Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Arshi Pipa - 95 vjetori i lindjes

| E marte, 28.07.2015, 08:35 PM |


ARSHI PIPA: MENDIME TË HEDHURA

ME RASTIN E 95-VJETORIT TË LINDJES

Nga Frank Shkreli

Dua të përshëndes Vatrën për organizimin e këtij tubimi sonte për të shënuar kujtimin e Profesor Arshi Pipës me rastin e 95-vjetorit të lindjes.  Është me vend, në fakt është detyrim, që ky përvjetor të shënohet ashtuqë të mos hidhet në harresë ky burrë i madh  i Shkodrës i cili me aktivitetin dhe veprat e tija që ka lënë pas, ka nderuar veten dhe kombin.

Marrim pra pjesë në kujtimin e një shqiptari të madh, për ta kujtuar sonte jo vetëm me miqë të vjetër të Arshi Pipës, por edhe me dashamirë të ri, të cilët ndoshta nuk kanë patur rastin ta njihnin sa ishte gjallë.  E kujtojmë në shënjë  nderimi dhe respekti për veprën dhe kontributin e tij në fushë të ndryshme por edhe si patriot, dhe të një veprimtarie të shumëanëshme krijimtarie si në letërsi, në filozofi, në poezi, kritikë letrare dhe në fushën e studimeve politike, përfshirë shkrimet dhe veprat e tija mbi stalinizmin shqiptar dhe mbi Kosovën.

Si shqiptarë dhe si mërgimtarë, i kemi borxh Profesor Arshi Pipës dhe familjes së tij të vuajtur dhe të sakrifikuar. Në të vërtetë, kemi një detyrim moral që ta kujtojmë jo vetëm atë dhe vuajtjet e tija personale, por dhe sakrificat sublime të familjes Pipa në përgjithësi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, siç ishte vrasja e vëllait të tij dhe mbrojtësit të të pafajshëmve të elitës së kulturës shqiptare -- përfshirë klerikët më të njohur katolikë të Shkodrës -- avokatit të shquar shkodran, Muzafer Pipës.

Familja Pipa është njëra prej familjeve shkodrane dhe shqiptare, e cila  me vendosmëri luftoi për të drejtën dhe për lirinë e çdo individi, për demokracinë e Shqipërisë dhe kundër vendosjes së diktaturës komuniste në atë vend.

Shëmbjen e komunizmit ai e kishte ëndërrë dhe shpresë.  Si patriot dhe si intelektual,  Arshi Pipa nuk pushoi asnjëherë  së luftuari drejtë këtij qëllimi dhe në mbështetje të drejtave të njeriut, të fjalës së lirë, dhe për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë dhe të Kosovës në përgjithësi -- gjithmonë në një papajtueshmëri të plotë ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste, të cilën e urrente me pasion.    Visar Zhiti, një tjetër shkrimtar e poet që ka vuajtur tmerrin e burgjeve të regjimit komunist, pas takimit për herë të parë me ‘të në Washington, ka shkruar se shihej që Arshi Pipa, “ishte njeri i prerë, i pakompromis, ‘madhërisht i pamëshirshëm’ me diktaturën”.

Argumentat e Arshiut kundër diktaturës e kishin bazën në një përgatitje të gjithanshme arsimore, kulturore, politike dhe filozofike perëndimore.  Arshi Pipa, përveç përvojës akademike në universitetet më të njohura amerikane ku ka dhënë mësim për dekada -- dituria dhe angazhimet e tija në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, e kanë gjithashtu bazën edhe në vuajtet e tija personale dhe të anëtarëve të viktimizuar të familjes së tij.  Mishërimi i përvojës akademike, zgjuarsia e tij prej natyre dhe vuajtjet e veta dhe të familjes, e bënin Arshi Pipën një bashk-bisedues tepër interesant -- ndonëse nganjëherë i pa kompromis -- që njëherazi angazhonte me respekt si kolegun ashtu dhe kundërshtarin, duke paraqitur argumentat e veta me një gjallëri përbindëse të idealeve dhe qëndrimeve të tija.  Ishte i fortë në argumentat e tija, i palëkundur në bindjet dhe parimet e veta.  Kishte pak fjalë, por bindëse!

Disa mund të thonë se Arshi Pipa ishte një personalitet kompleks dhe kritikët e tij do e karakterizonin ndoshta edhe si i pa kompromis në qëndrimet e tija. Dhe disa do të thoshin se ai ishte i vështirë në marrëdhënjet me të tjerët.

Por kritikët e mirëfilltë si dhe adhueruesit e tij e dinë se vepra dhe kontributi i Profesor Arshi Pipës peshon shumë më rëndë nga ato që kritikët e tij mund ti karakterizojnë si të meta ose mungesa të tija.  Mund të mos jeshë dakort me Arshi Pipën për ndonjë qendrim ose pikëpamje të tij, por kjo nuk mund të përdoret për të mohuar veprat dhe kontributin e tij në lëmi të shumëta të gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe të mendimit politiko-filozofik, të botuara jo vetëm në shqip por edhe në një numër gjuhësh më të rëndësishme të botës, siç janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja.  Bota është më e pasur dhe më e ditur mbi kulturën shqiptare dhe me më shumë njohuri mbi kombin shqiptar dhe historinë e tij, pikërisht falë punës dhe veprimtarisë së Arshi Pipës.

Prandaj, në këtë përvjetor të lindjes së tij, ta përkujtojmë Profesor Arshi Pipën ashtu siç e mbajmë mend kur ishte gjallë:

Një person me trup të vogël  fizik, por një figurë e madhe e kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë, publicistikës dhe të mendimit politik.

E mbajmë mendë si një atdhetar i përkushtuar ndaj fatit të kombit të vet dhe çlirimit nga komunizmi;

Si një person me një energji të palodhëshme anti-komuniste, kurdo dhe kudo e donte nevoja, me bindje të palëkundura në liri dhe demokraci për shqiptarët.

Përveç sallave universitare të Amerikës ku ai përhapte gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe studentëve amerikanë, ndodhte që Arshi Pipën ta gjenit edhe duke demonstruar në rrugë, përfshirë para Kombeve të Bashkuara,  në mbështetje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri.  Sypatemebur dhe besnikë ndaj idealeve të veta, si në burgjet e Enver Hoxhës ashtu në mërgim, Arshi Pipa  nuk kishte frikë prej asakujt.  Përkundrazi regjimi komunist e kishte frikë atë.   I tillë ishte atdhetari, shkrimtari dhe poeti Arshi Pipa, një zë ndrysh doemosdo, por një zë i artikuluar shqiptar, një mbrojtës i së drejtës dhe i lirisë së njeriut. Për këtë arsye, gjatë gjithë jetës së vet, megjithëse jetonte në Amerikën e largët, ai  ishte njëkohësisht, edhe një person i frikëshëm për diktaturën enveriste!

Me një rast në vitin 2005, ish-Presidenti Bamir Topi ka folur për sakrificat e familjes Pipa dhe duke përmendur specifikisht vëllezërit Arshi e Muzafer Pipa – njëri shkrimtar dhe tjetri jurist -- ka thënë se, "Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari si zëri me i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbytë kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët", ka thënë ish-presidenti shqiptar.    Diktatura vrau drejtësinë duke vrarë mbrojtësin e drejtësisë, të vëllain Muzaferin, por nuk vrau dot zërin e artikuluar të shkrimtarit dhe zërin ndryshe të Arshi Pipës, i cili jehoi në Perëndim.

Thuhet shpesh se pena është një armë më e madhe ose më e fortë se pushka.  Arshi Pipa, penën e përdori  me qëllim bujar, për të lartësuar mirësitë dhe bukuritë e njeriut dhe të natyrës dhe në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë.    Arshi Pipa, i cili i sjellë nder emërit shkrimtar dhe poet -- në shkrimet dhe veprat e tija shohim se ai, edhe në vuajtjet më të rënda të  njeriut përpiqet të kapë thelbin e vlerave dhe të virtyteve më humane dhe më të bukura, si dhe luftën dhe kacafytjen midis së mirës dhe të keqës, duke dëshmuar njëherazi edhe fisnikërinë e vërtyteve më të larta të kombit shqiptar.

Gjatë viteve në burgjet komuniste, Arshi Pipa ishte njohur dhe kishte lidhje e miqësi të ngushta me përfaqsues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me të në birucat  komuniste, përfshirë edhe Ipeshkvin dhe shkrimtarin Vinçenc Prenushin, për të cilin Pipa ka shkruar se madje edhe në rrethanat më çnjerzore nën të cilat jetonte në burg, Prenushi pasqyronte disa prej këtyre vlerave dhe virtyteve njerëzore të shqiptarit: “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë.”

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”,   Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke cilësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqsuesve të Kombit.”

Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e dalluar të letërsisë kombëtare ishte e qartë se, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë në të njajtën kohë si kundër fesë ashtu dhe kundër kombësisë”.

Ashtu edhe ndodhi! I bugosur, i rrahur e i torturuar, “lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkvuajtësin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, dhe u drejtohet lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim i vuajtjeve të mikut të tij, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën para vetes kur kritikonte komunizmin, por është  edhe një përfytyrim që ai do të dëshironte që të ri-krijohet sonte dhe të mbetet gjithmonë në ndërgjegjen tonë kur flasim për atë regjim.  Prandaj nuk është për tu habitur se ishte ky përfytyrim, kjo skenë e shumë të tjera si kjo, që e bënte Arshi Pipën të papajtueshëm, ose siç ka shkruar Visar Zhiti, “madhërisht të pamëshirshëm” me regjimin komunist të Enver Hoxhës, të cilin ai e luftoi me të gjitha energjitë e veta.  Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit -- Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet si, “simboli i të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën ne mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet.”

Por, Arshi Pipa, shkimtari dhe poeti  i burgosur, i torturuar dhe i vuajtur në burgjet komuniste, fatbardhësisht e pësoi pak më mirë se Vincenz Prenushi dhe shumë bashkvuajtës të tjerë që i lanë eshtrat e tyre në burgjet dhe në kampet e përqendrimit, varret e të cilëve nuk dihen as sot.  Arshi Pipa mundi tu shpëtonte persekutimeve dhe vuajtjeve të mëtejshme me arratisjen dhe eventualisht me vendosjen e tij Shtetet e Bashkuara.

Për fat të mirë të tij gjithashtu por  ndryshe nga shumë bashkvuajtës të tij, të cilët ishin arratisur nga Shqipëria pas ardhjes së komunizmit në pushtet të cilët vdiqën para se të shikonin Shqipërinë post-komuniste,  ai mundi të shihte më në fund shëmbjen e një regjimi nga i cili kishte vuajtur vet dhe i cili kishte viktimizuar dhe persekutuar familjen e  tij.

Por gëzimi për shëmbjen e komunizmit në Shqipëri dhe në mbarë Europën lindore, fatkeqsisht  u këthye shpejt në një zhgënjim të bindjeve të mbrendshme që Arshi Pipa kishte për vlerat e kombit të vet.  Ai  kishte vendosur të këthehej  në Shqipërinë e pas diktaturës komuniste me qëllim që të mos këthehej më në Amerikë,  por gjeti një vend aq të ndryshuar nga diktatura komuniste, një vend i cili i dukej si i huaj në krahasim me Shqipërinë dhe vlerat që kishte njohur ai.  Ai shpresonte për një Shqipëri ndryshe pas shëmbjes së komunizmit. Por, megjithëse u largua për të dytën herë fizikisht nga Shqipëria, kësaj radhe nga Shqipëria post-komuniste, Profesor Arshi Pipa në të vërtetë kishte vendosur për së gjalli që të mos ndahej kurrë nga Shqipëria duke i dhuruar bibliotekën e tij të pasur, përfshirë të gjitha veprat e tija e që ishte e vetmja pasuri që kishte --  Bibliotekës së Shkodrës.

Prania e tij në  qarqet perëndimore u kujtonte si shqiptarëve ashtu edhe të huajve se Shqipëria ka nxjerrur nga gjiri i saj akademikë dhe njerëz të kulturës si Arshi Pipa, të cilët ishin përfaqsues të denjë të kombit të vet – dhe të aftë për të konkuruar me më të mirët dhe më të zotët e botës perëndimore.

Profesor Arshi Pipa ishte pranuar me krahë hapur në Shtetet e Bashkuara për të dhënë mësim në një numër universitetesh anë e mbanë vendit.

Arshi Pipa besonte në liri dhe demokraci të vërtetë dhe ishte një zë i denjë në mbështetje të të drejtave të individit.  Si i tillë,  as veprat e Arshi Pipës as  qëndrimet e tija ideologjike dhe politike të tija, që në të vërtetë shpesh ishin  edhe  kritike ndaj politikës së mbrendshme dhe të jashtme të Amerikës, vendit të tij të adaptuar, nuk kërcënoi as paqën as sigurinë, as rendin shoqëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, Amerika e pranoi atë ashtu siç ishte, si një vuajtës i komunizmit, si një mbështetës të lirisë dhe demokracisë -- faji i vetëm i të cilit ishte se e donte Shqipërinë të lirë nga komunizmi ndërkombëtar.  Si rrjedhim, lind pyetja nëse Shqipëria post-komuniste e ka pranuar ose jo Arshi Pipën dhe të tjerë shkrimtarë e poetë shqiptarë në perëndim si ai, të arratisur nga komunizmi -- dhe se si përgjigja ndaj kësaj  pyetjeje pasqyron mbi lirinë dhe demorkacinë e vërtetë sot në Shqipëri?

Unë jam dakort me deklaratën e shkrimtarit dhe poetit të madh Martin Camaj -- 90-vjetori i lindjes i të cilit shënohet gjithashtu këtë muaj – dhe mik i ngushtë i Arshi Pipës se, “Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm atherë, kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studjojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhej si Arshi Pipa.”

Unë do të shtoja se Shqipëria nuk do të jetë vërtetë e lirë për derisa nuk ekziston një pajtim i vërtetë me bijtë e saj siç është Arshi Pipa -- një pranim dhe pajtim me ta në fushën politike, mediatike, në kulturë e letërsi si edhe në qarqet akademike shqiptare.

Në përfundim dhe në përputhje me atë që ka thënë Martin Camaj, unë besoj se pa pranimin e  shkrimtarëve si Arshi Pipa,  dhe pa zhdukjen e paragjykimeve politike, letrare,  dhe ideologjike ndaj shkrimtarëve të kombit si Arshi Pipa, dhe pa krijimin e një atmosfere për të kapërcyer dallimet politike dhe ideologjike të periudhës komuniste midis shqiptarëve, për ndryshe Shqipëria dhe kombi shqiptar do të mbeten si, “Një anije e palëvizëshme, e ngarkuar me zemrën e rënduar të poetit që simbolizon shpresat e tij të rreme”. (Arshi Pipa në librin e tij Montale and Dante)

U falënderoj për durimin!

Frank Shkreli