Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bahri Myftari: Darka e Berlinit

| E marte, 28.07.2015, 07:45 PM |


Darka e Berlinit

Tregim nga Bahri Myftari

Ishte në të djathtë të trotuarit, kur kortezhi i heshtur dhe i lodhur, po kalonte  aty pranë. Mundohej të dallonte kryeinxhinierin në të, po ai e pati vënë re më parë, iu afrua pa u ndjerë dhe lehtazi e uroi;

- Hektor, të rrika shumë bukur kostumi, më bukur se atëherë në atë darkën e famshme të Berlinit!

Hektori u kënaq, jo më pak kryeinxhinieri, i cili shpejtoi hapat për te radha i fundit. Kishte shumë vite pa e veshur atë kostum. Darka e Berlinit! Ishte rasti i parë dhe i fundit që u vesh ai kostum! Më tej, nuk u pa më, kurrë nuk u vesh. Ndërsa sot? Sot, sapo mori dhe urimin e mikut që i detyrohej shumë. Historia e kostumit qe e lidhur ngushtë me njeriun që po përcillej për në atë botë! “Nuk i dola përkarshi xhenazes, as për karshillëk, as për hakmarrje, tha, ajo as nuk sheh, as nuk dëgjon. E bëra veprimin vetëm e vetëm, për të rifreskuar ato kujtime të trishta!”

Ishin tre specialistë, kryeinxhinieri, dhe një i pestë që ende nuk dihej se cili do të ishte..Do të shkonin për eksperiencë teknike në Berlinin tonë, siç thirrej në atë kohë pjesa Lindore, megjithëse, marrëdhëniet nuk qenë si të fillimit. Kryeinxhinieri do të ishte po i tillë edhe kur fabrika e re e çimentos që po ndërtohej, të kalonte në prodhim. Ai pati ndjekur studimet deri në vitin e fundit në një universitet në Milano, u diplomua vetëm pas lufte.. në Zagreb.

- Do ikim, u tha ai tre spcialistëve të rinj, më i riu ishte Hektori, jo më tepër se njëzet e katër vjeç, - orën e ditën nuk mundem, po ju,të jeni gati..!

Hektori me punën e vet mbante një familje të madhe, veç prindërve e dy motrave, kujdesej edhe për familjen e të vëllait, nusja e mbetur e ve dhe dy djem të vegjël. Vëllai, një guerrilas i thekur i qytetit, u arrestua në një natë vjeshte prej nazistëve dhe u ekzekutua në kampin e Prishtinës. Nuk kishte as mundësi dhe as kohë për të përballuar një nisje të shpejtë. Shkoi te vëllai tjetër, mjek në klinikën qendrore, që ende mbante veshur uniformën partizane. Ai me të dëgjuar shqetësimin e vëllait të vogël i dhuroi kostumin e vetëm civil. Pantallonat i rrinin mirë, ndërsa xhaketa…

- Mos e vrit shumë i tha doktori. Gjatë udhëtimit mbaje në dorë ,ose hedhur supeve. Më tutje, përgjatë praktikës, kudo kominoshe mbajnë, aq më tepër gjermanët, - bëri shaka ai, - që me siguri, janë shpikësit e këtij kostumi pune..Nuk të pyeta, e mësuat kush është i pesti i  grupit? Hektori u përpoq t’i tregonte emrin,por pa arritur, doktori kërceu;

- O shtrigani, shtrigani, e njoh mirë! Mos u habit, ky ka qenë pseudonimi i tij i luftës. Ashtu si i imi, “helmi” ndonëse isha i vetmi mjek i batalionit...M’u kujtua edhe tezja jonë, gruaja më fisnike e fisit, pati një pseudonim që nuk ngjiste fare: “ferra, ferra! “Ndërsa ai vëllai i Prishtinës, e ka pasur, “thika”! Pse i shqeve sytë?

- Po pse, pse zgjidhnit pikërisht emra të tillë! Mund të preferonit, ta zëmë jo shtrigani po i drejti, jo helmi po ilaçi, shërimi. Qe përzgjedhja juaj kjo, apo e komandës?!

- E të dy palëve, qe pëlqimi i të dy palëve, i atij që do ta mbante dhe i komandës, kuptohet, autoriteti i së dytës si në përzgjedhje, apo në pëlqim, ishte vendimtari…Hektori kërkoi të dinte më shumë pse, bëhej një përzgjedhje e tillë, pse të qe një pëlqim allasoj? Kishte një burim, kishte një filozofi që inkurajonte a i detyronte? Doktori nuk i dha rëndësi pyetjes. E kaloi me të qeshur. Vëllai i vogël do të shkonte larg..

…Të nesërmen u nisën herët. Para fluturimit, dikush që, siç u kuptua na qënkej shefi i ekipit, u tha që të bënin kujdes atje në dhe të huaj, të mos jepnin e merrnin me ta, të mos pranonin prej tyre, qoftë dhe një karamele, se ata  katër burra, do përfaqësonin një vend krenar dhe trim! A thua po niseshin për në luftë, kur në të vërtetë u gjendën në një kantjer pune me mbi dymijë specialistë, teknikë  dhe inxhinierë, që të gjithë nuk mbanin ndër duar as automatikë, as mitrolozë por patën përveshur mëngët për të ndërtuar vendin pas atij rrënimi të madh.Madje, edhe te hoteli ku u akomoduan, mu pranë qendrës së Berlinit, rreth e qark, ndërtohej. Sakaq, vihej re dhe një merak i habitshëm. Po përpiqeshin që në fasadën kryesore të skalitej emri i një gjenerali të Ushtrisë së Kuqe që pati dhënë jetën në çlirimin e kryeqytetit..Në javën e dytë të praktikës, u bë i  mundur një takim i lajmëruar i Hektorit me dikë. Ishte një ndër shokët e vëllait të ekzekutuar në kampin e Prishtinës. I kishte shpëtuar tragjedisë. Nuk e di, thoshte, falë perëndisë a falë fatit.! Qeshë dobësuar, letër cigare qeshë katandisur! Zor t’i besoj mëshirës së tyre, se sa mundësisë që atë gati e shihnin me sy, që vdekjen e kisha mbi supe! Mirëpo, përfundoi, i qeshur, “shih e shkruaj!” Nuk u kthye më në atdhe. Disa bashkëvuajtës bavarezë iu gjendën në ato ditë rreziku. Ai erdhi edhe herë të tjera. Hektori e njohu vetëm me kryeinxhinierin..

“Njeri i shtruar dhe i arsyeshëm e cilësoi atë kryeinxhinieri, edhe pse zotëronte një prerje të plotë intelektuali, nuk i paska bishtnuar punës së rëndë, punonte në një uzinë çeliku dhe për bukuri, na paska krijuar edhe familje, qënka martuar me vendëse! A të kujtohet porosia që na dhanë, kur na nisën për këtej? Besoj të kujtohet, dëngla, marrëzira, mirë shteti, qeveria po kam frikë se me to, ka për t’u infektuar gjithë populli e, atëherë, vajmedet!”

Në rastin e një feste që kremtohej më së shumti prej berlinezëve, shokët e tyre ku ata kryenin praktikën, organizuan një darkë në një tavernë në periferi. Një tavernë që po vetë e prodhonte birrën dhe e shërbente me gota të mëdha, të drunjta që mbanin të shënuar vitin 1621. Taverna, me ambientet e saj dhe sendet si relike, përkrenare, parzmore, ushta dhe shpata, të çonte thellë në histori, deri te Atila i famshëm. Të gjithë po mrekulloheshin prej sendeve dhe ambienteve, por po kaq emocion dhe befasi, shkaktoi dhe ardhja  e Hektorit. Ai pati veshur një kostum blu të errët një këmishë të bardhë dhe një kollaro nga më ekstravagantet e kohës. I gjatë, siç ishte, i mbushur dhe biond si shumica e spcialistëve gjermanë të pranishëm , veç ndryshe, krej ndryshe, biond me fytyrë të grunjtë, të embël si erërat  e Mesdheut kurse, mikpritësit, shumica biondë vërtet, por biondë  me pamje qumështi, ku ndihej freskia e Baltikut. Të gjithë e admiruan djalin e ri, nga që të gjithëve u sillte ndërmend një artist të Hollivudid, zot i filmit në ato vite, gati në të gjitha kinematë e Europës..Vetëm njëri u ngrys dhe i lëshoi vetullat deri në tokë. Ishte kapiteni! Ai, të nesërmen në mëngjes, kërkoi, madje me këmbëngulje që kostumi të kthehej, për ndryshe Hektori të bënte gati valixhen.! Ndërhyri kryeinxhinieri dhe premtoi zgjidhjen. Nuk ka zgjidhje, ka vetëm kthim të plaçkës, u hakërrye kapiteni .

- Patjetër u përpoq edhe njëherë kryeinxhinieri, që në të vërtetë e  quante turp të rendë kthimin e dhuratës. U gjet si zgjidhje fshehja zhdukja. Hektori, i shkretë, iu përvesh përsëri kostumit që i pati marrë të vëllait, me atë xhaketën hedhur krahëve, si gunë bariu. Po historia e kostumit, u ringjall me t’u kthyer në atdhe, madje më e egër, edhe pse pati ndonjë mendim lehtësues, deri dhe te arsyetimi se dhurata mund të qe kthyer. Pse të ushqehet dyshimi? Zë në shkretëtirë! Shumica parapëlqente kopenë e tigrave..Kryenxhinieri mori një vërejtje të rëndë, ndërsa Hektori mund të punonte vetëm si punëtor krahu në shërbimin komunal.Megjithatë, nuk do ta harronte për shumë kohë atë “mbledhje të zezë”. Ne u dënuam, tha Hektori, po dhe në dënim, u gjetka fitorja, dhe atë e gjeti kryeinxhinieri!”

- Nëse do bëjmë një llogari të thjeshtë, vetëm çfarë ka harxhuar ky shtet, vetëm për njërin nga ne, për udhëtimin, akomodimin, ushqimin, mund të  qenë blerë tre- katër palë kostume dhe ja, me një të rënë të lapsit shkohet në zero. Si, nuk paska kurrfarë rëndësie ky harxhim? Po atëherë ç’na qenka e rëndësishme, dëngla, marrëzia, shkurt- ai u inatos si kurrë ndonjëherë -, pordha, pordha e madhe!..

…Pas urimit që i bëri kryeinxhinieri atje te kortezhi, Hektori desh u çmall me kostumin që e pat mbajtur aq gjatë fshehur!. Ndihej për bukuri veshur me të. Ende i kujtoheshin kmplimentet dhe lavdërimet  që mori prej specialistëve gjermanë dhe prej shokëve të tij në atë darkë të pa harruar në Berlin.Ishte i ri, shumë i ri në atë kohë. Ndoshta, prej forcës së atyre emocioneve dhe përshtypjeve  shëtiti deri vonë. Kur erdhi në shtëpi, ndërkohë që po bëhej gati të vendoste në kremastar kostumin, ra zilja e telefonit. Nga matanë, u dëgjua zëri i kryeinxhinerit;

- Hektor, nuk e mbaj mend mirë..për pseudonimet flas. Në s’gaboj, ka qenë kusht midis palëve si  zgjedhja,si pëlqimi!? Pra duhet të qenë në një mendje e në një dëshirë si ai që do mbante pseudonimin, si ai që do ta komandonte?

- E saktë, - pohoi tjetri. Të mos shkojmë më larg, ja im vëlla, doktori. A nuk do qe më e drejtë ta kishte pseudonimin, ose nofkën si e quan ai sot, pra ta kishte “ilaçi”. E kishte “helmi” I kam kërkuar disa herë të më spjegohet, po ai qesh, vetëm qesh dhe përdor atë shprehjen e famshme të qytetit tonë” u ba ç’u ba, mos e cyt ma!”

Edhe kryeinxhinieri nga matanë nuk e mbajti të qeshurën dhe vazhdoi:

- Domethënë, sot paskemi përcjellë për në atë botë, vetëm njërën nga  palët? Palën tjetër që doktori, me të drejtë thotë”mos e cyt ma!” e kemi gjallë, e kemi midis nesh?

Nuk ishte më e nevojshme fjala. Ishte plotësisht e besueshme se dhe kjo, pala e  mbetur gjallë nuk e donte kostumin, nuk e shihte dot me sy! Hektori nuk mund të harronte hakërimet e mbledhjes së fundit, të bërtiturat, akuzat. Më keq ndihej,, kur kujtonte egërsinë e tyre ndaj kryeinxhinierit! U përpoq të parashikonte fundin e palës së mbetur gjallë. Kur mund t’i vinte, edhe asaj ora për t’u pëcjellë  në atë botë? E pati të pamundur parashikimin..Buzëqeshi hidhur dhe tha :

- Kostumin, me siguri që do ta hante, në mos dhe mua!