Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: "Vorba" prej balte?!!!

| E premte, 31.07.2015, 05:45 PM |


"Vorba" prej balte?!!!

Tregim

Nga Përparim Hysi

Me timeshoqe kisha dalë nga tregu "Çam". Çfarë s'të sheh syri në këtë treg. Unë vetëm shoh, natyrisht, se aq nuk ia them për të blerë gjëkafshë,sa, po t'i lëshë blerjet në dorën time, qarë kanë financat e shtëpisë,se, me siguri, do të veshin këpucë të kuqe. Jam aq qoti sa fare kollaj mund ta ha sapunin për djathë dhe kurrë nuk hyj në pazar. E quaj si normale që një mall ta ble me çmimin që më ofrohet, sado i kripur që të jetë. E bukura është që, sa më i pazoti jam, aq dhe kokëmushkë jam, nëse më pëlqen iks mall. Imeshoqe, duke më njohur si parja e kuqe, sot më është bërë pullëposte dhe nuk më ndahet.  Po dhe unë vetëm kotem tek kaloj dyqane syresh me radhë. Por ja tek ndaloj tek një dyqan që shet, veç tjerash, dhe vorbe. Vorbe prej balte. Qëndroj pak gjatë dhe imeshoqe, tek e humbi durimin, më thotë:- Hë, t'u tek për vorbe balte tani?

Pse,- ia kthej sulmin me sulm,- të bën keq që të hashë dhe njëherë, si dikur, një të zier  fasule apo një jahni me mish? E blemë një dhe e provojmë? Dhe, si për ta ndezur sherrin edhe më, e zura një nga vorbet me dorë. E dija mirë si do kërcente ajo si zorra në prush,vetëm e vetëm për të mos bërë dalje nga një tekë imja. Unë e mbaja në duar dhe, po t'më vije re me vëmendje, do shihje që një buzëqeshje ma kish mbuluar fytyrën. Imeshoqe qe ngopur me fytyrën time dhe nuk ish kthyer nga kjo anë, po  kishte hallin e lekëve që do iknin fare kot dhe, pa  e bërë dy, ma rrëmbeu nga dora, i tha shitsit,të faleminderit dhe më detyrojë që të iknim tutje. Unë as që u ndjeva, por me mend shkova tutje,aty e nja pesëdhjetë vjet më parë, kur Minushi, një shoku im i vjetër më ka treguar një histori. Një histori me një "vorbe" prej balte. Tek e kapa me duar atje tek tregu "Çam", m'u bë sikur aty qe Minushi që po ma ritregonte përsëri.

Tek u ndava me "vorben" prej balte,  e humba kërshërinë për të parë në ato stendat e shumta dhe vendosa: sa të sos në shtëpi, do zë e ta rrëfej këtë historinë e Minushit, shokut tim të vjetër dhe ç'e lidh atë me një vorbe. Aq më shumë me një vorbe prej balte.

*      *      *

...kur mora Ëngjëllushen, vjehrra ime qe mezogrua. I shoqi i kish vdekur dhe e kish lënë me dy çupa. Të madhen, Violetën dhe, kjo, tjetra, qe Lushka që ti e njeh.Lushka se kështu i thërrasim shkurt. Violeta qe martuar në një fshat nja dy orë larg (gjithmonë llogaria bëhej për në këmbë aso kohe).  Ne qemë me pushime (si unë dhe si Lushka mësues punonim) dhe më thotë Lushka:- Nushi, më ka marrë malli për nënën, do vete nja një javë atje. Epo nuk ia prisha. Nuk ia prisha, po aty më rri: ke parë që zu më  hante trupi. Nuk më rrihej pa të. Epo martuar rishtas dhe qeshë si kalë hergjele. Më shpohej hunda si puna e kalit që ndjen erën e tagjisë. Bëra gabim,- mendova,- që e lashë Lushkën për një javë. Kështu po jepja e merrja aty nga dita e katërt. Epo,- i dhashë karar,- ulok nuk jam. I hipi biçikletës dhe nesër për darkë jam tek vjehrra.

Edhe darka, darkë, po dhe për Lushkën më ka marr malli. Një rrugë e dy punë, kur i thonë. Aso kohe rroja me prindërit. Qemë familje e madhe dhe, para se  të largohesha, duhet t'u thosha prindërve. Pak e përpjetë qe, sidomos nga babai, se kish bodec të rëndë ai, po, në fund të fundit, turpi për të gjallët është. Shkova para tyre (qe duke perënduar dielli) dhe, si i zënë në faj, i drejtohem nënës:- Do shkoj andej nga "nëna poshtë". Me këtë "nëna poshtë" qemë mësuar: kështu quhej vjehrrra ime,se "nëna lart" qe imeëmë. -Aha,- zgjati bodecin imatë,- të paska ngrënë zegali dhe do vesh të kruhesh. Daullet e shpotive të tij qenë të rënda, por unë qeshë mësuar me  to.

Pedalova mbi bicikletë dhe qe errur krejt kur trokita tek porta e vjehrrës. Sa dëgjoi trokitjen. ajo ndezi dritën e ballkonit dhe, tek hoqi shulin e portës, u befasua:- Ua!!!- bëri sikur iu shpifën flamët dhe, pa më lënë mua që të flisja, tha:- Bobo, që Lushka sot shkoi nga Violeta!!! Mua, kalit hergjele, sikur më ranë pendët e kënaqësisië dhe, çapat që hodha për të hyrë brenda, i bëra si një i mpirë. Aty për aty më erdhi  një mendje: të kthehem andej nga kisha adhur, por vetëm atëherë "bodeci i timeti" do ma bënte kurrizin shoshë nga shpotitë. Nga ana tjetër, vjehrra po do sëmbohej keq dhe më ndodhi si ajo rrëfenja që tregojnë: e sheh tjetrin me një pallë, po s'e di se si e ka hall?

Epo ç'ta zgjat? I rashë pas vjehrrës,e cila, pse ta bëj hasha,më priti me gjithë të mirat.Se dhëndërr, or ti dhe nuk i thonë shaka. Rakinë e kish prej mani, të zierë dyherësh dhe unë,ca nga marazi që nuk gjeta Lushkën dhe ca se m'u duk e ëmbël mjaltë, ia ktheva binanë një fiashkoje nga ato italianet me kashtë. Duket se më "navasi" mirë, se jo vetëm dhoma po më vinte rrotull, por gjithë shtëpia sikur po përmbysej. Vjehrrra aty tek këmbët e mia. Jepte  e merrte që t'më pengonte që mos pija më, po unë ku vihesha më në mëgojëz. Qeshë bërë tym dhe krejt dynjaja qe imja.

*     *    *

Kur e pa që nuk po ia dëgjoja fjalën, ajo erdhi dhe më hodhi duarët në qafë dhe më tha:- Të keqen, Nija ( e quanin Urani) ty, lëre mos pi më. Unë po yrysht dhe nga shishja tjetër.Por Nija, nuk m'u nda. Ashtu me duarët në qafë, më tërhoqi drejt krevatit ku do flija dhe, kur sosëm atje, sado lehtas, tentoi të lirohej nga unë. Tentoi apo nuk tentoi, duk di ta them me siguri, por, për turpin tim, a e di seç ndodhi? E rrëkëlleva timevjehrrë mbi krevat dhe, më tutje, e merr vet me mend?!!!

-Po ç'ndodhi, më vonë, kur u kthjelluat?- pyeta pr të shuar kërshërinë time.

Kur u kthjelluam, na pati lezet dhe më shumë. Dhe vjehrra ime, si "ustalleshë" e vjetër, tek më puthte (duket nuk kish pikë pendese apo faj), a e di se si më tha:- Vorbat prej balte janë më të mira se ato prej "hekuri". E bëjnë gjellën më të shijshme. Dhe vëre vath në vesh: pulat plaka supën e bëjnë më të shijshme...

Ja, kjo qe historie e Minushit që m'u kujtua nga kjo "vorbe" prej balte.

Tiranë, 31 korrik 2015