Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Garashanini dhe politika serbe

| E premte, 31.07.2015, 08:23 PM |


GARASHANINI DHE POLITIKA E SOTME SERBE

Nga Xhelal Zejneli

Naçertania (Projekt) ishte program i politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë, që e hartoi nga fundi i vitit 1844 ministri i Punëve të Brendshme Ilija Garashanini (1812-1874) për princin Aleksandër Karagjorgjeviq (1842-1858). Për herë të parë u botua i plotë në vitin 1906. Sipas Naçertanies, Serbia do të duhej të punonte “për çlirimin e serbëve dhe të sllavëve të tjerë” si dhe për aneksimin e territoreve të Bosnjës, të Hercegovinës, të Malit të Zi dhe të Shqipërisë veriore, që nënkuptonte Kosovën dhe “Metohinë”, që ishin në përbërje të Perandorisë Osmane. Aneksimi përfshinte Sremin, Baçkën dhe Banatin, që ishin të përbërje të Austro-Hungarisë. Propaganda kryesore e veprimtarisë së Serbisë do të bazohej “në përgatitjen e popullsive të këtyre territoreve për bashkim me Serbinë”. Sipas Garashaninit, për këto territore, Serbia gëzon “të drejtën e shenjtë historike”, që bazohet në perandorinë serbe të car Dushanit në shekullin XIV.

Ndikim të rëndësishëm për lindjen e Naçertanies ka pasur emigracioni i madh dhe elita politike e Polonisë, që kishte ikur nga vendi pas kryengritjes së pasuksesshme të nëntorit kundër Perandorisë Ruse në vitin 1830. Ky emigracion i madh dhe me ndikim politik të theksuar, i udhëhequr nga diplomati i njohur, princi Adam Çartorijski (1770-1861), për të nxitur veprimtaritë antiruse dhe antiaustriake në mbarë Evropën, i krijoi qendrat e veta në Londër, e sidomos në Paris - në hotelin e njohur Lamberd. Çartorijski, në fillim të viteve ’40 të shekullit XIX dërgon në Gadishullin Ballkanik dhe në Turqi disa misione. Në vitin 1843 dërgon në Serbi një emisar të posaçëm, çekun Frantishek Zah (1807-1892), me një plan që do t’ia paraqiste Ilija Garashaninit, figurës së njohur të regjimit të atëhershëm kushtetutë-mbrojtës. Me planin e Zahut parashikohej “çlirimi dhe bashkimi i sllavëve të jugut të cilët pastaj do të ndihmonin çlirimin e Polonisë nga pushteti austriak dhe rus”.

Sipas synimeve të emigracionit polak të përfshira në Planin e Zahut për politikën sllave të Serbisë, parashikohej që principata e vogël serbe të shndërrohej në qendër politike dhe ushtarake nga ku do të ndërmerreshin aksionet për çlirimin dhe për bashkimin e sllavëve të jugut – serbëve, kroatëve dhe bullgarëve. Duke pasur frikë nga mundësia e ndarjes së pjesës evropiane të Turqisë midis Rusisë dhe Austrisë, Zahu u angazhua për krijimin e shtetit të sllavëve të jugut, të pavarur nga dy fuqitë e sipërthëna. Për një veprim të tillë shtetformues, ai shpresoi në mbështetjen e fuqive perëndimore, në radhë të parë të Francës dhe të Anglisë. Dokumenti i Zahut është paramenduar si “Plan i krijimit të shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut, të çliruar nga robëria austriake dhe turke, me forcën e shtetit serb”.

Duke u bazuar në planin e Zahut, në vitin 1844 Garashanini e hartoi Naçertanien e vet - “Programi i politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë”. Rreth 90% të tekstit e kishte marrë tekstualisht nga Plani i Zahut. Duke e përpunuar projektin e Zahut, idetë e tij mbi shtetin e sllavëve të jugut, Garashanini i zëvendësoi me bashkimin “e të gjithë popujve serbë”.

Hartuesi i Naçertanies autentike, Frantishek Zahu shkruante: “Lëvizjet dhe veprimtaritë te popujt sllavë, tanimë kanë filluar dhe ato kurrë s’kanë për t’u ndalur. Këto zhvillime, Serbia duhet t’i njohë sa më mirë, por edhe  rolin dhe detyrën e saj që do të ketë në këto procese. Po qe se Serbia e analizon mirë situatën e vet dhe pozitën në të cilën ndodhet dhe faktin se cilët popuj i ka përreth, ajo do të vërejë se është tepër e vogël, se nuk duhet të mbetet e tillë dhe vetëm në aleancë me popujt e tjerë që i ka përreth - do të mund ta kryejë misionin e vet për të ardhmen e saj më të mirë. Në këtë që u tha më lartë duhet të mbështeten parimet dhe bazat e politikës serbe, e kjo do të thotë që Serbia të mos mbetet në kufijtë e saj të sotëm, por të synojë t’ia bashkëngjisë vetes të gjithë popujt serbë përreth”.

Naçertania e Garashaninit – Projektin e sipërthënë të Zahut, Garashanini e përpunoi dhe në fillim të vitit 1845 ia dorëzoi princit Aleksandër Karagjorgjeviq.

Principata e Serbisë kah mesi i shekullit XIX – Projekti që e hartoi Garashanini për shtetin e ardhshëm serb së pari do të përfshinte: Principatën e Serbisë, Bosnjën, Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë veriore. Lufta për aneksimin e këtyre territoreve do të zhvillohej me shkëputjen graduale të territoreve otomane, gjatë procesit të shpërbërjes së pandalshme të Perandorisë Osmane.

Shprehjen “sllavët e jugut” që figuronte në Planin e Zahut, Garashanini e nxirrte nga përdorimi në mënyrë sistematike dhe e zëvendësonte me fjalën “serb”. Edhe përfundimin e Zahut se Serbia duhet të bëhet “bërthamë e perandorisë së ardhshme të sllavëve të jugut” Garashanini e ndryshoi, duke e zëvendësuar me shprehjen “bërthamë e perandorisë së ardhshme serbe”. Mirëpo, për dallim nga Garashanini, Zahu theksonte se Serbia nuk mund të korrte sukses pa i përfshirë edhe kroatët dhe pa i njohur ata si të barabartë. Një gjë të tillë  Garashanini nuk e përfshiu në programin e vet. Kapitullin e Planit të Zahut ku flitej për marrëdhëniet midis serbëve dhe kroatëve dhe ku thuhej se ata janë “një popull, d.m.th. popull i njëjtë” që e flet të njëjtën gjuhë, por që e shkruan me dy alfabete - Garashanini e hoq tërësisht. Disa historianë serbë thonë se Garashanini nuk i ka përfshirë në Naçertanie kroatët ngase  pandehte se polakët, nëpërmjet kroatëve synojnë të shtrijnë ndikimin e kishës katolike ndër sllavët e jugut.

Serbia e Madhe sipas Planit francez të vitit 1862 - Ndonëse dokument sekret, Naçertania e Garashaninit ka qenë program zyrtar i dy qeverive serbe, si dhe i Malit të Zi të  peshkopit Petar II Petroviq Njegoshit. Frantishek Zahu u bë në Serbi ministër i ushtrisë, më vonë gjeneral dhe shef i shtatmadhorisë së Serbisë. Duke përcaktuar një politikë të jashtme të re, Serbia heq dorë nga orientimi ekskluziv kah Rusia, e cila kishte interesim të drejtpërdrejtë për Ballkanin.

Gjatë kohës së princit Aleksandër Karagjorgjeviq, Garashanini ishte ithtar i luftës për një shtet të madh serb. Më vonë, si ministër i Punëve të Jashtme i princ Mihajlit (1860-1868), Garashanini evoluoi kah zgjidhja jugosllave, duke vendosur lidhje me lëvizjen jugosllave në Kroaci, të udhëhequr nga ipeshkvi Josip Juraj Shtrosmajer (1815-1905) si dhe me organizatat revolucionare bullgare. Princi Mihajl Obrenoviq, më 14 janar 1867, lidhi me emigrantët bullgarë në Bukuresht Traktatin e Bukureshtit për shtetin e përbashkët të serbëve dhe të bullgarëve.

Me të mësuar për planet serbe, në vitin 1883 Austria arriti ta sigurojë një kopje të  Naçertanies së  Garashaninit dhe e arkivoi si dokument sekret.

Publiku serb u njoh me ekzistimin e Naçertanies nëpërmjet një teksti të shkurtër të Milan Miliqeviqit në Përkujtimoren e personaliteteve të shquara të popullit serb të kohës së re, (Pomenik), të botuar në vitin 1888. Tekstin e plotë të Naçertanies e botoi për herë të parë historiani Milenko Vukiqeviq në revistën Djelo në vitin 1906, me titullin “Programi i politikës së jashtme të Ilija Garashaninit në fund të vitit 1844”.

Për rolin e Zahut në hartimin e Naçertanies publiku mëson kur lidhur me këtë, historiani serb Dragosllav Stranjakoviq (1901-1966) boton dy artikuj profesionalë, duke i analizuar tekstet e naçertanieve - të Zahut dhe të Garashaninit, sipas dorëshkrimeve të gjetura në trashëgiminë e Garashaninit.

*   *   *

Naçertania e Garashaninit përbën bazën ideore të politikës serbomadhe ndër vendet e sllavëve të jugut dhe më gjerë. Ky projekt edhe sot paraqet “program të krijimit të Serbisë së Madhe”. Që nga lindja e këtij projekti famëkeq e deri në ditët e sotme, të gjitha regjimet serbe, fshehurazi apo haptazi, ndaj vendeve  përreth janë bazuar dhe bazohen në këtë dokument.

Serbia gjithmonë ka ndjekur politikë të jashtme që e ka përvijuar Garashanini. Politika unitariste, centraliste, etatiste, hegjemoniste, ekspansioniste dhe dominuese serbe ka mbizotëruar edhe pas vitit 1945. Me rënien e Aleksandër Rankoviqit në vitin 1966, filloi procesi i federalizmit të amalgamës jugosllave. Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974, nacionalistët serbë në krye me Dobrica Qosiqin, e quajtën projekt antiserb të Vatikanit, të Vjenës, të CIA-s dhe të agjentit të tyre – Titos.

Në janar të vitit 1986 doli në Beograd si një libër anonim Memorandumi i ASSHA (SANU), me të cilin i bëhej apel popullit serb në Jugosllavi për “vetëdijesim”. Ky kushtrim i akademikëve garashaninistë i dha fund të përgjakshëm kreaturës artificiale të Versajës dhe Jugosllavisë serbokomuniste dhe kominterniste të AVNOJ-it, në të cilën tre milionë shqiptarë të kolonizuar nuk ishin sllavë të jugut.

*   *   *

Serbia sot e kësaj dite vazhdon të jetë e madhe. Ajo mban nën sundim Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), Vojvodinën të banuar nga një përqindje e madhe e hungarezëve dhe nga 25 minoritete të tjera, Sanxhakun të banuar nga myslimanë që identifikohen si boshnjakë.

Politika e sotme serbe nuk është as paqësore, as stabilizuese dhe as demokratike. Beogradi:

- i mbështet fuqimisht synimet secesioniste të Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, që është në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit;

- synon të krijojë një entitet serb në Kosovë dhe nga bisedimet e Brukselit pretendon të nxjerrë një Dejton të ri.

- vajton për “trojet serbe” në Kroaci;

- nga qarqe të caktuara në Mal të Zi synon të krijojë kolonë të pestë proserbe;

- nuk e njeh autoqefalinë e kishës maqedonase;

- mbështet politikën ruse ndaj Krimesë dhe Ukrainës dhe duke qenë satelite e përhershme e Rusisë, përçon interesin e Moskës në Ballkan.

*   *   *

Për të qenë rajoni stabil, duhet të arrihet një balance of power, që nënkupton mbështetjen e faktorit shqiptar në gadishull nga Uashingtoni dhe Berlini.