E shtune, 20.04.2024, 11:43 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Krenarë si barbarë

E premte, 31.07.2015, 07:03 PM


Krenarë si barbarë

Nga Kastriot Myftaraj

Që në minutën e 29 të ndeshjes FK “Kukësi”- “Legia” e Varshavës, pra shumë kohë para ndërprerjes së ndeshjes në minutën e 52, mbi lojtarin e “Legias” që bëri golin e parë të ndeshjes u zbraz një batare, me së paku pesë-gjashtë shishe uji dhe një numër më të madh sendesh të tjerë. Në faqen zyrtare të FK “Kukësi” në Facebook, me këtë rast u postua një fotografi e autorit të golit, Nikoliç duke festuar për golin. Fotografia mbante këtë shënim: “Shikoni shkaun si provokon me tre gishta Tifozat E Kukesit. Pasaj reagimi dihet,sepse Shqiptari nuk pranon poshterimin ne vendin e vet.”

Por në fotografi lojtari i “Legias” shfaqet me dy gishtat e ngritur lart, jo me tre. Lojtari i “Legias” ka ngritur lart gishtin e madh dhe gishtin tregues të dorës. Në fakt Nikoliç shihet si tradhtar në Serbi për shkak se ai ka zgjedhur që të luajë për Hungarinë, pasi është hungarez nga nëna e tij, e cila i përket pakicës hungareze në Serbi. Nikoliç nuk mund t’ i ngrinte tre gishtat edhe për arsye se ai është i vetëdijshëm që tre gishtat e ngritur lart janë një simbol politik-religjioz i përdorur në luftrat në ish-Jugosllavi dhe si i tillë është dënueshëm nga rregullat sportive ndërkombëtare. Ai e dinte se do të ndëshkohej nga UEFA për këtë gjë. Fotografia dhe statusi në faqen zyrtare të FK “Kukësit” kërkojnë të shfajësojnë tifozët kuksianë për dhunën ndaj lojtarit të “Legias”. Me një gënjeshtër.

Le të supozojmë se lojtari i “Legias” ngriti vërtet tre gishtat. Nëse tre gishtat e ngritur lart janë një provokim, çfarë duhet thënë për atë që pretendon se bëri në Beograd kuksiani më i famshëm i kohës, Ismail (Ballist) Morinaj, duke dërguar në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, një dron me një hartë ku rreth çereku i territorit të shtetit serb të sotëm, përveç Kosovës, përfshihej brenda kufijve të Shqipërisë? Sipas logjikës së statusit të faqes zyrtare të FK “Kukësit”, a nuk është ky një provokim shumë më i rëndë ndaj turmave serbe? Një provokim i mjaftueshëm për të ushtruar dhunë ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë? E pra, Morinaj, në intervistën e tij për një kanal të Digitalb tre javë më parë tha disa herë se ai kishte bërë një gjest shumë elegant.

Dy ditë para ndeshjes “Kukësi”-“Legia”, Hamdi Salihi bëri dy gola për “Skënderbeun” në ndeshjen për Ligën e Kampioneve, në kryeqytetin e Moldovës, Kishinau. Në të dy rastet Salihi festoi duke shkuar te flamuri i këndit të fushës, që në një stadium vetëm për futboll, si ai i kryeqytetit moldovas do të thotë se gjendej vetëm pak metra larg tifozëve vendas. Asnjë send nuk u hodh mbi Salihin në të dy rastet. Ky është standardi moldovas, i një vendi që është pas Shqipërisë në çdo pikëpamje. Ky është standardi i një vendi i cili që prej vitit 1991 është në një gjendje lufte të ngrirë, me një pjesë të mirë të territorit të tij që i është shkëputur me forcë nga një rebelim separatist i popullsisë ruse në lindje të vendit. Në Shqipëri bëhet ironi tash sa vite me femrat moldovase, apo moldave si quhen, të trafikuara për prostitucion në Europë, edhe nëpërmjet vendit tonë.

Duke njohur precedentët e tifozerisë kuksiane në ndeshjet europiane, si dhe dhunën në ndeshjen e mbrëmjes së kaluar ndaj lojtarit të “Legias” që bëri golin e parë, nuk është për t’ u habitur që u hodh një gur ndaj një lojtari polak. Një goditje me saktësi fatale që e qëlloi polakun në kokë. Qartësisht një goditje nga një dorë e stërvitur barbare, që ka një traditë të gjuajtjes me gurë, dhe është e mirëushtruar në këtë sport barbar. Goditja e njeriut me gurë nga njeriu e ka origjinën në barbarinë e hershme të njerëzimit, në kohën e gurit. Goditja e kundërshtarit me gurë shihej si një fitore e dyfishtë, duke e mposhtur dhe poshtëruar atë. Goditja me gurë kënaqte instinktet e thella të dhunshme të qenies njerëzore në stadin primitiv të saj. Prej këtej që në shoqëritë veçanërisht të prapambetura praktikohet edhe sot vrasja e njerëzve me gurë. Goditja me gur në kokë e një lojtari kundërshtar i ve damkën e barbarisë një tifozerie, një klubi, një qyteti, krahinës së cilës i përket ky qytet, shtetit dhe kombit të cilit i përket kjo tifozeri, ky qytet, kjo krahinë.

Por a është e arsyeshme që veprimi i një individi të damkosë një qytet, një krahinë, një tifozeri, mund të thotë dikush. Po, është e arsyeshme, se një gjë e tillë është vetëm kulmimi i një dhune të shkallëzuar që miratohet nga bashkësia së cilës i përket tifozi që hodhi gurin. Ai që e goditi me gur lojtarin polak është një barbar aktiv. Ata që heshtin dhe nuk e dënojnë atë janë barbarë pasivë. Jo dhe aq pasivë, në të vërtetë. Pas ndeshjes së mbrëmshme, në faqen zyrtare të FK “Kukësit” në Facebook u vendos edhe ky status: “Krenar per kete Tifozeri Qe tashme e njeh krejte Europa. Armata e Veriut Europa Lige 2015.”

Kësaj i thonë: Ne jemi krenarë që jemi barbarë! Krenarë si barbarë! Dhe përgjigjia për kritikat në këtë faqe ishte ky status: “Nje Mesazh per disa media: Vazhdoni Hani M... se ju ben mire per masken qe e keni ne ftyre.”

Në të tre statuset kishte një pafundësi me komente ngazëlluese nga tifozët kuksianë, të cilët zhvillonin më tej idetë e këtyre tre statuseve, sipas fantazisë së komentuesve. Presidenti i barbarëve, domethënë i FK “Kukësit” tha se gurin e hodhën tifozët polakë. Domethënë tifozët polakë e qëlluan lojtarin e tyre me gurë, që të dënohej “Kukësi”. Dhe këtë gjë e bënë pasi “Legia” bëri golin e dytë?! Këtij i thonë humor barbarësh. Si do të guxonin tifozët polakë të hidhnin gurë në fushë, kur ata e dinin se mund të regjisroheshin nga videokamerat e stadiumit?(Mbikqyrja me videokamera e tifozëve në ndeshje ndërkombëtare është rregull detyrues i UEFA dhe FIFA.) Madje mund të regjistroheshin edhe privatisht nga tifozët vendas të gjendur në tribunën përballë tyre, çka edhe ka ndodhur. Tashmë qëndrimi zyrtar i FK “Kukësit” është se gurin e ka hedhur një tifoz i paidentifikuar. Ky është një qëndrim qesharak, një gënjeshtër e trashë me logjikë barbare, se në faqen zyrtare të klubit miratohet dhuna dhe shprehet madje krenari për atë që ndodhi.

Të gjithë këta fakte të çojnë te e vërteta e dhimbshme që është detyrim i kuksianëve për ta përgënjeshtruar bindshëm, se bëhet fjalë jo për një pakicë barbare brenda një bashkësie, por për shkallë të ndryshme të barbarisë brenda bashkësisë. Kështu e percepton bota atë që ndodhi mbrëmë. Unë jam i vetëdijshëm se është një mision i pamundur intelektual që t’ ua shpjegosh barbarëve se çfarë dëmi të madh i kanë bërë me këtë sjellje Kukësit, Shqipërisë, kombit shqiptar. Procesi mendor i barbarëve funksionon me instinkte, jo me arsyetim. Kukësi fitoi një reputacion shumë të mirë në botë me rastin e krizës humanitare të shkaktuar nga dëbimi masiv i dhunshëm shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë. Në rastin e vendeve të vogla si Shqipëri, aq më tepër të qyteteve periferike të tyre si Kukësi, ky reputacion është një gjë e brishtë, si një fasadë e xhamtë kristali. Guri që goditi kokën e lojtarit polak, e theu edhe këtë fasadë të kristaltë, duke e bërë copë e thërmia këtë reputacion. Se guri i hedhur mbi lojtarin polak u bë lajm botëror. Këtej e tutje kuksianët do të jenë për botën ata të cilët gjuajnë me gurë nëpër stadiume, domethënë barbarët. Do të thuhet edhe se njeriu që mori përsipër ngritjen e dronit me flamur të zi, në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, është njëri prej tyre, një kuksian.

Flamuri i zi i dronit, i ngjashëm me flamurin e Xhihadit, të shtetit islamik, ISIS, shkon mirë me logjikën e goditjes së njerëzve me gurë, se kjo gjë praktikohet nga islamikët. Njeriu i flamurit të zi të Beogradit ishte në stadium, por jo me tifozët e Kukësit, por në tribunën VIP, se ai është tashmë një “VIP”. A është rastësi që sa herë që shfaqet ky njeri ndodhin incidente të rënda për të cilat dënohet Shqipëria ose klubet shqiptare? Cili është reagimi i “elegantit” të dronit me flamur të zi ndaj asaj që ndodhi mbrëmë? Zero!

Si të mos na mjaftonin barbarët e këtej kufirit, me rastin e kësaj ndeshjeje kishte ardhur edhe një turmë e barbarëvë nga Prishtina, prej “Plisave”, me qëllimin e qartë dhe të vetëm për t’ u përleshur me tifozët polakë. Këtë gjë madje e kanë pohuar vetë sot në faqen e tyre zyrtare, duke thënë se ata erdhën në Tiranë vetëm për të sulmuar tifozët polakë, dhe as që hynë në stadium për të parë ndeshjen. Domethënë kanë ardhur në Tiranë jo si tifozë, por si banditë, si barbarë, si agresorë. Shkaku i kësaj sjelljeje? Disa nga tifozët polakë të “Legias” na paskan thënë se “Kosova është Serbi”. Por Polonia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në kohën e luftës në Kosovë Polonia e mbështeti fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Kontigjenti polak i KFOR-it në Kosovë ka një sjellje të paqortueshme ndaj shqiptarëve. Përse duhej pra që tifozët nga Kosova të merrnin mundimin për të ardhur në Tiranë, për t’ u përleshur me polakët? Dhe përleshja ndodhi vërtet, madje që para ndeshjes në bulevardin qendror të Tiranës. Çfarë përshtypje bën në Poloni kur mësohet se shqiptarët e Kosovës vinë në Tiranë për t’ u përleshur me tifozët polakë? A është në të mirë të Kosovës kjo? Opinioni publik polak, i cili as që e di se disa tifozë të “Legias” na paskan thënë diku se “Kosova është Serbi’, tashmë e mësoi se shqiptarët e Kosovës erdhën në Tiranë për t’ u përleshur me tifozët polakë. Këta shqiptarë të Kosovës që erdhën në Tiranë për të dhunuar tifozët polakë, nuk meritojnë të quhen “plisa”, por “shajkaça”. Shajkaça është kapela tradicionale popullore serbe, e mbajtur dhe nga çetnikët. Edhe këta “Plisat- Shajkaça” të Kosovës janë krenarë si barbarë. Qeveria e Kosovës duhet të reagojë për sjelljen e barbarëve të ardhur në Tiranë dje nga Kosova dhe Prokuroria e Shtetit në Prishtinë duhet të nisë një hetim për këtë ngjarje që i sjell dëm të madh Kosova. Në krahasim me Kosovën Polonia është një vend i madh dhe me rëndësi në NATO dhe Bashkimin Europian. A mos duan në Prishtinë që Polonia ta tërheqë njohjen e Kosovës?

Unë jam i vetëdijshëm se do të më quajnë antikuksian, antiverior e kushedi se çfarë “anti” tjetër. Ndonëse ka ndodhur që të kem shumë miq kuksianë. Disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi intelektualë më të mirë janë kuksianë. Dy botues me të cilët kam bashkëpunuar unë, ka ndodhur që të jenë kuksianë. Unë do të doja të kisha pritshmëri të lartë nga intelektualët kuksianë sa i përket asaj që ndodhi mbrëmë. Intelektualët kuksianë duhet t’ iu bëjnë një apel publik bashkëqytetarëve e bashkëkrahinarëve të tyre, si kuksianë e lumjanë, për t’ i qortuar për atë që ndodhi e për t’ i vetëdijësuar për dëmin e madh që i kanë bërë Kukësit dhe Shqipërisë. Ajo sjellje e tifozerisë dhe qëndrimi i bashkësisë ndaj saj është e papranueshme edhe në një ndeshje mes dy katundeve, nëse do të luante në një fushë katundi Bushtrica e Safet Gjicit me Shikajn e Ismail Morinajt, e jo më në një ndeshje europiane. Dhe ç’ është më e keqja, një pjesë e madhe e tifozëve kuksianë të dhunshëm janë banorë të periferive të Tiranës, me origjinë kuksiane.

Unë mendoj se FK “Kukësi” duhet që pa vonesë t’ i kërkojë zyrtarisht dhe publikisht falje “Legias” së Varshavës për atë që ndodhi. Pastaj i mbetet detyrimi klubit polak të kërkojë falje për sjelljen e tifozëve të vet. Një shtatore e lojtarit polak të goditur me gur duhet të vendoset pranë stadiumit të Kukësit nga ana e Bashkisë së Kukësit dhe përfaqësues të “Legias” dhe vetë lojtari të ftohen me rastin e promovimit. Kuksianët kanë mundësi dhe të drejtë të jenë krenarë si njerëz të qytetëruar, jo si barbarë. Barbarët aktivë duhen identifikuar, izoluar dhe ndaluar që të jenë të pranishëm në ngjarje të tilla sportive europiane. Më e pakta kjo. Se duhen ndëshkuar, madje rëndë. Nëse nuk ndodh kështu atëherë është pjesa tjetër e bashkësisë që identifikohet me barbarët dhe pastaj mund të flitet vecse për shkallë të ndryshme të barbarisë, brenda bashkësisë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora