Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Daja

| E merkure, 29.07.2015, 07:47 PM |


KRISTAQ TURTULLI

DAJA

Tregim

Gallaktion Viso kthehej në shtëpi pas një turni të zgjatur dhe rrugëtimi të mërzitshëm me tramvaj dhe metro. Ditë e nxehtë, të mbahet fryma. Në stinën e verës kur qielli rëndohet dhe bie shi i vrullshëm, pas shiut bën zagushi e padurueshme. Por Gallaktioni qe përgatitur shpirtërisht të hante një drekë të shijshme, peshk në tavë të mbytur në verë. Dje në mbrëmje bleu në një dyqan peshku salmon të freskët. I kushtoi pak shtrenjtë se ishte goxha peshk, por ia vlente. E marinoi me erëza, u  futi dy thelpinj hudhra, të  prera hollë, e paketoi dhe e vendosi në frigorifer. Elenës i vjen ndoresh në gatim, sidomos e qan përgatitjen dhe pjekjen e peshkut në tavë.

Gallaktioni eci ngadalë në platformën e metrosë dhe u drejtua nga molli i vogël. Mendoi të lehtësohej një copë herë prej ajrit të kondisionuar. Makinën Hyndai e çoi dje te dilleri, i bënte zhurmë motori. Elena gjithnjë i thotë, flake dreqen në varreza, blemë të re, por ai s’vendos është mësuar me atë dreqe.

Punën me orar të zgjatur e kërkoi vetë, i nevojiten disa dollarë më shumë të përballojë koston e lartë të jetesës, rregullimin, karburantin e makinës, rritjen e çmimeve dhe shlyerjen e borxhit që mori nga banka për blerjen e apartamentit. Flitet se dollari po bën pikiatë dhe vendi është në reçeshën.

Pesë muaj më parë Elenën e nxorën në asistencë, kompania farmacisë ku punonte ajo, u vuri drynin godinave të mëdha. Punëtorët i nxori të papunë dhe lëvizi drejt lindjes së largët, në Kinë. Para një jave vajza e vogël Mirela mori fletë lavdërimi në garën parashkollore në patina. Ajo vërtitej si pulëbardhë e vogël në akull dhe atij i gufonte zemra nga gëzimi. Ai e do marrëzisht vajzën. E dërguan në kampin veror në një nga parqet provincialë.

Sidoqoftë, të hash peshk të freskët të marinuar, të pjekur e të mbytur në verë ia vlen barra qiranë. Shishen tjetër me verë Bordo, të cilën e bleu kur qe në Francë e vuri të ftohej në frigorifer qysh në mëngjes.

Celulari vibroi dhe ai pa numrin e shtëpisë.

-Alo!

-Ku je?- dëgjoi zërin e paduruar të Elenës.

-Për pesë minuta më ke shtëpi,- u përgjigj dhe përshkundi shpatullat të largonte plogështinë. Elena, gruaja e tij, me fytyrë të gjerë, flokë të dendur, të zinj, të derdhura si ujëvarë mbi shpatullat e shëndosha. Ai shpesh i thotë me shaka: Flokët e tua Elenë janë Niagarë. Elena është grua e dhembshur e përkujdeseshme, por trishtohet shpejt, ngandonjëherë dhe nervozohet. I ndodh më shpesh pas mbylljes së punës dhe daljes në asistencë. Ai nuk e mërzit, por e inkurajon. Ndërkohë ajo ka bërë disa intervista dhe është në pritje të një pune të re.

Të dy u  njohën te ‘Lëvizja Mjaft’ dhe krijuan miqësi. Ai kishte derte të vjetra të parealizuara, ajo e revoltuar nga padrejtësitë dhe përvetësimet e padrejta. Gallaktionin jo rrallë e argëtonte revolta dhe trishtimi i saj naiv. Ai qe zhgënjyer me kohë prej të mëparshmit por dhe këtyre të sotmit.

Një pasdite Elena qe tmerrësisht e trishtuar dhe me sytë e rrëmbushur, filloi të fliste për padrejtësinë që shëtisnin sheshit në ditë me diell. Ai për ta qetësuar e puthi disa herë në buzë, dhe të lodhur nga zhurma dhe zallahia, u ngushtuan në një tendë dhe fjetën së bashku. Ajo e vështroi ngulët, syshqyer, palëvizur, priste që ai ti thoshte, të dua dhe, marrëdhënia jonë seksuale nuk ishte rastësore. Por Gallaktioni u ngrit në mëngjes dhe iku. Kur u bë gati të kthehej, ti thoshte, Elenë ishe e mrekullueshme dhe çuditërisht e virgjër, e rrëmbeu turma që po shtyhej drejt qendrës së qytetit.

Elena mbeti prapa, në çadër, me çudinë e ronitur. Ajo ishte aktiviste e pasionuar për ndryshim. Ndërkohë një vit më parë aplikoi për emigracion në Kanada. I doli viza. Ajo i foli atij për ikjen e papritur, mijëra kilometra larg. Gallaktioni e vështroi i habitur dhe s’ tha gjysmë fjale. S’ vendoste të bënte ikje përfundimtare, pavënë disa gjëra në vend dhe aq më tepër përtej oqeanit. Prandaj i tha:

‘Ç’është kjo ikje, po unë, po lëvizja Mjaft?’

‘ Sepse është Mjaft,’ ia ktheu ajo.

Me thënë të drejtën Gallaktionin nuk e tërhiqte aq fort Elena fytyrëgjerë, me trupin e bëshëm, gjoksin e madh dhe përlotjen pa shkak për marrëzitë e politikës, paçka se i doli e virgjër. Elena iku dhe ai vazhdoi ti binte tamburasë pa bereqet në ‘Lëvizjen Mjaft’ dhe të bënte në limonti aventura të mugëta në rrugët pa drita të kryeqytetit.

Pas një viti Elena i dërgoi letër ku e ftonte pa shumë ceremoni, të vinte në Kanada dhe të jetonte me të. Ai u habit, kujtoi një hop se e pat harruar, kështu ndodh me të gjithë, kur ikin hedhin prapa tre gurë. Të gjitha lëvizjet, ëndrrat dhe joshjet në mëmëdhe ishin bërë për qepë me kripë. Elena e donte vërtet dhe ai e besonte. Ajo erdhi e takoi dhe ia bëri dokumentet. Ishte bërë më e bëshme se më parë, por qe sheqer dhe mjaltë. E tërhoqi prej Shqipërie. Ai la pas kujtimet e trishta, malin e madh të llafollogjisë dhe dhembjet e kokës...

Gallaktioni mori ashensorin që çonte në katin e pesëmbëdhjetë, në folenë e tij. Sa do trokiste, Elena ja hapi derën me vrull e mbushur me djersë. I gjithë ambienti mbante erë peshk të pjekur në tavë. Flegrat e hundës së tij u zgjeruan dhe nepsi i ngrënies iu shtua. Peshku pjekur, i mrekullueshëm do ti a largonte lodhjen dhe vapën si me magji. Ai dalloi vetullat e gruas ishin shkerpërruar.

-Ore Gali, qenke sekret i madh,- iu shkreh ajo, pa i lënë kohë të mbushej me frymë dhe të çlodhej.

- Unë sekret i madh!- ia pat i habitur Gallaktioni dhe u ul në divan.

-Ti po kush, na paske një dajë të dashur dhe s’më ke treguar.

-Ah, daja- mërmëriti Gallaktioni dhe fërkoi ballin i menduar, pa e mbledhur akoma veten.

- Po daja,- u përgjigj Elena dhe fshiu duart pas përparëses.

- Daja yt, sigurisht...- foli ultas Gallaktioni.

-Ama ç’ja vesh kot,-ia bëri Elena e bezdisur:- Ti e di mirë që unë s’kam dajë.

-Kur ti s’ke dajë, i kujt duhet të jetë ky dajë!- mërmëriti Gallaktioni i nevrikosur dhe me vete shtoi: Ç’domethënë ky dajo, nga u gjend ky daja mijëra kilometra larg Shqipërie.

Elena më vështroi e habitur, mblodhi flokët topuz prapa, përdrodhi buzët me nënvleftësim dhe tha:

-Daja yt qe xhanan burrë.

-E takove?!-klithi Gallaktioni.

-E takova posi, erdhi dhe u ul atje ku je ulur ti.

-E takove, erdhi, u ul këtu!- gërhiti Gallaktioni dhe kërceu si me sutë prej vendit ku qe ulur.

-Përse habitesh, e mbajta për drekë. I gjori plak ishte gjithë mall e dashuri dhe sa herë fliste për ty s’i përmbante lotët. Të paska dashur fort, të ka rritur si djalin e vet dhe ti se përmendur, nuk e ke zënë kurrë në gojë të gjorin dajë.

Gallaktioni u kapërdi me vështirësi, nuk donte ta zgjaste më tej. Donte ta largonte për momentin fantazmën dajë. S’kish përse ti a prishte kënaqësisë së afërt të peshkut të pjekur në tavë. U kujtua që këmisha i ishte ngjitur pas kurrizit prej djersës.

-Sa të bëj një dush të lutem më shtro të ha dhe mos harro të heqësh dhe verën nga frigoriferi,- i tha, hoqi këmishën, pandallonat dhe bëri të hynte në banjë.

-Të bëj sallatë se peshk s’mbeti shumë, e hëngri daja,- dëgjoi Elenën.

-Çfarë, peshkun ma hëngri daja?!

-Po, çfarë ti nxirrja më të mirë se peshku. I gjori plak, i lodhur, i malluar, i ardhur nga larg. Daja hante, më uronte, lëpinte gishtërinjtë dhe përlotej..,- dëgjoi të shoqen teksa shtynte derën e banjës.

-Edhe pa peshk më le o dajë, fantazmë,- ia bëri Gallaktioni dhe lëshoi ujin e vakët të dushit ti binte në trup, por nuk i bëhej të fërkonte trupin,i kishte krahët e prera.

Uji shushurinte dhe kërcente mbi trupin e zhveshur. Atij u kujtua ngjarja dhe daja, që i la vragë të pashlyeshme në jetën dhe shpirtin e tij...

Për shkak të kalit të zevzek, rrotat e karrocës ia thyen të dyja këmbët të atit. Çuditërisht i ati s’fajësonte kalin për sakatllëkun, por hijet e zeza që vërtiteshin në haur, megjithëse disa muaj më parë kafsha e kafshoi në kokë, kur po i hiqte gozhdën nga patkoi. Gallaktioni kur pa që familje e madhe, babai sakat, nëna e sëmurë, diabetike, kishin nevojë të mbushnin barkun me bukë. Si djali më i madh edhe pse fare i ri, la shkollën, pastroi haurin nga plehrat dhe bajgat, e lidhi kalin pas trungut që mbante shtëpinë dhe e ndëshkoi me thupër, derisa e bëri pestil. I ati lart rënkonte prej keqardhjes më shumë se kali, por  Gallaktioni vazhdonte të fshikullonte kalin, të mos trembej nga hijet, të mos kafshonte dhe të mos u thyente këmbët njerëzve. Filloi punën si karrocier në këmbë të atit, të shpërndante qumësht, shalqinj, fruta e perime në dyqanet e zarzavateve të qytetit.

Në fillim Gallaktioni hasi vështirësi të mëdha, mosha e re, mosnjohja dhe nënvleftësimi. Magazinieri Syrja, surrat mi, i binte në qafë, shpesh herë ja hidhte në mallra, duke i dhënë gjysmë të kalbura, shoqëruar me të qeshurën hipokrite:

‘Hajde, lëviz qumështor i xhaxhit,’ dhe i binte lehtë bythëve.

Gallaktioni largohej prej magazinës i rrëmbushur dhe fshikullonte i inatosur kalin e gjorë. Dyshimet, grindja, romuzet e shitësve dhe mbi të gjitha paga e ulët, i linin një shije të hidhët në gojë, mbasi nuk përballonte kërkesat më elementare të familjes. Aq sa një mbas dite me mjegull s’duroi më. Magazinieri Syrja i rrasi një thes me qepë që kundërmonin erë të kalbur, shoqëruar me të qeshurën hipokrite:

‘Hajde qumë..., dhe, në momentin që do ta prekte për bythe, Gallaktioni iu kthye vringthi, me shpejtësi u tendos, vetëtimthi u zgjat dhe sa hap e mbyll sytë, e mbërtheu Syrjanë për koqe, ia shtrëngoi me gjithë fuqinë. I cili nuk e priste dhe klithi prej dhembjes,

‘Dëgjo këtu ti Syrja,’ i tha Gallaktioni: ‘Po të dëgjova të më thuash qumështor, një, po më preke, dy dhe po nuk i mbajte vandakët drejt, tre. Do ti këput këto koqe të fishkura dhe do ti jap në dorë.’

Syrjaj syzgurdulluar, i llahtarisur, rënkonte nga dhembjet:

‘Aman, më lësho ore, se më vdiqe.’

Gallaktioni e lëshoi dhe Syrjaj duke kërcyer si kangur iku me vrap drejt e në banjë. Bëri ujët e hollë dhe duke dihatur si kafshë shkrofëtinte:

‘Spurdhjaku mi bëri koqet copë.’

Dalëngadalë Gallaktioni ia mori dorën punës. Magazinieri Syrja i kërko i ndjesë, filloi ti sillej ndryshe, i afroi një marrëveshje por pa guxuar ta shohë në sy. Ndërsa shitëset e prisnin me buzëqeshje, ndonjëra prej tyre, si fjala vjen Serina s’përtonte, ngjiste buzët e plota pas buzëve të tij.  Ai njohu të fshehtat dhe hiletë e zanatit, huqet e shitësve, puna i ecte mirë dhe familja e madhe e përballonte jetesën.

Por një mbrëmje të ftohtë dimri me borë, kur po dilte nga hauri, pasi i kishte larë kalin dhe dhënë tagji. Dy duar të forta e mbërthyen nga shpatullat i hodhën hekurat dhe e flakën në një furgon të zi. Gallaktioni vërtiti sytë i nemitur, s’kuptonte ç’po ndodhte dhe mërmëriti zë holluar prej tmerrit:

‘Çfarë kam bërë që më arrestoni?!’

Policët nuk i kthyen përgjigje. E hodhën e birucë dhe pas disa orësh e thirrën në hetuesi, i thanë:

‘Akuza jote është e rëndë; përvetësim të pronës socialiste.’

Gallaktioni e mohoi kategorikisht. Hetuesi e akuzonte por nuk i paraqiste fakte. Ai s’pranoi gjë. U tha:

‘Jam i pafajshëm, ku është vjedhja ime, shikoni faturat, kontrolloni të gjitha hyrjet, daljet dhe shpërndarjet e mallrave.’

Ata kontrolluan faturat, të gjitha dilnin në rregull. Por hetuesi Laver kishte informacion të saktë dhe po pëlciste nga marazi. Sa herë e thërriste në hetuesi, e vinte në mengene, të pranonte fajin se s’ kish rrugëzgjidhje tjetër, shtonte:

‘Që ke vjedhur, këtë e di dhe bufi. Po na i  trego marifetin djallëzor që përdore kur përvetësove e pronën shenjtë të popullit. Sa për dijeni informata është e sigurt. Që do dënohesh për vjedhje kjo s’ka diskutim. Por më trego në ç’mënyrë i bëje allishverishet, jo për gjë por vetëm sa për procedurë hetimore.’

Gallaktioni këmbëngulte në të tijën:

‘ Kur të gjitha faturat, hyrjet daljet janë në rregull, çfarë kërkoni prej meje. Më lini të shkoj në shtëpi.’

Hetues Laveri skërmiste dhembët dhe fshikullonte kamxhikun. E ëma nga meraku i burgosjes së tij po sëmurej gjithnjë e më keq. Berber i të burgosurve ishte dajë Samiu, vëllai i nënës. Një ditë i hyn në qeli dhe me shprehje të mërzitur në fytyrë i foli për nënën, për varfërinë dhe pasojat e rënda që pësoi familja nga burgimi i tij.

Po unë çfarë faji kam bërë që më kanë burgosur?’ia ktheu i lodhur Gallaktioni,’ Unë punoja, ngarkoja, ç’ngarkoja gjithë ditën dhe mbaja familjen me djersën e ballit.’

‘He, he, me djersën e ballit, por me marifete ama,’ ia pat dajë Samiu.

‘Dhe ti o dajë flet kështu!’

‘ Pse unë se di?! Sy lesh më di mua?! Hë të keqen daja, tregoi dajës çfarë marifete bëje ti a hedhësh lumit një herë e mirë, të shpëtosh.’

Gallaktioni e pa dajën me dyshim dhe ai ktheu?

‘Skam bërë asnjë marifet, kam punuar me ndershmëri.’

Daja luajti kryet, u përtyp dhe tha:

‘Hëm ndershmëri, e di unë e di..!

Gallaktioni si ktheu përgjigje, por u tërhoq në cep të qelisë. Daja pas një copë herë doli prej qelie. Ai mbeti vetëm. Ç’donte daja prej tij?! Çfarë fitim kishte ai që vinte dhe gërmonte?! Ditën e nesërme pas dreke erdhi e ëma në takim. Ajo ishte e zbehtë, e merakosur, i foli me zë të lodhur, të mekur, iu lut:

‘Biro mos ngulmo si mushka, tregoja dajës marifetin. Dajë si dajë ta do të mirën. Ai më dha fjalën do të shpëtojë njëherë e mirë prej burgut.

‘Mos ka ndonjë hile këtu moj mama,’ i ankua Gallaktioni.

‘Korba unë ç’thotë djali! Daja yt, vëllai im të ketë hile me ty! Të gjithë hetuesit deri te kryetari e degës janë miqtë dhe shokët tij. Hë biro...’

Ditën tjetër erdhi polici dhe e nxori prej qelie. E shoqëroi në dhomën e qethjes ku e priste daja me përparëse të bardhë dhe me gërshërë në dorë.

‘Të qenkan rritur shumë shpejt qimet,’ i tha daja dhe i kaloi makinën mbi çaçkë. I qethi kokën e bëri tullë. Pas pak e pyeti:’ Ti pres këto qime të buta që të kanë dalë në faqe?’

‘Priji,’ i foli me përtesë  Gallaktioni.

Dajë Samiu mprehu briskun pa meshinit, të varur në mbështetësen e karriges dhe ia kaloi briskun nipçes në faqet e trendalifta. Daja shtyu derën e dhomës së vogël të berberanës dhe nisi ti a pastronte qafën dhe fytyrën me peshqir të lagur. Më pas e disifektoi me alkool. Ai dukej i paduruar, i nervozuar. Sytë e vegjël i ishin errësuar dhe hunda poçe i ishte skuqur.

‘Ore nipçe, qenke fare pa shpirt, bre. Mbrëmë isha nga shtëpia jote, e gjora jot ëmë është bërë gjysmë njeri, po tretet si qiri, gjithnjë qan, s’të dhimbset ore. Mirë për mua, dajën nuk ke respekt. Unë këtu, me këtë gërshërë mbaj shtëpinë, por s’të vjen keq për tët ëmë, që po jep shpirt nga meraku për ty. Trego ore marifetin dhe shpëto njëherë e mirë. Mos harro se partia jonë është mëshirëmadhe e vlerëson ndershmërinë.

Gallaktioni i lëkund dhe vështroi ngulët fytyrën babaxhane të dajës.

‘ Po të tregoj të vërtetën thua do më lirojnë?’ e pyeti Gallaktioni me naivitet.

‘Që ç’ke me të, çdo të bëjnë, ti je akoma çilimi,’ ia priti dajë Samiu, uli sytë përtokë dhe futi duart në xhepat e përparëses së bardhë.

Galaktioni u mëdysh përsëri, por sytë e vegjël dhe zhbirues të dajës e yshtnin të fliste:

‘Fol të shkretën, tregoi dajës. Dreqi ta marrë pse i jep kaq rëndësi vetes.’

‘Mos më gënje o dajë, mos më merr në qafë,’ foli Gallaktioni me ankim  dhe vështroi ngulët nga vëllai i nënës.

‘Ç’thua! Të gënjen ndonjëherë daja ty?!’ U grind dajë Samiu dhe zgjati kryet si struc.

‘Mirë atëherë, po ta them. Po ta dish, nga nevoja për ndihmuar familjen me ndonjë lekë më tepër e bëja fare thjeshtë,’ u përgjigj shkurt Gallaktioni:’ Një pjesë të mallit e faturoja, një pjesë jo, për shembull shalqinjtë, një pjesë të karrocës e ndaja me dërrasë, shalqinjtë e pa faturuara i vija në një anë, të faturuarat në anën tjetër...Ja kështu.

‘Pastaj?! E pyeti si në ethe Dajë Samiu.

‘Kaq, pastaj hiç.’

Dajos i qeshi fytyra. I ra në faqe të nipit dhe i tha:

‘Qerrata i madh je, kaq ishte, ja shpëtove! Hë mo sikur se ç’kishe dhe çfarë bëjea, ‘i tha dhe thirri policin ta çonte të nipin në qeli.

Pas disa orësh e thirrën në dhomën e hetuesisë dhe e lidhën pas stolit të çimentë. Në mes të dhomës së hetuesitë, me këmbë të hapura dhe duart kryqëzuara në gjoks e priste i murrëtyer hetues Laveri. Gallaktioni e vështroi i trembur dhe u ndje bosh. Befas hetues Laveri u turr drejt tij, e mbërtheu për gryke, i ndërkryer dhe me ton të ashpër, i tha:

‘Dëgjo këtu i pandehur, ti spurdhjak ndyrë që na solle me muaj të tërë vërdallë. Të urdhëroj të tregosh bashkëpunëtorët e marifeteve që bëje, të mos faturimit, të përvetësimit të pronës së shenjtë socialiste. Hape grykën...Dëgjon?!

‘Dëgjoj,’ mërmëriti Gallaktioni.

‘Kështu, hë! Ia the dajës ti shush e budalla. Po të më tregoje mua do mmë shumë lehtësira. Tani trego, me cilët i bije ato marifetet, mashtrimet, vjedhjet, poshtërsitë, ndryshe do ngordhësh në burg për gjithë jetën’

Galaktioni u drodh sikur të ishte në elektroshok. Daja i tij e kishte shitur për xhaba te hetuesi dhe gërhiti:

‘Këtë mos ma kërko, sikur copa- copa të ma bësh mishin.’

‘Atëherë do ngordhësh në burg,’ hungëriri hetuesi i skuqur në fytyrë.

‘Le të ngordh, kur e kam prej dajos, vëllait të nënës.

‘Jo, e ke prej kokës,’ ia pat hetuesi Laver.

Inati i pabesisë së dajos ia shtoi akoma më shumë rezistencën ndaj torturave dhe se hapi gojën. Pas disa muaj torture në hetuesi, e nxorën në gjyq dhe e dënuan me pesë vjet burg. E ëma i vdiq shpirtplasur disa muaj më vonë. I ati u zvarrit i vetëm këmbadoras nëpër shtëpi dhe vdiq një vit të ikjes së nënës...

Dëgjoi të trokitura të shpeshta në derën e banjës dhe zërin e shqetësuar të Elenës.

-Gali dil, u bë trokë së ngrohuri dhe ai çikë peshk, se tjetrën ta hëngri daja.

-Phu, djalli e mori! U përpoqa në vite ta harroja zërin dhe figurën! Dreq o dajë, të dija të vdekur! - shfryu Gallaktioni gjithë inat. Ti thoshte Elenës se prej dajës hëngra burg. Ndërroi mendje dhe iu përgjigj të shoqes:- Ja dhe pak mbarova.

Si bëhej të ngrinte dorën, të shkumboste trupin. Rënkoi me dhembje dhe përsëriti ultas fjalët e gruas:

- Hëm, ma hëngri peshkun daja...

Gallaktioni doli i pavëmendshëm prej vaske. Trupi i dridhej prej nervozizmit, këmbët e lagura shkanë në pllakat e bardha e të lëmuara. E sikur të mos ish mbajtur pas banakut, rrezik të qe gremisur, thyer kërbishtet. I përhumbur la ujin të kullonte prej turpit përdhe. Rreth këmbëve të zbathura, u krijua një pellg i vogël me ujë, rënkoi:

- Më ndoqe pas si flamë e zezë o dajë!