejtja... SATANAI!

 

 

5. NË ËNDËRR...

 

Thonë që ëndrrat na paraprijnë,

Ose të shkuarën provojnë që s’ka shkuar...

(Me të dyja jam e fuituar!)

Ti vjen rrallë n’ëndërr,

Si mik i surprizave... kur nuk të pres

E pase çdo çast të thërres!

Edhe kur erdhe... si ëndërr më duket,

U shfaqe si erë që lajmëron stuhinë

Dhe ike si vetëtimë duke lëshuar rrufe,

Si në kohë të mirë...

Më vrave... më vdiqe... më ngjalle...

Ti vjen rrallë në ëndërr... kur nuk e pres,

E pse çdo çast të thërres...

 

 

6. VORBULL...

 

Përsëri me ty, ATDHE, jam e fals,

Në lumin e brengave kacafytemi të dy,

Voprbulla e pandalshme e gropëthithses,

Loz me TY... me Mua,

Ku na fundos... ku marrim forcë

Dalim lart sa për të marrë frymë e sërish,

Gropëthithsja na përpinë...

Kështu kemi bërë; duke dhënë dorën njëri - tjetrit,

Pa pasur fuqi njëri - tjetrin të shpëtojmë një herë e mirë,

Për të qenë të LIRË...

 

 

7. FLUTURA QË IKIN E VINË

 

Të kam shpresë e duhet të dishë... shpresa,

Si vesë mëngjesi mbi qenien time,

Mban të fresketa lulet e kujtimit,

E çelin mijëra lule dëshire,

Sa lëndina e shpirtit mbetet e frekskët,

Si fresku i asaj nate pranvere,

Kur Hëna harroi të perëndojë,

E gozhduar... e pagojë...

Çudi... as ëndërr nuk të kisha,

Po një ëndërr të tillë ëndërroja që fëmijë,

Në përleshje me vitet – bisha,

As ëndrrën nuk e di ku shkoi...

Mbase vetë Zoti e kishte marrtë në gji,

E kishte ruajtur nga egërsirat,

E të lulëzuar ma solle Ti...

Unë e dija që shpresa çel ëndrra,

Më ndodhi një çudi;

Mbi shtratuin e saj mbiu shpresë ergjënda,

Që netët m’i kthen në takime hapësinore me Ty,

E ditët në flutura që ikin e vinë...

Të kam shpresë e shpresa bën mundin e pamundit,

Kaluar mbi të... gjer ditën e fundit!

 

 

8. MOS Ik...

 

Qëndro aty… ku të kam ndërtuar shtëpizën,

Ashtu siç di arkitektja ime imagjinatë,

Ku dhomat t’i kam veshur me petale lulebuzësh,

Shtratin me mijëra flladime pranvere,

Një fufë erë vendlindjeje, mbi xham të kristaltë,

Dërgon përshëndetje me trokitje:

Good Morning… Good Night!

 

 

9. UNË S’JAM E LIRË...

 

Unë s’jam e lirë populli im,

Robërinë time e shikoj në sytë e tu,

Burime të pashtershme mbetën,

Ku pimë dhembjen e largimit të bijëve,

Sikur vendi ynë të ishte pyll i ndezur,

E si zogjtë nga asfiksia ikin n’arrati...

Une s’jam e lirë populli im,

Se gjithë kohrat kemi derdhur gjak për liri,

Duke mos ditur ç’është liria,

Satanai na ndillte drejt strofullës së tij,

Na mbylli portën,

Të ktheheshim edhe nga erdhëm... s’kishim mundësi,

Jetuam një liri të gënjeshtërt,

Një liri pa liri...

Unë s’jam e lirë populli im,

Çdo ditë ndjej prangat e mjerimit... dhe,

Brenda strofullës së satanait pasardhës,

Jetojmë një liri anemike... portë hapur,

Këmbët nuk na mbajnë dhe një hap të hedhim,

Ashtu si një kalë invalid që e lënë zgjidhur,

Po edhe të kullosë nëpër fushë s’mundet,

I zoti ka harruar t’i hedhë, dhe një dorë tagji...

Unë s’jam e lirë... populli im,

Edhe Satanai është i lidhur...  të jetë i lirë,

As ai nuk ka e s’mund të ketë liri,

Thonë që djalli do kapur për brirësh,

Ai as për bishti ta ndukë... s’kanë mundësi...

Unë s’jam e lirë populli im!

 

 

10. VARFËRI E PASUR

 

Në fëmijëri,

Çdo gjë e kishim me pakicë;

Bukën, gjellën, rrobat...

Këngët... këngët dhe vallet

Na u dhanë me shumicë,

Kështu kishin bërë dhe të parët,

Prindërve tanë ua kishin ngjizë...

(Mbase për të harruar hallet)

Në fëmijëri,

Çdo gjë kishim me pakicë,

Me pakicë kishim dhe trëndafilët,

Sa gjumin e vinim në zile,

Kush të ngrihej i pari gonxhen e çelur të këpusë,

Dhe kur zgjoheshin tjerët,

I merrnin erë me radhë...

Dhe sot e ndjej atë aromë...

Ishte e veçantë...

Në fëmijëri,

Shtëpitë i kishim dhe me trarë,

Nga hatullat futej dhe bora e stalaktidet e akullit,

Vareshin nga çatitë si gardh...

Mbuluar me dashuri prindërore,

Ndjenim beharë...

Në fëmijeri çdo gjë kishim me pakicë,

Po dijen... dijen e pimë që në sisë...

Në fëmijeri çdo gjë kishim me pakicë,

Sot e mendoj sa të pasur ishim...

 

 

11. KUR DAL...

 

Kur dal në rrugë,

Ajri më pret me përqasfime,

Dielli më shkel syn, si një djalë capkën

E unë përskuqem si çupërlinë,

Era... si një violinë luan melodi mbi çdo krah dege

E gjethet dridhen nga emocionet,

Unë... qëndroj e mbaj vesh melodi që s’dëgjohet,

Kalimtarët... e pse nuk e kanë zakon të përshëndesin,

Ua marr “Mirëmëngjesin” e tyre të heshtur,

Dhe eci duke buzëqeshur...

 

 

12. NJË EMËR PËR ZEMËR

 

Unë dashurinë e kam për zemër

Të bërit dashuri e kanë dhe mizat,

Po s’kanë zemër t’ruajnë një emër,

T’a pastrojë atë nga ferrat dhe drizat…

Unë dashurinë e dua për zemrën

Vetëm ajo e kthen në lëndinë…

Ku bleron mirësia e degjon këngën,

Siç dinë të këndojnë perënditë…

Unë dashurinë e dua për zemër

Vetëm kështu kuptoj njerëzinë,

Ai që për zemër nuk ka një emër,

Bën dashuri pa provuar dashurinë…

 

 

13. BRENDA QENËJES SIME

 

Në vargjet postuar përmes muzës

Asnjëherë nuk gjetja fjalën “puthje”

Edhe lumi kthehet avull prej shpuzës

Gjith’ hapësira pushtuar ndër ethe…

Kurrë s’gjeta aty, “T’kam zemër!”

Nuk mjaftonte për ta krahasuar

Edhe sot s’kemi gjetur një emër

Mbi flakët e mallit përvëluar…

Çudi… as fjalën magjike “Të dua!”

S’e pashë kurrë në mijëra postime

Ajo fjalë që me fjalë nuk u shkrua

Fosforishente, brenda qenëjes sime…

 

 

14. NËSE ZOTI

 

Teksa dëgjoj leitmotivin tonë…

Mendoj: Çfarë do t’i ndodhte gurit

Nëse ZOTI do t’i thosh të dashurojë

Apo kështu t’i kishte thënë edhe lumit?

Po t’i kish thënë dhe qiellit… diellit

Hënës me gjithë yjet që ndriçojnë

T’i kish thënë dhe tokës… dhe ylberit

T’i kish thënë dhe VETES të dashurojë!?

E di… guri në rërë do shkërmoqej…

Lumit di t’i thahej uji gjer në pikë

Qielli… dielli sigurisht do të verbohej,

Hëna, yjet, s’do ndrinin në galaktikë…

Toka do shpërthente mijëra vullkane

S’do të kish më shtatë ngjyra ylberi

Dhe vetë ZOTI do kish pasur aq zjarre

Saqë do digjej ç’ka për rreth Universi!

 

 

15. TË PRESËSH

 

Më mirë që t’kam larg

Nuk do të arrij të njoh pjesën e të qenit gjallesë,

Të nevojave që ke për të kënaqur gjallësinë;

Do ngopeshe... do veliteshe... do kërkoje tjetër lëndinë…

Më mirë që t’kam larg,

Vetëm kështu mund të dua siç dua,

Pa të lajmëruar Ty vij në vendtakime,

Që kurrë s’i ke parë… as udhën për atje Ti s'e di...

Aq sa herë kam ardhur, aty të kam gjetur ... Çudi!

Më mirë që t’kam larg,

Me solle një mike që më bën të ngjehem gjallë,

Të presësh... nuk quhet thjesht pritje,

Është pulsi i zemrës që rreh pa ndalë,

Është kënga e shpirtit kompozuar me mall,

Është dëshira për të të pasur pranë,

Është ilaçi i vetmisë që krijoj fantazira,

E më bën të jetoj me ty... edhe nga largësia...

Më mirë që t’kam larg...

Kështu kam kuptuar sa pranë të kam

Se sa magji paska dashuria;

Ajo krijon planetin e saj... planet;

Ku mbretëron liria!

 

 

16. ME PUTHJEN PUTHEM ÇDO DITË

 

Me puthjen puthem çdo ditë

Puth pemët, lulet, barin, yjësitë…

Po, po… puth miqtë dhe armiqtë

Armiqtëve t’u tregoj shijen e puthjes

Që buzët mos i kthejnë në kthetra,

Ti lenë në punët e veta…

Puth Majet e ngrohta, puth Korrikun e nxehtë,

Po, po… puth dhe Shkurtet e ftohta,

Çdo gjë e puth përvëluar;

Më shumë se puthja agjë s’të sjell thesare,

Dhe gjarpërin e bën manar kur di ta puthësh pa kafshuar…

Ndryshe bota do bëhej vampire,

Jo vetëm dhëmbët… dhe buzët do zgjateshin egër,

Në fyt do na nguleshin pa mëshirë,

Botë anemike për dashuri,

Qielli verbohej… toka zhuritej…

S’do kishte më vend për njeri…

 

 

17. PIVA UJË BURIMESH

 

Përherë kam ecur vetëm në rrugën time

Përgjatë rrugëtimit jetës… zëra Circesh;

Dikush me gënjeshtra, tjerë me mashtrime,

Thoshin: - S’është mirë andej të ngjitesh!

Në do të ngjitesh shpejt majës së shpatit

Bëhu pjestare - gojëtare e Partisë sime,

Si me teleferik fluturimthi majës së Dajtit,

Se sa si breshkë, gjakosur nëpër rrugtime…

Dikush më joshte për “Tituj shkencash”,

Në do të bëhesh shpejt “Mjeshtre e punës”,

Të japim me pak para diploma Universitetesh,

Doktoratura… me zgjatje hundësh…

Dikush ofronte bujarisht fron letërsie

Vetëm që nderin atyre falas t’ua falja,

Nuk ka më të poshtër se kjo lloj ndjesie,

Kur femra kthehet… aksesor tek halja…

U lidha me litarët e qëndresës së vetmisë sime

Ashtu si Uliksi shtërnguar për direkun e anijes,

Që zërat e Circes t’më vinin vetëm si vegime,

Buzëtharë… por në ngjitje, piva ujë burimesh…

 

 

18. VETËM FOLË

 

Ti bën që vitet të më ngjajnë një çast,

Bën që dhe një javë të mbeten pa gojë,

Nuk di... përherë mëndjen egër e vras,

Nuk gjej asnjë mendim që ta shpjegoj...

 

Nuk marr fjalë ëmbla si luleshtrydhe,

Që lëngu i tyrë në shpirt t'më shijojë,

Për çudinë time, fjalët, pa fjalë të syve,

Më të bukurat lule... më sjellin aromë…

 

Ndaj folmë ç'të duash… vetëm folë,

Kuptimin e tyre e deshifron zemra,

Kur ti nuk flet... mbetem pa gojë,

Gjithë gjuhët e botës… fshirë të tëra



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora