Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Një vend për invalidin

| E merkure, 29.07.2015, 07:27 PM |


NJË VEND PËR INVALIDIN

Tregim nga Qazim D.  Shehu

Edhe pse Rroku ishte invalid  ai e merrte çdo mëngjes rrugën nga periferia dhe zbriste në qendër. Stacioni i autobuzit nuk ishte i fundit,  aty ku zbrazet tërësisht dhe pret njerëz për tu rimbushur;por i parafundit. Ç`të bënte, këtu kishte qëlluar apartamenti i tij. Njerëzit e kthjelluar të mëngjesit ia hapnin rrugën këtij njeriu mjekërparruar qëmbante një shapkë ushtarake mbi një fytyrë zeshkane dhe sy shprehës. Kur qëllonte që sedilja e invalidit ishte zënë,  ai bërtiste:ku është vendi im, a i njihni ligjet e shtetit,  dhe,  nga buza e tij e shpërvjelët ca, fjalët dilnin me një rrokullimë trishtuese si gurët në mot të lig. Por askush nuk e vriste terezinë dhe heshtja që pasonte ia sillte atij sërish dufin në shpërthim. Atëhere Rroku i shkretë mbështetur mbi shkopin e tij e me njërën dorë të kapur diku, mërmëriste me vete, sigurisht duke sharë,  gjersa shoferi afër tij,  ia kthente me një të qeshur,  ndërsa fatorino vigjilonte stacionet për të mos i bezdisur njerëzit disa herë. Kur zbriste në Qendër,  ai merrte rrugën drejt Bulevardit të Madh aty ku kishte tregtizën e tij, një tezgë jo fort vogël, me syza dielli,  shami,  çorape, buzëkuq e varëse, tanga .

Në mbrëmje gjithë këto mallra të thjeshta i mbështillte në një thes dhe ia linte një miku të vet që kishte një dyqan aty afër. Niste rrugën e kthimit, tapa tup,  e,  nganjëherë,  në një tymtore  i pëlqente të hidhte dy tri kupa  me ndonjë mezeçkë të vogël që e shtonte herë herë sipas fitimit të ditës dhe merrte rrugën drejt stacionit të autobuzit. Ishte ora dhjetë, atëherë kur autobuzët rralloheshin dhe zgjatnin intervalet e orareve dhe,  bash për këtë,  njerëzit sikur shtoheshin më shumë,  ndoshta për inat të Rrokut. Sidomos në këtë orë autobuzët mbushen plot të rinj,  studentë apo kollcentristë,  vajza dhe djem që rikthehen në shtëpi. Ata ndoshta duan të kthehen më vonë,  por autobuzët gjithnjë në këtë orë rrallohen dhe kanë frikë se e bëjnë në këmbë ose marrin taksi për të mbërritur në periferi. Në këtë kohë,  Rroku ndjehet i pafuqshëm, lodhja ia mpin gjymtyrët sa, po të mos jetë shkopi i tij i fortë ai mund të bjerë. Dhe, si për inat,  asnjëherë nuk e gjen sediljen e invalidit bosh;gjithnjë,  si për kast,  aty sheh një vajzë të re,  i duket sikur gjithnjë është ajo,  po në të vërtetë kjo nuk është veçse një fiksim jermik, krijuar prej cmirës dhe inatit, sepse është e natyrshme që s`mund të jetë e njenjta vajzë.

-Ku është vendi im i invalidit,  thërret Rroku, me një zë të trashë,  gërvishtur nga lodhja,  po askush nuk do t`ia dijë për këtë thirrmë që pushton hapësirën e rënduar të autobuzit. Askush nuk i përgjigjet. As ajo vajza që ka vënë kufjet në vesh,  madje duket se nuk e dëgjon,  përthithur nga ai ekran me ngjyra të një celulari të tipit të fundit. Rroku thërret sërish,  po vajza nuk reagon,  madje as një vajzë që është ulur më mbrapa nuk jep  shenjë se po e vret ndërgjegja dhe t`i lirojë vendin këtij njeriu të lodhur. Por Rroku duhet të ngushëllohet, pak më tutje një grua plakë rri më këmbë pranë një vajze të re e cila po ashtu ka në dorë një celular dhe ia ka ngulur sytë atij sikur për të të ekzistojë vetëm ai ekran magjik dhe asgjë tjetër. Edhe dy pleq më tutje rrinë në këmbë,  ndërsa dëgjohet zëri i fatorinos që lajmëron stacionin e mbërritur. Autobuzi zbrazet disi dhe rihipin një tufë të rinjsh. Ata nxitojnë dhe zënë menjëherë vendet bosh. Rroku edhe pse është në autobuz nuk mund të vrapojë aq shpejt. Ai mbetet sërish në këmbë duke u mbështetur në shkopin e vet besnik, ndërsa shikon me bisht të syrit vajzën e buzëqesh ëmbël duke mos ia ndarë sytë ekranit. Papritur dëgjohet një zile celulari me melodinë e çiftelisë. Dikush nga frika e mosdëgjimit ia nis bisedës. S`dihet me kë bisedon po,  me ç`duket, me të birin që duhet ta ketë në Angli. Ai përsërit një fjalë anglisht,  por gabim. Një vajzë kukuris lehtë,  ndërsa Rroku e shikon shtrembër. Tjetri vazhdon të flasë gjatë. Është i impresionuar dhe e mbyll:hajt hajt,  dy mijë paund nuk janë kushedi se ça…

Ndërkaq Rroku si nëpër tym kujton jetën e dikurshme në malësi. Eh,  ç`kohë të arta ishin atëhere, ç`respekt. . Sekush e dinte vendin e tij,  madje nuk ndodhte që të jepte dorën ulur. Quhej fyerje. Nëse në rrugë shikoje ndonjë plakë të panjohur dhe e pershëndesje,  ajo patjetër çohej në këmbë po të ndodhej ulur. Në se në odën e burrave hynte ndonjë i moshuar,  atëhere i riu i ulur do kuptonte se duhej të lironte vendin. . Eh, ç`kohë të arta, ç`bereqet kishte fjala dhe sa me dashuri e respekt përfillej i vjetri. Rroku nuk ishte aq naiv sa të mos kuptonte se kohrat kishin ndryshuar. Rroku nuk ishte aq naiv sa të mos kuptonte se kohrat ndryshojnë,   se, sa më të zhvilluar të jenë njerëzit, aq edhe humbet një respekt që nuk është në lartësinë e atij kodit të hershëm,  po që të arrinte puna deri këtu,  ai nuk e kuptonte,  ndaj lëshonte edhe një herë zërin  etij të trashë,  ndoshta me qëllimin e prekjes në sedër, apo kërkesë për keqardhje .  Vajzat,  jo vetëm që nuk ia vinin veshin,  po edhe  nënqeshnin lehtë me botën që e kapërdinin në një fantazi të ethshme. Në shtëpi arrinte me një mundim të madh. Prapa tij tringëllijnë zile celularësh,  majtas,  djathtas,  ndërsa ai trokiste me shkopin e tij në pllakat e shurdhta të trotuarit. Kur mbërrinte në shtëpi mezi e ngjëronte supën e ftohur nga pritja dhe këputej menjëherë ne krevat. Kishte nevojë të shplodhte kockat. Veçse ai udhëtim me autobuz e lodhte mendërisht më shumë se tërë dita. I sillte edhe një herë ato fytyra vajzash me ekranet përndezëse të celularëve dhe i ngjanin si kukuvajka që këndonin mungesën e respektit. Eh,  mor Rrok i shkretë,  kështu është bota,  mërmëriste ai dhe e kllapiste një gjumë i ndrydhur nga lodhja.

Në mëngjes,  çuditërisht,  atë ditë,  u zgjua i lehtësuar;u ngrit,  mori shkopin,  la ca porosi në shtëpi dhe doli në koridorin e pallatit. Tek shtypi numrin e ashensorit,  papritur u hap dera e një hyrje përballë prej nga doli një vajzë e gjatë me kufje në vesh, ajo bërtiti befas:shkërdhatë, dhe u rras në kutinë e ashensorit me një rrëmbim të vetvetes. Rroku kujtoi se i tha atij dhe bëri gati shkopin për t`i rënë vitheve kësaj pele,  po kur pa kufjet në vesh kuptoi. Vajza, siç duket,  nuk e kishte vënë re dhe bërtiti sërish;Mbylle tani,  hajvan. . ”Buçja,  mërmëriti Rroku, i paska ardhë koha e ndërzimit”, dhe ai shikonte hekurin e ashensorit sikur donte ta shkulte dhe t`ia shkonte si hell kësaj vajze të pacipë, sepse shkopi i duhej për të drejtpeshur këmbën e tij çalamane. Vajza nxori nga gjiri pllakën e celularit dhe briti:ouuu. . Kur ashensori u zerua në katin e parë vajza doli me vrap pa pritur derën të hapej mirë. Prapa la erën e një parfumi joshës që u bë më joshës në përhajen e ajrit të freskët të katit të parë. Sapo ai shtërngoi shkopin në dorë dhe u mat të dilte,  dikush e mori ashensorin lart dhe Rroku filloi të ngjitej. Në katin e tetë hipi një zonjë disi e moshuar, po e mbajtur mirë, veshur me rroba të lirshme. Edhe ajo mbante celularin në dorë. Befas zilja tingëlliu. Me një nervozitet që nuk i shkonte pamjes së saj të qetë ajo klithi:

-I ke paratë mbi komo,  debil…I shkreti burrë,  mendoi Rroku,  ta kem grua këtë ia coptoj prapanicën me thupër thane…E njihte mirë burrin e saj,  një burrë i urtë,  dele e perëndisë. Edhe atë grua,  që të çante pishë mbi krye. Eh,  kush e di, praraja i prish femrat. Atyre u ka plasur cipa dhe ta bëjnë skandalin hapur,  erzi u ka plasur dhe ti rrofsh sa huta e bardhë. Ishin në katin e tretë kur tingëlliu zilja sërish. Me një lëvizje të beftë duke rrotulluar rripin e çantës, gruaja u përkul, vetëtimthi me të qindëtën e sekondës . Rroku pa sesi shpërthyen gjinjtë e saj me një bardhësi hutuese. Kur ajo u ngrit e pushoi zilen duke folur:hajt, hajt se kur të kthehem po ta ndreq samarin. . Pasi tha këto fjalë ajo kuptoi se aty pranë saj ndodhej një njeri dhe ky ishte Rroku.

-Po ti, çdo këtu, mor çatrafill. .

-Nuk jam çatrafill, po bandill,  mërmëriti Rroku.

-Uh,  more zorzop-ia bëri ajo dhe iku me vërtik duke u shoqëruar nga një zile tjetër celulari.

-Në jam zorzop,  ta ngjesh me shkop. . l lëshoi Rroku zërin e vet të trashë dhe buçitës,  po nuk dihet nëse ajo e dëgjoi, veçse u ndie taka e saj që trokiste me një ritëm nervoz. Rroku ndjeu  forcë përzier me inat. Sa mirë që s`u kthye, mendoi pas pak,  do ta kishte  qëlluar…

Rroku u nis tek stacioni i autobuzit. Tani kishte shpëtuar nga kurthi i ashensorit. Ishte një ditë vërtet e bukur një nga ato ditët kur njeriut i duhet të kapë një gjërësi kujtimesh, po Rroku nxitonte. Mbështetur mbi shkopin e thantë që ia kishin sjellë nga malësia prej thanës së oborrit,  ai arriti tek vendi i vet i zakonshëm dhe pasi hapi tezgën po priste myshterinjtë. Herë herë thërriste me zërin e vet të trishtë,  ngulmues e pakëz lutës:size dielli…

Parku i Madh me drurët e lartë kokulur mbi gjelbërim,  heshtëte. Pranë tij kalonin vajza supezbuluara me celular në dorë, po askush nuk e kthente kokën drejt tezgës së tij mjerane. Ai i shihte me bisht të syrit dhe lëshonte ato tri fjalët e zakonshme. Befas tri vajza ndaluan pranë tezgës së tij. Ato shprishën me dorë mallin dhe njëra u ndal tek tubi i tangave.

-Sa janë këto,  more plak.

-Lirë u përgjigj Rroku,  me atë prapanicë që ke ti të shkojnë. . Ai u pendua për fjalët,  po ato i kishte marrë ajri dhe boria e një makine kishte ndihmuar që të mos shkonin tek veshi i vajzës. Rroku kafshoi gjuhën. Këtu nuk ishte si në autobus. Duheshin fituar pesë lekë. Vajza nxori celularin dhe filloi të gërmonte në të. Ajo po kërkonte mbase në të modelin që e kishte parë. Kur u bind se ishte ai model,  e mbylli celularin dhe filloi të zgjidhte një palë,  dy tre, katër.

-Janë brekë të mira,  mërmëriti Rroku-nuk ke nevojë as ti heqësh…Vajza ia dha një të qeshure të lehtë dhe dy të tjerat qeshën më shumë. Mbase qeshën për atë plak të çuditshëm,  namuzli,  që shiste tanga. Vajza i dha lekët dhe iku. Eh, si vajti kjo punë, mërmëriti Rroku dhe iu kujtua rinia e vet atëhere kur rrëmbeu në krahët e vet një bareshë dhe kuptoi se ajo kishte veshur dy palë brekushe lidhur me një ushkur të fortë. Kur Rroku pati nxjerrë thikën për t`i prerë ushkurin,  vajza,  një bareshë e fortë e kishte shtyrë dhe ata qenë rrokullisur në lëndinë gjer afër një shkëmbi. Aty ajo e kish hedhur Rrokun e trembur nga thika e tij dhe që atëhere Rroku mbeti i çalë.

Tregtia i eci mirë atë ditë. I shiti pesë palë syze, buzëkuq,  varëse, çorape,  tanga. Një ndjesi tjetër për femrat po ia vërtiste mendimin në një pikë se ato nuk ishin aq shumë të këqia. Ishin femrat atë  ditë që  kishin blerë aq shumë. Dhe asnjë burrë. Deliri i fitimit erdh e iu mpi,  sapo u gjend para Pesëmbëdhjetëkatëshit, përballë lulishtes ku nën hijen e drurëve vërtiteshin ato,  të zakonshmet.

Në autobuz u drejtua tek vendi i vet,  po prapë një vajzë e kishte zënë me kohë dhe jepte e merrte me celularin. Pasi priti ngacmimin  e zakonshëm të shoferit, Rroku nisi ligjëratën e tij. Ligjërata e tij i ngjiste rrjedhës së përroit psikik. Ajo niste me qeverinë,  mbaronte me femrat, kthehej në kohët e shkuara dhe përfundonte sërish tek femrat, shoqëria e invalidët që nuk respektoheshin. Qetësia e hapësirës së autobuzit mbushur me koka njerëzish i ngjante pavionit të një muzeu. Dikush briti:pusho, mor marrok, po pesë zile celularësh e mbytën fjalën e tij e cila po të shkonte në veshin e Rrokut do ta ndizte atë më keq dhe do ta trazonte e shprishte rrjedhën alogjike të ligjëratës së tij. Autobuzi befas frenoi. Dy vajza i kishin dalë para pa dëgjuar zhurmën e tij. Kufjet në vesh i kishin penguar.

-Ku shkojnë a kanë prindër këto vajza, ulëriu Rroku dhe vijoi:të ishin vajzat e mia ua kisha këput kokën, fët. .

-Pusho mor zullap, tha njëri, se na çave veshët…Po Rroku vijoi pa e prishur  tonin e zërit të vet as pa u sprapsur nga kërcënimet;

-Eh,  ç``rini është kjo, rini që nuk punon. Dhe në këtë orë të vonë. . . Në Shqipëri nuk punon asnjë fabrikë, vetëm fabrikat e plasmasit punojnë…Befas shpërtheu një e qeshur. Një ngashëretje femrash,  vajzash dhe, ato për një çast i ngritën sytë,  sikur ajo fjalë të kishte qëndruar sipër kokës së tyre. A kishte qëlluar Rroku në shenjë pas asaj ligjërate përçartëse. Mbase po.  Për herë të parë u braktisën celularët. Vajza u ngrit. Ulu,  xhaje,  tha ajo.

-Jo, kundërshtoi Rroku, erdh stacioni im…

Kur vajti në shtëpi ai u  pendua për fjalët që tha në autobus. A s`ishin femrat atë ditë që i kishin sjellë një tregti të mirë. Fundja  i kishin borxh ato që ai ishte plak dhe invalid?. . . Por ai e dinte,  kur lodhej shumë,  nuk mund ta mbante gojën…