E shtune, 20.04.2024, 05:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Dera e mbyllur e ministrit

E diele, 02.08.2015, 09:54 AM


Dera e mbyllur e ministrit

Tregim nga Bahri Myftari

Profesori i spanjishtes e bënte fizkulturën e mëngjesit te kodrat. Ky ishte rregulli i parë i ditës për jetën e tij, madje prej shumë vitesh. Nevoja për frymëmarrje të pastër e për pak vrap ishte një këshillë e kahershme. Nga shtëpia e vet në lagjen te “Kullat” dhe deri aty rrëzë kodrës, ai shkonte e vinte me biçikletën e tij të famshme. Një Bianchi e viteve 70-të të shekullit të shkuar, që sot zor se do të gjendeshin më tepër se tri-katër copë në tërë qytetin.

Pra, me të mbërritur te kodra, e linte biçikletën në oborrin e vilës së shokut të tij.

Dikur patën qenë djem të lagjes së vjetër. Koha dhe jeta bënë të tyren. I zoti i vilës, ndër të paktët prej djemve të lagjes që u mor me politikë, i gëzohej legjislaturës së dytë të parlamentit dhe tani ishte ministri më i admiruar i kabinetit. Profesori linte Bianchin në një kënd të oborrit dhe ashtu, veshur sportiv, merrte përpjetë kodrës.

Gati një orë në mëngjes të çdo dite, profesori bënte ushtrime të ndryshme, frymëmarrje, vrapim të lehtë dhe të shpejtë. Ajo këshillë e kahershme, tashmë, ishte kthyer në pasion për të.

Në mëngjesin e ditës së fundit të javës, ndërsa shpejtoi për të marrë biçikletën, aty në oborr u shtang prej habisë. Biçikleta nuk ishte në vendin e vet, madje nuk po ia zinte syri kurkund.

Sakaq u hap dera e vilës. Në prag u dha ministri, i ndjekur nga pas prej qenit, një doberman i zi, energjik dhe i gëzuar. Qeni nisi t’i ledhatohej të zotit. Ministri përshëndeti me zë profesorin dhe, si për ta bërë më të plotë xhestin, urdhëroi dobermanin, që desh u hodh fluturimthi drejt gjoksit të profesorit: Kujdes! Kujdes, bir, tha ministri dhe, duke i futur krahun shokut të vet, e drejtoi për nga ana tjetër e kopshtit.

Aty, një makinë “Land Rov” ishte e dëmtuar keqas, aq sa edhe timoni i kishte kërcyer prej vendit. E sheh, e sheh, i dashuri im, ia pat ministri, ja ç’më ka bërë im bir! Mbi të njëzetat është, veç vetëm si mish dhe si kocka. Dhe po me atë mllef dhe inat, ministri vazhdoi: Një javë më parë, po ky trimi që ka bërë copë-copë Land Roverin, e hodhi në plehra edhe” Fiatin” e zyrës.

Profesori e ndiqte me vëmendje. Edhe pse s’po kuptonte krejtësisht çka thoshte ministri, dalëngadalë zuri të ftillohej. Aq më tepë që, në një çast, ministri sikur i tha të tëra: Ai ta ka marrë edhe biçikletën, por të shpresojmë, të shpresojmë ta bjerë edhe biçikletën, edhe kokën. Ti prit për njëfarë kohe, miku im...

Kaq tha ministri dhe, me qenin mbi supe, hipi në makinën që e priste për ta çuar në punë.

Profesori bëri çfarë iu tha, priti e priti, veç më kot. Djersa e tharë po i shkaktonte të dridhura. Djali me biçikletën nuk po dukej. Djersët po i thaheshin në trup, po ndjente të ftohtë. Nuk mund të priste më, iku. Dy ditë më pas u interesua, ashtu si larg e larg, për biçikletën ... por veç heshtjes, nga i zoti i vilës, nuk fitoi gjë.!

Me djalin e ministrit u përball nja dy herë e, ndërsa përpiqej për ndonjë shpjegim, përkundrazi, tjetri kthente kokën mënjanë disi me përçmim.

Prapëseprapë, edhe pa biçikletën, nuk hoqi dorë nga fizkultura e mëngjesit. E niste vrapin përgjatë bulevardit kryesor. Herë-herë, mendonte për të blerë ndonjë biçikletë tjetër. Mirëpo kjo nuk ishte vetëm e pamundur, por i ngjante edhe e paarsyeshme.

Ditë më parë, thjesht për shkaqe financiare, djalin e vogël e pati larguar nga një kolegj privat, në atë kolegj ku ai ishte me djemtë e lagjes, moshatarë të tij. Ende e mbante qepur në sy pezmin e të birit.

Një të hënë, krejt pavetëdije, këmbët e çuan për nga vila e ministrit. Atje ende zotëronte heshtja. Profesori e dinte fort mirë se e zonja e vilës, e shoqja e ministrit, së bashku me vajzën prej kohësh jetonin në një vend të Europës Qendrore; s’ishte i sigurt, në Vjenë apo në Budapest! Opinioni ishte se nëna ndiqte të bijën, pasi ajo studionte në një universitet me autoritet, por e vërteta ishte krejt ndryshe. Profesori e dinte se vajza pati qenë një përdoruese droge qysh në gjimnaz dhe tani ndodhej jashtë jo për sudime, por për kurim në një klinikë të specializuar. Sidoqoftë, profesori u vërtit kot më kot rreth vilës. Heshtje... heshtje.

Po atë të hënë, në mbrëmje, në një bar-kafe në brendësi të lagjes së vet, krejt rastësisht dhe pa interes në fillim profesori përcolli një kronikë të zgjeruar ku ministri, ish-shoku i tij, kishte mbledhur të gjithë bosët e bankave private, si dhe ato “kapot” e ndërtimit, duke u bërë një leksion mbi prespektivën e sigurinë që buronin tashmë edhe prej faktit që vendi ishte pjesë e familjes europiane. Më afër se kurrë Europës së bashkuar. Ndërkohë, u dha në ekran edhe kryeministri. Ky ishte i përnatshëm në televizor. Kjo sjellje e tij pa kurrëfarë mase, kishte nisur t’i nervozonte qytetarët, njerëzit e thjeshtë. Pati zëra, fyerje, të bërtitura. Pronari i lokalit, që e kuptoi shkakun, nuk e zgjati, shkoi dhe e mbylli televizorin. Profesori dhe disa të tjerë, duke përshëndetur e buzëqeshur ata që do të vazhdonin të rrinin aty, doli jashtë.

Në shtëpi u gjend para një surprize të vërtetë. Djali i vogël, i cytur prej së ëmës dhe dy vëllezërve studentë, njëri i vitit të parë e tjetri i të dytit, hidhej përpjetë me një letër faksi në dorë. Në të ishte një mesazh i ministrit, i cili e ftonte të shkonte te vila në mëngjes.

- Do të jetë kthyer biçikleta, o ba...

E ëma dhe vëllezërit i bënin shenjë të voglit me sy e me vetulla.

- E... ba?

I shkreti djalë! Ndoshta, shpresonte se me kthimin e biçikletës mund të ishte i afërt edhe rikthimi i tij pranë shokëve në kolegj.

Të nesërmen në mëngjes, pasi përfundoi fizkulturën, profesori u gjend pranë vilës së ministrit. Kishte bindjen (doemos, jo aq frymëzuese sa e djalit të vogël) se ftesa do të ishte për punë të biçikletës.

Shtyu portën. Në oborr, veç”Land Roverit” të bërë copë, s’po shihte gjë tjetër. Mirëpo ky qe vetëm një çast. Shpejt, disa metra prej vendit ku ai linte bianchin e tij, ishte një biçikletë BMX e hatashme. Nuk po ngopej së admiruari.

Ndërkohë, doli ministri. Ishte veshur me pizhama. Një veshje disi e harruar prej kohësh. Profesorit iu duk i plakur. Ishin moshatarë, por tjetri kështu i dukej, i rrëgjuar, i lodhur, i zhubravitur. Ndoshta ndikojnë bizhamet, mendoi, duke i hedhur një sy edhe dobermanit, që hidhej e përdridhej.

- Siç e kisha parashikuar, profesor, biçikleta jote pësoi fatin e atij atje, - ministri tregoi me gisht “Land Roverin”, - por shyqyr me aq, kokën e pruri shëndoshë. Kishte shpëtuar për qime, një ambulancë e shpejtë gati e kishte futur nën vete. Fat, fat! – pësëriti i zoti i vilës dhe, duke u kthyer nga BMX, vazhdoi: - Tim bir e nisa jashtë shtetit, e nisa për tek e ëma. Nuk po e duroja dot më!

S’arriti ta mbaronte fjalën, sepse u mek. Megjithatë, me njërën dorë nën mjekër dhe me tjetrën mbështetur mbi kupën e gjurit të djathtë, mundi të ulej te shkallët.

- Kemi pirë shumë mbrëmë,- tha, - nga koktejli kaloi në darkë... erdhi dhe kryeministri, ai e ndezi gëzimin me lajmin që na dha se ,vendi ynë, atdheu ynë i bekuar, falë punës dhe drejtimit tonë, qe renditur ndër vendet më të lakmuara për Europën dhe botën?!

Profesorit iu kujtuan ata burrat në bar-kafe që, kur u shfaq kryeministri në ekran, e detyruan pronarin ta mbyllte televizorin.

- Nuk e di, profesor, ende në lagjen e vjetër jetoni? Në atë shtëpi të vogël, në ato dhoma si kafaze pëllumbash?

Tjetri pohoi pa zë, duke tundur pak kokën.

- Ngushtë, ngushtë duhet të jini, - ia ktheu ministri, ndërsa po përkëdhete qenin, - dua t’ju pyes... për fëmijët e kam fjalën.

- Tre, tre djem...

- Dhe vazhdon të jetosh në shtëpinë e vjetër?! Ngushtë, shumë ngushtë dhe zhurmë, besoj...

- Për nga hapësira, ngushtë jam, - ia ktheu profesori, - ndërsa për zhurmën, për zhurmën e djemve... ç’të të them!... Besoj se më kupton, pa atë zhurmë, do të kisha vdekur.

Ministri shtrëngoi qenin aq fort, sa i shkreti kuisi si i goditur. Një çast qe ky, pastaj kafsha ndjeu përkëdheljen e të zotit, që foli sërish:

- Siç e sheh, unë kam bërë një zgjidhje tjetër, nuk kam as njërin e as tjetrin: nuk kam as gruan, as vajzën dhe tani as djalin. Dhe po ta them ty, shoku im i vjetër. Sa të më zërë halli, më mirë të më zërë malli. Zgjidhje e gjetur, ë?! Profesorit iu dëgjua sikur tjetri tha: Para e madhe!

- Sipas mundësisë dhe dëshirës, po në radhë të parë,mundësisë!? - ia ktheu profesori, pa e parë në sy.

Ministri urdhëroi qenin: shko, shko bir, se u bë vonë, shko përqafoje xhaxhin!

Mirëpo qeni si qen, jo gjithmonë ta plotëson dëshirën. Në vend që të përqafonte xhaxhin, profesorin, iu hodh të zotit duke iu varur gjithë përkëdheli mbi gjoks. Ndërsa përpiqej t’i largonte turinjtë e qenit nga turiri i vet, ministri mundi të thoshte:

- Mos harro ta marrësh atë, është një BMX fringo, e sapo nxjerrë nga arka. Më tepër se.., pranoje si dhuratë prej meje, është e pakrahasuar me Bianchën tënd të shekullit të shkuar. Profesori qe gati t’i thoshte se nuk ishte dhuratë, ishte thjesht dëmshpërblim, po ndërroi mendje, nga që kishte bindjen se tjetri çka predikonte vetë, pra çka thoshte ai, qe e vërteta!

Në fund të javës, u dha një lajm që i habiti të gjithë.Kabineti i qeverisë pësoi një ndryshim të madh, madje miku i profesorit, veç shkarkimit nga detyra e ministrit, u përcoll edhe me një akuzë për një aferë korruptive që pritej të zbardhej së shpejti.Profesori nguroi për ditë me radhë për ta takuar. Çfarë t’i thoshte? U bë mirë, opo u bë keq! Për profesorin, akuza, ndonëse ende, si të thuash në letër, nuk ishte thjesht në letër! Kishte kohë që për shokun e dikurshëm të lagjes së vjetër, nuk e vinte dorën në zjarr! Dikur vendosi,  vajti te vila dhe atje ,në korridorin e ngrohtë,pa të dremiste mbi kolltuk ish ministrin me qenin mbi gjoks!

-Nuk është nevoja të më pyesësh?-, kërceu tjetri nga kolltuku,-, në këtë vend, vend të mallkuar, nuk, nuk ka vlerë asgjë as shëndeti, as nderi, as puna, kontributi, asgjë, asgjë!

Profesori u pushtua prej një shije të helmët në gojë.Tërhoqi derën pas vetes, e tërhoqi më fort se zakonisht, i bindur se s’kishte për ta hapur më!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora