E premte, 29.03.2024, 07:36 AM (GMT)

Kulturë

Namik Selmani: Të fala që kalojnë kufinjtë

E marte, 28.07.2015, 07:09 PM


Të fala që kalojnë kufinjtë e shteteve dhe të kombeve

Duke shfletuar librin me poezi “Të fala nga Londra”e autorit Xhavit Gasa

Nga Namik Selmani, Shkrimtar

Në këto kohë që jetojmë, nuk është i befasishëm lajmi se në një qytet, në një krahinë në një shtet, u botua një libër me poezi. Jemi dëshmitarë të një begatie letare në poezi që ka brenda kësaj gati manie dhe të një sasie gati të pallogaritshme librash ndien pak dhimbje se jo gjithmonë ka cilësi, estetikë. Jo çdo libër ka emocionin e ëndërrruar që e ka pasur poezia që në fillesët e saj homerike dhe danteske, shekspiriane, hugoiane e më tej. Me poezitë e Xhavit Gasës është ndryshe. Fare ndryshe. Xhavit Gasa vazhdon të kalërojë me poezinë e tij në kohë e në tejkohë. Jo me ata kuajt mbretërorë të Loondrës, po me ata kuaj të Zenishtit që i ka larë, që i ka ushqyer me dashuri dhe me të cilët ka kalëruar në Luginën e Matit, në Zenisht, në Burgajet. Ka shkuar në Burrel që quhej dhe Qyteti i Mollëve. Ai vazhdon që të jetë modest me atë çka shkruan Ah, modestia e tij shpesh bëhet Porta nga duhet të niset secili prej nesh në këtë botë shpesh mburravece dhe me drita të forta që, në vend që të të ndriçojë, të verbëron dhe atë pak shikim që na ka mbetur. Xhavit Gasa e ka një poezi shumë të veçantë të mbushur me kaq shumë mirësi që e zbulon të tërën në vargje. Të bën që ta duash dhe më shumë atë pse jo dhe të kujtosh kohën e dikurshme që, në vend të citateve, të vinin një poezi të bukur e ta mësonim përmendësh. Xhavit Gasa kërkon që të flasë sërish. Të flasë e të mos heshtë. Se kurrë nuk ka heshtur. Dhe kurrë nuk do të heshtë. Me poezinë e tij ai ecën në kohë dhe shumë sinqerisht bën një lloj gjyqi të kohërave. Një gjyq që ka vetëm butësi, si një nga gjyqet më të çuditshme të botës, që mund ta bëjë një poet e aq më shumë Xhavit Gasa. I gëzon lirisë së shprehjes, ashtu si i gëzon lirisë së lëvizjes nga Zenishti i tij në Londrën e metrove, të urave tamiziane, të mjegullave, të Shekspirit, Dikensit dhe të Bajronit. Motivi qëndror i librit janë të falat. Dikur shprehja e ngrohtë “Të fala!” shoqërohej dhe me një dhuratë simbolike si një shami një kokërr mollë një palë çorape etj Ky titull i e ka bërë poezinë e tij një URË shumë më të lartë e të bukur se Urat e Tamizit apo me atë Urë ajrore mes Londrës dhe Tiranës. Këtë ai e ka dhënë që në fillim të librit me poezinë “Të fala nga Londra! “ që ka shumë mesazhe, respekti e dashurie njerzore. Me zemrën e tij të madhe, dërgon dhe mesazhe falje, për ata që të verbuar nga dielli i rremë e përbaltën poetin padrejtësisht në kohën e diktaturës... "Të falat e mia për ju i thur me fjalë të ngrohta, Sjell kartolinë stolisur me bukuri të Matit mbretëror, Mbushur me mall të gjithë shqiptarëve nga Londra, Brenda meje shpërthejnë si dasëm me fllad pranveror"... Udhëton në rrugët e Londrës dhe jeton atë ngazëllim dhe dhimbje për poezinë e tij që e ka gjetur shumë vonë rrugën e botimit të librave, po kurrë nuk e la të jetimtë shkronjën, si personazhet e Dikensit. Poezia e tij është mjeshtërore në portretizimin e mjaft personazheve që ai vë në radhë. Janë njerëz në pamje anonimë, po që mund t’i lakmojnë dhe ata që ngjiten çdo ditë tribunave me madhështinë e shtirur dhe që nuk e duan kurrë punën, nderin si ata janë ato të kunatës Ije, të mësuesit, të shumë njërëzve të thjeshtë që ai ka njohur në vite. E që më vonë i janë bërë burim frymëzimi jo vetëm për jetën, por dhe për poezinë e tij shumë interesante. Në poezinë e tij ai bëhet një zëdhënës artistik për një shtresë të madhe dhe paksa të harruar të ish burgosurve dhe të persekutuarëve politikë. Janë vuajtjet e tyre që jepen me drita të forta që përbëjnë një dramë të fortë, që kanë shumë mbresa në trajtimin e tyre Këtë ai e bën duke e personalizuar pak në përvojën e tij jetësore dhe e bën në poezinë“Besë poetike’; por dhe në poezi të tjera "Më ofenduan, as në sofër nuk më lanë vend, para teje donin të isha i mundur lis pa degë... Më fikën dritat asnjë shteg të lirë s'më lanë, para teje donin të isha i mundur zog pa krahë" Mbase kjo dhimbje gati danteske që ka kaluar Shqipëria dhe vetë poeti e ka bërë poezinë e tij me një pasaportë të qartë e të saktë në rrëfimin e tij dhe që bëhet dhe kontribut edhe në letërsinë bashkëkohore shqiptare ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre dhe në diasporë. Poezia “Një defter letrash” që është më e bukura e vëllimit ka një detaj të thjeshtë, por shumë tragjik. Një burrë që vuante për të siguruar qoftë dhe një defter letrash për të pirë pak duhan. Është babai i tij por dhe një shtresë e tërë njerwzore të kohës së dikaturës. Kjo ngjizje vargu e ka bërë shumë origjinale poezinë e Xhavit Gasës. E ka bërë kërë rrëfim të kësaj shtrese jo me një cikël të veçantë, por poezitë dalin herë pas here dhe fryma e qëndresës del e qartë dhe e plotë Një mirënjohje dhe dhimbje ai e shpreh për Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Havzi Nelën që janë poetë të vrarë nga diktatura. Të rrënqethin vargjet me këtë dramë të kohës. E pikërisht për këtë duhet falenderuar nga zemra autori Xhavit Gasa për këtë poezi, për këtë fisnikëri, për këtë kujtesë dhe mbrojtje që i bën kësaj shtrese. Libri ka shumë poezi për nënat. që nga nëna e tij Vashe Gasa, kunatën Rufije e për të gjithë nënat në tërësi. Këto poezi nuk kanë brenda vetëm mallin dhe respekton, po dhe largësinë e mërgimtarit Sa më ka marrë malli, për aromën e mirë të nënës, për ninullat e ëmbla të saj. për frymëmarrjen e ngrohtë. Për zërin e tiktaket e zemrës. Një grup tjetër poezish janë kushtuar babait të tij. Xhaxhait Xhepë Gasa, Ahmet Gasës të mësuesit Nazif Stafasani I këndon artistit Qamil Xhika dhe të gjithë artistëve matjanë që e kanë dërguar shumë lart emrin e Matit dhe të kombit. Në poezimaninë e sotme gjejmë pak ose shumë pak të trajtohet kjo teme që në fund të fundit është dhe detyrim i njerëzve të penës, të daltës, të tingullit, të penelit që ta mbajë gjallë këtë temë në artin bashkëkohor shqiptar jo vetëm si kujtesë për brezat, por dhe për lexuesin e sotëm, të cilit i bien shumë libra në duar nga kjo begati letrare në kushtet e qarkullimit të vlerave kulturore. Është drita e një shpirti që nuk u fik as në tufanet më të egra. Diku poeti tregon për nënën që deri vonë arnonte çorapet, për disa opinga llastiku që ai i ruante si këpucët më të mira për të shkuar në shkollë. Poezia e tij është shumë, shumë sociale. Ai vihet në radhën e të varfërve dhe flet me shumë dhimbje për ta. Ja si e jep ai jetën në fshat në kohën e diktaturës "Pa bukë, na vinte nëna në gjumë, ishim fëmijë e nuk ndjenim urinë kurrë. Shkonim dikur pa bukë në punë ishte kohë e egër kooperative, por nuk vdiqëm një ditë prej urie... Kur vdiq, një lypës në fshatin tim , një copë bukë i gjetën, oh, ç’ironi!" Ka një kontrast të realizuar artitikisht në këtë poezi jo vetëm në poezi të veçanta, por dhe në tërësi tek i gjithë libri. Në të është në një betejë të heshtur dhe të hapur dashuria me urrejtjen, sinqerieti me hipokrizinë, aftësia me paaftësinë. Paqja me luftën. Respekti mirënjohja me pamëshirshmërinë. Për këtë në një poezi shumë filozofike ai thotë se për të të fituar drejtësia ka bërë një pakt me diellin që të pastrohet shoqëria, jeta e ndershme me vdekjen. Kjo duket shumë qartë te poezia “Parrullat” "Mos besoni ç'shkruhet në parulla! Valëviten si tollumbacet në erë. Nuk ka më të shijshme se buka, që fitohet me punë dhe me djersë"... Me shumë interes ai sheh mes vetes atdheun me mërgimin e tij në Londër . Si një atdhetar i mirë ai nuk harron edhe atje larg Zenishtin e tij të dashur "I shkruajta këto vargje me mall që këtu nga larg. Këtu te parku mrekullor "Barham park" në Londër. Dhe pse është i bukur me plot lule ky park, mallin për Zenishtin nuk ma shuan dot"... Xhaviti ka një lexues shumë të vemendshëm të poezisë së tij . Ai i gjen modelet më të bukura te këta autorë të vargut që nga i paharruari poeti i parë Pjetër Budi, tek Migjeni, tek Lasgush Poradeci Në libër i ngrihet një himn i vërtetë pyllit. Poezitë për pyllin për lisat e djegur, për drurët për zogjtë. Këto poezi janë nga më të bukurat e vëllimit. "Te Përroi i Bërracit shuanin etjen bagëtitë, Gurgullonin burimet e ftohtë brinjëve të Fires, vrapimet në kërkim të luleshtrydheve... Çdo qelizë e gjakut tim zien prej kujtimeve"... Poezia e Xhavit Gasës do të jetojë gjatë, shumë gjatë në kujtesën e lexuesve. Ajo është e sinqertë Shpesh të duket se je ngjitur në majën e një monumenti të lartë. Fare natyrshëm ti, si lexues, aromizohesh me lulet e shpirtit gasian për t’ua dhënë pastaj dhe të gjithë miqve të poezisë së tij. Kjo duket jo vetëm te ky libër, por dhe te pjesëmarrja e tij në mjaft antologji që janë botuar në Shqipëri, Kosovë e në diasporë. Poezia e tij i ka të qarta sinorët. Është një poezi me një karakter të qartë, të spikatur. Kush është lexuesi i këtij libri më të ri të Xhavit Gasës? Është brezi i këtij poeti që sheh si një një pasqyrë të saktë jetën e tij, sfidat e dy sistemeve, ëndrrat e vrara. Lexuesi i librit do të jetë dhe brezi i ri që duhet të shohë në të një kronikë të qartë artistike të regjimit të kaluar që shpërfytëronte personalitetin e njeriot me luftën e klasave dhe sidomos me varfërinë tragjike. Jo më kot, ai në shumë raste citon Migjenin sidomos te poezia e tij “Fola me Migjenin”. Lexuesi i sotëm edhe pse sheh disa herë skena të varfërisë në vende të ndryshme nuk mund ta besojë në të vërtetë varfërinë e një familjeje jo më një populli të tërë. Varfëria më e madhe ishte diktatura e fjalës së lirë. Nëse do ta bëja në mënyrë paksa poetike portretin e këtij autori dhe të poezisë së tij që kam shumë vite që e njoh, ai përherë futet në motivin e të falave që është si vjetër sa dhe njerëzimi. Edhe pse tek ne sikur ka një ngjyrim të veçanë mali dhe dhimbja që sajon dhe largësia e tyre, Xhavit Gasës atje, në Londër, i vijnë zilet e staneve dhe ai bëhet shumë herë një dirigjent i pagabuar i këtyre blegërimave të staneve bëhet një lloj turbine të madhe hidrocntrali.. Bëhet një poezi si të ishe një arkitekt ëndrrash në Tamizin e mbarsur me shtëllunga mjegullore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora