E enjte, 28.03.2024, 03:45 PM (GMT)

Kulturë

Bahri Myftari: Lalë Mani

E premte, 31.07.2015, 05:56 PM


Lalë Mani

Tregim nga Bahri Myftari

Në ata dhjetëra nxënës, zor se gjeje kënd që të mos kishte  ndjerë afërsinë, adhurimin dhe përkëdheljet e Lalë Manit, mësuesi, për nga detyra, më i vjetër në atë shkollë. Edhe sot e gjithë ditën, ish nxënësit e tij, tani burra të zbardhur, e kujtojnë me respekt e dashuri mësuesin e tyre, i mirënjohur në atë kohë, gati në tërë qytetin, me epitetin tepër familjar; Lalë Mani!

Një ndjenjë, deri në përmasa prindërore, përjetonin nxënësit që vinin nga rrethet e largëta. Kur atyre u vinin letra a telegrame prej familjeve, pavarësisht, ç’mesazhe sillnin, ai, i miri Lalë Mani, do t’u gjendej pranë, duke ua ndërruar krejt situatën, shpesh të trishtuar deri në lot! E njëjta sjellje, edhe për nxënësit që vinin nga krahinat e  mëdha në të dyja anët e Shkumbinit. Ai i habiste ata, kur me emrin e njohur prej tyre, thërriste male, kodra, përrenj, pyje, bëma dhe ngjarje, madje, edhe emra që kishin bërë histori! Profesori donte që këta djem e vajza që thirreshin të ardhur a jabanxhinj-fjalë që e urrente gati sa fjalën armik-kur të mbaronin shkollën e të largoheshin të merrnin “copa” Elbasani. Prandaj ai kurrë nuk lodhej së foluri për historinë dhe njerëzit e mëdhenj të qyteti, që, pa mëdyshje, ishin të lavdishëm për gjithë kombin! E niste me Skampën e lashtë, me Egnatijen e famshme, dilte te Muzakajt dhe Topiajt, Hidhej nga Shpati në Polis, e nga Çermenika në Labinot. Nga Dumreja në Sulvë. Prej fushës së Bazhokut në Belësh, në këtë “dobësi” të çuditshme të Sami Frashërit! Dilte tërë emocion te njerëzit e dijes e të lirisë, për Todrin, e shkronjave mbi shpinë, babanë e shqipes, Kristoforidhin, dy Shuteriqët, at e bir, dy Xhuvanët, shkencëtarin dhe shkrimtarin, te Abdihoxha i “Vjeshtës…” U fliste për profesorin dhe gjuhëtarin e papërsëritshëm M.Domi, për Budën, të madhin e historisë, për të cilin tregonte edhe një episod, që ende mbahet mend!. Për të, për profesor Budën ishte një opinion se qe njeri i përsosur! Dikush ,hyri në merak të madh,si mundet të mos kishte ai njeri një të metë? Po, natyrisht që kishte, edhe Buda njeri ishte! U gëzua merakçiu se ja, më në fund, i erdhi zogu në dorë dhe kërkoi me këmbëngulje të mësonte të metën. Ju doni të dini të metën e tij, të metën e Budës? Mësoje pra, e vetmja e metë e tij, ishte se i donte njerëzit shumë! Lalë Mani kënaqej sa lotonte.. Më pas, u fliste për Cipon, për Paparistot, Delianët, Papajanët, u rendiste firmëtarët e Pavarësisë, me Pashanë e Elbasanit, dy ditë më parë se Vlora, me Lef Nosin e mençëm, ministër i Ismail Qemalit, deri te 100 normalistët që iu bashkuan luftës!

Kur Lalë Mani mori drejtimin e rrethit letrar të shkollës, figura e këtij Njeriu u lartësua edhe më. Një djalë i vogël nga Polisi, me kokë tërësisht mbushur me kaçurela të verdha, si grunjërat e Polisit në qershor, falë talentit, i kapërceu kufinjtë e rrethit letrar shumë më shpejt se ç’pritej! Veç, talentit të tij, iu gjend edhe një dorë e zëmër e pa kursyer. Ky ishte Lalë Mani. Qyteti ynë,thoshte shpesh profesori, që ka nxjerrë korifej të letrave si   Kristoforidhi, Shuteriqi, Xhuvani,e të tjerë, deri më i fundit, M.Vyshka, ende student, po që vargjet e tij te “Ne njëzet vjeçarët”, kishin nisur të mësoheshin përmendësh nga e gjithë rinia, këtë radhë, i paska hapur krahun fshatit!

Ja, tani, po na sjell edhe Polisi këtë kokëverdhin që jo vetëm për nga kaçurelat, por dhe nga ndjenja, i ngjan Eseninit të madh! Atë ditë që djali nga Polisi paraqiti  në rrethin letrar, përgjigjen e detyrës “Për një vështrim mbi prozën e Shuteriqit, te tregim “Një mal me këngë”, Lalë Mani ishte në festë. Djaloshi, jo vetëm që pati ruajtur me besnikëri dorën e Mjeshtrit, dhe emocionet e derdhura në të, po i kishte rritur, i kishte shtuar ato me elemente të ndjenjës së moshës dhe të kohës. Nuk qenë prishur radhët e bakejve, as  punishtet e zejeve të shumta, as mjeshtëria e prodhimit të zileve dhe këmborëve, po kishte shtuar një ambient parfumerie, një flokëtore moderne dhe  një stendë me veshje rinie e, tani nën Bezistan nuk qe më “një mal me këmborë”, po një  mal me violina, një orkestër e plotë me muzikë të Paganini që dilte prej dyqanit të një Deljane, i apasionuar ndaj tingujve të madhërishëm. Ndërkaq, mësuesi direkt për lëndën e letërsisë i djalit, i thirrur me nofkën “vizorja” ngaqë, atë send, vetëm në  sy të drejtorit nuk kishte guxim ta mbante, por që vogëlushëve, me të shpesh ua çukiste kokën, pra, ky zotëria nuk ishte i një mendjeje me Lalë Manin, madje qe kundështar dhe një mosvlerësues ndaj talentit të flokëverdhit nga Polisi. Kurrë nuk i vuri notë mbi shtatë dhe hartimet që, sipas gjykimit të Lalës ishin frymëzim dhe fund e majë poetikë, kurrë nuk i vlerësoi. Dhe më keq akoma, e akuzoi djalin se kopjonte nëpër libra, ose dikush mund t’ia zhgaraviste! Në kësi rastesh, evidentonte një nxënëse të shkëlqyer, të bijën e profesoreshës së fizikës, e cila, krejt e pafajshme, për të shkruajtur pesë rrjeshta të frymëzuara, djersinte si të punonte në uzinën e çelikut!. Lalë Manin ky diferencim dhe injorim i vlerës së vërtetë nga ana e kolegut, e ligështonte,e mërziste mjaft.Nuk e jepte veten në sy të djalit, edhe pse qe i bindur se ai nuk qe aq naiv! E dinte fot mirë hallin e atij tjetrit, hallin e mësuesit me nofkën “vizorja”. Ai po jetonte në vitet e beqarnisë së lashtë dhe dita që ishte ditë, po rëndonte mbi të, fort e më fort! Me sa kuptohej, më në fund, ai do të kishte vendosur ta hidhte tej atë pelerinë mallkimi. Kjo ngutje, ky hall i madh, e disa veprime të padenja, e detyruan para do kohe, atë praktikanten simpatike, të ndërronte shkollën. Ndërsa tani po digjej e po vuante për një afrim me  zonjën e fizikës që pati mbetur këtu e tre vjet, e ve, po ende e  mbajtur mirë, e bukur dhe e freskët.. Nëse ajo do pranonte, do të jepte një shenjë, “vizorja” do të qe i gatshëm të ndërronte status,po profesoresha, kjo binte në sy, nuk pranonte më tepër afërsi, se sa ndërrimi i regjistrit nga dora në dorë, në sallën e mësuesve! Kulmi i idhnisë së mësuesit, ndaj djalit prej Polisi, u shfaq egër kur doli në një gazetë letrare, reportazhi, ose, më drejt proza poetike, “Shina dhe mendime”, kushtuar djemve dhe vajzave studentë që po ndërtonin hekurudhën anës së Shkumbinit. Man Kazazi është ftohur “në tajare” - një fjalë, shpërngulur prej kohësh nga ligjërimi qytetar – Kërkon të na i shesë “tosin për kos “do që katunarin e vogël të na i shesë për gjeni.Gjeni ai? Gjeni i rritur me tarvok! Kur unë, në klasë, vetën në klasën time, kam mbi pesë talente të vërtetë!..

-           Me në krye vajzën e profesoreshës, - nuk u kursye fare Lalë Mani.

Tjetri që nuk e priste këtë kundërvënie, kur i thonë fjalës, pa doreza, u mblodh një grusht, u rrudh, më keq se ç’ishte dhe u largua.

Po atë ditë, Lalë Mani, i cytur dhe i ngacmur edhe prej befasisë që pati shkaktuar në tërë komunitetin proza poetike “Shina dhe mendime”, i kërkoi djalit të bënte një portret. Një portret, për kë? Për kë të duash!, Ndërsa vetë ai, merrte përsipër botimin në gazetën më autoritare të vendit në fushën e letrave..

- Më ke mësuar që kurrë të mos bëj letërsi të porositur? - tha djali

- Po, është e saktë, kurrë mos bëj letërsi me porosi, një letërsi e tillë, të kthen në shërbëtor. Në kërkesën time, bëhet fjalë për tjetër letërsi, për letërsi të angazhuar. Nëse e para të kthen në shërbëtor, kjo që sapo të thashë, të bën luftëtar… Kam besim se, do bësh zgjidhjen e duhur?!

…Të shtunën, ditën kur dilte në gazetën qendrore faqja letrare, u botua dukshëm edhe portreti i djalit nga Polisi. Kishte një titull shumë interesant; “Pedagogjia e vizores!” Djaloshi i mori urimet që në orët e para të mëngjesit. I gjithë tirazhi i gazetës që sillej në qytet, gati i gjithë, gjendej në duart e nxënësve. U kuptua lehtësisht kujt i qe qëndisur portreti. Kush çukiste kokat e nxënësve me vizore? E nga ana tjetër, ku nuk e fuste atë dreq sendi, para drejtorit! Njihej cili qe i përmalluar për dialektizmat, por jo për dialektin e bukur elbasanas të Kristoforidhit, zgjedhur për në themel të shqipes, po me atë të lëkurëpunuesve, të samarpunuesve dhe opingarëve, mbushur përplot me barbarizma. Lalë Manit i  thanë se djalin e kishte thirrur mësuesi i letërsisë, dhe, kuptohej pse? Vrapoi për te kabineti i letërsisë. Djali qëndronte para mësuesit,. Kaçurelat e verdha, tani, nën dritën që vinte prej dritares, të krijonin pamjen befasuese të diellit aty brenda!

- Çfarë ka djali? ia priti me të parë  Lalë Mani, dhe nuk priti të merrte përgjigje, po vazhdoi, - ju kini të drejtë mësues, kini shumë të drejtë, ky nuk ka talent, ky djali nga Polisi nuk di të shkruajë! Eja, eja, bir! Dhe e mori me vete. Në lulishten, para shkollës ai e përqafoi fort, si të përqafonte një shokun e tij

- Ja, miku im, - i tha me gjithë zemër djalit- ta pruri rasti shumë shpejt, të shijosh vlerat e letërsisë së angazhuar



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora