E premte, 19.04.2024, 01:48 AM (GMT+1)

Speciale

Abdullah Konushevci: Çabej për autoktoninë e shqiptarëve në dritën e toponimeve

E diele, 27.07.2008, 07:58 PM


Eqrem Çabej
ÇABEJ PËR AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË DRITËN E TOPONIMEVE

 

Nga Abdullah Konushevci

 

Me sa duket, të paka janë studimet e Çabejt, që kanë zgjuar një interesim më të madh se ato lidhur me autoktoninë e shqiptarëve në dritën e toponimeve a emrave të vendeve,[1] që tregojnë njëkohësisht vazhdimësinë e pashkëputshme a të drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga stërgjyshërit e tyre — ilirët.

Nuk është për t’u habitur, prandaj, pse objekt i sulmit më të ri të shkencës serbe janë pikërisht arritjet e pamohueshme të profesor Eqrem Çabejt, që me forcën e argumenteve shkencore rrënoi që në themel ngrehinën e dijetarëve, që mohonin dhe kundërshtonin autoktoninë dhe vazhdimësinë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme që nga periudha antike e deri më sot.

Aradhës së mohuesve të prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët dhe të autoktonisë dhe vazhdimësisë së tyre në trojet e sotme, si: Vajgand, Selishçev, Georgiev, Popoviq, po i shtohet edhe linguisti Aleksandar Lloma, i cili në një studim të gjatë “Sllovenët dhe shqiptarët deri në shekullin XII në dritën e toponomastikës”[2], mundohet me mish e me shpirt të hedh poshtë përfundimet e Çabejt për autoktoninë e shqiptarëve në dritën e toponomastikës.

A. Lloma, sado që pajtohet se që nga pionieri i albanologjisë fon Hani etnonimi ilir Dalmatae dhe kryeqyteti i tyre Delminium shpjegohen me fjalën shqipe dalme/delme (mendim ky i përqafuar edhe nga P. Skok), Dardanai me fjalën shqipe “dardhë”[3], si tregon edhe emri i qytetit Krushevac (sipas po linguistëve serbë — një kalk ky i “dardhës”), kurse Dimalium me “mal”, megjithatë konstaton se këto janë vetëm pjesë e trashëgimisë së gjuhëve relikte, si] janë ilirishtja dhe trakishtja, për të përfunduar: “Marrë guximin këtu të bëjë me dije mbresën time të zymtë se emra antikë me etimologji të pakundërshtueshme shqiptare në Gadishullin Ballkanik nuk ka: sipas të gjitha gjasëve dy interpretime Karpati: shq. karpë ‘shkëmb’ dhe Beskidi: shq. bjeshkë ‘kullotë malore’ lidhen me dy masive malore jashtë Ballkanit”[4].

Por, interpretimet Dalmatae, Delminium, Dardania, Dimallum, sipas tij, ani pse të pranuara nga të gjithë albanologët me peshë, nuk mund të jenë shqipe!?

Është ky vetëm njëri nga “margaritarët” e studiuesit A. Lloma, i cili, sa herë që faktet gjuhësore nuk futen në kornizën e skemës së tij për ndërmjetësimin dhe epërsinë e elementit sllav në toponomastikë, ai priret të bëjë lloj-lloj përbishtnimesh e përçudnimesh gjuhësore.

Aleksandar Lloma, ndryshe nga paraardhësit e tij, ka sado-kudo një dije për fonetikën hsitorike të shqipes dhe për ligjësitë a rregullsitë që vlejnë në të. Kështu, sado që e pranon se studimi e ndriçimi i këtij problemi ka ngarkesë politike, e cila jo pak e ka drejtuar në këtë punim, ngul këmbë që toponimet shqiptare, si: Shkodër, Durrës, Lesh, Vlorë, etj.[5] kanë marrë formën e sotme, falë vetëm ndërmjetësimit të elementit sllav, i cili, madje është dhe sipëror. Në këtë vijë, ai kërkon edhe ndihmën e etimologjive të ndryshme popullore, siç janë Bojana për Bunën dhe Poljana për Pojanin (< Apollonia). Prandaj, shkrimi i tij, sikundër edhe ata të paraardhësve të tij, mund të thuhet se nuk meriton as respektin më të vogël shkencor.

Duke u nisur nga mendimi se fjalët e fondit indoevropian të shqipes dallohen për kalimin e grupit i.e. *sk-h[6], ai nxjerr të diskutueshme, duke përkrahur mendimin e Joklit, kalimin Scodra > Shkodra. Kalimi i grupit i.e. *skh i takon, si vëren Çabej, periudhës parahistorike të shqipes dhe, si çdo ligj fonetik, edhe ky kalim ka pushuar së vepruari në këtë periudhë, prandaj të ngulësh këmbë që ai të vlejë përgjithmonë, është sikur të kërkosh ad absurdum që ai të përsëritet ose që marrëdhëniet, ta zëmë skllavopronare, të vlejnë edhe për shoqërinë e sotme!

 

Reflektimi i grupit konsonantik i.e. *sk në h

 

Në historinë e gjuhës shqipe, sidomos për periudhën e saj parahistorike, indoevropiane, një rëndësi më vete ka reflektimi i grupit konsonantik i.e. *skh. Këtë dukuri e vuri re së pari Dh. Kamarda, duke e krahasuar foljen cognosco të latinishtes dhe gignosko të greqishtes me njoh të shqipes. Këtij tipi të foljeve kujtojmë se u bashkohen semantikisht dhe fonetikisht edhe ngroh e shqipes (khs. lat. calesco “idem”), shoh me kuptimin edhe “çmoj, konsideroj” : e shoh të udhës ta bëjë një punë “çmoj, konsideroj ta bëjë një punë” (khs. lat. videsco me të njëjtat kuptime si në shqipen, khs. dhe gjerm. sehen dhe ang. seen), ftoh (lat. frigesco) — që të gjitha këto folje inkoative, që tregojnë fillimin e veprimit.

Ky ndërrim vihet re dhe te ah-u: gr. oksya “ah”, nord. e vj. askr “frashër”. Sipas Çabejt, kushtet e reflektimit të këtij grupi i.e. i caktoi më për së afërmi N. Jokli: s+k velare përpara një vokali të çelët (e, i) dha ç në fjalët si çel: lit. skelui skilti “çaj”; i çalë: gr. skolios “idem”, përpara një vokali të mbyllët (a, o, u) dha h[7].

Por, ne do të përqafonim më parë mendimin e Pedersenit, të Bryknerit, etj., të përkrahur edhe nga P. Skoku se ky grup, me s-në e parë shumë të paqëndrueshme dha gjithmonë h, pos atëherë kur ra s-ja, e dha, natyrisht, ç (po edhe q), si vërtetojnë shembujt e shumtë në gjuhët balto-sllave e shqipe.

Se grupi i lashtë konsonantik i.e. *sk dha në shqipen h, ashtu si dhe në gjuhët balto-sllave, mendojmë se flet shumë edhe folja (h)eci (khs. srbrk. hoditi), që janë në lidhje gjinie të lashtë me lat. scendere (khs. descendere “zbres”, ascendere “ngjitem, hip”) dhe me gr. skedannumi “shpërndahet”, ku e ka burimin dhe ndërkombëtarizmi skandalon (shq. shkandull < lat. scandalum).

Kujtoj se dhe folja harr herr duhet ta ketë bazën e saj i.e. te *scarno, e cila ka paralelet e saj te lat. scindere “harr, gris”, angl short (<ang. e vj. sceort), kurse pa tingullin e parë s- dha çjerr, çorra; hija, gr. skia, angl. shadow (<ang. e vj. scead(h)uwe), që si në shqipen, si në greqishten e anglishten e vjetër, veç kuptimit të hijes, ka kuptimin edhe të shpirtit të të vdekurit.

Edhe fjala hir “dritë, shkëlqim” (khs. çiftin sinonimik hirësi=shkëlqesi, si dhe mbiemrin hirplotë = dritëplotë) ka përgjegjësen e vet te scinan e ang. së vjetër, përkatësisht gjermanishtes (ang. shine “dritë, shkëlqim”, gjerm. scheinen “ndrin, shkëlqen”).

Janë këta vetëm disa nga shembujt, që vetiu hedhin si të paqëndrueshëm mendimin e A. Llomës se në shqipen nuk kemi raste që grupi i.e. sk- para një zanore të hapur e, i të ketë dhënë h.

Meqenëse jemi te ky problem, po shtojmë se harnë dhe denominali harnoj kanë semantikisht përgjegjësen e vet te angl. shabby (ang. e vj. sceabb): “1 në gjendje të keqe; 2. veshur me rroba të vjetra ose të grisura; 3. me cilësi të ulët dhe 4. i pandershëm”, kuptime këto që i ka deri diku edhe fjala shqipe (khs. përcaktorin e mënyrës harna-harna, që karakterizon një njeri të veshur ose të mbetur si mos më keq: Ishte veshur harna-harna).

Por, kjo dukuri fonetike, si dhe të gjitha të tjerat, ka karakter historik, prandaj, të kërkosh që edhe në periudhën historike të shqipes ky grup të jepte h, është njësoj si të kërkosh sot restaurimin e sistemit skllavopronar! Prandaj, kërkesa e A. Llomës është një marrëzi e kulluar.

Lloma duhet ta dijë se edhe metateza e likuideve në gjuhët sllave, sikundër dhe rotacizmi, risimet e ndryshme të grupeve të bashkëtingëlloreve, kanë karakter historik, pra veprojnë vetëm brenda një periudhe të caktuar, prandaj dhe nuk janë të gjalla sot. Megjithatë, i ndërgjegjshëm sado-kudo për këtë fakt, ai citon mendimin e Çabejt se ky kalim sk > shk vihet re te latinizmi scamnum > shkam/shkëmb, por “harron” të theksojë se kjo është karakteristike edhe për hauzimet nga greqishtja e vjetër skalme > shkallme “shpatë”, skariphos > shkarpë “karthje”, po dhe te latinizmi pescis > peshk. Janë këta pesë shembuj bindës që e vërtetojnë rregullsinë e kalimit të grupit sk- në shk-. Një vështirësi tjetër, njësoj si N. Jokli, A. Lloma sheh dhe te ruajtja e grupit d(h)r të pareduktuar në r. Por, si tregon huazimi kulshedër/kuçedër nga chelydrus / chersydrus, grupi dr, sikundër edhe te fjala shqipe hudhër/hudër ashtu dhe te greqizmi balladër < barathron[8], ka mbetur i pareduktuar. Pra, nga sa shihet, kalimi Scodra>Shkodra është në përputhje të plotë me rregullsitë e fonetikës historike të shqipes.

Toponimi tjetër Durrës, i cili ka dhe sinonimin Epidamnum, që del me trajtat Dyrrachion, Dyrrachium, Durrachium, Durratio po ashtu tregon se mori formën e sotme Durrës pikërisht sipas ligjësive të fonetikës historike të shqipes. Së pari, theksi inicial, karakteristik për pothuajse mbarë kategorinë e emrave të shqipes, sikundër edhe për ilirishten, vihet re dhe te toponimet e tjera të lashta Ish(ë)m < lat. Ismanuns, Drish(ë)t < lat. Drivastum, Pul(ë)t < lat. Polatum. Për më tepër, si vë re dhe N. Jokli, te Drisht < Drivastum kemi dhe prapashtesën -sht, që e ndeshim edhe te fjalët kopsht, vresht, si dhe te toponimet ilire të kohës antike: Bigeste, Tregeste. Prandaj, kalimi i theksit në rrokjen e parë te Durrës është një karakteristikë e toponimeve, që heqin origjinën nga periudha antike. Kurse, reflektimi i grupit ti > s, si te latinizmat kursej < lat. curtiare, arsye < lat. ratio (me metatezën r-a>a-r), pus < lat. puteus, pjesë < lat. petia, ves < lat. vitium është i padiskutueshëm, etj[9].

Emri tjetër është Lesh/Lezhë < lat. Lissus. Edhe ky toponim, ashtu sikundër dy të parët, është zhvilluar plotësisht në frymën e ligjësive të fonetikës historike të shqipes dhe të huazimeve të saj latine. Këtu duhet vetëm të theksojmë se i-ja para dy bashkëtingëlloreve ka dhënë në shqipen rregullisht e: peshk < lat. piscis, meshë < lat. missa, shpesh < lat. spissus, ipeshkv < lat. episcopus, letër < lat. litterae,etj.

Edhe Vlona/Vlora me aferezën e rregullt të a-së dëshmon po ashtu se u zhvillua në pajtim me rregullsitë e fonetikës historike të shqipes. Për më tepër, trajta e rotacizuar, atë e çon vetiu para depërtimit të sllavizmave në gjuhën shqipe. Shih për këtë sllavizmat: zakoni, sana, bashtina, shtëpani etj. Afereza e rregullt e a-së te latinizmat në gjuhën shqipe pothuajse është proverbiale: mik < lat. amicus, prill < lat. apriles, rgjand < lat. argentum, lter < lat. altarius, i ngushtë < lat. angustus, Ndre < lat. Andrea, naforë < lat. anaphora, ndaj do të ishte vërtet e habitshme sikur Avlona/Aulona të mos jepte në shqipen Vlonë/Vlorë[10].

Përkitazi me mosreflektimin e -l-së në -ll-, një rregull kjo e huazimeve latine, kur l-ja është intervokalike, arsyet janë edhe më të thjeshta. Kur kjo likuide shoqërohet nga ndonjë bashkëtingëllore, ajo vazhdimisht nuk dyfishohet: vlej < lat. valere, pëlqej(< plaqej) < lat. placere, pëlqyer < lat. pollix pollicis, qelq < lat. calix calicis, këlshenjt < lat. calix sanctus, mblatë < lat. oblatus, i gjelbër < lat. galbinus, i kaltër < lat. caltha, shelg < lat. salix salicis, etj. Është po kjo arsyeja pse l-ja nuk u dyfishua as te Pul(ë)t < lat. Polatum, ku kalimi i o-së së patheksuar në u është po ashtu një rregull: kuvend < lat. conventus, kushëri < lat. consobrinus, kufi < lat. confinis, mulli < lat. molinum, murg < lat. Monachus etj[11].

Për të mohuar ekzistencën e shqiptarëve në brigjet e Detit Adriatik dhe të Deti Jon, e kështu dhe prejardhjen e tyre nga ilirët, Aleksandar Lloma pajtohet që toponimi Shtip, duke marrë parasysh aferezën e a-së dhe kalimin s>sh, është krijuar me ndërmjetësimin e shqipes, sikundër që pajtohet dhe me Nishin e Shkupin, por asessi me toponimet e bregedtit shqiptar, as të Shqipërisë. Por, një mospajtim të thellë shpreh me Sharrin, i cili qenka dashur, sipas rregullave të fonetikës historike të jepte Shard e jo Sharr, sikundër që, gjoja, paska dhënë Sredska, si tregon dhe toponimi i kryeqytetit të dikurshëm të Bullgarisë Serdika. Është e pashpjegueshme si grupi sk dha sh te Shkupi, kurse te Sharri < lat. Scardus mons jo[12].

Mendimi i Çabejt është se jo vetëm Shkodra, Durrësi, Vlora, Leshi/Lezha, Drishti, Kunavja, Ishmi të Shqipërisë Veriore dhe të Mesme, pastaj Nishi, Shkupi, Sharri dhe Shtipi të Dardanisë, por edhe toponimet në jug: Çamëria dhe Arta janë toponime që mund të shpjegohen vetëm falë ligjeve të fonetikës historike të shqipes. Ky intepretim i Çabejt u përkrah nga pothuajse të gjithë lingusitët seriozë: Ajeti, Domi, Gjinari dhe të huajtë: Cimohovski, Zeitler, Solta, Desnickaja, Hampi, Katiçiqi, etj.

Interes të veçantë paraqit emri i Artës, i cili në greqishte pati formën Arakthos, kurse në ilirishte mori formën Artus, si vë re Paul Kreçmer, duke theksuar se shndërrimi kt:ht:t ishte një shndërrim ilir, për të cilin mund të bindemi edhe nga shqipja: shq. natë, lit. naktis; shq. pesë, sanskr. pankti[13].

Edhe emri i Çamërisë shpjegohet njësoj me ndërrimin e grupit th>t, si dhe me shndërrimin e rregullit të grupit tingullor ti>s, përkatësisht ç. Për ndryshimin e shpeshtë s:ç të krahasohet çuka:suka, cok:sak, rum. çoara, shq. sorra, që mendoj se, si huazim nga shqipja, ruan një formë më të lashtë të fjalës. Këtë kalim ti>ç, për më tepër, e ndeshim edhe te çmoj< lat. aestimare.

Mendimi se zhvillimet e ndryshme tingullore, sidomos kalimi i grupit -rv- > -rb- te Kurbini që vjen nga latinishtja Curvinus, mund të jenë parashqiptare-romane, megjithatë nuk qëndron. Po të shohim latinzmat korb < lat. corvus, shërbej < lat. servire, shihet se ky ndryshim i grupit bashkëtingëllor -rv- > -rb- është krejtsëkrejti në frymë të shqipes. Se ndryshime të tilla mund të ketë dhe në gjuhë të tjera, ku nuk dëshmohet ky toponim, kjo është një çështje fare tjetër 14 (Shih edhe Sh. Demiraj, vep. cit).

Po ashtu, mendimi i A. Llomës se tek emri i Vjosës vihet re bukur mirë ndërmjetësimi i sllavishtes, nuk qëndron, sepse edhe shqipja e njeh protezën e v-së, sikundër dëshmojnë latinizmat vaj/voj < lat. oleum, i varfër/i vorfun < lat. orphanus, si dhe te sllavizmi ubog > shq. i vobek / i vapek.

Mungesa e kalimit s>sh, si te një numër tjetër toponimesh: Patosa, Vizitor tregon se këto janë krijime të vona. Por, hidronimet e tjera, si Dri, Shkumbin, Mat, megjithatë kanë formën e sotme nga ajo antike Drinus, Scampinus, Mathis pikërisht duke u mbështetur në reduktimet e ndjeshme fonetike, si dhe në zhvillimet e rregullta s>sh, th>t të shqipes.

Ajo që s’mund të durohet më së shumti te studiuesit, kryesisht sllavë, është shpjegimi i Rushës, trajtë kjo shqipe e Ragusiumit, që del te vepra e Bogdanit, me fjalën shqipe “rrush”, si dhe i Matit me fjalën shqipe “mat”, buzë deti a lumi. Ndërkaq, shpjegimi i Ulqinit (lat. Ulcinium) nga fjala “ulk” tashmë është një fakt i pranuar nga të gjithë, sikundër dhe mbaresa e shumësit -inj.

Vargut të toponimeve antike u shtohen me të drejtë, nga studiues të ndryshëm, edhe Puka, Shutrri, Vila, Valbona, Vinjalli, Rjolli, Groftat. Këtu do të mund të hynte sigurisht edhe Vermoshi, Qafa e Prushit.

Puka, që haset edhe te “Fjalori...” i Bardhit si udhë pukë, si vë re Jokli, është një trajtë e reduktuar e via publica, kryekreje sipas rregullave të shqipes, e në fytyrën e latinizmave, që humbën rëndom në shqipen rrokjet e patheksuar, konkretisht -bli- 15 (Po ai, po aty.).

Edhe Shutrri, që del si emër i një shpelle në Lurë (Shutrrija e Selitës), sipas Joklit, vjen nga subterraneum e latinishtes. Edhe te ky toponim vihet re evolucioni i rregullt s>sh, si dhe reduktimi fonetik i fundit të fjalës.

Vila nga latinishtja villa “farmë, shtëpi katundi; katund”, është fundekrye në pajtim me rregullën që -ll-ja në ndërmjet dy zanoreve ka dhënë rregullisht në shqipe -l-, kurse -ll-ja rregullisht -l-. Për këtë arsye, është e kuptueshme dhe e logjikshme që vallis bona “luginë e bukur” të jepte Valbona, sikundër vinealis > Vinjall dhe rivulus (një deminutiv ky i rivus) “përrue” > Rrjoll 16 (Po ai, po aty).

Si vë re Demiraj, te toponimi Vinjall, veç të tjerash, është vërtetuar edhe ndërrimi n>nj (khs. njerka< lat. noverca), kurse dyzanori -iu- është shndërruar në diftongun -jo- te Rrjoll.

Toponimin Groftat Jokli e bie të ardhur nga crupta/crypta (gr.kruptë) “dhomë e nëndheshme për rituale; hark; shpellë; dhomë-varrezë nëntokësore pranë një kishe; galeri e mbuluar”. Kalimi i -u-së në -o-, si tregon dhe trajta italiane grotto është i shpjegueshëm. Megjithatë, ndërrimi -pt- > -ft-, kujtojmë se ndeshet edhe te huazimi latin aptus > shq. i,e aftë. Në këtë pikë është me interes edhe mendimi i prof. Eqrem Çabejt rreth foljes kafshoj/kapshoj, ku raporti psh:fsh del i shpeshtë në fjalët si: fshat:pshat, fshij:pshij 17 (E. Çabej, “Studime gjuhësore”, I, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 257). Ndaj, nuk mund të pajtohemi me profesor Shaban Demirajn se grupi -pt- > -ft- u përftua në analogji me -ct- / -jt- si te mbiemri directus > i drejtë, po dhe dreq.

Vermoshi, emri i përrockës dhe katundit me të njëjtin emër, me evoluimin e rregullt s>sh tregon se i përket vargut të toponimeve e hidronimeve të lashta të shqipes. Rrjedh sigurisht nga mbiemri latin formosus “i bukur, i formuar bukur, që ka pamje të bukur”.

Hidronimi Buena/Buna ka pasur një interpretim nga më të rrallët nga studiuesi ynë i zellshëm Dr. Ruzhdi Ushaku në studimin “Për një rishikim të prejardhjes së hidronimit Buenë-Bunë”[14], në të cilin autori përfundon me të drejtë, ndryshe nga E. Çabej, se ky toponim, që ka një rëndësi të madhe linguistike dhe etno-gjeografike, rrjedh, në të vërtetë, nga Barbanna antike. Duke e parë Barbannën si një fjalë me një strukturë dygjymtyrëshe, pjesa e parë e së cilës është bar-, kurse e dyta banna, për dallim nga dijetarët e mëparshëm, Jokl e Bariç, që tek -anna shiheshin pa të drejtë një sufiks, Dr. Ruzhdi Ushaku, me një argumentim të bindshëm, e bie në një vijë të drejtë Buenën/Bunën nga (Bar)banna ilire. Lidhja e saj me Sukubinën dhe Bindin ilir, e bën edhe më të vetëkuptueshme këtë vazhdimësi iliro-shqiptare, si dhe evoluimin fonologjik të -a-së së gjatë në trup të gjymtyrës sipas rregullave fonetike të alternimit apo të këmbimit të kësaj foneme në o, që në këtë pozicion të rrokjes së mbyllur ka shpënë te diftongimi në au, përkatësisht ou, duke kaluar nëpër disa shkallë, siç janë ou:ua:ue(ui):u19 (Po ai, po aty. )

Për ndërrimin a:o duhet të përmenden fjalët “mollë” (khs. lat. malum) dhe motër (khs. lat. mater) të fondit indoevropian të shqipes dhe greqzimi mokra < gr. e vj. makhana. Ky ndërrim, që kujtojmë se ndeshet, po morëm parasysh theksin inicial të ilirishtes, edhe te hidronimi Shkumbini (lat. Scampinus), tregon se është shumë i vjetër, sepse a-ja e theksuar nuk ka dhënë më o tek asnjë huazim latin. Me një fjalë, ka pushuar së vepruari para depërtimit të latinëve në trojet shqiptare. E kjo ia rrit edhe më shumë peshën hidronimit Barbanna, që ngjiti sigurt lartësitë e shekujve që nga kohët më të mugëta e deri më sot.

Është për t’u theksuar se gjymtyra e parë e kësaj kompozite ndeshet edhe te Bardei, fis ilir; te emri i lumit Bardarus/Vardarus, te hidronimi tjetër Bargallnica; Bargos/Margus (Straboni), si dhe te Ibar=Ibër/Ibri. Si tregon forma latine Margus, e afruar me margo, gen. -inis, mund të supozohet me mjaft saktësi se kjo rrënjë kishte kuptimin e bregut dhe të shtratit të lumit, sikundër që ka dhe hidronimi Mat (khs. ang. bank < banki “breg i lumit” në gjiri me bench). Duhet të shtojmë se bar në gjuhën baske do të thotë luginë, sansk. barbaru “ujë”, gr. borboros “baltë”, srbkr. bara “moçal”, shq. bërrakë. Po morëm parasysh veprimin e haplologjisë (khs. shq. veton < vetëveton, fërllazë < fërfëllazë, fërllizë < fërfëllizë) besojmë se mund të vihet re lehtë se edhe rrënja bar, nën veprimin e haplologjisë, vjen nga sanskritishtja barbaru. Këtu duhet të shihet edhe barka, një fjalë me origjinë mesdhetare, që besohet se vjen nga greqishtja baris, gen. -idos < egjip. br. Batisti këtë fjalë e lidh edhe me Ibarca (ku i është nyje e iberishtes) dhe me barisa “njëlloj ene”. Prandaj, edhe te Ibër duhet të shohim nyjën e shqipes, por rrënja është gjithnjë bar.

Vargut të toponimeve të vjetra është për t’iu shtuar edhe Bylazora/Vylazora, emri i qytetit të sotëm Veles në Maqedoni. ku, si mendohet me të drejtë, gjymtyra e dytë e fjalisë lidhet me fjalën shqipe urë<ora. Këtë mendim të Romanskit, që gjen mbështetje edhe në emrin turk Këprulu, e përkrahën si Majeri, po ashtu dhe Jokli[15]. Ne do të shtonim këtu vetëm mendimin e Polybit se mbreti Filip zuri Bylazorën, qytetin më të madh të Paionisë, që ishte kyç për dyndjet që vinin nga Dardania. Kësaj mund t’i shtohet edhe lumi Korkora: “Afër Nauportit gjendet lumi Korkora, mbi të cilin mund të kalojnë anije të ngarkuara...”[16], që, me sa shihet, ka kuptimin e njëlloj ure për kalimin e anijeve, madje të ngarkuara.

Duke marrë parasysh se Bajgora në kohë më të hershme ish­te një urë-lidhëse ndërmjet Sanxhakut të Nishit dhe San­xha­kut të Vushtrrisë, përkatësisht ndërmjet zonës së Llapit e Ga­lla­pit dhe Mitrovicës e Drenicës, na thotë mendja se kjo fjalë, pa­va­rësisht se rreth kuptimit të saj shfaqën mendime dhe mos­paj­ti­me të thella dy nga gjuhëtarët tanë më të mëdhenj, E. Çabej dhe I. Ajeti, i pari duke u munduar ta shpjegojë nga fjala shqipe baj­gë, kurse i dyti nga një gurrë sllave, duhet të lidhet po ashtu me for­mën e kryehershme të urës (<ora), kuptimi i kryemoçëm i së ci­lës ishte hark, kalesë (khs. ura e supit, lat. clavicula).

Po përkrahëm mendimin e Varronit se dema shumë të egër ka në një numër të madh edhe sot në Dardani, Medi dhe Thraci, na thotë mendja se edhe Damastioni, një nga qytetet e rën­dë­sish­me të Dardanisë (i cili ubifikohet, sipas arkeologut Haxhi Meh­me­taj, në afërsi të Novo-Bërdos), duhet të lidhet me demin, që, si vë re Çabej, është një shumës i singularizuar i damit. Përkitazi me përkimet e këtij emri në gjuhët e tjera[17] Çabej ka dhënë she­mbuj të mjaftueshëm mga irlandishtja e vjetër, greqishtja, in­di­shtja e vjetër. Është interesante sintagma dem i tërbuar, e cila, si tregon dhe paralelizmi i latinishtes domo, -are, flet për një ka­f­shë që do zbutur. Si temë e zgjeruar me formantin -n, ndeshet edhe tek Epidamnus, emri i dikurshëm i Durrësit. Edhe te to­po­ni­mi Damastion vihet re prapashtesa e lashtë -st>-sht, si te Dri­vas­tum, Bigeste, Tergeste, që ndeshet te kopsht, vresht, kurse ne do të shtoni edhe vjeshtë, kohë e të vjelave (khs. gjerm. Ernte “të korrat, të vjelat” dhe Herbst “vjeshta”, prus. e vj. assanis, srbrk. jesen “vjeshtë”, baza i.e. es + -shtë) etj.

Se kjo kafshë pati një rëndësi të madhe në toponomastikën e Ballkanit, tregon shkoqur edhe historiani i dëgjuar Konstantin Ji­reçek, i cili, midis të tjerash, citon Varronin, i cili dëshmon për një lloj të demit të egër shtëpiak (boves perferi) në Dardani. Em­ri i vendit Boureni nga rum. bouru “dem”; pastaj emri i visit Tur­polje te Zagrebi, fshatrat Turova, Turje, Turica, Turiqi, Tu­r­ja­ne[18], si dhe, ne do të shtonim, Turi]evc (mbase dhe Burojë, fshat ky ngjitur me Turiqevcin, khs. rum. bouru “dem”)në Drenicë, Turiçicë në Llap, që të gjitha lidhen me formën latine të emrit të demit taurus.

Veç të tjerash, te shqiptarët, si dhe te shumica e popujve të Ba­llkanit, ekziston gojëdhana, megjithatë e veçantë, për Demin e Zi, i cili e mban Tokën në bririn e vet. Zemërimi i tij bën që të ndo­dhin tërmetetet, të cilat jo rrallë rrënuan Dardaninë, prandaj nje­rëzit tregojnë një kujdes të veçantë për të mos e ngacmuar, etj.

Rëndësia e demit, sidomos te shoqëritë e lashta, qe tejet e ma­dhe. Të përmendim vetëm se shkronja e parë, alfa, lidhet pi­kë­risht me figurën e demit; se përkrenaren e tyre keltët e sto­li­s­nin me brirët e demit, se Apisi qe hyjnia më e adhuruar egji­p­tia­ne, që adhurohej në Memfis, mishërim i perëndisë së diellit Pta që shfaqej në brinjët e një demi, në formën e një disku diellor, etj[19].

 



[1] E. Çabej, “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e toponimeve të vendeve”, “Studime gjuhësore”, IV, Prishtinë, 1977, f. 143 et passim;“Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e toponimeve të vendeve (autorecension)“Studime gjuhësore”, IV, Prishtinë, 1977, f. 154 ” dhe “Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës dhe të emrave të vendeve”, në “Studime gjuhësore”, IV, Prishtinë, 1977, f. 155 et passim.

[2] Aleksandar Loma, Sloveni i Albanci do XII u svetlu toponomastike”, in “Stanovništvo slovenskog poriejkla u Albaniji”, Istorijski Institut Crne Gore, faqe 279-325, 1991.

[3] E. Çabej “Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte”.

[4] Po ai, po aty, f. 281.

[5] Po ai, po aty, f. 283.

[6] Po ai, po aty, f. 287.

[7] Shih dhe E. Çabej, SGJ, III, Prishtinë, “Rilindja”, f.139.

[8] E. Çabej, “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emrave të vendeve” në “Studime gjuhësore”, IV, Prishtinë, 1977, f. 148 dhe E. Çabej, “Vendi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës e të emrave të vendeve”, po aty, f. 157.

[9] Shih edhe Shaban Demiraj, “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, “Rilindja”, Prishtinë, 1989, faqe 151 et passim.

[10] Po ai, po aty.

[11] Po ai, po aty.

[12] A. Lloma, po aty, f. 313.

[13] Paul Kreçmer, “Hyrje në historinë e gjuhës greke” në “Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, “Rilindja”, Prishtinë, f. 147-148.

[14] Ruzhdi Ushaku “A Re-examination of the Origin of the Hydronim Buena -Buna” në “Filologjia”, nr. 4, Prishtinë, 1997, f. 45 et passim.

[15] E. Çabej, “Studime gjuhësore”, II, Prishtinë, 1976, f. 250.

[16] Polyb. V 97,1 dhe Liv. XLIV 26,8 te “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1979.

[17] E. Çabej, “Studime gjuhësore”, XI, Prishtinë, 1989, f. 1919.

[18] K. Jireçek, Istorija srba, I, Beograd, 1988, f. 8.

[19] Todi Dhama, “Fjalori i mitologjisë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1988, f. 36.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora